Kulturë
Kolec Traboini: Poeti rrebel që pushtoi shekullin
E merkure, 20.10.2010, 08:30 PM
ZHAK PRÉVER Poeti rrebel që pushtoi shekullin
Esé
nga KOLEC TRABOINI
Zhak Préver (Jacques Prévert) ishte zëri rrebel që në artin e tij të fjalës së shkruar - poezisë, këngës dhe filmit, afroi zhargoni e rrugës në lartësinë e artit nëpërmjet një stili në të cilin reflektohej shpirti i popullit. Me forcën e tij shprehëse, me magjinë e fjalës, u bë poeti më popullur në Francë në shekullin e XX. Dhe jo vetëm i Francës. Ai ka lindur në rrugët e kryeqytetit francez - është fjala si poet - sepse në të vërtetë është lindur më 4 shkurt 1900, në një qytet pranë Parisit, por që në vogëli erdhi në Parisin e zhurmshëm me të cilën e ngjizi jetën e tij. U rrit në një shtresë të mesme dhe kaloi një fëmijëri të gëzuar. Në librin e tij me prozë poetike “Fëmijëria” ai shkruan me dashuri për jetën rrugëve. Babai i tij punonte në Zyrën Qendrore të Varfërve dhe e merrte shpesh Zhakun e vogël gjatë inspektimeve nëpër skutat më të errta të Parisit. Ishte një fëmijë që vëzhgonte dhe i shihte me simpati e dashuri shtresat punëtore të varfëra. Herë-herë i dukej vetja si një Gavrosh i Viktor Hygoit që mblidhte fishekë në barrikada duke kënduar:“Fajet i ka Rusoi”. Si gjithë Gavroshët edhe atij nuk i pëlqente shkolla dhe e braktisi atë që në moshën 14-vjeçare. Ai ishte krenar e thoshte se edukimin e tij e bënë rrugët e Parisit. Kish mbaruar kasaphana e parë botërore kur e mobilizuan për të kryer shërbimin ushtarak në Lunevile në lindje të Francës, ku u njoh e zuri shoqëri me Ives Tanguy, një kokëkrisur, që më vonë do të bëhej piktor surrealist. Më pas e dërguan me trupat ushtarake në Stamboll ku u njoh edhe me një mik tjetër të tij Marsel Duhamel dhe të tre këta ishin tipa rrebelë e kundër rregullave të rrepta ushtarake. Stambolli ishte një botë tjetër. Një ekzotikë për të cilën shpirti i tij rinor kishte nevojë. Por nga ajo kohë nuk gjejmë shumë gjurmë. Kohë kalimtare siç mund të ishte fluturimi i një zogu në qiell duke lënë pas veç një ciu-ciu dhe imazhin puplor ravizuar në të kaltër. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak që e konsideronte si një burg, Zhaku u vendos në Paris, por shpejt i revoltuar si gjithnjë, nisi jetën boheme. Nuk mund të bëhej ndryshe. Ai ishte si trofta, peshku zhdërvjelltë që pëlqen rrymat dhe noton në të kundërt të rrjedhës së përrenjve malore. Zhaku kish një mike të tij me të cilën një ditë u pa i martuar, Simonë Dienë. Ishte viti 1925, tashmë me dy miqtë e tij ishin lidhur me lëvizjen surrealiste të cilën e udhëhiqte Andre Bréton. Surrealistët krijuan një shtëpi dhe një qendër ku mblidheshin në rrugën Château. Lidhja me surrealistët do të vazhdonte deri në vitin 1928 kur Zhak Préver dhe miqtë e tij u ndanë sepse nuk e pëlqenin drejtimin me një dorë të fortë nga Andre Bréton kokëkrisur edhe ky që kërkonte të bënte revolucion në art. Duke qenë i majtë, Zhaku mori pjesë në teatrin “October” i cili ishte i lidhur me Partinë Komuniste Franceze. Nisi të shkruajë pjesë teatrale në të cilin mpleksej surrealizmi i lirë me tema të forta politike. Më 1932 u realizua filmi surrealist “Çështjet janë në çantë”, skenarin e të cilit e shkroi me vëllain e tij, Pier. Zuri miqësi me këngëtaren e njohur Mariane Osvald, për të cilën nisi të shkruante këngë. Shpejt ra në sy të një prej figurave më të njohura të kinematorgafisë franceze, prodhuesit të filmave Zhan Renoir me të cilin punoi si skenarist e dialogshkrues. Realizuan bashkë filmin që bëri emër të madh “Krimi i Mosinjor Lanzh” që i hapi rrugën për bashkëpunin edhe me një mjeshtër tjetër të kinemasë franceze, Marsel Karné (Marcel Carné). Ndahet nga gruaja Simona dhe bie në dashuri me Zhaklinë Laurent. I kësaj kohe është poema “Kryqi në ajër”. Pushtimi nazist i Francës ishte një goditje e rëndë të cilën nuk e përballoi dot, ndaj iku nga Parisi e shkoi në jug. Atje Préver realizon një sërë filmash. Qeveria kuislinge e Vishisë në jug censuronte çdo prodhim kinematografik, ndaj ai u detyrua të shtjellonte subjekte të shekullit XV. Gjatë viteve 1943-1945 Marsel Karné and Préver krijuan kryeveprën e tyre “Fëmijët e Parajsës”. Subjekti është vendosur në shekullin e XIX e ka në qendër katër burra që dashurojnë të njëtën grua, marrë shkas nga një ngjarje reale. Ky realizim mjeshtëror u bë filmi më popullor në Francë për të gjitha kohërat. Po këtë vit Zhak Préver do të shënonte dhe një sukses të jashtëzakonshëm me botimin e përmbledhjes me poezi “Fjalë”, i cili u shit me gjysëm milioni kopje. Në vitin 1958 do të botohej edhe anglisht duke e bërë të njohur edhe në Europë. Vargjet e librit “ Fjalë” u bënë më të famshme kur kompozitori i njohur hungarez Jozef Kosma që punonte me regjisorin Marsel Karné, i përdori për të krijuar këngë për filma. Mbase më popullorja u bë “Gjethet e vjeshtës” e cila është kënduar nga Iv Montan dhe Zhuliete Gréco dy nga këngëtarët më në zë në Francë në periudhën pas Luftës së II Botërore. Në vitin 1948 ndodh një ndarje e Préverit me Marsel Karné kur filmi i tyre u ndërpre gjatë xhirimit. Në atë vit, ndërsa ishte në zyrën e Radiodifuzionit Kombëtar në Paris rrëzohet e për disa javë bie në koma. Të gjithë menduan se ky ishte fundi i poetit, por ai shërohet e kthehet në shtëpinë e tij në qytetin Shën Paul Vence me gruan e dytë Janine Loris, e cila dhe ajo kishte qenë një nga pjestarët e grupit të teatrit “October”. Në 1951 boton “Spectacle” përmbledhje poezish dhe pjesësh teatrale, ndërsa katër vite më pas “Shi në kohë të mirë”. Vendos të rikthehet në Paris ku emri i tij ishte bërë shumë popullor. Deri dhe vagabondët e të pastrehët i thonin me zë të lartë vargjet e poezive të tij për ta përshëndetur kur e shihnin në rrugë. Poezia e tij kish shkuar tek populli i thjeshtë, e gjeje kudo në mes njerëzve ndaj dhe ai e ndjente se aty ku ishte poezia e tij duhet të ishte dhe ai, mes tyre ishte vendi i poetit, aty ai ndjehej më mirë. I kushtohet më shumë poezive. Boton edhe vëllimet të tjera “Histori dhe të tjera histori” në 1963 dhe “ Gjërat dhe gjëra të tjera” në 1972. Thëniet e tij shprehnin dëshirën e madhe të mbetej poet i popullit. “Unë kam qenë i njohur para se të shfaqesha. Ajo çfarë më jep kënaqësi është të kem lexues. Ata janë kritikët më të mëdhej të letërsisë. Ata janë njerëzit që e njohin letërsinë më mirë, ata që e duan atë dhe jo specialistët” Po erdhi një kohë që u lodh e u tërhoq në shtëpinë e tij në Omonvile La Petite në Normandi të Francës. Jeta i kishte shkitur si re nëpër qiellin e një pranvere.Por edhe gjurmë kish lënë. Poezitë e tij ishin bërë këngë. E këngët këndoheshin jo vetëm në Paris, por në mbarë Francën. E jo vetëm në Francë por në mbarë Europën ku kishte emrin e një poeti të madh. Të mbyllësh sytë në pranverë. Të mbyllësh sytë pasi ke rrëmbyer një copë qiell të Normandisë e të kesh thithur aromat e luleve, të kesh dëgjuar zogjtë e të kesh kujtuar se sa vargje për dashurinë e jetën ke kënduar e pastaj… të mos i hapësh më kurrë. Ishte 11 Prill 1977. Pikërisht atë ditë gazeta amerikane “Nju Jork Tajms” citonte regjisorin e madh Marsel Carné: “Zhak Préver ishte i vetmi poet i kinematografisë franceze”. Mbi të gjitha mbeti poeti më popullor i Francës në shekullin e tij, e jo vetëm. E kjo mjafton që atje në varrin dekoruar me një stil të thjeshtë nga Aleksander Trauner, poeti Zhak Préver të prehet i qetë. Ai gjithmonë do të jetë nëpër rrugët e Parisit pranë njerëzve të thjeshtë që i kishte në poezitë, këngët, artin dhe zemrën e tij.
