E diele, 04.05.2025, 05:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Njerëzore

E hene, 18.10.2010, 08:50 PM


Vangjush Ziko

 

NJERËZORE

 

 

MËRZIA

 

Dua ta zboj mërzinë,

Ta hedh nga dritarja përposh.

Drurët më pëshpërijnë,

Mos!

 

Dua ta mposht mërzinë,

Përdhe ta shtrij.

Dhoma më shtron qilimnë,

Rri!

 

Dua ta vras mërzinë,

Me këmbë ta shtyp.

Karriget gurë varri mbinë

Pa kryq.

 

Në dhomë mërzia dhe unë

Dhe heshtja tre.

Unë nuk vë në sy gjumë,

Mërzia fle.

 

 

HIDHËRIMI

 

Kafenë e pi pa sheqer,

Pastet s'i dua.

Lajmi i hidhur zeher

U ëmbëlsua.

 

I hodhë një lugë gënjeshtër,

Përzjerë me frikë.

Receta fare e thjeshtë,

Buzëqesh një çikë.

 

Dhëmbin me helm

Hiqja gjarpërit,

Lajmi i hidhur zeher

Të bëhet i mjaltët.

 

 

DUFI

 

Uf!

Si ta shfryj mallin,

Mallin tim dhe hallin.

 

Si ta zbraz pusin me hirë,

Ta pi,është vështirë.

 

Sfungjeri i shpirtit u ngop,

E shtrydh dhe s'e shtrydh dot.

 

Zemra e shfreu dufin,

Hallin dhe mallin i puthi.

 

 

GËZIMI

 

Gëzimi,

Këpushë e lumturisë

me nepsin e urisë

në gji të dhimbjes pi sisë,

Derdhet ujvarë

mbi lotët e tharë

të kripës së hidhërimit,

mbi akull të harimit,

Burimin e vrerit

E shndërron në hark ylberi.

 

Shtator 2010



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx