E premte, 02.05.2025, 07:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Luani i Shqipërisë sipas Ilo Mitkë Qafëzëzit

E merkure, 22.09.2010, 09:59 PM


LUANI I SHQIPËRISË SIPAS ILO MITKË QAFËZEZIT

 

Libri i Ilo Mitkë Qafëzezit shkëlqen me përshkrime të bukura  mbi Janinën si kryeqytet i Toskërisë, qytet me histori të qëmotshme që emrin e mori nga manastiri i vjetër i Shën Janit. Ali Pashë Tepelena për Shqipërinë edhe për  shqiptarët s’mund të jetë tjetër përveç se Hero legjendar edhe Luan pas Pirros dhe pas të famshmit Gjergj Kastrioti.

 

Nga Baki Ymeri

 

Ilo Mitkë Qafëzëzi që redaktoi 54 numra të Shqipërinë e Re në Bukuresht, edhepse ishte i krishterë, ishte shqiptari i parë që botoi fragmentet e para shqip të Kur'an-it, afro pesë shekuj pas përkthimit frëngjisht. Sipas Apostol Bitrakut, Qafëzezi ishte gjurmues, zbulues dhe studiues i palodhur i mjaft dokumenteve, dorëshkrimeve, fakteve historike e gjuhësore të kohës së tij. Këto dorëshkrime e dokumente nga autorë të njohur të kohës që, për arsye që kuptohen, ishin harruar ose ishin bërë tepër të rralla, ai i zbuloi nëpër bibliotekat e kishave dhe manastireve të ndryshëm, nëpër kodikët e tyre, si dhe në arkivat e familjeve të vjetra me tradita të njohura patriotike. Kush është Ilo Qafëzezi, pyet Bitraku dhe përgjigjet: Ai kishte lindur në Korçë në vitin 1889, por familja e tij kishte ardhur nga Qafëzezi i Kolonjës. Shkoi në Rumani që kur ishte 13 vjeç, pastaj emigroi në Amerikë si punëtor i një fabrike deri në vitin 1924, kur u kthye përfundimisht në

Ilo Mitkë Qafëzezi
Ilo Mitkë Qafëzezi
Korçë dhe punoi si mësues e drejtor shkolle. Dashuria dhe pasioni i tij për mësimin, leximin dhe diturinë që në moshë të re, si dhe dashuria për atdheun dhe patriotizmi, siç thotë vetë ai, iu nxitën dhe iu ndikuan nga tre faktorë. Në radhë të parë, ishte mësuesi i tij, i mirënjohuri Nuçi Naçi që i rrënjosi në mendje e në zemër dashurinë për vendin dhe pasionin për gjuhën shqipe e diturinë. E dyta, duke qenë në mjedise e në kontakt të kolonive shqiptare jashtë vendit, mori prej tyre edukatën patriotike dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë të lirë nga pushtuesit e huaj. E treta, ndikim të fuqishëm, që nuk e harroi tërë jetën, pati tek Ilo Mitkë Qafëzezi edhe poeti ynë i Rilindjes, bashkëpatrioti i tij, Asdreni. Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, ku krahas punës vazhdonte edhe shkollën, ra në kontakt për herë të parë me shkrime të ndryshme që flisnin për figura të njohura e luftëtarë trima të Shqipërisë. E tërhoqi veçanërisht figura e Ali Pashë Tepelenës, veziri i Janinës, për jetën e vrullshme, ashpërsinë, po edhe për trimërinë e fundin e tij tragjik. Kjo ishte arsyeja që djaloshi i ri, i apasionuar pas këtyre figurave të spikatura historike, zgjodhi, përktheu e përshtati në shqip “Historia e Ali Pashë Tepelenës” të Arvantinoit. Përkthimin ai e pasuroi dhe e ilustroi edhe me këngë popullore që këndoheshin për vezirin famëmadh.

 

          Nuk e dimë në e dinë gjithë shqiptarët atë që e din Apostol Bitraku për këtë figurë të (pa)njohur të Rilindjes sonë, por në bazë të librit  kushtuar Luanit të Shqipërisë, Ali Pashë Tepelenës (Bukuresht, 1916, 172 faqe), kuptojmë se Ilo Mitë Qafëzezi ishte mik i ngushtë me figura të shquara të rilindësve tanë, ndër të cilët edhe me Dhimitër Beratin, gjë që justifikohet me dedikimin e tij në ballinë të librit: “Mikut t’em, Zotnisë Dhimitër Berati”. Duke shfletuar faqet e para kuptojmë se kjo vepër i kushtohet “me përulësi dhe me besë”, “Naltësisë së Tij Mbretërore, Kuron-Princit të Shqipërisë, Karol Viktor Skënderbegut, të cilit i gjithë kombi Shqipëtar i uron tradicionalin Rroftë sa malet, e u bëftë burrë trim për të pritmin plot shpresa të lumtura edhe fatbardhësië të Shqipërisë së bukur”. Në

Ballina e librit të Ilo Mitkë Qafëzezit me deikim në adresë të Dhimitër Beratit
Ballina e librit të Ilo Mitkë Qafëzezit me deikim në adresë të Dhimitër Beratit
faqen e parafundit, autori paralajmëron botimin në prozë: “Historinë e Gjergj Kastriotit të të mbiemëruarit Skënderbeg”. Librin e dekorojnë shtatë ilustrime me Ali Pashë Tpelenën, Janinën e Ali Pashës, Kështjellën e Pargës, Napolon Bonapartin, Malet dhe sheshet e Sulit,  etj., si dhe një parathënie prej 3 faqesh në të cilën autori përshkruan mërinë e Sulltan Mahmudit kundër Vezirit të Janinës, mendimet e shkrimtarëve të huaj të cilët e konsiderojnë Ali Pashën si “Hero i Shqipërisë, Pirro i Ri, sundimtar i zoti, diplomat mendimtar dhe i matur dhe shumë i rreptë por edhe brutal kur ishte puna për të mposhtur adversorët (kundërshtarët)”. Pasojnë epitete tjera si Luan i Shqipërisë, Mbret i Shqipërisë, si dhe 3 strofa të një kënge popullore nga e cila del në pah e vërteta se Ali Pasha ka luftuar kundër Padishahut. Aliu, sipas Ilo Mitkë Qafëzezit, kërkonte ta bëjë Shqipërinë më vehte duke adaptuar kanunet e qeverimit të atëhershëm të Francës, “Prandaj, pra, Ali Pashë Tepelena për Shqipërinë edhe për  Shqipëtarët s’mundet të jetë përveç se hero legjendar edhe Luan pas Pirros, edhe pas të famshmit Gjergj Kastrioti” (f.5).

 

          Libri i Qafëzezit strukturohet në 29 kapituj që ndërlidhen njëri me tjetrin, duke përshkruar Shqipërinë që nga viti 1640, kur një i quajtur Hyso, erdhi nga një katund i Shqipërisë së Mesme dhe u shpërngul në Tepelenë të Shqipërisë së Poshtme, i cili, sipas gojëdhënave ishte stërgjyshi i Ali Pashë Tepelenit.  Tepelena me rrethinën e saj, në kohën e Skënderbeut ishte Principatë, princi i së cilës luftonte kundër Sulltan Muradit të II-të. Disa shkrimtarë të huaj, së bashku me Puqeville-in, thonë se stërgjyshi i Ali Pashës pat ardhur prej Qytahijës të Azisë së Vogël, por francezi I. Manzour i cili pat shërbyer mjaft vjet pranë Ali Pashës, e pat përngënjeshtruar këtë shpifje, “duke  na siguruar për origjinën e tij fjesht Shqipëtare” (f.7). Pasojnë përshkrime tjera lidhur me stërgjyshin, gjyshin dhe prindërit e Aliut, bazuar edhe në burime angleze. Jepen fragmente mbi trimërit e Aliut që nga mosha 17 vjeçare kur armiqtë e parashikonin se do të bëhet i rrezikshëm për ta. “Aliu i cili nuk kish mbushur edhe të 18-in vit të moshës, po trim pa shok, dyke parë rreziket (e Kurt Pashait të Beratit) q’e rrethonin, dhe mbassi e kish kuptuar që ish i vlefshëm të përdornjë mirë pushkën dhe jataganë, organizon një çetë të shëndoshë prej më të zgjedhurit trima të shprovuar besnikë dhe të devotshëm të shtëpisë së tij (...)”. Pasojnë faqe përshkrimesh intereante të betejave të Aliut që bashkëpunonte me shqiptarët e krishterë kundër halldupëve të Turqisë në trojet e Shqipërisë. Në këtë vepër me vlerë defilon Tepelena, Himara, Zagoria, Delvina, Berati, Gjirokastra, satrapi Selim Mustafa Bej “me miq të fortë ndë Stamboll” i cili përmes rryshfetit mundi ta rrëxojë Mustafa Kokën duke u emëruar sundimtar i Delvinës, i cili më në fund qe ekzekutuar sipas dekretit të Ali Pashës.

 

Janina në kohën e Aliut ishte kryeqytet i Toskërisë

 