ZHAK PRÈVER
KJO DASHURI
Kjo dashuri Kaq e egër Kaq e brishtë Kaq e prekshme Kaq pashpresë Kjo dashuri E bukur si dita E keqe si moti Kur moti është i keq Kjo dashuri është aq e vertetë Kjo dashuri është aq e bukur Sa e lumtur Sa e perjetueshme Po aq patetike Drithëron prej frike si fëmijë në erresirë E aq e sigurtë në vetvetegjashëm me një burrë të qetë në mesnatë Kjo dashuri që i bën të tjerët të drojtur I bën ata të flasin I bën ata të treten Kjo dashuri që me ngulmim shikohet Sepse ne me qëllim e synojmë atë Vrapojmë, rrëzohemi,plagosemi shkelmohemi mbarojmë,dënohemi harrohemi Sepse ne e rrëzojmë atë, e plagosim atë e nëpërkëmbim atë I japim fund asaj, e dënojmë atë dhe e harrojmë atë. Gjithçka kjo dashuri Kaq nxitëse E kaq diellore Eshtë e jotja Eshtë e imja Ajo hyn Gjithmonë me gjëra të reja Ndërkohë asgjë nuk do ndryshojë Sakohë që të vërteten, sakohë që pemët Sakohë që drithërimën, sakohë që zogun Sakohë që ngrohtësinë, jetën, pranverën Do t’i kemi bashkë të dy Tek shkojmë e vijmë Do të harrojmë A atëherë shko prap të flesh Kur të ngrihesh e do ndjehesh i moshuar Shko të flesh sërish Zgjohu i qeshur e gazmor E ndjehu i ri Dashuria jote qëndron atje Kokëfortë si një mushkë Nxitëse si dëshirat Torturuese si kujtimet Budallaqe si keqardhja E thyeshme si mendimi E ftohtë si mermer E bukur si dita E brishtë si fëmija Tek na vështron, buzëqësh.
PER TY, DASHURIA IME
Për ty, dashuria ime Shkova në tregun e zogjëve E të solla një zog Për ty Dashuria ime Shkova në tregun e luleve E të solla një lule Për ty Dashuria ime Shkova në tregun e hekurishteve E të solla një zingjir Një zingjir të rëndë Për ty Dashura ime Vajta në tregun e sklleverve Të kërkova Por kurrë më s’të gjeta Dashuria ime. Dhe i flas vetes pa thënë asnjë fjalë E dëgjoj vetveten me drithërimë Dhe ja plas së qari Unë qaj për ty Unë qaj për veten Kërkoj ndjesë e lutem Për ty e për të gjithë ata që dashurojnë një tjetër A dashurohen prej një tjetri Po, unë qaj për këtë Për ty për mua e për të gjithë të tjerët Të cilët nuk i njoh Qëndro atje Atje ku ti je Atje ku ishe në të shkuarën Qëndro atje Mos lëviz Mos ik që andej Ne që e duam njeri-tjetrin Ne që të harruam ty Mos na harro Veç teje s’kemi tjetër në Botë Mos na lërë të ngrijmë Gjithmonë më larg që ketej Dhe në çdo vend qofsh Na jep një shënjë jetë Tejet vonë në errësirën e natës Në pyllin e kujtesës Shfaqu papritur Zgjate dorën tënde drejt nesh E na shpëto!!
BARBARA
A e sjell në kujtesë Barbara Atë shi që gjithë ditën rigoi në Brest Ti kaloje e qeshur Në dallgëdi me flokë të qullur Harlisur në shi Gjithë ditën rigoi shi atë ditë në Brest Kur u gjënda përballë teje në Siam Strit Ti ishe e qeshur Dhe unë gjithashtu Të kujtohet Barbara Qemë dy të panjohur Edhe unë - edhe ti Kujtoje Kujtoje atë ditë që më ngriu në kujtesë Mos e harro Një burrë kish gjetur strehez në një verandë E me ngashërrim thërriste emrin tënd Barbara Ti vrapove atëherë nëpër shi Në dallgëdi me flokë të qullur, harlisur U lëshove në krahët e tij Sille në kujtesë atë Barbara E mos u pikëllo në të flas ngrohtësisht Unë i flas ngrohtësisht çdo njeriu që dua Edhe sikur ta shoh veç një herë U flas ngrohtësisht të gjithë të dashuruarve Edhe sikur të mos i njihja asnjëherë Kujtoje Barbara Mos e harro Të mirin e të gëzuarin shi Në fytyrën tënde të lumtur Në të lumturin qytet Atë shi tej në det Mbi armatimet e rënda Mbi anijen Ushant Çfarë mutçmëndurie kjo luftë Tani kush do të vij tek ty Nën këtë shi të hekurt Zjarr, Çelik dhe gjak Dhe ai që të mbajti në krahë Me dashuri ate ditë i vdekur i harruar është apo akoma gjallë Ah, Barbara Edhe sot gjithë ditën rigon shi në Brest Ashtu siç binte dhe më parë Veç ai nuk është më njësoj Gjithçka është gremisur Eshtë një shi i përzishëm, vetmitar Nuk është një stuhi e hekurt, e çeliktë, e përgjakur por thjeshtë rè që vdesin si qëntë Si kufomat e qënëve që zhduken Nëpër rrekët që përmbytin Brestin Tek ikin, pluskojnë e kalbëzohen Diku larg që këtej Larg e më larg nga Bresti Në të cilin nuk ka mbetur asgjë.
RANISHTE
Perlat e mrekullitë Erërat dhe rrymat Që ikën tej e zbatica i nxorri në breg Dhe ty Ngjashëm me leshterikët që era perkëdhel Në ranë, si në një shtrat ku lëviz, ëndërron. Perlat e mrekullitë Erërat dhe rrymat Që ikën tej e zbatica i nxorri ne breg Por në sytë e tu gjysëm të mbyllun Dy dallgë të vogla mbetun kanë. Perlat dhe mrekullitë Erërat dhe rrymat Dy dallgë të vogla të më marrin Në detin e pa anë dhe mua.
GJETHET E VDEKURA
Oh sa shumë dëshëroj të mbash mend Të bukurat ditë kur ishim miq Jeta në ato kohë kishte më shumë dritë E dielli ish më i ngrohtë se sa sot Gjethet e vdekura i flakte kopshtari tej E sheh, unë të gjitha i mbaj mend Gjethet e vdekura i flakte kopshtari tej Kujtesen e dhëmbjen gjithashtu Era e Veriut i kuturiste larg E ftohtësira e natës i mbështillte në harrim. E sheh, unë të gjitha i mbaj mend Këngën që ti këndove për mua: Ajo këngë që na përngjiste aq shumë. Ne jetonim bashkë, ne të dy Ti më doje mua Unë të doja ty. Po jeta ata që duhen i ndan Gjithmonë butësisht Gjithmonë pa nxjerrë zâ Dhe deti i shuan gjurmët në ranë Gjurmët që të dashuruarit tek iknin, lanë
Shqipëroi © Kolec Traboini Copyright: Nuk mund të botohen në media elektronike dhe në shtyp pa lejen e shqipëruesit.
http://traboini-antologji.blogspot.com/ |