Kulturë
Albri Brahusha: Gjuha, identiteti dhe dinjiteti
E merkure, 20.10.2010, 06:26 PM
Gjuha, identiteti dhe dinjiteti
Nga Albri Brahusha
A do të nisë njëherë standardizimi i gegërishtes? Albri Brahusha, autor që shkruan në gegërisht dhe në standard reflekton për një pikënisje të këtij procesi. Së fundit është krijuar në Tiranë Instituti i Ruejtjes Dialekteve, që jep shpresë se diçka mund të ndodhë
Gjuha shqipe ka dy forma siç edhe e dimë të tanë, gegnisht e tosknisht, sigurisht asht e njëjta gjuhë, janë të njëjtat fjalë, por me disa dallime që do t'i paraqes ma poshtë.
Këto dy forma gjuhësore e kanë burimin herët në lashtësi. Iliria dikur ka kenë e ndame në dy shtete kryesore të pavaruna prej njeni-tjetrit. Iliria e Epërme (veriore) me qendër në Shkodër e drejtueme prej Gentit dhe Teutës, me nji shtrimje territoriale mjaft ma të gjanë se Shqipnia veriore, dhe Despotati i Epirit (Iliria e poshtme), ose siç njihet, Shteti i Pirros, me nji shtrimje territoriale shumë ma të gjanë se jugu i Shqipnisë.
Mendoj se këtu gjuha e banoreve te gadishullit Ilirik, e cila ka pasë shumë ma tepër forma para se me u krijue shtetet në fjalë, asht mbledhë në dy variante të të folmes.
Sigurisht gjuha fillon e njehsohet nga nevoja që kanë shtetet apo kombet me komunikue në nji sistem administrativ të vetëm. Ma vonë realiteti administrativ ndryshoi dhe asht mbivendosë ai romak.
Kjo i ka përzie banorët që kanë jetue në këto dy zona kështu edhe gjuhën, deri kur ndamja e madhe e perandorisë romake në atë të lindjes dhe perendimit e ndan serish territorin aty ku dikur ndaheshin shtetet Ilire. Me Skizmën pra përfundimisht fillon e ndahet edhejherë substrati i gjuhës shqipe dhe prej kësaj ridalin dy format gjuhësore që i përdorim ende edhe sot.
Përpjekjet para për shkrimin e shqipes erdhën si pasojë e nji revolucioni gjuhësor n' Europë. Mbas Martin Luterit që përktheu Biblen në gjermanisht dhe krijoi protestanizmin, Kisha Katolike tue pa rrezikun se po humbte besimtarët i lejoi ata me shkrue Biblen në gjuhët lokale.
Në pjesën që i përkiste Perandorisë Bizantine ky fenomen nuk ka pasë ndikim. Kjo asht arsyeja pse Gjon Buzuku e të tjerë me radhë mbas tij, dhanë kontributin e parë për shkrimin e gjuhës shqipe. Pjesën tjetër të historisë e dimë pak a shumë, kontributi i madh asht me iu njoftë Naim Frashnit dhe Kristoforidhit e shumë të tjerëve, të cilët kanë krijue nji pjesë të mirë të fjalëve që flasim sot.
Due me permendë faktin se në Manastir me 1908, prej Mjedës dhe Fishtës asht ba një luftë e madhe që gjuha shqipe me përdor germa latine. Kjo u arrit dhe do ta ndante përfundimisht gjuhën shqipe dhe Shqipninë prej ndikimeve turke, greke apo cirilike.
Me 1917 Komisja gjuhësore e Shkodrës e drejtueme prej Luigj Gurakuqit, i la të hapuna të dy variantet tue theksue se e folmja e Elbasanit, ishte edhe shtrati ku takoheshin dy të folmet, e të ishte gjuha drejt së cilës do te shkohej.
Po ashtu me 1923 kjo u standartizue dhe përfundoi me kenë gjuha zyrtare e Mbretnisë së Zogut, që ishte siç e dimë gegnisht. Por në shtyp, në të folme e ma ndej, kurrë nuk u vue asnjë pengesë për tosknishten e cila atëherë nuk ishte e standardizueme.