Dedikim i autorit në adresë të Karol Viktor-Skënderbegut
Dedikim i autorit në adresë të Karol Viktor-Skënderbegut
Më 1785, Aliu emërohet resident i Inspektorit të përgjithshëm të udhëve të Rumelisë, dhe më pas, më 1786, sundimtar i Thesalisë. “Kur më pas mori ndënë sundim të tij edhe Janinën, Ali Pasha ndë një letrë që i çonte mbretit të Anglisë, titullohej Administrator i Përgjithshëm i Janinës edhe i Tërhallës”. Libri i Ilo Mitkë Qafëzezit shkëlqen me përshkrime të bukura  mbi Janinën si kryeqytet i Toskërisë, “qytet me histori të qëmotshme që emrin e mori nga manastiri i vjetër i Shën Janit, që dirgjet mbi një shkëmp”. Janina që qarkohet me liqenin e me male të larta, nga lindja me Pindin e Tomorin, pas të cilit zgjatet Miçëkeli. “Qyteti i Janinës formon shkabë dykrenore”, trupi i së cilës është Kalaja. “Të dy krerët janë të dy promotorët, të dy krahët janë të dy mëhallët e mëdha që ndehen njëra nga perëndimi edhe tjatra nga lindja, edhe bishti mëhalla e Llucës, edhe kështu sikur është dezenuar një me një ndë të akvilin e Shqipërisë” (f.22). Pasojnë fragmente mbi pushtimin e Sulit dhe shpërnguljen e suliotëve, mbi intrigat e suliotëve, mbi shtimin e popullsisë dhe resurseve materiale për ekzistecë, mbi bashkëpunimin e Ali Pashës me Napolon Bonapartin, jepet një letër e Bonapartit ku përshkruhet dashuria e Aliut pët demokracinë frënge (17 qershor 1798), bëhet fjalë për aleancën ruso/turke kundër Napolon Bonapartës (f.59).

 

Nuk përshkruhet djegja e Voskopojës por jepen fragmente mbi bashkëveperimin e Marko Boçarit me Ali Pashën kundër vjedhësve, pason traktati midis Ali Pashës dhe Suljotëve (f.77). Pason prishja me francezët dhe bashkëpunimi i Aliut me anglezët si pasojë e afrimit të Portës së Lartë me Anglinë. Jepen këngë tjera nga folklori shqiptar kushtuar Luanit të Shqipërisë. Pason zaptimi i Pargës dhe dinakëria e Pasho Beut kundër Ali Pashës, bëhet fjalë për marrëveshjen e

Janina e Ali Pashës
Janina e Ali Pashës
shkëputjes së Greqisë dhe Shqipërisë “prej Shtetit Ottoman”, flitet për Ali Pashën si guvernator i Pashallëkut të Janinës, për kusarët tanë që dezertuan në ushtrinë turke, për Luanin Plak që dha edhe një fuqi të fortë luftarake duke iu përgjigjur të gjitha nevojave të luftës, për Baba Pashën që dogji “ndë katundin Mollanj pallatet e Ali Pashës edhe ç’do katund edhe çdo tempull të krështerë që haste rrugës së tij” duke dëshmuar se ishte për tepër fanatik. Përshkruhet kryengritja e Ali Pashës kundër Portës së Lartë, “ashtu si këndohet edhe sot ndë gjithë Shqipërinë” (f.161). Bëhet fjalë për Vasiliqinë e Aliut me prejardhje nga Plehëvica e Çamërisë, e cila edhepse ishte një vllahinkë e krishterë “Ali Pasha nuk e ngusi kurrë që të myslimanizohej” (f.168), dhe së fundi përshkruhet me dhimbje vrasja me dinakëri e Aliut nga Kaftan Aga dhe Mehmed Pasha konform fermanit të Padishahut (fq.170/171).

 

Sipas Apostol Bitrakut, “Ilo Mitkë Qafëzezi, megjithëse autodidakt, ka bërë një punë të madhe e voluminoze, duke sjellë një kontribut të shquar në mjaft fusha të veprimtarisë letrare e shkencore. Ai ishte i pajisur me një kulturë të gjerë dhe biblioteka e tij ishte shume e pasur. Botoi shumë vepra, po mjaft të tjera mbetën pa

Ari i Ali Pashë Tepelenës
Ari i Ali Pashë Tepelenës
botuar, dorëshkrime. Kjo punë kaq e madhe e voluminoze bëri që gradualisht atij t’i dobësohej të parët. Më 1946 i ndodhi fatkeqësia më e madhe në jetën e tij, humbi krejtësisht dritën e syve nga një sëmundje e gjatë dhe e rëndë. Megjithëkëtë, vullneti e këmbëngulja e tij ishin për tu admiruar. Megjithëse pa sy, dhe me ndihmën e nje sekretareje që iu dha, ai nuk e ndërpreu punën. Ai sistemonte e plotësonte materialet e grumbulluara dhe vazhdoi të botonte. Për punën e tij të palodhur e të frytshme për më se gjysmë shekulli, ai është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme. Ilo Mitkë Qafëzezi vdiq në Korçë në vitin 1964, duke lënë pas emrin e mirë dhe shumë botime në fushën e letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Do të ishte më vend që vepra e tij, sidomos dorëshkrimet e pabotuara, të grumbullohen, të sistemohen dhe të gjitha të shohin dritën e botimit, pasi kjo do t’u shërbejë lexuesve, historianëve dhe studiuesve për të njohur të kaluarën dhe përpjekjet e luftën e popullit tonë për liri, pavarësi e përparim shoqëror!.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx