E shtune, 27.04.2024, 06:47 AM (GMT+1)

Mendime

Ulsi Manja: Bravo Kosova!

E merkure, 29.09.2010, 06:11 PM


Bravo Kosova!

 

Nga Ulsi Manja 

 

Shtetet nuk maten nga mosha, por me veprat e mëdha që bëjnë burrat e shtetit. Kosova nuk është bërë akoma 3-vjeç dhe vazhdon të japë leksione demokracie në Ballkan, për mënyrën e funksionimit të demokracisë dhe shtetit ligjor. Gjykata Kushtetuese e vendit dha një vendim dhe akoma pa iu tharë boja, Presidenti Sejdiu dha dorëheqje të parevokueshme nga karrigia e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Ky është gjesti tipik i një shtetari të mirë që karrigen e shtetit e sheh si përgjegjësi atdhetare e qytetare dhe jo si mjet për të arritur qëllime të mbrapshta politike, në dëm të interesave të shtetit dhe qytetarëve të vet.

 

Gjesti i Sejdiut nderon racën e shqiptarëve në botën e qytetëruar dhe e fisnikëron atë si shtetar e patriot, që di të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e shtetit, në momente të rëndësishme historike për fatet e vendit të tij.

Sejdiu, me sjelljen e tij prej burri shteti, tregoi përpara botës demokratike se shqiptarët e Kosovës dinë ta ndërtojnë dhe bëjnë shtetin e tyre njëlloj si gjithë kombet e tjera të qytetëruara. Sejdiu iu tha shqiptarëve andej dhe këtej kufirit, se shteti ka rregulla dhe norma që duhen zbatuar nga të gjithë, pavarësisht, nëse je President i vendit apo qytetar i thjeshtë.

Dorëheqja e Presidentit Sejdiu është një leksion brilant për politikën në Shqipëri, e cila prej vitesh lëngon nga mungesa e funksionimit të shtetit ligjor dhe respektimit të Kushtetutës së vendit. U bënë vite që Shqipëria jeton në demokraci, por ende nuk ka shtet demokratik, ku respektohet rendi juridik dhe pavarësia e institucioneve. Shteti në Shqipëri është kthyer kokëposhtë nga shtetarë burracakë që kanë frikë të jetojnë si qytetarë të lirë, pa privilegjet dhe mbrojtjen që u jep karrigia e shtetit. Për ta Kushtetuta, gjykatat dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit janë një kornizë rregullash që duhet t'i respektojnë të tjerët, por kurrsesi ata vetë.

 

Çfarë do të kishte ndodhur me shtetarët e një vendi demokratik, nëse me firmën e tyre dhe mos më keq me dijeninë e tyre do të ishin vrarë njerëz të pafajshëm, siç ndodhi në Gërdec; nëse do të ishin përmbytur mijëra hektarë prodhime dhe qindra shtëpi ku jetojnë njerëz, siç ndodhi në Shkodër; nëse do të ishin lidhur marrëveshje territoresh në dëm të interesave kombëtare; nëse do të ishin dhënë koncesione mbi pasuritë nëntokësore dhe mbitokësore të shqiptarëve në kundërshtim me interesat e tyre; nëse në Kuvend do të ishin miratuar mbi 17 ligje që thyejnë kushtetutën e vendit; nëse vendimet e gjykatave do të shkeleshin me këmbë si leckë etj., etj? Nuk ka diskutim që në një shtet ku respektohet Kushtetuta do të kishte një proces të madh gjyqësor dhe shumë nga qeveritarët e sotëm të Tiranës do të ishin zbuar njëherë e përgjithmonë nga skena politike dhe drejtimi i vendit. Por, që të ndodhë kjo, shteti ka nevojë për Sejdi dhe patriotë me sharm shtetari, për të cilët Kushtetuta dhe ligjet e vendit, janë Bibla dhe Kurani i çdo gjëje.

Ne shqiptarëve këtej kufirit nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të themi BRAVO KOSOVA dhe faleminderit PRESIDENT SEJDIU, sepse në këto momente, më shumë se kurrë, ne kishim nevojë për këtë leksion demokracie!

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora