Kulturë
Vangjush Ziko: Ditënata
E enjte, 21.10.2010, 08:59 PM
Vangjush Ziko
DITËNATA
MËNGJESI
Sapuni dhe uji
lajnë fytyrën,jo ëndrrën,
Përpelitet ende
pas qerpikësh të syrit,
nuk shkulet.
Vesa i lau lulet
por s'ua ndërroi dot ngjyrën.
MESDITA
Hieja nxitonte përpara
si mendimi,
Nuk pyeste fare
për hapat e mi.
Këmba e shkeli,
e ndau më dysh hijen,
Njëra më ndjek mua dhe diellin.
Tjetra fshin dirsën time.
PASDITA
Një kafshore bukë në gojë,
Pak zëmër të shijshme,
Një gotë sprajt të ëmbël dirse,
Një filxhan kafe me aromën e shlodhjes.
Dhe mjaft!
Dielli u mbështet pas Ostrovicës të prehet.
Mua më ndjell kanapeja
dhe libri në raft.
NATA
Qerpikët përkëdhelin ëndrrën.
Jastëku dashurinë.
Ora dëgjon zemrën
dhe ngatërron ritmin.
Nata na shoi abazhurë,
Na vu në gjumë.
Qielli shoi jashtë të fundit yll.
Ditënata u mbyll.