E shtune, 03.05.2025, 03:06 PM (GMT+1)

Kulturë

U shënua 90 vjetori i lindjes së akademik Mark Krasniqit

E premte, 22.10.2010, 08:09 PM


90

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u shënua 90 vjetori i lindjes së akademik Mark Krasniqit. I pranishëm qe edhe vet Krasniqi.

 

Nga Alfred Beka

 

Megjithëse ka hyrë në dekadën e dhjetë, akademik Mark Krasniqi nuk kishte përtuar të vinte në objektin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve për të kremtuar 90 vjetorin e lindjes së tij, të cilin ia kishin përgatitur kolegët e tij nga akademia.

 

Duke folur për jetën dhe për krijimtarinë e Krasniqit, Besim Bokshi, kryetar i ASHAK-së, tha se ky jubile i jetës së Mark Krasniqit është edhe jubile i përpjekjeve frytdhënëse kundër së keqes në kushtet e rënda të jetës në Kosovë. Pasi ia uroi 90 vjetorin e lindjes, Bokshi tha se kjo është një ditë e gëzuar edhe për akademinë.

 

“Është një ditë e gëzuar, e hareshme për ne, një ditë feste për Akademinë tonë, sepse edhe profesor Mark Krasniqi pas profesor Idriz Ajetit qëndron me ne i shëndetshëm e energjik edhe pas nëntëdhjetë vjet jete,” tha Bokshi, duke e vlerësuar jetën e Krasniqit si një jetë të fisnikëruar me veprimtari të dalluar krijuese, shkencore e letrare e me veprimtari po aq të dalluar patriotike.

 

Pasi dha disa të dhëna mbi jetën e Krasniqit, Bokshi shtoi se Mark Krasniqi është ndër personalitetet që iu nevojiten kohës sonë për të hapur shtigje drejt një jete të dinjitetshme njerëzore.

 

“Dhe ja tani më të drejtë qëndron pranë nesh krenar për atë që beri për shkencën e për popullin e tij. Ai si intelektual i orëve të para ndër ne, me ndjenjë të fortë individualizmi, qëndroi brenda synimit kolektiv për emancipim dhe prosperitet të popullit shqiptar. Ai eci nëpër jetë me ndjenjën e theksuar të përgjegjësisë shoqërore kombëtare, me guximin e këmbënguljen për të ndihmuar realizimin e aspiratave për liri. Me tërë veprimtarinë e tij të një vlere të lartë shoqërore, Marku çmohet si një nga figurat tona më të shquara të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Ai arriti ta lërë të qëndrueshëm emrin e tij në rrjedhat e shkencës sonë kombëtare e të kulturës dhe të jetë njëri nga veprimtarët e ndritur patriotë të kohës sonë, që hynë në kujtesën e kombit,” tha Bokshi.

 

Ndërkaq, Pajazit Nushi, sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore, tha se me shënimin e përvjetorit të 90-të të lindjes së akademik Mark Krasniqit, ASHAK nderon dhe respekton personalitetin, i cili me krijimtarinë e tij në fushën e etnografisë, të gjeografisë, të letërsisë dhe me veprimtarinë shoqërore e politike është ndër të parët që ka vu gurthemelin e zhvillimit të mendimit kulturor e shkencor ndër shqiptarët e Kosovës e më gjerë.

 

Sipas tij, akademik Mark Krasniqi ishte ndër prijatarët e veprimtarisë intelektuale, kulturore dhe shkencore dhe prijatar i zhvillimit të mendimit shkencor në disiplinat e shkencave shoqërore dhe humaniste.

 

“Deri në paraqitjen e akademik Mark Krasniqit dhe të pak bashkëkohanikëve të tij gjeografinë, historinë, dhe etnografinë e shqiptarëve të Kosovës e shkruanin të tjerët, në rënd të parë studiuesit serbë. Madje, edhe këtë e parashtronin në kuadrin e gjeografisë, të historisë dhe të etnografisë së shtetit të Serbisë me mjaft gjysmë të vërteta dhe të pavërteta. Akademik Mark Krasniqi u vu në gjurmim të argumentimit të identitetit të popullit, të etnisë dhe të kombit shqiptar,” tha Nushi.

 

Duke e vlerësuar si intelektual, Nushi tha se Krasniqi gjithmonë ka iniciuar, përqafuar dhe përkrahur, mendimin më të avancuar për zhvillim të Shqipërisë, të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Ndërkaq, si shkencëtar, sipas Nushit, Krasniqi ka mbajtur një barrë të madhe në shpatullat e tij për krijimin e institucioneve arsimore, kulturore dhe shkencore në Kosovë dhe jo vetëm këtu.

 

“Si politikan gjendet ndër ata të paktë që janë përpjekur t’i zgjidhin problemet e shumta e të llojllojshme me halle të mëdha të shqiptarëve,” tha Nushi.

 

Ndërsa Xhevat Syla, shkrimtar për fëmijë, tha se Mark Krasniqi është emër i dashur dhe i respektuar nga breza tanë të shumtë, të cilët janë rritur me krijimet e tij letrare.

 

“Mark Krasniqi u bë shkrimtar i dashur e i respektuar, i cili me krijimet e veta dedikuar fëmijëve u dhuronte atyre edhe kënaqësi, edhe mësime nga përvoja njerëzore, duke shfrytëzuar për këtë qëllim sa pasurinë nga trashëgimia jonë popullore, po aq edhe fantazinë e tij të bujshme,” tha Syla.

 

Ai shtoi se poezinë e tij për të rritur lexuesi e priti si një vazhdimësi të asaj të poetëve të Rilindjes sonë kombëtare.

 

Sipas tij, vargjet e Mark Krasniqit ngërthejnë në vete bukurinë e këngëtimit poetik popullor, por krahas kësaj, ato sikur të shëtisin ngapak edhe nëpër atmosferën e poezive të rilindësve tanë, në atmosferën e vargjeve të bashkëkohësve të autorit, si të Migjenit, Esat Mekulit, Martin Camajt, por edhe të poetëve të njohur të letërsisë botërore si Sergej Jesenini.

 

“Gjuha është e qartë, e kohës dhe e mjedisit, e lexuesit me të cilin komunikon, me frazeologjizma, me fjalë të urta dhe në të shumtën e rasteve me stil e me shprehje nga begatia ligjërimore e popullit tonë,” tha Syla.

 

Në fund, fjalën e mori edhe vet Mark Krasniqi, i cili evokoi momente të ndryshme nga jeta e tij e po ashtu edhe i falënderoi referuesit për fjalët e bukura si dhe kolegët e tij për shënimin e 90 vjetorit të lindjes.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx