Kulturë
Vangjush Ziko: Skena - park i largët
E premte, 22.10.2010, 09:25 PM
Vangjush Ziko
SKENA-PARK I LARGËT
Një miku im i ri emigrant. Kur them i ri,kam para sysh atë moshë kur thinjët akoma nuk kanë mbirë;kur stina e pjekurisë ka trokitur me problemet dhe hallet;kur numëron jo më pak se dhjetë vjet në mërgim,pa llogaritur ato vite,që i ke lënë atje në atdheun tënd të largët. Edhe ato vite nuk ke sepse t'i quash të papjekura,apo të harxhuara kot. Por sepse ato të duken të largëta,sikur i përkasin një kohe tjetër.
E kisha fjalën për një mikun tim emigrant,për një histori të vogël që ma tregoi ai vetë. Historia e tij më bëri të mendohem për gjëra që nuk më kishin shkuar ndërmend. Siç po çuditej edhe ai vetë.Ai kish zbuluar një ndryshim të vogël në dukje,të papërfillshëm,por që të çudit.
Miku im kish qenë dhe është një tip i gjallë,gazmor,i pëlqen shoqëria me shokët e miqtë e vjetër,e heq pakëz gotën. Kur ishte në vendin e tij,i pëlqente që pas punës të ulej në kafenenë e preferuar të qytetit të tij bashkë me shokët dhe të surbitte me lezet kupkën e rakisë,të merrte me majën e furkulicës pak nga ajo salca aq e shijshme e ndërtuar me vaj,hudhra e pakëz arra,që zbardhte atje në pjatëzën e mezesë si kulloshtër e mjelë taze. Ishte një mrkulli e vërtetë,që e bënte gjithë trupin e tij të shkrihej nga kënaqësia.Por...
Sidomos,ai nuk i harron ato mbrëmje kur bashkë me shokët dhe me gratë e tyre uleshin në tavolina e shtruar me mbulesën e bardhë dëborë nën hijen e kurorës së dendur të blireve në lulishten e Skena-Parkut. Shijes së gotës së rakisë dhe muhabetit të ëmbël i shtohej dhe melodia e magjishme e serenatave,që luante orkestra dhe këngët që i këndonin dy vëllezër këngëtarë me zërat e tyre të ëmbë dhe të ngrohtë.Në ato çaste gjethet e blirit nuk shushurisnin,as fjalët nuk dilnin nga goja,as kupka e rakisë e shtrënguar midis gishtave të dorës nuk pipëtinte. Zëri i violisë dridhej si një jehonë e largët,që vinte nga një vend i magjishëm,i cili nuk mund të ishte gjë tjetër veç se vetë Eldoradoja! Edhe zemra ishte tulatur në gjoks. Edhe një lëmsh i përmallshëm mblidhej në grykë. Edhe sytë e dalldisur,pa u turpëruar nga gratë,përloteshin. Sa mbaronte kënga,nuk e di se si kuoka e rakisë ngrihej vetiu drejt buzëve e nëpër gurmaz e në damarë kullonte malli,dhemshuria,rinia dhe dashuria!
Eh,sa bukur që ishte!
Eh,ç'jetë e përmallshme që nuk mund të harrohet kurrë!...
Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjete që kur ata blire erëmirë nuk shushurisin mbi kokë si në ato mbrëmje maji. Kur jehona e atyre këngëve nuk dëgjohet më. Kur ajo tavolinë e ahengut të Luna-Parkut është fshehur prapa mjegullës së mërgimit.
Një shoku i tij i atyre mbrëmjeve erdhi vitin e kaluar vizitor në Kanda. Ai është me punë në vendin e tij,ka një biznes të vogël dhe nuk ka ndërmend të emigrojë. Ai erdhi i ftuar nga e motra e tij. Erdhi të shikojë këtë botë dhe këtë jetë të përtej oqeanit. Erdhi të takojë dhe shokun e tij të mallit,mikun tim. Ishte menduar gjatë se çfarë do t'i sillte si kujtim. Dhe vendosi me bindje dhe me siguri të padiskutueshme,t'i sillte një disketë me këngët e grupit të Luna-Parkut.
Shoku nxori nga çanta kasetën dhe me një veprim solemn e plot mburrje ia vuri përpara në tavolinë.
Miku im,më tregoi,se e mori kasetën në duar. Lexpoi mbishkrimin. E ktheu dhe nga ana tjetër dhe lexoi listën e këngëve të regjistruara në të. Shoku e ndiqte me sy të ngazëllyer çdo veprim të tijin.
-Të kujtohet,-e pyeti.
-O,posi.Skena-Parku.
-Ku e ke magnetofonin?-e pyeti me padurim shoku.
Miku im dhe e shoqja e tij u zunë ngushtë. Nuk e dinin se ku e kishin plasur magnetofonin e vjetër të dalë mode,që nuk e përdornin më.
E gjetën në një qoshe të garazhit. Ia fshinë pluhurin .E vunë. Vunë dhe disketën. Filluan dhe meloditë. Ishin këngë të dëgjuar këtu e më shumë se dhjetë vjete përpara. Shoku,që solli kasetën,filloi të këndojë nën zë duke lëkundur sipas melodisë kupkën me uiski.që mbante në dorë. Ai e shikonte në sy shokun e vet duke buzëqeshur i përmalluar. Por buzëqeshja e tij filloi dalngadale të topitet. Shoku i tij (miku im) nuk po e shoqëronte,nuk po këndonte,sytë nuk po i përloteshin.
Më kujtoheshin të gjtha,më tregoi miku im,por nuk e di as unë sepse isha aq indiferent,nuk e di sepse nuk u mallëngjeva si dikur me ato këngë.
Shoku i tij ndenji një muaj. Biseduan,u shmallë kujtuan dhe treguan për jetën e njëritjetrit. Edhe uiski dhe birrë kanadeze pinë sa u dendën. Vetëm kasetën,jo që nuk e vunë më,por shoku nuk e zuri fare në gojë. U ndanë të mallëngjyer dhe të përlotur,duke u përqafuar të ngashëruar. Por...Seç ishte një tis i padukshëm që kish veshur mallin e tyre të vjetër,një gjë e pakapshme dot me asnjë shqisë,por që miqësia e tyre e sprovuar nga koha,e ndjeu dhe u drodh.
Nuk e di se ç'të them. Njeriu qenka i çuditshëm!Ndryshoka vazhdimisht.Diçka mbetka larg në kohën e shkuar.Diçka e dashur dhe e shtrenjtë për ty dikur. Me siguri. Një diçka e re ka lindur ose po lind brenda teje. Një ndryshim.