Kulturë
Ahmet Selmani: Kuptimi ironik i kaosit
E enjte, 23.09.2010, 09:58 PM
KUPTIMI IRONIK I KAOSIT
Moikom Zeqo: “Shitësit e kaosit” (rrëfenja apokaliptike), botoi “Bota Shqiptare” 2010, Tiranë
Shkruan: Ahmet Selmani
a) Karakteri i zhanrit
Projekti vetanak i Moikom Zeqos për ta institucionalizuar prozën e tij me anë të botimit të serisë së librave, siç janë “Gjumashët e Efesit” dhe “Adami i fshehur”, këndejza plotësohet edhe me librin tjetër të titulluar “Shitësit e kaosit”, ku janë përfshirë disa dhjetëra rrëfenja apokaliptike, siç i ka quajtur vetë autori, për të dëshmuar bindshëm se ky libër është krejt i ndryshëm nga ata paraprakët, ose të paktën është krejt i veçantë në konceptualitetin e tij. Teksa e shikojmë me një sy të këtillë, dashje pa dashje, ne sërish ndodhemi para sprovës së njohur të zhanrit, ku zakonisht autori gjithmonë bredh me një vetëdije të caktuar. Siç duket, në një rrethanë kaq joshëse e nxitëse njëherësh, sikur na mjafton vetëm cilësimi autorial rrëfenja apokaliptike për t’u futur menjëherë në një tipologji të re zhanrore, përkatësisht në atë që ky krijues ngulmon ta ndryshojë gati deri në pafundësi, në formë dhe në përmbajtje, ta përkufizojë sipas një logjike të veçantë, që ashtu edhe ta përcaktojë identitetin struktural të zhanrit në fjalë, të cilin prej kohësh ne jemi mësuar ta quajmë tregim. Për këtë arsye te libri “Shitësit e kaosit” paksa e shohim një lloj tjetër të tregimit, ngaqë vetvetiu krijojmë ndjesinë e shumëfishtë të zhanrit të prozës, në radhë të parë atë të tregimit, por edhe atë të romanit si ngrehinë teorike dhe praktike, si ndërthurje konkrete dhe hipotetike. Si të këtilla, dy llojet që e përbëjnë këtë zhanër ndërlidhen midis tyre në një pikë të përbashkët – në atë të idesë së apokalipsit ose të fundbotës, siç mund ta quajmë shqip. Kjo pikëpjekje e vazhdueshme dhe ky sendërtim homogjen, vetvetishëm arrijnë të krijojnë një karakter unik të zhanrit, detyrimisht si një trajtë e vetëmjaftueshme, ku tregimet mund funksionojnë edhe si romane të vogla, ose edhe si pjesë të veçanta me të cilat mund të ndërtohet një roman i mirëfilltë. Nga kjo pikëpamje, ndjesia në fjalë na shpie drejt çështjes kryesore të romanit, përballë konceptit themelor dhe orientues të tij, trajtës së mundshme e të fytyruar, por që çdoherë mbetet vetëm si strukturë e ndërdijes, pra në rrafshin e vizionit zhanror. Kështu del se autori e hap mëdyshjen e tregimit dhe të romanit, herë duke na shpënë më afër njërit e herë më afër tjetrit, gjithnjë duke krijuar një zhdrejtpeshim të çuditshëm midis tyre. E gjithë kjo arrihet nëpërmjet idesë apokaliptike si një shtyllë thelbësore, ku sillen të gjitha gjërat e tjera me të cilat lëthuren këto tregime kaq të ngjeshura.
b) Emëruesi programatik
Në qoftë se brenda këtij libri të M. Zeqos mund të kërkohet një emërues i përbashkët që pak a shumë ka karakter programatik, pa dyshim ai është tregimi “Shitësit e kaosit”, i cili paraqitet si bartës i idesë kryesore dhe si proklamues i botëkuptimeve filozofike e artistike të autorit për çështjet ekzistenciale të qenies njerëzore. Ndonëse i ka të gjitha veçoritë e nevojshme me të cilat mund të qëndrojë si një roman më vete, ai renditet në mënyrë të vetëmjaftueshme si një tregim ku rrëfehet e gjithë çështja apokaliptike në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të fjalës. Nisur nga kjo gjë, rrjedhimisht mund të kategorizohet si një tregim strumbullar, ku në aspektin ideor dhe konceptual ndërlidhen të gjitha tregimet e tjera, ose që rrjedhin natyrshëm prej shtratit ideor të tij. Sipas kësaj, autori me të drejtë e ka titulluar edhe librin e tij, sepse është një tregim që e ka strukturën e vet mbizotëruese për të zënë një vend të tillë. Aty, duke e shpalosur arketipin letrar, jo vetëm që e krijon emëruesin programatik për krejt librin e tij, por aq më tepër e krijon edhe kontekstin e gjykimit vetanak ndaj çështjes apokaliptike, duke i përplasur të gjitha trajtimet filozofike e fetare në një rrafsh, si dhe duke i vendosur ato njërën pranë tjetrës si një harmoni kundërthënëse, vetëm e vetëm që ta hapë rrugën për një frymë të re humaniste në kohën tonë, ku erozioni moral pothuajse çdo ditë e më tepër e bën të vetën, duke e fundosur njeriun në kaosin e tmerrshëm global. Pra, është një thirrje e nënkuptueshme për ta ringritur dinjitetin dhe për ta ndryshuar jetën individuale dhe kolektive. Duke e marrë si shkas çrregullimin njerëzor, deklarimin retorik të shitësit të cigareve (Unë shes kaos), ai krijon metaforën e zezë të jetës sonë, mitin tronditës të ekzistencës, me çka pastaj i shpalos të gjitha arsyetimet kriticiste për filozofinë, kriminalitetin, shtypin, kaosin në art, atë të jetës seksuale, atë të fesë përmes magjisë vuduiste, idesë transedentale të filozofisë taoiste etj. E gjithë kjo ecje persiatëse nxjerr në pah mëdyshjen e thellë, duke shmangur çdo lloj konformizmi. Në suazat e këtij tregimi parakalojnë edhe tregimet e tjera, herë duke marrë e herë duke dhënë ndërmjet tyre, qoftë si vazhdimësi të idesë së njëjtë, qoftë si alternativa tipike që e ruajnë vijën e përcaktuar.
c) Parodizimi i arketipit
Meqenëse gjithë lënda e këtij libri shtjellohet në bazë të një ideje qendrore, pra asaj që ka të bëjë me apokalipsin si mit i vjetër dhe i ri njëkohësisht, këndej mbase nuk është vështirë të ndiqet ecuria e tij nga njëri tregim në tjetrin, duke e bartur atë vetë, personazhet e shumta që i ka zgjedhur autori nga sfera të ndryshme. Përsiatjet e mprehta rreth kësaj ideje sigurisht që na çojnë nga një rrafsh i caktuar perceptues, ku gjithsesi hapet çështja e madhe ekzistenciale në të ashtuquajturën epokë globale. Veçse duhet thënë se një kontekst i këtillë shtrihet në suaza shumë të gjera, si një fushë e hapur ku rrëfehet gjendja fatale e realitetit njerëzor. Pa dyshim, nëpërmjet një vëzhgimi e kërkimi mjaft aktiv, autori na ballafaqon me një arketip të njohur të letërsisë në përgjithësi, të paktën që nga paradigma biblike e deri në atë bashkëkohore. Në të vërtetë, vlen të përmendim se me anë të rrëfenjave të përfshira aty, M. Zeqo e riaktualizon arketipin e këtillë letrar, thjesht e ripohon sipas mënyrës së vet, me një qasje ironike të kuptueshme. Prandaj, në qoftë se një arketip të tillë e ka gjithë letërsia botërore, madje edhe vetë kinematografia hollivudiane, kryesisht si një shqetësim shokues e tmerrues që përcillet me pompozitet të jashtëzakonshëm, M. Zeqo zgjedh një qasje tjetërfare ndaj tij, kryesisht duke e parodizuar në mënyrë shumë fine, duke e vënë në shënjestrën e gjykimit artistik. Me sa duket, ai është mjaft i ndërgjegjshëm se çështja e apokalipsit shumë herë është kuptuar si fund i kësaj bote, ose si rrënim i qenies njerëzore, ndaj e anashkalon me një guxim të rrallë, duke e përqendruar gjithë vëmendjen e tij te faktori njeri nëse do t’ia dalë ta përballojë apokalipsin e shumëpërfolur, apo në mënyrë krejt fatale e mekanike ai do ta gllabërojë atë pa ndonjë vështirësi. Pra, mund të përkapet qartë se edhe përkundër atmosferës ose kërcënimit apokaliptik, njeriu ka gjasa që ta rimarrë veten përmes një humanizmi të ri që kërkon vetëdije e durim të madh. Për ta realizuar këtë projekt të madh gjithësor, me shumë kujdes ka zgjedhur situata interesante e tipike qoftë nga historia, qoftë nga aktualiteti, kuptohet që u përkasin personazheve konkrete, të cilat vetvetiu ngërthejnë nga një apokalips vetjak. Në këtë mënyrë, fatet e tyre paraqesin objektin e trajtimit thelbësor, si kontekst i gjerë tregimor që vazhdimisht përmbyllet me fatalitetin e pashmangshëm apokaliptik ose tragjik. Bie fjala, njeriu që vdes në mes të shkretëtirës pa arritur që t’i shqiptojë fjalët e gjuhës amtare të harruar, historia mashtruese e Aleksandrit të rremë që vdes llahtarisht, princi Gjon Muzaka me testamentin e tij, Pjetër Budi që vdes në ujërat e lumit Drin, njeriu me patkonj, Puzaovi, që nuk e shkruan dot disertacionin, Jan Kukuzeli që ka një fund virtual, princi i shenjtorëve, dijetari që e bën dorëshkrimin të cilin mbreti e hedh në lumin Dixhile, murgu ZRC nga Sicilia që vdes nga shigjetat e salacianeve, Ndre Mjeda që vdes mbi projektet e qyteteve të famshme ilire, personazhet e fjalëkryqeve të Babilonisë etj., janë vetëm disa nga fatet vetjake të personazheve, të cilët krijojnë një frymë me karakter sa apokaliptik, aq edhe kundërapokaliptik. Dhe pikërisht këtu qëndron tendenca parodizuese e autorit, si një rrekje për ta shembur mitin e fundbotës dhe për ta ringjallur atë të përjetësisë. Pra, pas secilit lexim krijohet ndjesia se vdekjet dhe tragjeditë nuk e shënojnë fundin e kësaj bote, por vetëm shkëputjen fizike të njeriut që i prin një ideje ose një nisme konkrete. Ta zëmë, rasti i mbytjes së P. Budit në ujërat e Drinit është vetëm një mashtrim i kotë apokaliptik, sepse pas zhdukjes së këtij autori, prapëseprapë mbeten idetë e tij, të cilat nuk mund të zhbëhen asnjëherë, përkundrazi, ato jetojnë edhe pas vdekjes, gjer në përjetësi. E gjithë kjo flet qartë se M. Zeqo nëpërmjet librit të tij “Shitësit e kaosit” bën deshifrimin artistik të një ideje gjithësore, e përshkon atë horizontalisht dhe vertikalisht, nga brenda dhe nga jashtë, për ta nxjerrë përpara lexuesit si një metaforë të gjallë me përmasa individuale dhe kolektive. Ndonëse realisht kemi të bëjmë me një kuptim ironik të kaosit njerëzor e shoqëror, ai është i mjaftueshëm për t’u nënkuptuar si një zë i pastër humanist në epokën globale e postmoderne.