Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kolec Traboini: Poeti rrebel që pushtoi shekullin

| E merkure, 20.10.2010, 08:30 PM |




ZHAK PRÉVER

Poeti rrebel që pushtoi shekullin

 

Esé

 

nga KOLEC TRABOINI

 

Siç Delakrua kish krijuar Lirinë me gjoksin lakuriq në barrikadë, Zhak Préver i dha dorën dhe e zbriti Poezinë nga panteoni nëpër pluhurin e rrugëve, e afroi atë pranë njerëzve, e vuri atë të bënte dashuri me kalimtarin e parë, një dashuri që kurrë më nuk u shua. A nuk i shihni se tashmë të rinjtë puthen në rrugë. Aty është Zhak Préver. Eshtë vështirë t`i kuptosh këto puthje pa vargjet e tij që kishin rrëmbyer zemrat e parizienëve: Për ty, dashuria ime/ Shkova në tregun e zogjve/E të solla një zog/Për ty/ Dashuria ime/ Shkova në tregun e luleve/ E të solla një lule/ Për ty/Dashuria ime/ Shkova në tregun e hekurishteve/E të solla një zinxhir/Një zinxhir të rëndë/ Për ty/Dashura ime/Vajta në tregun e skllevërve/Të kërkova /Por kurrë më s’të gjeta/ Dashuria ime./

 

Zhak Préver (Jacques Prévert) ishte zëri rrebel që në artin e tij të fjalës së shkruar - poezisë, këngës dhe filmit, afroi zhargoni e rrugës në lartësinë e artit nëpërmjet një stili në të cilin reflektohej shpirti i popullit. Me forcën e tij shprehëse, me magjinë e fjalës, u bë poeti më popullur në Francë në shekullin e XX. Dhe jo vetëm i Francës.

Ai ka lindur në rrugët e kryeqytetit francez - është fjala si poet - sepse në të vërtetë është lindur më 4 shkurt 1900, në një qytet pranë Parisit, por që në vogëli erdhi në Parisin e zhurmshëm me të cilën e ngjizi jetën e tij. U rrit në një shtresë të mesme dhe kaloi një fëmijëri të gëzuar. Në librin e tij me prozë poetike “Fëmijëria” ai shkruan me dashuri për jetën rrugëve. Babai i tij punonte në Zyrën Qendrore të Varfërve dhe e merrte shpesh Zhakun e vogël gjatë inspektimeve nëpër skutat më të errta të Parisit. Ishte një fëmijë që vëzhgonte dhe i shihte me simpati e dashuri shtresat punëtore të varfëra. Herë-herë i dukej vetja si një Gavrosh i Viktor Hygoit që mblidhte fishekë në barrikada duke kënduar:“Fajet i ka Rusoi”. Si gjithë Gavroshët edhe atij nuk i pëlqente shkolla dhe e braktisi atë që në moshën 14-vjeçare. Ai ishte krenar e thoshte se edukimin e tij e bënë rrugët e Parisit.

Kish mbaruar kasaphana e parë botërore kur e mobilizuan për të kryer shërbimin ushtarak në Lunevile në lindje të Francës, ku u njoh e zuri shoqëri me Ives Tanguy, një kokëkrisur, që më vonë do të bëhej piktor surrealist. Më pas e dërguan me trupat ushtarake në Stamboll ku u njoh edhe me një mik tjetër të tij Marsel Duhamel dhe të tre këta ishin tipa rrebelë e kundër rregullave të rrepta ushtarake.

Stambolli ishte një botë tjetër. Një ekzotikë për të cilën shpirti i tij rinor kishte nevojë. Por nga ajo kohë nuk gjejmë shumë gjurmë. Kohë kalimtare siç mund të ishte fluturimi i një zogu në qiell duke lënë pas veç një ciu-ciu dhe imazhin puplor ravizuar në të kaltër.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak që e konsideronte si një burg, Zhaku u vendos në Paris, por shpejt i revoltuar si gjithnjë, nisi jetën boheme. Nuk mund të bëhej ndryshe. Ai ishte si trofta, peshku zhdërvjelltë që pëlqen rrymat dhe noton në të kundërt të rrjedhës së përrenjve malore.

Zhaku kish një mike të tij me të cilën një ditë u pa i martuar, Simonë Dienë. Ishte viti 1925, tashmë me dy miqtë e tij ishin lidhur me lëvizjen surrealiste të cilën e udhëhiqte Andre Bréton. Surrealistët krijuan një shtëpi dhe një qendër ku mblidheshin në rrugën Château. Lidhja me surrealistët do të vazhdonte deri në vitin 1928 kur Zhak Préver dhe miqtë e tij u ndanë sepse nuk e pëlqenin drejtimin me një dorë të fortë nga Andre Bréton kokëkrisur edhe ky që kërkonte të bënte revolucion në art. Duke qenë i majtë, Zhaku mori pjesë në teatrin “October” i cili ishte i lidhur me Partinë Komuniste Franceze. Nisi të shkruajë pjesë teatrale në të cilin mpleksej surrealizmi i lirë me tema të forta politike. Më 1932 u realizua filmi surrealist “Çështjet janë në çantë”, skenarin e të cilit e shkroi me vëllain e tij, Pier. Zuri miqësi me këngëtaren e njohur Mariane Osvald, për të cilën nisi të shkruante këngë.

Shpejt ra në sy të një prej figurave më të njohura të kinematorgafisë franceze, prodhuesit të filmave Zhan Renoir me të cilin punoi si skenarist e dialogshkrues. Realizuan bashkë filmin që bëri emër të madh “Krimi i Mosinjor Lanzh” që i hapi rrugën për bashkëpunin edhe me një mjeshtër tjetër të kinemasë franceze, Marsel Karné (Marcel Carné).

Ndahet nga gruaja Simona dhe bie në dashuri me Zhaklinë Laurent. I kësaj kohe është poema “Kryqi në ajër”.

Pushtimi nazist i Francës ishte një goditje e rëndë të cilën nuk e përballoi dot, ndaj iku nga Parisi e shkoi në jug. Atje Préver realizon një sërë filmash. Qeveria kuislinge e Vishisë në jug censuronte çdo prodhim kinematografik, ndaj ai u detyrua të shtjellonte subjekte të shekullit XV.

Gjatë viteve 1943-1945 Marsel Karné and Préver krijuan kryeveprën e tyre “Fëmijët e Parajsës”. Subjekti është vendosur në shekullin e XIX e ka në qendër katër burra që dashurojnë të njëtën grua, marrë shkas nga një ngjarje reale. Ky realizim mjeshtëror u bë filmi më popullor në Francë për të gjitha kohërat.

Po këtë vit Zhak Préver do të shënonte dhe një sukses të jashtëzakonshëm me botimin e përmbledhjes me poezi “Fjalë”, i cili u shit me gjysëm milioni kopje. Në vitin 1958 do të botohej edhe anglisht duke e bërë të njohur edhe në Europë.

Vargjet e librit “ Fjalë” u bënë më të famshme kur kompozitori i njohur hungarez Jozef Kosma që punonte me regjisorin Marsel Karné, i përdori për të krijuar këngë për filma. Mbase më popullorja u bë “Gjethet e vjeshtës” e cila është kënduar nga Iv Montan dhe Zhuliete Gréco dy nga këngëtarët më në zë në Francë në periudhën pas Luftës së II Botërore.

Në vitin 1948 ndodh një ndarje e Préverit me Marsel Karné kur filmi i tyre u ndërpre gjatë xhirimit. Në atë vit, ndërsa ishte në zyrën e Radiodifuzionit Kombëtar në Paris rrëzohet e për disa javë bie në koma. Të gjithë menduan se ky ishte fundi i poetit, por ai shërohet e kthehet në shtëpinë e tij në qytetin Shën Paul Vence me gruan e dytë Janine Loris, e cila dhe ajo kishte qenë një nga pjestarët e grupit të teatrit “October”. Në 1951 boton “Spectacle” përmbledhje poezish dhe pjesësh teatrale, ndërsa katër vite më pas “Shi në kohë të mirë”.

Vendos të rikthehet në Paris ku emri i tij ishte bërë shumë popullor. Deri dhe vagabondët e të pastrehët i thonin me zë të lartë vargjet e poezive të tij për ta përshëndetur kur e shihnin në rrugë. Poezia e tij kish shkuar tek populli i thjeshtë, e gjeje kudo në mes njerëzve ndaj dhe ai e ndjente se aty ku ishte poezia e tij duhet të ishte dhe ai, mes tyre ishte vendi i poetit, aty ai ndjehej më mirë.

I kushtohet më shumë poezive. Boton edhe vëllimet të tjera “Histori dhe të tjera histori” në 1963 dhe “ Gjërat dhe gjëra të tjera” në 1972.

Thëniet e tij shprehnin dëshirën e madhe të mbetej poet i popullit. “Unë kam qenë i njohur para se të shfaqesha. Ajo çfarë më jep kënaqësi është të kem lexues. Ata janë kritikët më të mëdhej të letërsisë. Ata janë njerëzit që e njohin letërsinë më mirë, ata që e duan atë dhe jo specialistët”

Po erdhi një kohë që u lodh e u tërhoq në shtëpinë e tij në Omonvile La Petite në Normandi të Francës. Jeta i kishte shkitur si re nëpër qiellin e një pranvere.Por edhe gjurmë kish lënë. Poezitë e tij ishin bërë këngë. E këngët këndoheshin jo vetëm në Paris, por në mbarë Francën. E jo vetëm në Francë por në mbarë Europën ku kishte emrin e një poeti të madh.

Të mbyllësh sytë në pranverë. Të mbyllësh sytë pasi ke rrëmbyer një copë qiell të Normandisë e të kesh thithur aromat e luleve, të kesh dëgjuar zogjtë e të kesh kujtuar se sa vargje për dashurinë e jetën ke kënduar e pastaj… të mos i hapësh më kurrë.

Ishte 11 Prill 1977. Pikërisht atë ditë gazeta amerikane “Nju Jork Tajms” citonte regjisorin e madh Marsel Carné: “Zhak Préver ishte i vetmi poet i kinematografisë franceze”.

Mbi të gjitha mbeti poeti më popullor i Francës në shekullin e tij, e jo vetëm. E kjo mjafton që atje në varrin dekoruar me një stil të thjeshtë nga Aleksander Trauner, poeti Zhak Préver të prehet i qetë. Ai gjithmonë do të jetë nëpër rrugët e Parisit pranë njerëzve të thjeshtë që i kishte në poezitë, këngët, artin dhe zemrën e tij.

 

ZHAK PRÈVER

 

KJO DASHURI

 

Kjo dashuri Kaq e egër

Kaq e brishtë

Kaq e prekshme

Kaq pashpresë

Kjo dashuri

E bukur si dita

E keqe si moti

Kur moti është i keq

Kjo dashuri është aq e vertetë

Kjo dashuri është aq e bukur

Sa e lumtur

Sa e perjetueshme

Po aq patetike

Drithëron prej frike si fëmijë në erresirë

E aq e sigurtë në vetvetegjashëm

me një burrë të qetë në mesnatë

Kjo dashuri që i bën të tjerët të drojtur

I bën ata të flasin

I bën ata të treten

Kjo dashuri që me ngulmim shikohet

Sepse ne me qëllim e synojmë atë

Vrapojmë, rrëzohemi,plagosemi shkelmohemi

mbarojmë,dënohemi harrohemi

Sepse ne e rrëzojmë atë, e plagosim atë

e nëpërkëmbim atë

I japim fund asaj, e dënojmë atë

dhe e harrojmë atë.

Gjithçka kjo dashuri

Kaq nxitëse

E kaq diellore

Eshtë e jotja

Eshtë e imja

Ajo hyn

Gjithmonë me gjëra të reja

Ndërkohë asgjë nuk do ndryshojë

Sakohë që të vërteten, sakohë që pemët

Sakohë që drithërimën, sakohë që zogun

Sakohë që ngrohtësinë, jetën, pranverën

Do t’i kemi bashkë të dy

Tek shkojmë e vijmë

Do të harrojmë

A atëherë shko prap të flesh

Kur të ngrihesh e do ndjehesh i moshuar

Shko të flesh sërish

Zgjohu i qeshur e gazmor

E ndjehu i ri

Dashuria jote qëndron atje

Kokëfortë si një mushkë

Nxitëse si dëshirat

Torturuese si kujtimet

Budallaqe si keqardhja

E thyeshme si mendimi

E ftohtë si mermer

E bukur si dita

E brishtë si fëmija

Tek na vështron, buzëqësh.

 

PER TY, DASHURIA IME 

 

Për ty, dashuria ime

Shkova në tregun e zogjëve

E të solla një zog

Për ty Dashuria ime

Shkova në tregun e luleve

E të solla një lule

Për ty Dashuria ime

Shkova në tregun e hekurishteve

E të solla një zingjir

Një zingjir të rëndë

Për ty Dashura ime

Vajta në tregun e sklleverve

Të kërkova Por kurrë më s’të gjeta

Dashuria ime.

Dhe i flas vetes pa thënë asnjë fjalë

E dëgjoj vetveten me drithërimë

Dhe ja plas së qari

Unë qaj për ty

Unë qaj për veten

Kërkoj ndjesë e lutem

Për ty e për të gjithë ata që dashurojnë një tjetër

A dashurohen prej një tjetri

Po, unë qaj për këtë

Për ty për mua e për të gjithë të tjerët

Të cilët nuk i njoh

Qëndro atje

Atje ku ti je

Atje ku ishe në të shkuarën

Qëndro atje

Mos lëviz

Mos ik që andej

Ne që e duam njeri-tjetrin

Ne që të harruam ty

Mos na harro

Veç teje s’kemi tjetër në Botë

Mos na lërë të ngrijmë

Gjithmonë më larg që ketej

Dhe në çdo vend qofsh

Na jep një shënjë jetë

Tejet vonë në errësirën e natës

Në pyllin e kujtesës

Shfaqu papritur

Zgjate dorën tënde drejt nesh

E na shpëto!!

 

 

BARBARA

 

A e sjell në kujtesë Barbara

Atë shi që gjithë ditën rigoi në Brest

Ti kaloje e qeshur

Në dallgëdi me flokë të qullur

Harlisur në shi

Gjithë ditën rigoi shi atë ditë në Brest

Kur u gjënda përballë teje në Siam Strit

Ti ishe e qeshur

Dhe unë gjithashtu

Të kujtohet Barbara

Qemë dy të panjohur

Edhe unë - edhe ti

Kujtoje

Kujtoje atë ditë që më ngriu në kujtesë

Mos e harro

Një burrë kish gjetur strehez në një verandë

E me ngashërrim thërriste emrin tënd Barbara

Ti vrapove atëherë nëpër shi

Në dallgëdi me flokë të qullur, harlisur

U lëshove në krahët e tij

Sille në kujtesë atë Barbara

E mos u pikëllo në të flas ngrohtësisht

Unë i flas ngrohtësisht çdo njeriu që dua

Edhe sikur ta shoh veç një herë

U flas ngrohtësisht të gjithë të dashuruarve

Edhe sikur të mos i njihja asnjëherë

Kujtoje Barbara Mos e harro

Të mirin e të gëzuarin shi

Në fytyrën tënde të lumtur

Në të lumturin qytet

Atë shi tej në det

Mbi armatimet e rënda

Mbi anijen Ushant

Çfarë mutçmëndurie kjo luftë

Tani kush do të vij tek ty

Nën këtë shi të hekurt Zjarr,

Çelik dhe gjak

Dhe ai që të mbajti në krahë

Me dashuri ate ditë i vdekur

i harruar është apo akoma gjallë

Ah, Barbara

Edhe sot gjithë ditën rigon shi në Brest

Ashtu siç binte dhe më parë

Veç ai nuk është më njësoj

Gjithçka është gremisur

Eshtë një shi i përzishëm, vetmitar

Nuk është një stuhi e hekurt,

e çeliktë, e përgjakur

por thjeshtë rè që vdesin si qëntë

Si kufomat e qënëve që zhduken

Nëpër rrekët që përmbytin Brestin

Tek ikin, pluskojnë e kalbëzohen

Diku larg që këtej

Larg e më larg nga Bresti

Në të cilin nuk ka mbetur asgjë.

 

 

RANISHTE

 

Perlat e mrekullitë

Erërat dhe rrymat

Që ikën tej e zbatica i nxorri në breg

Dhe ty

Ngjashëm me leshterikët që era perkëdhel

Në ranë, si në një shtrat ku lëviz, ëndërron.

Perlat e mrekullitë

Erërat dhe rrymat

Që ikën tej e zbatica i nxorri ne breg

Por në sytë e tu gjysëm të mbyllun

Dy dallgë të vogla mbetun kanë.

Perlat dhe mrekullitë

Erërat dhe rrymat

Dy dallgë të vogla të më marrin

Në detin e pa anë dhe mua.

 

 

GJETHET E VDEKURA

 

Oh sa shumë dëshëroj të mbash mend

Të bukurat ditë kur ishim miq

Jeta në ato kohë kishte më shumë dritë

E dielli ish më i ngrohtë se sa sot

Gjethet e vdekura i flakte kopshtari tej

E sheh, unë të gjitha i mbaj mend

Gjethet e vdekura i flakte kopshtari tej

Kujtesen e dhëmbjen gjithashtu

Era e Veriut i kuturiste larg

E ftohtësira e natës i mbështillte në harrim.

E sheh, unë të gjitha i mbaj mend

Këngën që ti këndove për mua:

Ajo këngë që na përngjiste aq shumë.

Ne jetonim bashkë, ne të dy

Ti më doje mua Unë të doja ty.

Po jeta ata që duhen i ndan

Gjithmonë butësisht

Gjithmonë pa nxjerrë zâ

Dhe deti i shuan gjurmët në ranë

Gjurmët që të dashuruarit tek iknin, lanë

 

Shqipëroi © Kolec Traboini

Copyright: Nuk mund të botohen në media elektronike dhe në shtyp pa lejen e shqipëruesit.

 



http://traboini-antologji.blogspot.com/