E shtune, 27.04.2024, 08:02 AM (GMT+1)

Mendime

Kujt i sherben shkrimi i Nefail Maliqit “Diaspora e zhgënjyer nga institucionet”

E merkure, 29.09.2010, 09:58 PM


Kujt i sherben shkrimi i Nefail Maliqit “Diaspora e zhgënjyer nga institucionet” të botuar në “Bota Sot” me datë 20.09.2010.

 

Reagim i Lidhjës së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”KK Gjenevë

 

Kryesia e LAPSH, Këshilli kantonal i Gjenevës, në mbledhjen e vet të mbajtur me 24 shtator 2010 përpiloi këtë reagim ndaj artikullit “Diaspora e zhgënjyer nga institucionet” të Nefail Maliqit të botuar në të përditshmen “Bota Sot” me datë 20.09.2010, për të cilin konstatoi se është i pasaktë, jologjik, i pavërtetë dhe ka qëllime rrënuese ndaj mësimit plotësues të gjuhës shqipe, edhe pse e vetëdijshme se të neutralizosh një lajm të botuar, çoftë ai edhe i pavërtetë, është sikurse të mbledhësh pupla nga një jastëk të hedhura prej një ndërtesë shumëkatëshe, nga një i marrë.  

 

Se sa është i njoftuar apo thënë më mirë se sa e shqetson gjendja e shkollës shqipe në Gjenevë e Zvicër Z Nefail Maliqi shifet në pasaktsitë që i paraqet në tekstin në fjalë.

 

Pasaktësia e parë dhe evidente rrjedh nga fakti sepse z. Mahir Mustafa nuk është më kryetar i LAPSH-së në Zvicër, prej marsit të këtij viti. Në vend të tij është zgjedhur z. Hamëz Morina. Por, Nefail Maliqi nuk e morri mundin të informohet as për gjëra më elementare që kanë të bëjnë me LAPSH-në e Gjenevës apo të Zvicrës. Pra, mund të supozohet se ky artikull është i porositur, sepse as nuk informon mbi situatën reale as nuk e analizon atë. Nga kush, e di vetëm Nefail Maliqi. Ndoshta do ta kuptojmë edhe ne, kur t’i kuptojmë pasojat e këtij shkrimi.     

 

Duke lexuar titullin e artikullit “Diaspora e zhgënjyer nga institucionet” dhe nëntitullin “Pse dhe kush u kërkon nga 150 franga fëmijëve në shkollat e Gjenevës”, qysh në fillim vërehet një alogjikë e cila përvijohet në gjithë tekstin. Fillon me fjalën e  Zv.Kryeministër të Kosovës Z. Ramë Manaj në takimin me bashkatdhetarët (kryesisht biznesmen) në Gjenevë, më 16 shtator 2010, ku temë e bisedës ishte mundesia e investimeve në Kosovë nga bashkëatdhetaret tanë, e ku gjatë gjithë kohës është bisedua vetëm rreth biznesit e privatizimit në Kosovë. Në një të tretën e parë të artikullit kritikohet qeveria e Kosovës për mosangazhimin e saj në organizimin e mësimit plotësues. Dhe përnjëherë, krejtësisht papritmas dhe pa ndërlidhje logjike, shtrohet pyetja “Dhe tash secili do të shtronte pyetjen pse dhe kush iu kërkon fëmijëve nga 150 franga....” ?!

 

Me pjesën kritike ndaj qeverisë pjesërisht jemi dakord. Pjesërisht, pasi që e informojmë Nefailin Maliqin dhe mbarë opinionin se pikërisht të dielën me 19.09.2010 në lokalet e ambasadës së Kosovës në Bern është mbajtur takimi i përfaqësuesëve kantonal në udhëheqjen e koordinatorit të LAPSH për Zvicër Z. Hamëz Morina dhe përfaqësuesëve të shtetit të Kosovës në Zvicër që i përfaqësonte vicekonzulli Z. Salih Sefa, aty na u komunikua që për fillim Kosova ka dërgua në shtyp tekstet shkollore për nxënësit në diasporë për ciklin e parë që shumë shpejt do të na ofrohën falas, në takim është formuar një komision i cili do të përpiloj kërkesat e LAPSH-së karshi qeverisë dhe nëpërmjet përfaqësueseve tanë diplomatik do t’i dërgohet ministrisë së arsimit apo edhe institucioneve tjera. Pjesërisht, sepse Nefail Maliqi duhet të dijë se Kosova ka hapur ambasadat e veta tek para pak kohe. Pjesërisht sepse personeli diplomatik i Kosovës është i papërvojë. Pjesërisht sepse Kosova ka shumë probleme dhe pak para. Pjesërisht sepse duhet kërkuar llogari edhe nga Shqipëria pasi që bëhet fjalë për Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar dhe jo për Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Kosovar. Pjesërisht sepse...

