Kulturë
Luan Çipi: Nurua jep shpjegime për sëmundjen e “metobilicës”
E enjte, 21.10.2010, 08:49 PM
3)Nurua jep shpjegime për sëmundjen e “metobilicës”
(Cikli “Bëmat e Nuros”, nga Luan Çipi)
Nuri Drassa ishte prej kohësh myhib i besimit bektashi. Për disa vite ishte edhe në pozicionin e nderuar të Sekretar i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, në Tiranë. Ai e çmonte në mënyrë të veçantë dhe ishte besnik deri në vdekje i kryegjyshit të shquar, hirësisë së tij Dede Ahmet Myftarit, miqësinë me të cilin e kishte që kur dervish Metja (si e thërrisnin herët, në të ri atë burrë të rrallë) shërbente, në një pozicion modest në Teqenë e Vlorës. Pas vdekjes së Kamanit, që ishte Sekretar dhe dervish nderi në Teqenë e Bektashinjve të Kuzbabasë në Vlorë, vendin e tij e zuri Nuriu, si nxënës i tij i denjë..
Ishte, pikërisht kjo periudhë, disa muaj pas vdekjes së Kamanit, kur në shtëpinë e tij në lagjen Muradie të Vlorës, erdhi Nuriu civil në pozicionin e sekretarit të Gjyshatës Bektashiane Vlorë, shoqëruar me dy prelatë bektashinj, të diferencuar në grada, siç merrej vesh nga ngjyrat dhe shenjat përkatëse në grand uniformat e tyre. Nënë Gekea, e zonja e shtëpisë, gruaja e të ndjerit Kaman, që kishte qenë vajzë në Gjirokastër dhe bashkënxënëse e hershme dhe shoqe fëmijërie me Nuriun, i priti me respekt të veçantë dhe i drejtoi menjëherë për në dhomën e miqve, ku ata u rehatuan sipas gradave fetare. Në krye qëndroi më i riu, që ishte një person i njohur nga të gjithë. Ai ishte gjysh Abedini, një mesoburrë me pamje të hijshme, fort i ditur, pushtuar nga misticizmi bektashi dhe me ato sy aq të bukur, që gjithnjë qeshnin me dashamirësi. Prelati tjetër, më i moshuar, i plakur, i vuajtur dhe i dëshpëruar me një mjekër krejt të bardhë e të gjatë, po, më i ulët në gradë, nuk njihej nga nga gjindja aty, ndaj Gekea, e zonja e shtëpisë, pyeti me kërshëri dhe respekt dhe kërkoi, mundësisht t’u prezantohej.
-Është dervish Qebiri, një mik i vjetër dhe koleg i denjë i të ndjerit, burrit tuaj, shpjegon, me respekt dhe përulje, siç e kërkonte etika fetare, Nuroja. Ai ka qenë i shquar në gjithë krahinën, në shenjtërinë dhe veprimet e shumta çudibërëse për mbarësi dhe mirësi. Ka ardhur për të ngushëlluar te ju, pak me vonesë por tani iu bë mbarë nga Zoti, se banon larg në Teqenë e Turanit. Ka qenë dhe vazhdon të jetë ca si i sëmurë... mërmëriti me zë të ulët Nuriu.
-Ç’e mundon? Nga se është i sëmurë, i përnderimi dervish, pyeti me keqardhje të dukshme, e zonja e shtëpisë.
-Si të ta shpjegoj. Nuriu nuk mund t’ia jepte haptazi diagnozën, duket edhe për mos ta shqetësuar pacientin, ndaj në një gjuhë intime, që mund ta merrte vesh mirë vetëm Gekea si bashkënjohëse e vjetër e gjendjes në Gjirokastër, Nurua vazhdon shpjegimin: Në gjuhë shkencore, me që ti e merr vesh, moj zonja Geke se je e shkolluar, kjo lloj sëmundje quhet “me to bi li ca” … (Ia tha duke e ndarë fjalën në rrokje). Dhe si nëpër dhëmbë, vazhdoi: Do ta shpiem në spitalin “special” të Vlorës për ta diagnostikuar dhe kuruar.
Nuk kish nevojë për shpjegime të tjera. Gekea nga sa dëgjoi dhe nga buzëqeshja e Nuros e mori vesh. Në moshën e tyre të fëmijërisë në Gjirokastër ishte i njohur nga të gjithë qytetarët, maroku që quhej Meto Bilica, një i sëmurë psikik, që bridhte ditë e natë sokakëve të qytetit, pa shpresë shpëtimi duke folur me vete dhe që vetëm bërtiste e bënte sherr. Nikoqirja nisi shpejt për të uruar dervishin për shërim të shpejt, ndërkohë mendja i fluturoi në vitet e fëmijërisë, te mjerani bashkëmoshatar Meto Bilica, po njëkohësisht u entuziazmua nga zgjuarsia, kujtesa dhe shkathtësia e Nuriut.
Aty për aty ajo, sy më sy me Nuron, padashur vuri buzën në gaz, duke harruar për një çast se miqtë e nderuar kishin ardhur për ngushëllim me rastin e ngjarjes mortore, po më vonë pasi e mblodhi veten, u ngrit shpejt për të përgatitur dhe për t’u shërbyer mysafirëve kafenë.
*
Me kalimin e viteve Nuriun, gjithnjë gazmor, të çiltër e të pafajshëm e përndoqën dhe e përfolën në lagje disa ekstremistë të paskrupull. Kur u shkatërruan kishat, xhamitë dhe teqetë, një masë kjo e pa precedentë antinjerëzore dhe specifike e komunistëve shqiptarë, në ato ditë, në ato faltore të shenjta u bastis kudo gjithçka. Në letrat e shkruara të gjetura në Teqenë e Vlorës, ku ai punonte si sekretar, gjoja u zbuluan dhe disa poezi të Nuriu që u sajuan si me metafora sfiduese me aludimin për gjemba e ferra rreth flamurit shqiptar, që kinse simbolizonin komunizmin dhe komunistët. Nuroja, në të vërtetë ishte krejt indiferent për politikën e aq me shumë nuk i përfillte idetë komuniste, fare të kundërta me idetë supreme fetare e të misticizmit bektashian. Ndërsa për udhëheqësin fuqiplotë të tyre ai as që prononcohej se i njihte mirë fuqitë e tij dhe i trembej, madje përpiqej të krijonte te të tjerët marrëdhënie paqësore. Kjo dukej nga që në reliktet e Nuros të ruajtura me kujdes kishte dhe një dokument kur ishte bashkënxënës e bashkëmoshatar me të, dalë në fotografi, pasi shfaqën me sukses një pjesë teatrale, që e loznin së bashku. Ata kishin pozuar në pozicione kur atë, pa e ditur se do të bëhej në të ardhmen gjysmë perëndi, të vendosur bash te këmbët e Nuros, madje, sipas rolit që luante, të veshur si grua. Po dhe ky fakt, ku ruhej shpresa e shpëtimit, bëri efekt të kundërt dhe u quajt si kapadaillëk i Nuros dhe diskreditues për “udhëheqësin legjendar”, me që Nurua e mbante, atë farë burri poshtë këmbëve dhe të veshur si grua, ndërsa ai vetë pozonte lart më këmbë dhe kapardisur, madje dhe me mustaqe.
Ishin të vështira dhe të pamerituara ditët e fundit të jetës së tij, kur veprimtarët komunistë të lagjes e lanë pa triskë fronti, pra e shpallën armik klase, analog me kulakun e fshatit, të sëmurë, në skamje dhe në izolim të plot. Ai ndërroi jetë në lagjen Muradie Vlorë, midis pak miqve guximtarë e të pandarë, duke ngelur deri në fund gazmor, optimist e i pamposhtur dhe pa e humbur asnjëherë besimin se ditët e mira do vijnë dhe se fëmijët e tij do të bëheshin të denjë e të ndershëm, do të ruanin shembullin dhe traditat e tij të shoqërisë, miqësisë së vërtetë dhe të mirëkuptimit njerëzor e fetar, sipas normave liberale bektashiane dhe do të gëzonin një jetë më të lumtur në liri e demokraci, siç ëndërronte i miri Nuri Drassa.