Kulturë
Janaq Pani: Historia e qenit të braktisur
E enjte, 23.09.2010, 07:56 PM

HISTORIA E QENIT TË BRAKTISUR
- Këtu më erdhe i braktisur.
- Të erdha, nuk do mend.
- Sot fatin tënd, o qen i krisur
ta lidh me fatin tënd.
- Ta lidhësh pa pishmënd.
- Po si e hodhe ti kufinë?
- Kjo plagë më dhemb shumë.
- Ta njoh guximin, trimërinë
që shkel mbi çdo furtunë.
- Këtu s'më hyn në punë.
- Dhe mos kujto se kam plot xhepin.
- Nuk qenke as i varfër.
- Por u rropata gjithë jetën
të kem sot këtë vatër.
- Eh, jeta s'mban me hatër.
- Do ngjitim udhë të vështirë.
- Do ngjitim, zoti im.
- S'të lidh për qafe me zinxhirë,
kërkoj veç përkushtim.
- Kërko mik pa ngurim.
- Po jetë qeni nuk do bëjmë.
- Edhe këtë e di.
- Te njeri-tjetri do të gjejmë
mbështetje e siguri.
- Do gjejmë pa një pa dy.
- Në se do lehësh ndonjëherë,
- Do leh, por jo më kot.
- Kushdo në qafë të të bjerë
ti vetes i dil zot.
- Me nderin tim kush s'lot.
- Shpërblim do kesh për miqësinë.
- Do kem dhe tjetër s'pres.
- Me pash nga unë dashurinë
veç mos më prit në besë.
- Në çast më mirë të vdes!