Kulturë
Selatin Novosella: Monografi e rëndësishme shkencore për të burgosurit politikë shqiptarë
E premte, 22.10.2010, 09:57 PM
MONOGRAFI E RËNDËSISHME SHKENCORE PËR TË BURGOSURIT POLITIKË SHQIPTARË
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha “Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990, Gjatë viteve 1945-1990 në ish-Jugosllavi shqiptarët kaluan në burgjet 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burgim). Botoi Sh.B. Logos-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2010, 600 f.
Nga SELATIN NOVOSELLA
Të burgosurit politikë të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare jashtë kufijve të atdheut, Shqipërisë, ishin jo vetëm shtresa më e vetëdijshme, më sakrifikuese dhe më e guximshme e kombit por edhe shtresa më e kulturuar e tij, sepse është i njohur fakti se vetëm popujt e kulturuar nuk pranojnë të jetojnë në robëri.
Të burgosurit politikë të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare jashtë kufijve politik të shtetit amë, e mbajtën të pashuar zjarrin e lirisë, e për ta mbajtur të gjallë atë zjarr, shpeshherë, ata i vunë edhe trupat e tyre.
Të burgosurit politikë të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare jashtë Shqipërisë së shtetëzuar, që nga okupimi i këtyre krahinave në vitin 1912, e posaçërisht nga ri-okupimi i tyre, në vitin 1945, e deri në çlirimin e Kosovës, në qershor të vitit 1999, pa marrë parasysh çfarë grupi, organizate dhe partie politike i takonin, pa marrë parasysh çfarë ngjyrash politike të kohës kishin-që të gjithë, pa përjashtim, synim të fundit kishin çlirimin dhe ribashkimin kombëtar në një shtet etnik në Ballkan.
Të burgosurit politikë të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare nën sundimin e ish-Jugosllavisë, dhanë idenë, formuan, organizuan, udhëhoqën dhe financuan institucionin e lirisë-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Të burgosurit politikë të Kosovës dhe të viseve tjera jashtë kufijve të imponuar të atdheut, ishin pjesë e ecjes ndryshe të historisë sonë kombëtare.
Mu këtyre të burgosurve dhe atdhetarëve iu kushtohet libri që po përurojmë sot, “Të burgosurit politik të Kosovës 1945-1990” të autores së zellshme Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha.
Njëri prej këtyre mijëra atdhetarëve të përfshirë në këtë vepër monumentale për të burgosurit politik shqiptarë, është edhe krye-irredentisti, kryengritësi i përjetshëm, ideologu dhe frymëzuesi i shumë brezave të atdhetarëve, Adem Demaçi, për të cilin, me këtë rast solemn të përurimit të kësaj vepre të historianes së vyeshme, Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha, do t’i them ca fjalë.
Kur në vitet e 50-ta, të shekullit të kaluar, po vazhdonte jeta në robërinë serbo/jugosllave, kur shumica e shtresës së hollë e intelektualëve tanë po heshtnin, Adem Demaçi ishte ndryshe nga të tjerët. Ai po e sfidonte pushtetin jugosllav duke kërkuar korrigjimin e gabimeve të historisë, duke mos u pajtuar me bashkëjetesën e shqiptarëve në një shtet me sllavët e jugut, me të cilët ata nuk kishin asgjë të përbashkët. Kjo ishte ndeshja e parë, e madhe, e Demaçit me pushtetin e asaj kohe, për çka ai dënohet me 5 vite burg të rëndë.
Kur në vitet e 60-ta ishte trashur robëria dhe ishte shtuar zullumi i njohur si dora e fortë e Rankoviqit, kur udhëheqja nga radhët e shqiptarëve po kërkonte të forcohej bashkim-vëllazërimi i shqiptarëve me kombet e tjera në ish-Jugosllavi, Adem Demaçi ishte, përsëri, krejt ndryshe nga të tjerët. Ai, as më pak as më shumë kërkonte, tashti si themelues dhe udhëheqës i organizatës atdhetare “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, bashkimin e të gjitha viseve shqiptare të mbetura jashtë trungut të atdheut, siç thoshte me gojën e tij të artë: “Bashkimin me Nanën Shqipni!” Përsëri dënim maksimal, i rezervuar për armikun numër një të ish-Jugosllavisë, 15 vite burg të rëndë.
Kur në vitet e 70-ta Lëvizja Patriotike Ilegale në Kosovë kishte shënuar nivel të avancuar të pjekurisë së sajë, kur në kreun e kësaj Lëvizjeje ishin edhe Rexhep Mala e Kadri Zeka, kur po përgatitej fshesa e hekurt e Titos për hakmarrjen e madhe, për ta ndalur këtë ecje në rrugën drejtë lirisë, përsëri Adem Demaçin do ta vejnë në ballë të 19 veprimtarëve dhe intelektualëve, ndonëse ai ende nuk kishte filluar aktivitetin e organizuar, sepse vetëm pak muaj më pare ishte liruar nga burgu 10-vjeçar. Edhe më tutje Adem Demaçi vazhdon të jetë krejt ndryshe nga të tjerët. Ai, në gjykimin e vitit 1976, në fjalën e tij përfundimtare para gjyqit të pushtuesit serb, të udhëhequr nga udbashë, prokurorë dhe gjykatës nga radhët e shqiptarëve, kur akuzohej për vepër për të cilën ishte parapara edhe dënimi me vdekje, kur dënohet edhe me dëshmorët e mëvonshëm Rexhep Mala dhe Isa Kastrati, si dhe 16 veprimtarë të tjerë, ai deklaron: “Kësaj radhe nuk kam arritur të veprojë në mënyrë të organizuar asgjë kundër Jugosllavisë. Shumicën e këtyre djemve, me të cilët po më dënoni, nuk i njoh. Por, nëse dëshironi ta dini mendimin tim për Kosovën dhe çështjen shqiptare, po ua them: Kosova dhe viset tjera shqiptare që ende janë të pushtuara nga Jugosllavia, duhet të bashkohen me Shqipërinë! Kjo është në dobi jo vetëm të ne shqiptarëve, por edhe të vet Jugosllavisë dhe rajonit të Ballkanit. Deri sa nuk ndodhë kjo nuk do të ketë qetësi në rajon! Edhe njëherë dënim maksimal i rezervuar për krye-irredentistin shqiptar, Adem Demaçin, 15 vite burg të rëndë!
Kur kishte filluar lufta ballore, për jetë a vdekje, në mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë pushtues serbo-malazeze, në fund të shekullit të kaluar, përsëri Adem Demaçi, si Gjergj Elez Alia, me shtatë plagë në trup dhe në shpirt, pas 28 viteve të burgjeve të tmerrshme, do të jetë aty ku e kërkonte momenti dhe situata historike, Përfaqësues i Përgjithshëm Politik të UÇK-së, duke u bërë zë i fuqishëm i saj.
Kur të gjithë ishin pajtuar të merrnin pjesë në Konferencën e parë ndërkombëtare për Kosovën, në Konferencën e Rambujes, përsëri Adem Demaçi do të jetë krejt ndryshe nga të tjerët. Siç do të thotë, disa vite më vonë, zonja e madhe, Sekretarja e SHBA-ve, Medlin Olbrajt, duke folur për bisedën që kishte zhvilluar me Demaçin për ta bindur ai Hashim Thaçin, udhëheqësin e delegacionit shqiptar në këtë Konferencë, që ta nënshkruante Marrëveshjen, ajo thotë: “Adem Demaçi nuk pajtohej me gjithçka!” Dhe, vërtetë, Adem Demaçi, nuk donte të firmosej një dokument ku nuk thuhej, decidivisht, se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Kjo nuk donë të thotë se nuk është dashur të shkohet në Rambuje. Nuk donë të thotë, poashtu, se nuk është dashur të nënshkruhet ajo Marrëveshje. Kjo donë të thotë, megjithatë, se Adem Demaçi ishte gjithnjë, krejt ndryshe nga të tjerët. Ai vazhdonte të ishte një zë i fuqishëm që, kur ishte në pyetje liria jonë, ai nuk pajtohej me gjithçka.
Në fund, do ta theksoj mendimin e Murat Jasharit, nip i Komandantit Legjendar Adem Jashari, i cili duke folur për Adem Demaçin, thotë: Baca Adem Demaçi, edhe sot nuk kuptohet, ndonjëherë, siç nuk është kuptuar dje. Por, sot po i japim të drejtë për dje, e nesër do t’i japim të drejtë për sot. Njerëzit e mëdhenj kurrë nuk janë kuptuar, plotësisht, në kohën e tyre!”
Krejt në fund, mund të konstatojmë, se shembulli jetësor i Adem Demaçit është unikal në jetën tonë kombëtare dhe politike, duke u shndërruar, për të gjallë të tij, në institucion në vete. Për këtë dhe për shumëçka që nuk u tha këtu, mund të thuhet: pa Adem Demaçin dhe pa Komandantin Legjendar Adem Jashari nuk mund të shkruhet Historia e re e Kosovës.
Duke e përgëzuar autoren e librit “Të burgosurit politik të Kosovës 1945-1990” Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, i kemi dy urime, të ketë shëndet të mirë dhe të na dhurojë edhe mëtutje vepra të këtilla.
(Fjalë e mbajtur me rastin e përurimit të librit “Të burgosurit politikë të Kosovës 1945-1990”, të autores Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha, mbajtur në Gjilan, më 7 tetor 2010.)