Kulturë
Luan Rama: Auguste Dozon, Konsulli që mblidhte këngët e përrallat shqiptare
E enjte, 21.10.2010, 07:25 PM
Auguste Dozon, Konsulli që mblidhte këngët e përrallat shqiptare
Nga Luan Rama
Të pakët dhe të izoluar në mes të popujve të tjerë, shqiptarët mund t’i krahasojmë me një nga ata ishuj vullkanike që shfaqen nga fundi i detit, nga një epokë e panjohur, baza e së cilës është bjerë nga ujrat, duke u thërrmuar pak nga pak përballë kërkimeve të gjeologëve që janë kureshtarë të studjojnë strukturën e tyre. Gjuha që i ndan shqiptarët nga pjesa tjetër e botës, duket se mund të japë çelësin e prejardhjes së tyre dhe të na dëshmojë se nga vijnë ata. Por kjo gjuhë, një mozaik i çuditshëm që duket se ka marrë ngado, në pamje të parë na ofron veç një enigmë të çuditshme e të padeshifrueshme. Qëllimi im ka qënë tu japë etnografëve dhe filologëve, pra “albanistëve” disa elementë më shumë për zgjidhjen e problemit. Kjo është një ndërmarrje, e cila sado modeste që është, unë e nisa në fillim me lehtësi. Të mbledhësh prralla, këngë, proverba, ishte ngasja ime e parë, por unë nuk e kisha menduar se për të vendosur disa fjalë në mënyrë konkrete, më duhej një gramatikë pothuaj e përcaktuar e kësaj gjuhe. Me një fjalë e pashë veten t’i hyja studimit të shqipes, pa e patur në mëndje më parë. Nga studimi gramatikor, unë punova pastaj për mbledhjen e teksteve dhe kjo ese u plotësua me një Fjalor që përmbante të gjitha fjalët që kishin këto tekste dhe që unë i mblodha në mënyrë gojore duke u mbështetur dhe nga librat e Kristoforidhit…”
Këto fjalë janë shkruar nga konsulli francez Auguste Dozon në vitin 1875, në veprën e tij të botuar në Paris “Manual i gjuhës schkipe ose shqiptare”, (Manuel de la langue Schkipe ou Albanaise, grammaire, chrestomathie, vocabulaire), pasi ndërmori udhëtimin e tij të gjatë për të përshkuar vendin e shqipeve nga Janina deri në Shkodër, përshtypje që do t’i titullonte në një libër më vete Eskursion në Shqipëri, (Excursion en Albanie). Auguste Dozon është një nga albanologët evropianë më në zë të shekullit XIX krahas studjuesve të tjerë si J. G. Hahn, H. T. Reinold, G. Mayer, Jarnik, apo Pedersen e më pas Hecquard e Degrand. Madje ai na sugjeron dhe fjalën “albanistë”, të cilën e ka bërë për vete dhe studjuesja e sotme franceze Nathalie Clayer. Padyshim, “Albanistë” duket termi më i përshtatshëm për studjuesit e huaj që iu përkushtuan Shqipërisë, kulturës e historisë shqiptare. Dozon bënte pjesë në rradhën e atyre konsujve që ishin njëherësh edhe studjues, dhe që qëndrimet e tyre në vënde të ndryshme të botës, edhe pse me mision diplomatik, shërbyen për njohjen e kulturave të këtyre vëndeve. Dozon e njihte mirë Ballkanin dhe do të shërbente në disa vënde ballkanike, si në Filipopolis (qyteti i vjetër i krijuar nga Filipi, i ati i Aleksandrit të Madh), në Maqedoni, e po kështu në Janinë e më pas në Mostar, apo më vonë në Larnaca të Qipros e së fundi si konsull në Selanik të Greqisë. Kur u vendos në Janinë, ai u lidh jo vetëm me intelektualë të diasporës shqiptare në Greqi, por veçanërisht dhe me ata të Italisë së jugut, siç ishin Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Skiroi, i cili kishte botuar përmbledhje të krijimtarisë gojore të arbëreshëve, Zef Jubani, që do t’i shërbente me studimet e tij dhe konsullit tjetër francez në Shkodër, Hyacinthe Hecquard, apo botimet e Thimi Mitkos të grumbulluara e botuara në Bleta Shqiptare, etj. De Rada kishte botuar tashmë Rapsodie d’un poem albanese. Më 1871, Jubani botoi në Trieste Raçolta di Canti Albanesi e Rapsodie di Poemi Albanesi, (Përmbledhje Këngësh e rapsodi poemash shqiptare). Brënda në Shqipëri, për rilindasit shqiptarë ishte tepër e vështirë veprimtaria kulturore, meqë shtypja otomane ishte e madhe.
Mbledhja e këngëve
dhe përrallave
Gjatë qëndrimit të tij në Janinë dhe në kontakt me shumë shqiptarë që njihnin gjithashtu greqishten, veçanërisht ata të gjimnazit “Zosimea”, Dozon filloi të interesohej për Shqipërinë dhe fillimthi me traditën gojore të shqiptarëve. Por për ta kuptuar këtë, ai duhej të mbështetej në ndihmën e bashkëpuntorëve dhe miqve të tij: së pari tek Konstantin Kristoforidhi, njeri me kulturë të gjerë dhe një iluminist i vendosur (që siç shkruan ai që prej 20 vjetësh po punon një fjalor voluminoz prej 40.000 fjalësh shqip-greqisht), si dhe me disa nxënës të gjimnazit të “Zosima”-s, shqiptarë, por që dinin mirë greqishten, duke e ndihmuar jo vetëm në përkthimin por dhe në mbledhjen e këtyre këngëve e përrallave, siç e tregon në librat e tij dhe vetë Auguste Dozon. Madje ai na tregon dhe për një mikun e tij në Janinë, Apostoli, një shqiptar, kirurg-empirik, i cili punonte dhe për “Shoqatën Biblike të Londrës”, për të cilën kishte përkthyer disa libra, të botuara në Kosntantinopojë, në shtypshkronjën “Bojaxhi” si: Testamentin e Ri, në dialektin gegë, Psallmet në dialektet gegë e toskë, Histori e Shkrimeve të Shenjta me disa ilustrime angleze dhe në dy dialektet, një Fjalor si dhe Katër Ungjijtë për katekizëm. I rrethuar nga shqiptarë, këto kërkime të Dozon-it nisën të bëhen apasionante, edhe pse regjistrimet gojore ishin të lodhëshme, nëpër fletore e copa letrash, duke u munduar të kapësh fjalë të panjohura apo dialektale dhe duke u përpjekur për ta shkruar drejt fonetikisht. Këngët ishin vërtet tepër të bukura, shumë prej tyre romantike dhe erotike, përrallat plot figuracione të habitshme. Djemtë shkojnë në vënde ku mblidhen njerëz, i pyesin rreth këngëve, i vënë të tregojnë përrallat (sigurisht ata pyesin veçse burrat) dhe mbajnë shënime, të cilat i përkthejnë në greqisht dhe ia tregojnë Dozon-it.
“… Hajde se shtrova dysheknë,
Ngjat dorënë e xbërthe jeleknë,
Jeleknë me kosma t’ergjënda
Pa shi, pa shi, se çka përbërënda
Kam dy koqe mollë t’ëmbla…”
Dhe më poshtë në një “distike” ndër të tjera shkruhet:
1.
“Dale të të puth njëherë
Pa merr një gur e më bjerë.
2.
Dale të të zë prej gishti
Pa le të më dalë shpirti…”
Dozon-i tregon ndër të tjera se disa këngë shqiptare, të përkthyera në greqisht ia kishte dhënë zoti Grimblot, zëvëndës-konsulli francez i Shkupit. “Njoh dhe dikë, një musliman i lindur në Preveza, me nënë greke dhe baba shqiptar, që ishte “kavas”-i im…” Dozon tregon se babai i rojes (“kafazit”) së tij kishte ikur nga Kardhiqi, vëndlindja e tij, si pasojë e masakrave të Ali Pashës dhe më pas ishte vendosur në Janinë. Por me të ishte mirë pasi të dyja gjuhët i njihte njëlloj. Por në atë kohë, Dozon-i e shkroi shqipen në bazë të fonetikës, pra të asaj që dëgjonte si p.sh: “Içte dhé noûk içte, për “ishte dhe ç’na ishte”; “tek po étsin i zoûri nâta”, (tek po ecnin i zuri nata); “mboerthéou”, (mbëtheu); “àfoer”, (afër); “koù”, (ku), “doùartoe”, (duartë); “anekônem”, (ankohem); “gyoùmin”, (gjumin); “gyersâ”, (gjersa), “skyoi”, (shkoi), etj,”.
Eskursion nëpër tokën shqiptare
E pra ishin këto këngë dashurie e përralla, të cilat e shtynë Dozon-in të ndërmerrte udhëtimin e tij drejt Shqipërisë. Sigurisht, nuk ishte një eskursion, siç nënkupton kjo fjalë në gjuhën moderne, pasi eskursioni sot flet më tepër për një shëtitje të këndëshme dhe jo për një rrugë plot peripeci të mundimëshme, të rrezikshme, cfilitëse, siç ishte ajo e udhëtarëve të huaj në shekullin e XIX nëpër Shqipëri. Që në fillim të librit të tij Excursion en Albanie, e shkruar në Mostar, kur sapo ishte emëruar konsull dhe e botuar në Paris, më 1878, ai shkruan distancat që ka përshkuar me kuaj, duke saktësuar se nga Ohri në Elbasan i janë dashur 18 orë, nga Elbasani në Tiranë, dhjetë orë; nga Tirana në Krujë, katër orë; nga Kruja në Lezhë, (meqë kishte shumë moçale), njëmbëdhjetë orë e një çerek; nga Shkodra në Tivar, njëmbëdhjetë orë dhe nga Tivari në kthim, përmes detit në Korfuz, Sarandë, (Santi Quaranta), deri në Janinë, njëzet e një orë. I shoqëruar nga një drogman (përkthyes) shqiptar, ai niset nga Janina drejt Leskovikut, nëpër një luginë prej 40 km, ku rrugës, në fillim, pikëtakon urën e Likostimos, e cila, siç shkruan ai, ishte ndërtuar para 12 vjetësh nga një shqiptar i Zagorisë. Vallë ishte filantropi Zhapa në fillimet e tij?... Pastaj, konsulli francez vijon rrugën drejt maleve të Zagorisë, duke u ndalur nëpër hane e fshatra kristianësh. Vënde që më parë i kishte shkelur konsulli tjetër i njohur, Pouqueville, të cilin Napoleoni e kishte dërguar pranë Ali Pashës së Janinës. Kur ngjitet në një majë, tutje ai dallon Konicën dhe pas pak ndjek rrjedhën e Vjosës. Pranë Nemerçkës, ai ndalon në fshatin e Ostanicës, që bije pingul mbi Vjosën, ku viziton kishën e fshatit, ku i bëjnë përshtypje ikonat e kishës e në veçanti ikonostasi i gdhëndur në dru. ”Nga ky fshat, - shkruan ai, - kanë dalë shumë ustallarë që merren me ndërtime”. Duke vazhduar më pas drejt një ure, ai habitet që banorët e quajnë “Ura e vogël”, pasi ajo është e madhe, me tri harqe të mëdha e katër të vogla, e gjatë 73 këmbë dhe e gjerë afro 3 metra. Vetëm njëri nga harqet, siç shënon Dozon, është i lartë dhjetë metra. “Thonë se ura është vepër e Kurt Pashës, së Beratit, dhëndërit të Ali Pashës. Në anë të urës ka një han”.
Udhëtimi i konsullit vazhdon në një zonë të bukur e me peizazhe interesante. Diku, ai pikëtakon me një fshat muslimanësh. Eshtë Glina. Për të shkuar në Leskovik, duhet ngjitur drejt një lumi të vogël, Langaricës, e cila ndahet nga kodrina të pjerrta. Sipër tyre, ai dallon vreshta. Eshtë qyteza e Melisinit. “Muslimanët që përbëjnë 5/6 e popullsisë së Leskovikut, që të gjithë thonë se janë bejlerë, - shkruan ai. - Shumica merret me spekulime dhe taksat e fermave, dhe me paratë e tyre blejnë toka të tjera në Thesali. Dikur kanë qënë shumë fanatikë, por që prej 7-8 vjetësh, kanë lejuar ngritjen e një kishe. Midis tyre sekti i bektashinjve po shtohet me ithatrë dhe prej disa vitesh ata janë mbi 60”. Konsulli francez ndalon në Leskovik dhe si një i ftuar i veçantë që vjen nga larg dhe që për më tepër është një konsull i Francës, ai darkon dhe flë në shtëpinë e Abaz Beut, i cili ka pak kohë që ka vdekur. “Kur ai vdiq, - tregon Dozon, - plasi një grindje rreth varrit të tij, midis të vëllait të tij dhe një bektashiu. Tashmë që të dy ata, kur dalin nga shtëpia, ruhen nga njerëz të armatosur, çka është bërë e zakonshme në këtë vend si Shqipëria, ku gjakmarrja bën ligjin.” Të nesërmen, Dozon-i lë Leskovikun dhe zbret një luginë të rrethuar nga pisha. Kapërcen Gërmenjin, lart në një grykë, ku ndahet dhe kufiri midis dy guvernatorëve të Perandorisë: atij të Selanikut dhe të Janinës. Tashmë ai ecën drejt fushës së Kolonjës, “një lloj rrafshine e lartë ku bën shumë ftohtë”. Tutje duket Gramozi. Kolonja ka 16 fshatra, dy prej të cilave, shënon ai, janë kristiane. Erseka, që për nga pozicioni gjeografik është bërë një qëndër e rëndësishme, përmbledh katër hane dhe 5-6 shtëpi të shpërndara, ku ka një xhami dhe një shkollë turke. Ndërsa për Kolonjën ai shkruan: “Kolonja është një vend i mjerë, me njerëz të uritur…” Ai thërret atje një nga kristianët e asaj qëndre, që t’i tregojë rreth zonës dhe banorëve të saj. Por fshatari i tregon se ky vend nuk është i sigurt dhe se me të perënduar, njerëzit futen ndër shtëpi dhe nuk dalin, veç në të zbardhur….
Dozon-i vazhdon udhëtimin e tij. Në krye të çdo etape, ai mban shënime, shkruan emra vëndesh, anekdota, ndodhi, ngjarje. Tutje tashmë shtrihet fusha e Korçës. Qyteti, siç shkruan ai, varet administrativisht nga guvernatori otoman në Maqedoni. ”Në Janinë më kishin thënë se ky qytet është një çerdhe hajdutësh, por unë pata atje disa supriza. Ndryshe nga sa më kishin thënë, qyteti ishte në zhvillim e sipër dhe që prej tri-katër vjetësh ishte bërë qëndra e mutesarifit turk. Një e gjashta e popullsisë është muslimane, të cilët banojnë në 200 nga 1500 shtëpitë e qytetit. Ky zhvillim ka ardhur që pas luftës së Krimesë dhe ardhjes së shumë kristianëve shqiptarë që më parë ishin vendosur në Egjipt, të cilët, në kontakt atje me francezët, kanë sjellë një përparim material dhe intelektual, çka duket në ndërtimin e shtëpive të stilit evropian dhe përpjektjet e tyre për të bërë ndërtime. Ata kanë meritë se përpiqen për arësimimin e rinisë dhe ndihmën e të vobektëve… Ndërkohë pashai, një çerkez, i cili ka ardhur që para tri-katër vjetësh, ka ngritur sarajet e tij si dhe një kazermë xhandarmërie të ngritur me gurë. Tregëtarët, nga ana e tyre janë angazhuar të ngrejnë një stacion telegrafik që t’i lidhë me linjën e madhe telegrafike që kalon nga Manastiri. Popullsia e zonës përreth, muslimane apo e krishtere, është fare e pastërt (plotësisht shqiptare) gjer në Ohër. Tutje, Moscopolo apo më saktë Voskopoja, tri orë larg që këndej, është një qytezë greko-vllahësh, që dikur ka qënë një qytet i lulëzuar, por tani është katandisur në 120 shtëpi.”
Pasi lë Korçën, konsulli francez i drejtohet fushave të pamata që u shtrihen përpara, për të kapërcyer më pas lumin e Dunavecit. Por shirat kanë krijuar një baltë të tmerrëshme, aq sa karron duhen ta tërheqin nja 6 buaj të fuqishëm me rrota të mëdha. Dozon pikas se tashmë shtëpitë e fshatarëve janë me tulla. Pas disa orësh mbërrijnë në Bulgarec. Tutje shtrihet një luginë e më pas, liqeni i Sovjanit. Duke përshkuar moçaloret e Maliqit ata i drejtohen Devollit. Tutje fluturojnë rosa të shumta dhe peizazhi tashmë i duket romantik. Ngjalat e moçaleve i shijojnë në mënyrë të hatashme. Qëllimi i tij tashmë është të shkojë drejt Shën Naumit, të cilin pas shumë e shumë orësh, më së fundi e shikon buzë liqenit, të ngritur mbi një pjesë shkëmbore. “Unë kisha dëgjuar shumë për Shën Naumin, - shkruan ai, - por pamja e tij, brënda e jashtë, më habiti pa masë. Për të ndenjur, më dhanë një dhomë që ishte veçse një kthinë që lagej nga shiu, pasi prej disa orësh, stuhia jashtë e sillte shiun brënda. Në fakt, dhomat ishin për të huajt e pelegrinët, por ato ishin djegur para ca kohësh dhe tani po i rindërtonin. Në manastir ka veçse 4 murgj, të drejtuar nga një grek i Kretës, një plak i sëmurë, i cili ka këtu që prej 27 vjetësh, pasi kishte lënë manastirin e Sinait. Por si ndihmës, kishte një “qahja” laik.” Nga Shën Naumi, Dozon-i vazhdon rrugën drejt Ohrit, pastaj Strugës dhe që andej, drejt luginës së Shkumbinit, nëpër male, për të zbritur në Qukës, nga ku kalon rruga për gjithë udhëtarët që kalojnë nga ato anë. “Një fshat me njëzet shtëpi, me dy hane dhe një postë zaptijesh (xhandarësh), të cilët i kishin bastisur disa ditë më parë”. Ndoshta për tu marrë armët!... “Lëmë luginën dhe 6 orë më pas mbërrijmë në Urën e Beqarit…”
Duke kapërcyer urën, që është 4,5 metra e gjerë dhe me katër harqe, dy prej të cilave me kamare, duke ndjekur rrugën e lumit, ata bien në Gostim. “Tutje duken orizoret dhe pas një ore ndalojmë në Elbasan. Në Elbasan, si dhe në Tiranë, vizitori pikas një vënd në formë drejtkëndëshe, të rrethuar me qiparizë shekullorë, ku njerëzit mblidhen për festën e Bajramit.” Dozon-it i pëlqen pazari i Elbasanit, duke shënuar se më parë kristianët nuk kishin të drejtë të kishin dyqanet e tyre, por tashmë kohët kanë ndryshuar. Pesë-gjashtë dyqane kristianësh janë përzier mes të tjerëve. “Por kureshtja e vetme që të ofron ky Pazar janë dyqanet e armëve. Aty ndjehesh vërtetë në Shqipëri. Armët evropiane ende nuk kanë ardhur deri këtu. Pushkët janë akoma me “gurë” dhe tepër të gjata.” Dozon-i vë re se Elbasani ka dy lagje kristianësh, ku secila nga ato përmbledh rreth 100 shtëpi dhe nga një kishë. E para është ajo e banuar nga shqiptarët kristianë të ritit “oriental”, pra e kishës ortodokse; e dyta, ajo e vllehëve. “Peshkopi, i cili është njëkohësisht dhe i Durrësit, banon në lagjen shqiptare”, vëren Dozon. Dioqeza e tij përmbledh veçse 1200 shtëpi të shpërndara nëpër qytete e fshatra të ndryshme. “Dikur Posta Telegrafike këtu kishte një punonjës francez, i ngarkuar për shërbimet në gjuhë të huaja, por më pas, e kanë hequr si këtu ashtu dhe në Prevezë, çka ka sjellë ankesa të përgjithshme dhe legjitime.”
Pas Elbasanit, konsulli francez merr rrugën drejt Tiranës, nëpër luginën me thepisje ku rrjedh një lum e ku anash tij duken ullinjtë. Zbritja është e menjëherëshme. Janë në Qafë të Krrabës. Dhe hyrja në Tiranë është mjaftë e këndëshme. Një pamje romantike i shfaqet përpara. “Sipas meje, Tirana është një nga vëndet më të këndshme të Turqisë së Evropës. Qyteti është i vogël, por ujrat rrjedhin ngado dhe pemë të të gjitha llojeve të shfaqen nga të katër anët. Fushat janë të rrethuara me gardhe, çka është e veçantë në Turqi dhe që ngjajnë me peizazhin normand, ose dhe me atë lombard, pasi vreshtat kapen pas drurësh të vendosur enkas për to. Qiparizët janë gjigandë. Edhe këtu janë rreth 100 familje vllehësh, të cilët kanë një shkollë dhe po ndërtojnë një kishë prej druri, mjaft të madhe. Por ndërkohë janë dhe katolikët. Kisha e tyre përmbledh rreth shtatë familje. Shtëpia e priftit pranë kishës është ndërtuar para dhjetë vjetësh. Ai është i urdhërit italian “Capucin”. Katolikët këtu janë të pakët dhe pothuaj janë të vetmit në kazanë e Tiranës dhe të Krujës. Thonë se kjo gjë ka ardhur si pasojë e luftrave të parreshtura të Skënderbeut, kur vëndi ishte kthyer në një shesh beteje, çka solli masakra të tmerrëshme. Por themelimi Tiranës është shumë para pushtimit otoman. Të gjithë këta muslimanë, janë gegë të ardhur.”
Pas një qëndrimi të shkurtër në Tiranë, të nesërmen në mëngjes, konsulli francez niset drejt Shkodrës. Tashmë nuk do të ketë më male e gërxhe për të kapërcyer. Rruga është e drejtë. Duke lënë pas malin e Dajtit, shoqëruesit e tij i flasin për malet që duken në të djathtë dhe që të çojnë drejt Matit e Dibrës, të cilat, sipas tyre janë të pa kapërcyeshme. Konsulli kalon anash Krujës dhe ullinjve të qytezës historike të Skënderbeut, me 800 shtëpi, por që fshihen midis ullishtave. Deri në Lezhë rrugës ai ndesh me moçale dhe pyje. “Takova një francez që kishte ardhur këtu kohë më parë dhe kishte biseduar për shfrytëzimin e pyjeve me pashain e Shkodrës, por pashai nuk e kishte dëgjuar”. Ai kapërcen lumin e Matit, i cili nuk ka shumë ujë: “Kur ujrat vijnë, ky lum bëhet shumë i rrezikshëm”. Ata e kapërcejnë atë me dy barka të gjata, të lidhura me njëra tjetrën dhe ku diku duhet t’i tërheqin buajt. Dy orë më vonë mbërrijnë në Lezhë, ku mbi kodrinën e lartë, duken muranat e kalasë së vjetër të Lezhës. “Gjëndja e këtij qyteti në atë luginëz të ngushtë e të xhveshur është për t’i qarë hallin. Eshtë thjesht një Pazar, i përbërë nga dy fshatra me të njëjtin emër, por një orë larg njëri tjetrit.” Ai ndalon pranë gërmadhave të ndërtesës së gurtë që dikur kishte varrin e heroit shqiptar. “Eshtë Akropoli ku ka vdekur Gjon Kastrioti dhe ku kanë mbetur ende fragmente të mureve të mëdha. Kajmekami është i vendosur në një shtëpi veneciane, pranë pazarit. Më së fundi, ata i afrohen Shkodrës, për të cilin, siç pohon ai, nuk ka nevojë të shkruaj përshtypjet e tij, sepse për këtë qytet është shkruar shumë dhe prej shekujsh…
Edhe pas kthimit në Janinë dhe largimit të tij, Dozon-i vazhdoi të interesohej për kulturën shqiptare dhe veçanërisht krijimtarinë gojore e gjuhën, për të cilën ai thoshte se “fonetika e shqipes është shumë e pasur dhe i tejkalon shumë gjuhë të Aristofanit”. Në vitin 1881, ai botoi në Paris Përrallat shqiptare, (Contes Albanaises), ku kishte futur dhe përrallën tepër të bukur Vajza që i ishte premtuar diellit. Në studimin tjetër Letërsia popullore tek shqiptarët apo albanezët, (La littérature populaire schkipe ou albanaise), të botuar në Bulletin de Correspondance Hellènique, ai përshkruan gjëndjen e letërsisë shqipe, veçanërisht në diasporën e shqiptarëve të Italisë, ku siç dihet, më parë ishin botuar vepra të rëndësishme të letërsisë shqiptare që nga Barleti, Budi, Bardhi, etj. Dozon-i nuk do të kthehej më në Shqipëri. Nga Selaniku, ai u kthye në Paris, ku u bë profesor i gjuhëve në Institutin e Gjuhëve Orientale, ku përgjithësisht studjonin ata që aspironin të bëheshin diplomatë dhe ku mësonin qytetërimet e huaja të Ballkanit, të Mesdheut, Orientit dhe të Ekstrem-Orientit. Disa nga përrallat dhe këngët e mbledhura të Dozon-it u botuan nga Instituti i Kulturës Popullore në serinë Mbledhës të Hershëm të Folklorit Shqiptar, në vitin 1961, ku përmblidhen 24 përralla, 25 bejte, 6 distike, 37 këngë dashurie, 59 proverba nga Fieri, Frashëri, Korça, etj, zakone dasme të Përmetit, një variant i këngës së Garentinës të marrë nga De Rada, 9 përralla të Ezopit, korrespondenca e një djali me atin e tij, apo përralla Dy mëzat magjikë, në dialektin e arbëreshëve të Italisë, marrë nga J. Pitre.
Veç studimeve shqiptare, Dozon-i botoi dhe studimet e tij për këngët popullore serbe, të cilat i mblodhi gjatë kohës që ishte në konsullatën e Beogradit, (Chansons populaires serbes), apo një studim për letërsinë në Masedoni, si dhe për këngët popullore bullgare. Ndër këngët e ndryshme të epikës sërbe, bien në sy veçanërisht këngët për Marko Krajleviçin, birin e kralit Vukashin. Nga një këngëtar serb, ai kishte dëgjuar dhe këngën e Rosandës së Prizerenit, motrës së kapiten Lekës, e cila e mahniti për nga forca që përmbante. Mjerisht, Dozon-i nuk e përshkoi veriun shqiptar, pasi padyshim, në botimet e tij do të zinin një vënd të dukshëm perlat e eposit shqiptar, këngët e Mujit dhe Halilit, e Ajkunës dhe Ago Ymerit me motrën e tij të transformuar në qyqe që bridhte maleve, të cilat do t’i zbuloheshin shumë vonë lexuesit perëndimor, edhe pse i përkisnin një epike mesjetare të transmetuar gojarisht brez pas brezi.
(Nga vëllimi i tij Perralla shqiptare)
Vajza që i ishte premtuar diellit
Na ishte seç na ishte. Ishte një mbretëreshë që nuk kishte fëmijë. Ajo i lutej perëndisë
dhe diellit që t’i jepte një fëmijë, të cilin, kur të bëhej 12 vjeç do t’ia jepte diellit. E dëgjoi dielli dhe ai bëri që ajo të lindëte një vajzë. Dhe vajza u rrit. Një ditë ajo shkonte në shkollë dhe dielli rrugës i tha: “Thuaj nënës të më japë atë që më ka premtuar”. Dhe vajza kur shkoi në shtëpi i tha të ëmës. Por nëna iu përgjigj: “Thuaj diellit se është e vogël!”
Një ditë, kur ajo mbushi 12 vjeç dhe shkonte në shkollë, dielli e rrëmbeu dhe e çoi në shtëpi të tij. Kur vajza nuk u kthye në shtëpi, nëna e kuptoi se e kishte marrë dielli. Ajo e ngjeu shtëpinë me të zezë, u mbyll brënda dhe filloi të vajtojë.
Në shtëpinë e tij, dielli kishte dhe një kuçedër. Kuçedra i mori erë vajzës dhe i tha diellit: “Seç më bie erë mbretërore ky fëmijë!”… Por dielli i tha: “Eshtë çupa ime dhe mos ma ngit!” Një ditë dielli e mori çupën dhe e çoi në kopësht dhe i tha t’i këpuste një lakër. Por kur ajo e këputi, lakra qau, duke thënë: “Oh, zemra e nënës time!”
Mê pas, vajza në shtëpi filloi të qante për nënën e saj. Dielli iu afrua dhe i tha: “Pse qan? Të mori malli për nënën tënde? Dhe vajza iu përgjegj: - “Po, më mori shumë”! – “Nëse do të shkosh në shtëpi po thërras drerin të të çojë”. Kur erdhi dreri, dielli e pyeti: “E çon dot vajzën gjer në shtëpi të saj në tokë?” - “E çoj!” – “Po nëse rrugës të merr uria çdo të hash?” – “Bar të njomë!” – “Po kur të të marë etja?” – “Ujë të ftohtë!... Kur të shkoj në shtëpi, nëna e saj do të më japë tri okë bar.
Dhe dreri e hipi në brirët e tij dhe u nis. Kur e mori uria, në tokë, ai i tha vajzës: “Ngjitu në atë lis dhe në ardhtë dikush, e të thotë të zbresësh, ti mos zbrit!” Andej kaloi një kuçedër që e pa vajzën dhe i tha: - “Zbrit poshtë të llafosemi!” Por vajza ia ktheu: - “Nuk zbres se kam frikë se ti më ha! Shko njëherë gjer në shtëpi dhe pastaj kthehu të më marrësh.” Kur kuçedra iku, ajo thirri drerin ta merrte se ndryshe do të kthehej kuçedra. Dreri e mori vajzën mbi brirë dhe këdo që takonte rrugës i thoshte: “Nëse shikoni kuçedrën që na kërkon, thojini se kemi shkuar nga një shteg tjetër.”
Më së fundi arritën në portën e shtëpisë dhe trokitën, por ajo nuk e hapte portën. – “Hape nënë, tha vajza se jam unë, bija tënde!”
Ajo e hapi dhe u lumturua.
Në mëhallë morën vesh se vajza ishte kthyer. Shkuan në shtëpi dhe i thanë nënës së saj: “Na e lër dhe neve ta gëzojmë!” Dhe ajo e la të luante me shoqet e saj. Ato e çuan në një oborr ku kishte një portë të mbyllur. Vajzat shtynë portën të hapej, por ajo nuk hapej. Atëherë shkoi vajza, e shtyu dhe porta u hap. Por sapo ajo hyri brënda, porta u mbyll me forcë. Meqë porta nuk hapej, vajzat e tjera shkuan t’i thonë nënës së saj. Kur i dëgjoi, ajo filloi të qante.
Në atë vend që hyri, vajza gjeti njerëz e shpendë të kthyer në mermer. Madje ishte dhe një mbret në mermer që mbante një kartë ku shkruhej : “Nëse dikush është e zonja të mos flejë tri ditë e tri netë (e tri javë) unë do të bëhem njeri dhe do ta marr për grua!” Dhe ajo nisi të rrijë zgjuar. Si shkuan tri ditët dhe dy javët, sipër tokës shkonte një njeri që shiste hyzmeqare. Dhe vajza i bëri zë dhe e pyeti: “Sa para do për ta blerë një hyzmeqare?” – “Sa të duash!” – ia preu ai. Dhe ajo i hodhi nga poshtë një lopatë me florinj. Ai zgjati një tërkuzë ku u mbajt hyzmeqarja dhe zbriti. Dhe vajza i tha hyzmeqares: “Mos fli ti nja tri ditë sa të fle pak unë, pasi mbreti do të zgjohet dhe në zgjim do më marrë për grua, siç shkruhet dhe në kartën e tij.” Dhe kështu vajza ra në gjumë. Kur ajo po flinte hyzmeqarja ia hoqi rrobat e saj dhe i veshi vajzës rrobat e veta. Tri ditët kaluan dhe ajo nuk e zgjoi. Mbreti u ngjall dhe menjëherë kur e pa e pyeti: “Kush je ti.” - “Unë jam ajo që kam tri ditë e netë e tri javë që rri zgjuar.” - “Po kjo që po flë?” – tha mbreti kur pa vajzën që flinte. – “Eshtë hyzmeqarja ime. E mora sepse kisha frikë të rrija vetëm. Mbreti i tha asaj: - “Çfarë ta bëjmë hyzmeqaren?” Por ndërkohë vajza u zgjua dhe i tha: - “Më vër të ruaj patat!”
Dhe mbreti e vuri vajzën të ruante patat në një kasolle. Atje tek rrinte, ajo qante pa pushim duke folur me vete për hallet e saj. Një ditë mbreti e dëgjoi që bënte kështu dhe i tha: - “Pse qan kështu?” Dhe ajo i tregoi historinë e saj. Atëherë ai e mori atë për grua dhe hyzmeqaren gënjeshtare e bëri copa.