Ma vonë mbas 1945 situata u përmbys. Me kërkesën e Enver Hoxhës diku nga viti 1956 iu kërkue specialistëve sovjetikë nji mendim se si mund ta ndërronin variantin gjuhësor dhe tanë literaturën në nji standard të ri me bazë tosknishten.
Mendimi i specialisteve megjithëse sovjetikë ishte se gjuha nuk ndrrohet me dekrete dhe në nji ditë por i duhet lanë kohë dy varianteve me u shkri me njeni-tjetrin, sepse kjo do ta çonte shtratin gjuhësor të shqipes në një ndërhymje të parakohshme dhe artificiale, duke i shkaktue atij probleme serioze. Përziemja e dialekteve me forcë do të ishte qesharake.
Por mbas prishjes me sovjetiket, sërish Enver Hoxha ia kërkoi këtë herë specialistëve shqiptarë dhe caktoi si person përgjegjës me u marrë me këtë çashtje, Androkli Kostallarin, me detyrën e krijimit të nji standardi të ri me bazë të folmen juglindore siç edhe u ba.
Këtij procesi iu thirrën për miratim të gjithë ata që e firmosën nga të gjitha trevat shqiptare, mbrenda e jashtë Shqipnisë, e kjo në emër të unitetit. Sigurisht patetizmi nacional komunist fitoi mbi shkencën dhe atdhedashuninë e vërtetë, dhe gjithçka u vulos.
Çabej kishte kundërshtue disa herë por mbas presioneve të shumta hoqi dorë. Falë rezistencës së tij sot shqipja ka ende në fjalor fjalën "ranishte" dhe jo "rërishte", e nga ana tjetër fjala rrajë në fjalor, asht "rërë".
Rezultatet e këtij vendimi sollën tri përjashtime kryesore:
- I hoqën mundësinë gjuhës shqipe me pasë paskajoren, mbasi tosknishtja nuk e ka e gegnishtja po;
- Tosknishtja vuen prej rotacizmit siç edhe shumë gjuhë të tjera, rotacizmi asht shkronja "r" që gegnishtja shpesh e ka "n", "mundur-mundun, rëra-rana, bëra-bana" e me radhë.
"r" duke kenë nji bashkëtingëllore ajrore zakonisht ka tendencë me u "hangër" kur shqiptohet (rasti i anglishtes asht shembulli i përsosun), ajo në shumë raste bjen dhe nëse nuk zëvendësohet me "n" kjo shkatërron fjalën, asht si me thanë nji virus që sëmur fjalët ku ndodhet duke i mbytë ato;
- Përjashtoi nga fjalori i shqipes fjalë të vjetra dhe shqipe të pazëvendësueshme që gegnishtja i përdor ende, duke varfnue vogabularin ndjeshëm.
Nuk po përmendi këtu pasojat e tjera sociale e politike që erdhën prej këtij viti 1972. Ato dihen sepse ky ishte edhe qëllimi.
Sot ka tekste mbi njehsimin e gegnishtes (njeni prej tyne asht ai i Justin Rrotës, e tjetri ai i Komisjes së Prishtinës të 1968, që presin me u ridiskutue e që vlejnë me u marrë në konsideratë si pikënisje për nji standartizim në kohë të gegnishtes.
Së fundit asht krijue në Tiranë prej Primo Shllakut, poet dhe gjuhëtar, Instituti i Ruejtjes Dialekteve, dhe ku i dihet nëse piqen kushtet e duhuna politike dhe shkencore atëherë gegnishtja mundet me pasë nji variant të ri të standardizuem e të sjellun në kohë. Puna që ka me u ba nuk asht shumë e vështirë sepse bazat janë, flitet vetëm me diskutue mbi detajet.
Procesi mundet me u shtri duke e futë këtë standard edhe në shkollë, qysh në atë fillore, sigurisht, si shtesë e mësimit te gjuhës, pra si suplement meqë pjesa tjetër asht e njajtë për të dy variantet. Kur shqiptarët t'i dinë të dy variantet, ata munden me i lexue e me i shkrue të dy, siç asht rasti i Norvegjisë.
Në fund të procesit gjithkush mundet me kenë ai që asht e mos me ba demek se asht dikush tjetër. Gjuha asht pjesë e identitetit dhe identiteti asht pjesë e dinjitetit. Uniteti asht ma i fortë kur të tana pjesët që e përbajnë kanë identitet dhe dinjitet.