 

Pason mestitulli “Pas zhgënjimit me qeverinë e Kosovës, LAPSH organizohet vet në Zvicër” ku sipas mestitullit do të duhej pritur fjalë lëvdate për LAPSH-në. Por, ndodh e kundërta. Së pari nuk është e vërtet se LAPSH organizohet pas zhgënjimit me qeverinë, pasi që LAPSH ekziston qe 20 vjet, pra shumë më herët se sa cila do qeveri e Kosovës. Së dyti citohet një dokument i LAPSH-it ku thuhet se “Për vitin 2010 – 2011, Kryesia e LAPSH-it për kantonin e Gjenevës ka marrë vendimin që prindërit të paguajnë 100 CHF për një fëmijë, kurse për dy e më tepër 150 CHF për semestër...” dhe pastaj nxirret përfundimi, qëllimisht i gabuar, se nëse dikush i paska “dy ose tre fëmijë në vit duhet të ndajë nga buxheti nga 500 franga”?! A besoni se Nefail Maliqi vërtet nuk di aq matematikë sa ta llogarisë se prindi që ka një fëmijë gjatë vitit shkollor duhet ndarë 200 franga, kurse ai që ka dy e më shumë fëmijë, duhet ndarë 300 franga? Për të arsyetuar këtë llogari ai më poshtë, prapë qëllimisht, ngatërron semestrin, respektivisht gjysmëvjetorin, me kuartalin duke thënë se “Ka prindër shqiptar në Zvicër që ka 3 fëmijë apo 5-6 fëmijë dhe nëse një prind jep për fëmijët e tij nga 150 franga çdo tre muaj, siç kërkohet nga LAPSH...”. Duke vazhduar me matematikën e tij ai arrin në 30’000 nxënës që vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe në 5 milion franga të mbledhura vetëm në Zvicër. Madje edhe për këtë ka faj qeveria sepse “me një qasje më serioze të qeverisë së Kosovës (...) do t’i mbyllej rruga disa matrapazëve dhe manipuluesve”. Pra, ai quan matrapazë dhe manipulues arsimtarët dhe prindërit e fëmijëve që i dërgojnë fëmijët  e vet në shkollën shqipe, pasi që LAPSH do të thotë Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar dhe pikërisht ata organizojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët tanë në diasporë.

 

Për hir të informimit objektiv, ja disa fakte numerike rreth LAPSH-së në kantonin e Gjenevës:

- Vitin shkollor 2009-2010 mësimin plotësues të gjuhës shqipe e vijuan rreth 210 nxënës (burimi LAPSH, Gjenevë), ndërsa në kanton janë 1’239 fëmijë në moshë 6 – 12 vjet që gjuhë amtare kanë shqipen (burimi Ministria e arsimit e Gjenevës e datës 17 nëntor 2009). Pra, përfshirja është 16,95%;

-  Mësimin plotësues e zhvillojnë 6 mësuese, të gjitha me përgatitje universitare ose të lartë;

- Mësueset paguhen për punën e tyre nga 33,00 sfr/orë bruto, kurse anëtarët e kryesisë aktivitetin e tyre e zhvillojnë në baza vullnetare. Në mungesë të mjeteve mësueset janë 6 muaj prapa me pagat e tyre;

-  Të ardhurat nga pagesat e prindërve për vitin shkollor 2009-2010 kanë qenë 17’550 sfr nga 26’800 sfr të mundshme, ose thënë ndryshe shkalla e inkasimit ka qenë 65,49%. Të gjitha këto mjete paguhen nëpërmjet xhiro-llogarisë, pra janë lehtë të verifikueshme;

-  Me të hollat e mbledhura nga prindërit mësueset mund të paguhen vetëm për rreth 2 muaj. Pjesën tjetër e sigurojmë nga donacionet e disa komunave të kantonit të Gjenevës dhe Lotarie Romande, pasi që fondi i nevojshëm për mbarëvajtjen e LAPSH-së në kantonin e Gjenevës është rreth 100’000 sfr.

 

Në vazhdimin e pamfletit të tij Nefaili shkruan se “T’u kërkosh nga 150 franga fëmijëve shqiptar nëpër shkollat zvicerane (për mësim plotësues) është jo vetëm ngarkesë për prindërit shqiptar në Zvicër, por edhe komprometim para autoriteteve zvicerane ...”. E vërteta është pikërisht e kundërt. Ne gëzojmë simpati te autoritetet zvicerane dhe pikërisht falë këtyre autoriteteve ende po mundemi të mbijetojmë. Që nga viti 2000 ne kemi përkrahje financiare nga Departamenti i Arsimit, Loteri Romande, Fondi Eckert dhe nga shumë komuna të Gjenevës: Onex, Meyrin, Ville Genève, Caroge e Vernier. Madje, ekzistojnë gjasat që nga viti 2011 komplet mësimin plotësues të gjuhës shqipe ta financojnë këto autoritete, sepse përvoja ka treguar se fëmijët që mësojnë gjuhën amtare janë nxënës më të mirë edhe në mësimin e rregullt, respektivisht në gjuhën e vendit. Pra, është e natyrshme që kjo shoqëri ka nevojë për nxënës të tillë dhe i stimulon ata. Nga kjo rrjedh se komprometim do të ishte nëse këto autoritete do të ishin më të interesuar për fëmijët tanë sesa ne vet.

 

Fal kësaj përkrahje, Kryesia e LAPSH në Gjenevë ka marrë një vendim të tillë për të ndryshua shumën e obligimeve në krahasim me kantonet tjera që prindërit janë të obliguar të paguajnë 40 fr në muaj për një fëmijë, 50 fr, për dy, e 60 fr për tre e më tepër (shih ueb faqen e LAPSH Zvicër).

 

Gazetari Nefail Maliqi edhe pse jeton e vepron në Gjenevë ai nuk është interesua të kontaktoj LAPSH në Gjenevë edhe pse LAPSH e Gjenevës përveq organizimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe për të gjithë ata nxënës që janë të interesuar, për çdo vit merrët edhe me organizimin e festave për ditët e shënuara, si 28 Nëntori, 7 e 8 mars, e nga 2008 edhe 17 shkurti, ku në ato festa marrin pjesë mbi 1000 bashkëatdhetarë.

 

LAPSH në Gjenevë disa herë e kanë vizitua edhe përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, duke organizua seminare, vizita në shkollat ku mbahet mesimi e edhe vizitë në Departamentin e Arsimit të Gjenevës.

LAPSH në Gjenevë e kanë vizitua edhe Ambasadorët e Shqipërisë në shkollat ku mbahet mësimi,  në vitin 2007, me rastin e 28 Nëntorit , ambasadori i Shqipërisë pranë OKB, Z. Sejdi Qerimaj ka organizua pritje në lakalet e Misionit të Shqipërisë pranë OKB, për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe veprimtarët e LAPSH.

Për të gjitha këto e shumë aktivitete tjera të LAPSH në Gjenevë disa herë RTK ka bë emisione të veçanta, por, për gazetarin Nefail Maliqi si duket nuk janë të rëndësishme sepse  sigurisht  atij nuk i duhet prezentimi i aktiviteteve me vlera kombëtare të bashkëatdhetarëve këtu. Sepse sikur t’i interesonte vertetë aktiviteti i LAPSH në Gjenevë, sigurisht që do të kontaktonte dike nga ne; ne kemi një ueb faqe në internet me të gjitha të dhënat: adresa, nr,e telefonave, konton postale etj.   

 

Dhe për fund fare. Numri i nxënësve që vijojnë shkollën shqipe është në rënie e sipër nga viti në vit. Pra z. Nefail, nuk ke nevojë të derdhësh energjinë tënde “intelektuale” duke përbaltur LAPSH-në, sepse edhe ashtu së shpejti ndoshta do të kemi para por nuk do të kemi nxënës. Kontributi yt në shpejtësinë e kësaj rënie është dhe do të jetë i pamohueshëm, për çfarë, besoj se do të shpërblehesh nga padronët e tu, që ju shërben me kaq përkushtim. Nëse në ndërkohë ndryshon mendjen dhe vendos të shkruash mbar, për shembull mund të të shërbej gazetari Rachad Armanios i cili në gazetën e përditshmen “Le Courrier” të datës 4 shtator 2010 intervistoi kryetarin e LAPSH – Gjenevë z. Agim Paçarizi për ta informuar opinionin rreth situatës në LAPSH dhe vendosi një titull shumë domethënës: “Rrënjët solide lehtësojnë suksesin në shkolle dhe integrimin”. 

 

Derisa gazetarët zvicëranë dijnë të drejtohen burimeve të besueshme për çështje të caktuara kur shkruajnë, gazetari Nefail Maliqi shkruan pa ju referuar askujt e që do të duhej ta informonte me kompetencë. Një këshillë "gazetarëve" të tillë që jetojnë me vite në Zvicër, së paku të kopjojnë nga këto punë të mira kur vet nuk janë në gjendje të gjykojnë. Le të njihen me kodeksin e gazetarit kur lansojnë fjalën publike.

 

Kryesia e LAPSH

 Këshilli kantonal Gjenevë

Në Gjenevë, Me 24 shtator 2010



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora