E shtune, 27.04.2024, 12:02 PM (GMT+1)

Mendime

Arsim Halimi: Loja me studentë

E marte, 28.09.2010, 09:58 PM


Loja me studentë

 

Nga Arsim Halimi - student, Prishtinë

 

Sistemi politik në të cilin po jetojmë është më i mirë se ai i mëparshmi. Kështu shprehen dhe shpreheshin edhe më parë më të moshuarit. Isha krejt i vogël kur kuptova që në rrethin ku jetoja ishin themeluar dhe funksiononin disa parti politike. Gati për çdo dy vjet kishe fushata parazgjedhore dhe ne si nxënës që ishim ndaheshim në grupime. Disa ishin për PVD-në e disa të tjerë për PDSH. Më pas u bënë edhe disa të tjera parti. Unë, nuk mund të gënjej, isha simpatizues i PVD. Riza Halimi ishte njeriu që më së shumti i besoja. I besoja me vite të tëra. Kaluan shumë vite dhe ja unë u rrita dhe fillova studimet dhe gati po i përfundoj në Universitetin e Prishtinës. Por, ama jam pranuar me meritë pa intervenuar e as pa më futur në listë të studentëve që Riza Halimi me miqtë e vet i përpilonte dhe i dërgonte në Universitetin e Tiranës. Atëbotë isha ende i ri, por dëgjoja që gati të gjithë ata që e kryenin maturën dhe regjistroheshin në Universitetin e Tiranës, ishin fëmijë të anëtarëve të kryesisë së PVD-së, ose ishin bij të simpatizantëve dhe të votuesve të PVD. Këto marifetllëqe nuk e pengonin fare Riza Halimin e as miqtë e tij. Nuk e pengonin sepse ishte kryetar i Komunës së Preshevës dhe pretendonte të jetë lider i krejt shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Mirëpo, erdhi një kohë kur ai dhe partia e tij duheshin pensionuar sepse nuk pranonte djem e vajza të reja por u pat ngujuar në një fole të qyqes me disa njerëz të dalë mode, e kjo i kushtoi shtrenjtë, duke e larguar nga pushteti. Kur e pa që nuk ka vend më në Preshevë, bëri ç’bëri dhe u kandidua dhe me manipulime të shumta u bë deputet në Parlamentin e republikës së Serbisë. Kur bisedoja me dikë, sepse atëherë isha ende mbështetës i Rizës, më thoshin që Riza nuk ka qenë e as është patriot, unë hidhërohesha. Ia kanë inat, thosha me vete, por sa po shkon koha, po bindem edhe vetë se njëmend nuk qenka i tillë. Nuk qenka patriot. Ai po vuajka për karrigë. Kjo u pa edhe me nismën e tij dhe me UDSH për të themeluar një këshill nacional të dy partive që veprojnë në Luginë. E bëri edhe këtë me njëmijë manipulime, duke falsifikuar nënshkrime e më pas edhe vota. Por, ajo që më irritoi më shumë dhe shtyri që të shkruaj këtë opinion timin, është gjesti i fundit i tij. Deklarata e tij mediale se “të rinjtë e Luginës nuk duhet të pranohen në Universitetin e Prishtinës, sepse me këtë po zbrazet Lugina”. Nuk e besova as këtë, duke menduar që gazetarët mund të kenë trilluar. E lashë dhe ende e besoja atë dhe fjalët e tij. Por, kur kuptova që Galip Beqiri, kryetar i këshillit nacional të dy partive të shqiptarëve (nga nëntë parti sa veprojnë në Luginë) i nxitur nga Riza Halimi, shkon në Prishtinë për t’u takuar me zyrtarë të Universitetit të Prishtinës dhe kërkon që të mos pranohen  88 studentët nga lugina që ministri i arsimit të Republikës së Kosovës i shpalli si të pranuar. Galip Beqiri kishte kërkuar ngulmas që studentët shqiptarë të Luginës duhet të studionin në Serbi. U habita, nuk është e mundur që këtë mund ta bënte një njeri që pretendon të jetë deputet popullor i shqiptarëve në serbi dhe një kryetar i një Këshilli që mëton të jetë nacional. U shashtrisa. Si mund të ndodh kjo. Sikur harrojnë edhe Riza edhe Galipi e edhe studentët që kanë studiuar në Shqipëri, nuk janë kthyer në Preshevë e Bujanoc. Shumë prejt ytre për shkak të mospranimit të diplomave nga ministria e arsimit të Serbisë, janë ndalë në Shqipëri, janë punësuar në Kosovë ose kanë dalë në perëndim. U kthjella dhe tani po mendoj drejt se llafet e Riza Halimit ishin vetëm fraza të thata dhe asgjë tjetër. “Nuk mund të jetë patriot një njeri me një prejardhje jo të pastër” më tha një i afërm i tij. “sepse as gjyshi i tij e as babai nuk kanë qenë të pastër. Njeni dyshohet të ketë tradhtuar kushëririn e vet e tjetri dyshohet për hajni”. Kur e dëgjova edhe këtë nga i afërmi i tij, të them të drejtën nuk ngurrova fare dhe nisa këtë shkrim. Riza Halimi ishte njeriu që akuzonte njerëzit si udbashë e tradhtarë, e vetë qenka më i zi se të gjithë. Nuk do të besoj më në të e as në partinë e tij, edhe pse do të kem problem me familjarët e mi. Le të më hidhërohen të gjithë, por unë si student i asaj ane nuk mund të rri anash e të hesht për veprimet e Rizës dhe të Galipit që nuk na çojnë te para por na kthejnë prapa. Është e vërtetë që diplomat e Kosovës nuk pranohen nga Serbia, por procesi i bisedimeve po fillon në mes të shqiptarëve dhe të serbëve e marrëveshjes nuk i dihet. Vjen një kohë që edhe këto diploma sikur ato të viteve të nëntëdhjeta të pranohen. Prandaj, për të mos e zgjatur shumë, unë propozoj që Riza Halimi dhe Galip Beqiri duhet të japin dorëheqje nga funksionet që i kanë. Turp është për ta të rrinë aty ku janë me këto mendime të mbrapshta. Ata më nuk mund të fshahen pas votës së qytetarëve. Nuk e kanë besimin. E kanë humbur vetë me veprimet e veta. Veprimi i tyre i këtyre ditëve është i turpshëm dhe nuk e lanë as Moravica. Turp Rizë e turp Galip.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora