E shtune, 03.05.2025, 02:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Zeqirja Neziri: Mes abstraktes dhe ekspresionizmit

E premte, 22.10.2010, 07:41 PM


Për veprën: “Van Goghu kosovar” të Ilir Muharremit

 

Mes abstraktes dhe ekspresionizmit

 

Shkruan: Prof. dr. Zeqirja Neziri

 

Van Gogu kosovar i Ilir Muharremit është një tekst dramatik, në të cilin nëpërmjet tetë  skenave shpalohet një gjendje e vështirë dhe e rëndë psikike e shpirtërore e kryeheroit Rafaello. Piktori i ri 22 vjeçar, Rafaello, në rininë e tij, në kohën e formimit, të ndërtimit e të afirmimit të tij si individ, në kohën e daljes në jetë përjeton momente të rënda shpirtërore dhe jetësore, të cilat personalitetit të tij do t’i kushtojnë shumë shtrenjtë për pjesën tjetër të jetës (derisa pikturonte i vriten të gjithë anëtarët e familjes: babai, nëna dhe motra). Kjo tragjikë familjare do të lerë vrragë të thella në vazhdimësinë e jetës së tij dhe e ka shumë vështirë prej tyre të çlirohet. Kalon në skizofreni, gjendje kjo e cila rastësisht zbulohet nga fqinji i tij dhe si vendstrehim për shërim i mbetet spitali psikiatrik.

 

Struktura kompozicionale e tekstit është e shkapërderdhur dhe kjo shpjegohet me gjendjen psikike dhe veprimet çmendurore të kryeheroit Rafaellos. Simbolika dhe lidhshmëria e personazheve me piktorin e famshëm holandez Van Gogun dhe me emrin e artistit të njohur italian Rafaello aludon tek dëshira e autorit vlerat universale t’i paraqesë nga këndvrojtimi i një  bote të vogël, të depersonalizuar. Dhe kjo është bota fiktive e imagjinare, bota artistike e individuales.

 

Një virtyt tjetër i tekstit është se ai ndërtohet me fraza të shkurtëra, dialogje po kështu të shkurtëra, sepse zhvillimi i konfliktit dramatik vendoset nën dioptrinë e projektorit. Në tekst gërshetohen dhe pleksen dy lloje të artit skenik: dramatik dhe estradesk, që në kuptim më të gjerë do të mund të thuhej se kemi një kombinim dhe pleksje të abstraktes me ekspresionisten. Këto dy pikëpamje, në dramë bashkëveprojnë midis tyre dhe e plotësojnë njëri – tjetrin.

 

Autori ka arritur të paraqesë një botë të rëndë dhe specifike shpirtërore, ndaj teksti dramatik i Ilir Muharremit do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e artit dramatik shqiptar.   



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx