E shtune, 27.04.2024, 07:56 AM (GMT+1)

Mendime

Shtypi i kohës: Protesta për zgjedhjen e Janullatos

E merkure, 29.09.2010, 08:02 PM


Në "Gazeta Shqiptare" të ditës së dielë më 26 shtator 2010, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Profesor Doktor Anastas Janullatos deklaron ndër të tjera se "nuk jam fronëzuar në hotel, por në katedrale". Kjo ishte si reagim ndaj thënies së studiuesit Kristo Frashëri, i cili po te "Gazeta Shqiptare" e datës 20 shtator 2010, theksonte se "Janullatos, peshkopi i fronëzuar në hotel Tirana". Janullatos kështu rrëzon pretendimet e Frashërit, por dëshmitarët e kohës, pra të 2 gushtit 1992, ditë kur ishte caktuar fronëzimi i Janullatosit tregojnë ndryshe. Kostaq Xoxa, studiues, në një intervistë të tij në gazetën "Republika" të 24 dhjetorit 2008, përmend faktin se Janullatosi nuk u arrit të fronëzohej në Kishë, për shkak se shumë besimtarë ortodoksë të pranishëm në kishë po i thonin "Jo", këtij fronëzimi. Më pas Xoxa në intervistën e tij, tregon se si u larguan nga kisha njerëzit me veladon dhe më pas lajmet që erdhën nga besimtarët e tjerë ortodoksë që Janullatosi u fronëzua në hotel "Tirana". Kronikat e kohës, flasin për një zgjedhje të tillë. Këto kronika, kryesisht të gazetës "Rilindja Demokratike", gazetë e partisë në pushtet, e cila kishte zgjedhur dhe presidentin e vendit, Sali Berisha, një kundërshtar i fortë i Janullatosit në krye të kishës, pra në këto kronika mësohet se Janullatosi është fronëzuar në hotel. "Tipa megalomanë, të pandershëm, antishqiptarë dhe pa asnjë interes për fatet e ortodoksisë shqiptare, por vetëm për pasurinë e xhepave të tyre, me të ardhura ilegale si zoti Aleko Dhima, pretendojnë se kurorëzimi i kryepeshkopit i hirësisë së tij, Anastas Janullatos, na qenka bërë në një drekë, që miqtë dhe shokët e këtij peshkopi grek na paskan organizuar te hotel "Tirana".", është pjesë e një letre të hapur drejtuar Kishës nga disa besimtarë dhe intelektualë ortodoksë. Artikulli u botua në RD më 8 gusht 1992. Ndërsa kronika e ngjarjes së 2 gushtit 1992 u botua më 4 gusht, pasi RD-ja në këto vite dilte tre herë në javë. Në këtë kronikë nuk flitet për zgjedhjen e kryepeshkopit në hotel "Tirana", por për faktin se ceremonia e organizuar në kishë dështoi. "Doemos ky gabim historik pati reaksion të shumë besimtarëve të Tiranës, të cilët arritën të këndonin në kishë këngën "Për Mëmëdhenë" e të mos aprovonin kurorëzimin ose fronëzimin e kryepeshkopit Anastas. Edhe pse ndodhi kështu, edhe pse radiotelevizioni njoftoi se ceremonia nuk u bë, pra kryepeshkopi nuk u fronëzua, zoti Aleko Dhima na tha se ai u caktua. Pra, që të dielën është kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.", shkruan Petro Dhimitri në këtë gazetë. Ky i fundit dëshmon se edhe kronikat radiotelevizive nuk kishin dhënë lajmin që zgjedhja u bë. Më 18 gusht të 1992 botohet po te kjo gazetë një reagim i presidencës shqiptare, "...Lidhur me fronëzimin e Kryepeshkopit, Presidenti nuk ia ka dërguar ndonjë mesazh kishës ortodokse. Së dyti, për këtë problem, ai është i një mendimi me kishën ortodokse në Boston, se kjo duhet pranuar si një zgjidhje e përkohshme dhe në përputhje me statutet e kishës Autoqefale Shqiptare. Presidenti ka kundërshtuar sinodin e emëruar nga Patriarkana, kurse krejt pa baza janë aludimet që janë bërë në disa organe të shtypit në Beograd apo Athinë se ka një ndryshim pikëpamjesh lidhur me shqiptarët në Kosovë...", thuhet në mes të tjerave në këtë sqarim. Për problemet në fronëzimin e kryepeshkopit Janullatos shkruajtën dhe mediat e huaja të kohës. "Washington Times" e 3 gushtit 1992 shkruan ndër të tjera, se "Kisha Ortodokse Shqiptare inauguroi kryepeshkopin e parë...por ceremonia u pasua nga protesta për shkak të zgjedhjes së një njeriu me kombësi greke në krye të Kishës".


“E vërteta sesi u zgjodh Janullatos në gusht ‘92”

Në këtë intervistë të dhënë për gazetën "Republika" 24 dhjetor 2008 e Kostaq Xoxa, një nga dëshmitarët e ceremonisë së 2 gushtit 1992, tregon se si vijuan ngjarjet e kësaj dite. Sipas tij, ceremonia filloi në kishë dhe përfundoi në hotel "Tirana". Xoxa tregon dhe se si Uran Butka, kryetar i Komisionit Parlamentar të Kulturës, mori pjesë në këtë ceremoni së bashku me intelektualë të tjerë myslimanë. Xoxa ndër të tjerë flet dhe për takimin e mesnatës të datës 1 duke gdhirë 2 gushti të 1992 të presidentit Berisha me një grup ortodoksësh lidhur me aktivitetin që do të zhvillohej në paraditen e 2 gushtit. 
A mund të na rrëfeni hollësisht ngjarjen e kurorëzimit të Janullatosit, më 2 gusht të vitit 1992? 
Më 1 gusht të vitit 1992, nuk shkova në redaksinë e "Lirisë" se isha me temperaturë, në shtrat. Në mbrëmje, bie zilja e telefonit dhe folësi m'u paraqit me emër dhe më tha: -Nesër është mirë të jesh në kishë. - Atëherë, të panjohurit mezi ia kujtova emrin. Më tha se kishte bërë edhe një shkrim në gazetën tonë "Liria", kohë më parë. -Nuk kam shkuar ndonjëherë në atë kishë, - i thashë - por do të vij, patjetër. Fjeta copa-copa, se më kujtoheshin mjaft gjëra. Janullatosi kishte ardhur ekzark dhe tani kërkonte të vinte pas njërës këmbë, edhe tjetrën. Kisha dëgjuar se ithtarët e tij flisnin se ai kishte një pozitë të mirë kishtare në Athinë, ishte çmuar edhe si akademik, dhe sikur po e pranonte ofertën vetëm se e kërkonin nga të gjitha anët që të kryesonte kishën shqiptare (sipas një ithtari të tij me emrin Aleko). E dija edhe se "anaksos" donte të thoshte "votë kundra". Saktësisht: "I padenjë". Zgjedhja kërkonte votim tërësor, 100 për qind me unanimitet; domethënë pa vota kundër. U zgjova me vonesë se gjumi më kishte zënë shumë vonë. Pa hyrë ende brenda portës së madhe të kishës, dëgjoheshin thirrjet në kor: "Anaksos, Anaksos, Anaksos, Jo, Jo, Jo!" Erdhi një çast që filluan këngët: "Për Mëmëdhenë". "Ejani këtu! Këtu! Këtu!" Pastaj: "Noli! Noli! Noli!" "Rroftë Kisha Autoqefale!" "Jashtë Janullatosi nga Shqipëria!". 
Mbi pupitër, në një jastëk mëndafshi, ndriçonte një kurorë. Ishte parashikuar edhe epilogu triumfal! Por hesapet, - themi ne shqiptarët, - ishin bërë pa hanxhiun! Ortodoksët përreth më thanë se në fillim të gjullurdisë kishte dalë një i ri, me dolloma të zezë e më një jakë rrethore të bardhë që kishte thënë, me buzët të mikrofoni: -Ju lutemi, qetësi! Qetësi, ju lutemi! Jemi në shtëpinë e Zotit. Por kjo ishte bërë shkas që të ngrihej edhe më tej volumi: - Kisha është shqiptare! Zoti është me ne. Dhiaku i ri u largua me gjithë mikrofonin, të cilin mezi e çmontoi. Por s'kishte nevojë për mikrofon. Zëri ynë ushtonte gjer në majë të kupolave. Kaloi njëfarë kohe me kor e me "anaksos" dhe u ndjenë lëvizje e kërcitje dyersh të ajodhimës. U panë veladonë të zinj në lëvizje, por jo nga porta e madhe e kishës. U ulën zërat, si për të dëgjuar më mirë se ç' po ndodhte. Ata të radhëve të para ndjenë lëvizjet gjer në derën e pasme të ajodhimës. Pastaj zëri përçoi zërin dhe u dëgjua në të gjithë sallën e kishës: - Po ikin! Po ikin! Në oborrin e madh u prish heshtja nga uturimat e veturave që dolën në rrugën e Kavajës. Sytë u drejtuan te jastëku mbi të cilin ishte vendosur kurora. Ajo nuk ishte aty! Kisha u zbraz për punë sekondash. U dëgjuan ca zëra të hollë protestues murgeshash, të cilat kërkonin, si duket, pak më shumë njerëzillëk. Por, njerëzit nuk e kishin mendjen te mirësjellja që mëtonin ato. Ata donin të dinin ku po shkonin, ku do të vinin, me kurorën që e mbante me kujdes dhiaku i ri, si një gjë që mund të thyhej! Një ortodoks që e kishte lënë makinën jashtë oborrit, në trotuarin e djathtë të Rrugës së Kavajës, si më i shpejtë, e arriti vargun e makinave që përfunduan te hotel "Tirana". Kaq ishte kërshëria e tij. U kthye dhe u tha njerëzve: -Kanë shkuar te Pesëmbëdhjetëkatëshi! Ata më kureshtarët shkruan, ngjitën shkallët dhe zunë vend në sallën ngjitur. Lajmi u përhap nga ata: Kurorëzimi u bë në hotel "Tirana"! 
Ky kurorëzim a ka bazë ligjore kishtare, dhe a mund të konsiderohet ende në fuqi? 
Të nesërmen, më 3 gusht '92, i gjithë kryeqyteti e mori vesh lajmin, bashkë me komentin: Ky nuk quhej kurorëzim. Kurorëzimi bëhej në kishë, gjë që nuk u realizua. 
Së pari, ngjarja e 2 gushtit të vitit 1992 mori dhenë, u bë e bujshme dhe ishte një njollë turpi për atë pamje groteske që mori ai lloj "kurorëzimi", i cili nuk mund të jetësohej në kishë. Kur themi se ngjarja u bë e bujshme, kemi parasysh se afërsisht 16 vite më parë nuk ishin gazetat dhe televizionet e sotme e megjithatë, lajmi u përhap dhe u bë i njohur kudo. Asnjë kurorëzim sipas riteve ortodokse nuk është bërë në birrari! Pra nga pikëpamja kanonike, Eskarku as formalisht nuk e kapërceu këtë shkallë hierarkike fetare në vendin tonë. Së dyti, kuptohet, e pa vërteta që doli vetvetiu në shesh, se gjoja "populli e kërkoi vetë kurorëzimin". Këto ishin fjalët e A.Dhimës e të njerëzve të tjerë. Lëshoheshin si biseda rrugësh. Por, kryetari i Komitetit për Autoqefalin Shqiptare, ortodoksi Petrit Bidoshi, i rrëzoi me argumente në një intervistë të datës 23 tetor 1997. Së treti, ardhja e Eskarkut u bë në fshehtësi dhe kurorëzimi nuk u shpall më parë. Por të fshehtat e mëdha kanë këmbë, siç thuhet. Kur "e dashka populli", përse duhej bërë si një fakt i kryer? E, meqë akti mbeti i pakryer, mbeten sajesat për të përligjur dështimin. Falsifikime e mashtrime, sepse ata kanë në thellësi të shpirtit teorinë "çdo ortodoks është grek". Kjo ka qenë teori e Imzot Kotokos, Imzot Sebastianos dhe të gjithë ithtarëve të Megalidhesë. Kjo është një shpifje antishqiptare. Një kryepeshkop i Kishës Autoqefale do ta kishte përgënjeshtruar prerazi një thënie të tillë, me prapamendime dhe me synime shoviniste. Por këtu antishqiptarizmi bashkohet me hipokrizinë. E katërta - duhet thënë edhe kjo, pa u zgjatur më tej: nuk vonoi edhe hakmarrja ndaj apostullit të autoqefalis, imzot Nolit: Fotoja e madhe e Fan Stilian Nolit u hoq nga holli i kishës, në vendin më të dukshëm të saj, se gjurmët që kishte lënë ky autoqefalist i madh, përgatitës i shquar i librave kishtare në shqip, nuk i duheshin më hirësisë së re, me autoqefalinë e tij që binte ndesh në mënyrë flagrante me nenin 16 të statutit të kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, për cilësitë e kryepeshkopit, të peshkopëve dhe zëvendësve të tyre lokalë, për sekretarin e përgjithshëm të Sinodit: të jenë prej gjaku shqiptar, nënshtetësie shqiptare, kombësie shqiptare dhe prej gjuhe shqiptare. 
Ngritja e Janullatosit në krye të kishës Autoqefale Shqiptare është një akt i thjeshtë fetar apo shprehje e politikës së qarqeve antishqiptare? 
Në të vërtetë, në pyetjen tuaj ka një pasaktësi, e cila përdoret tashmë për forcë zakoni: Kisha jonë e tanishme nuk është autoqefale, po të respektojmë statutet kishtare. Mendoj se akt i thjeshtë fetar nuk është. Gjithashtu, po të kemi parasysh se feja mund të instrumentalizohet. Zoti nuk do të donte politizimin e fesë. Veçse është e përligjur atdhedashuria e kombit nga cilado fe. Vepra monumentale e Fan Nolit është autoqefalia, siç është shprehur Konica. Dy antagonistë të mëdhenj Noli dhe Zogu, u bënë solidarë për autoqefalinë. Dhe nuk është e rastit që Kryeministri i Zogut, Koço Kosta, e uroi Fan Nolin për realizimin përfundimtar të autoqefalisë, në vitin 1929. Nëse Shqipëria e varfër nuk mund të akuzohet për asnjë veprimtari kundër cilitdo shtet, sepse askush nuk mund të ketë një provë - sado rudimentare të një grimce shovinizmi - kjo nuk mund të thuhet edhe për shtete të tjera ndaj nesh. Shqipëria nuk i ka borxh asnjë pëllëmbë toke askujt. Të tjerët, po, na kanë borxh neve. Në këto kushte, ne kemi qenë vazhdimisht nën kërcënim. Prandaj, është një hare e njëmendët paradhoma e NATO-s, që na u ofrua para pak kohësh. Po na shtohet entuziazmi se, duke mos i rënë më në qafë askujt, nuk do të jetë e mundur të na bien në qafë. Kuptohet se ajo fraza dashakeqe se "çdo ortodoks është grek", e themi me bindje, se do të tretet dhe kuptimi i saj do të mbetet vetëm si një njollë e errët e qarqeve aspak dashamirëse ndaj vendit tonë. Mos të harrojmë se në luftën e tyre civile, pas Luftës, u kemi dhënë ne "psomi", me dashamirësi! 
Një pjesë e besimtarëve ortodoksë iu kundërvu qysh në fillim Janullatosit në synimin e tij për të kapur kreun e Kishës Autoqefale Shqiptare. Ju, si intelektual, me sa di unë, jeni pjesë e këtij kundërveprimi publik. Cilat ishin shkaqet e këtij reagimi? 
Për kundërvënien nuk dëshmon vetëm 2 gushti i 1992-shit, për të cilën folëm. U ngrit një komitet për mbrojtjen e autoqefalisë, me kryetar Petrit Bidoshin. Intelektualët shqiptarë, pa dallim feje, i kanë quajtur institucionet fetare si pasuri kulturore. Edhe në formë zyrtare, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Kulturës, U.Butka, bashkëveproi me ortodoksët dhe qe i pranishëm më 2 gusht të '92-shit. Kështu, vërtet në kishë myslimanët ishin të pakët, veçse kisha Autoqefale Ortodokse nuk është vetëm e ortodoksëve, por e të gjithë shqiptarëve, siç e kishte theksuar Imzot Noli e korifenjtë e tjerë të autoqefalisë: ajo i ka portat e hapura dhe për fetë e tjera. Në Kishte ishte e pranishme elita kulturore shqiptare. Uran Butka kishte ardhur në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Kulturës. Madje, një grup ortodoksësh, një ditë më parë, i kërkuan takim këtij të fundit në Parlament dhe ky i priti duke mbështetur përpjekjet e tyre në mbrojtje të Kishës Autoqefale Shqiptare. Kështu, prania në kishë në atë ditë kritike i kishte përfaqësuar të gjithë shqiptarët për të bërë të pamundur kurorëzimin: ortodoksët në pjesën dërrmuese; pak myslimanë, për të treguar se kisha ortodokse nuk është e mbyllur; por edhe intelektualë, për të plotësuar një kuadër të përgjithshëm, për të cilin janë të interesuar të gjithë shqiptarët. Në vigjiljen e 2 gushtit, në natën e datës 1, Butka mori takim me Presidentin e Republikës (ora 24.00), bashkë me pjesëtarë të Këshillit të Kishës Ortodokse. E njoftuan për përpjekjen që bëhej për shugurimin e Janullatosit dhe pasojat që mund të rridhnin më vonë. Presidenti u tha në takim se hierarku kishtar ishte pranuar si Eksark, domethënë me detyrë të përkohshme, dhe në këtë mënyrë ky nuk do të kishte mundësinë e emërimit të Sinodit të peshkopëve. Por Eskarku e shpalli veten kryepeshkop në mënyrë jashtë kanonike (sepse u bë jashtë Kishës) dhe më pas emëroi edhe Sinodin e shenjtë me katër kryepeshkopë: të Durrësit, Beratit, Gjirokastrës dhe Korçës, dy prej të cilëve me kombësi greke, duke përgatitur në këtë mënyrë sërish zgjedhjen e një kryepeshkopi grek pas tij. Meqë u përmend sërish kjo datë, duhet ritheksuar se çka u bë më 2 gusht ishte krejtësisht spontane. Thënia se kundërveprimin e bënë myslimanët, nuk i përgjigjet së vërtetës. 
Marrë me shkurtime nga gazeta "Republika"


Nga Prof. Dr. Anastas Janullatos* 

Në artikullin me titull "Bollano dhe Dule t'u kërkojnë falje shqiptarëve", që u botua në gazetën tuaj, në dt. 20.9.2010, z. Kristo Frashëri i referohet personit tim në një paragraf të zgjeruar. Me gjithë zakonin tim, që të mos u përgjigjem komenteve denigruese ndaj meje, duke ndjerë detyrimin për të vënë në vend të vërtetën historike, deklaroj se pohimet e tij janë të pavërteta. 1. Po e filloj nga titulli i paragrafit: "Janullatos, peshkopi i fronëzuar në hotel "Tirana". Dhe më poshtë vijon pohimi i tij se "të gjithë e mbajnë mend se ceremonia solemne për fronëzimin e tij në kishën katedrale të Hyjlindëses në Tiranë, dështoi për shkak të kundërshtimit të besnikëve të krishterë, të pranishëm në këtë ceremoni. Dihet gjithashtu se ai u fronëzua kryepeshkop i kishës në Tiranë në një nga sallat e Hotel "Tirana International", një solemnitet në kundërshtim me rregullat e shenjta të Kishës". Ky është një përshkrim i gënjeshtërt. Ngjarjet e vërteta ndodhën si më poshtë: 
Të dielën e 2 gushtit 1992, në Kishën Katedrale të Tiranës, të mbushur plot me përfaqësues të orthodhoksëve nga e gjithë Shqipëria, Mesha Hyjnore u krye rregullisht bashkë me tipikonë e fronëzimit. Në përfundim të saj, një grup njerëzish të dërguar enkas, në drejtimin e një deputeti jo të krishterë, në pjesën e fundme të kishës, në përfundim të shërbesës, hodhën disa parulla kundër Kryepiskopit. Por këto u mbytën nga qindra zëra të besimtarëve orthodhoksë që kishin mbushur kishën, duke bërë aklamacione pro Kryepiskopit. Shumë nga pjesëmarrësit- z. Frashëri nuk ndodhej aty- i kujtojnë ngjarjet me shumë saktësi. Në hotel "Tirana" u shtrua thjesht një drekë në shenjë nderimi. Është e habitshme, se si z. Frashëri, me një mosnjohje të thellë, flet si specialist i kanuneve të Kishës, të cilët me sa duket i njeh shumë pak. Fakti se të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale në mbarë botën e njohën pa kurrfarë vështirësie Kryepiskopin e ri, nxjerr në pah se nuk u bë asnjë shkelje e askurrfarë kanoni dhe rregulli. 
"Gazeta Shqiptare", e diel, 26 shtator 2010

Petro Dhimitri -...Doemos ky gabim historik pati reaksion të shumë besimtarëve të Tiranës, të cilët arritën të këndonin në kishë këngën "Për Mëmëdhenë" e të mos aprovonin kurorëzimin ose fronëzimin e kryepeshkopit Anastas. Edhe pse ndodhi kështu, edhe pse radiotelevizioni njoftoi se ceremonia nuk u bë, pra kryepeshkopi nuk u fronëzua, zoti Aleko Dhima na tha se ai u caktua. Pra, që të dielën është kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. 
Edhe në qoftë se Zoti do t'ua falte këtë gabim, nuk e di nëse nëna Shqipëri dhe martirët e luftës për pavarësinë e kishës shqiptare, do ta kalonin në heshtje këtë mëkat të madh ndaj atdheut të tyre. 
Përsëri e theksoj: vlerësoj dhe respektoj hirësinë e tij Anastas, ashtu si dhe popullin e shtetin grek, por në shekuj kemi luftuar që Shqipërinë ta gëzojnë e drejtojnë shqiptarët dhe mos ta japim tani për një copë krodhë, qoftë ajo edhe pa asnjë prapamendim. 
"Rilindja Demokratike", e martë 4 gusht 1992

Lidhur me disa thënie të presidentit Berisha, të botuara nga shtypi dhe agjencitë greke, sqarojmë sa vijon: 
Në qëndrimet e Shqipërisë ndaj Maqedonisë nuk ka asnjë ndryshim dhe sa për Shqipërinë, emri i Maqedonisë nuk përbën ndonjë pengesë për njohjen e këtij vendi. 
Lidhur me fronëzimin e Kryepeshkopit, Presidenti nuk ia ka dërguar ndonjë mesazh kishës ortodokse. 
Së dyti, për këtë problem, ai është i një mendimi me kishën ortodokse në Boston, se kjo duhet pranuar si një zgjidhje e përkohshme dhe në përputhje me statutet e kishës Autoqefale Shqiptare. Presidenti ka kundërshtuar sinodin e emëruar nga Patriarkana, kurse krejt pa baza janë aludimet që janë bërë në disa organe të shtypit në Beograd apo Athinë se ka një ndryshim pikëpamjesh lidhur me shqiptarët në Kosovë. Theksoj se Shqipëria ka deklaruar e deklaron; se nuk kërkon ndryshimin e kufijve, por respektimin e plotë të të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve, duke përfshirë edhe të drejtën e vetëvendosjes që parashikohet në Aktin Final të Helsinkit. 
Të gjitha interpretimet e tjera janë të pasakta. 
"Rilindja Demokratike", e martë 18 gusht 1992



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora