Kulturë
Dibran Demaku: Bisede pleqërishte
E marte, 21.09.2010, 09:56 PM
Dibran Demaku
BISEDË PLEQËRISHTE
Tregim
-Kjo zilja qe ka venë im bir në derë të oborrit nuk po më pëlqen fare!-e nisi bisedën i zoti i shtëpisë pasi u përshëndet me mysafirin që sapo kishte ardhur.
-Pse çfarë të keqeje shef ti tek zilja!-ia ktheu mysafiri në të qeshur dhe vazhdoi:-Apo kishe dëshirë që unë të thërrisja e të thërrisja deri sa të më shterrej zëri…
-Pikërisht aty e kisha mendimin-sikur u ngut të përgjigjej i zoti i shtëpisë.-Kishte lezet bre vëlla kur të vinte mysafiri dhe të thërriste para deres së oborrit me sa zë që kishte.Atë zë e dëgjonin të gjithë fqinjët dhe e kuptonin se filan shtëpia kishte mysafir atë natë!Dhe pa i ftuar fare ta mbushnin odën apo kullën plot dhe në këtë mënyre ta nderonin odën dhe mysafirin!
Ndërsa tash një zë i ziles që e dëgjon vetëm ti dhe askush tjetër.Të vjen mysafiri dhe askush nuk e di për këtë.Pastaj edhe ti vetë more miku i dashur e di se kur në odë,e që tash po e quajnë sallon,ka më shumë njerëz edhe bisedat shkojnë më mirë,më shtruar!
-Çfarë të paska gjetur sonte kështu?!-ia ndërpreu mysafiri mendimet për të kaluarën.-Apo të ka marrë malli për ato odat tona të mëparshme pa dritë të mjaftueshme e me plot tym duhani!-dhe vazhdoi të qeshej.
-Vërtet ato odat tona të dikurshme kanë qenë ashtu siç thua ti me pak dritë e me shumë tym duhani,sepse i kishin ca dritare të vogla nga ku depërtonte pak dritë! Por edhe nëpër atë pak dritë ne ishim më të bashkuar dhe e shihnim më mirë njëri-tjetrin!Ndërsa tash nëpër këto sallonet plot me dritë sikur na janë qorruar sytë dhe nuk e shohim njëri-tjetrin,apo thënë më mirë sikur nuk duam ta shohim!Edhe vetë ti e di se sa të bashkuar ishim dikur nëpër ato odat apo kullat tona me frengji të vogla dhe me pak dritë!
-Të paska rrëmbyer nostalgjia për të kaluarën miku im!-ia ktheu mysafiri dhe vazhdoi:-Më thuaj se çfarë të mirash kishim nga ato oda apo kulla me frengji me pak dritë e me shumë tym duhani?!
-Ta them unë se çfarë të mirash kishim nga ato kulla me frengji dhe me plot tym duhani!-ia ktheu i zoti i shtëpisë dhe vazhdoi:-Vetëm të lutem mos më ndërprit!
Dhe i zoti i shtëpisë vazhdoi të fliste e të fliste.Ndërkaq mysafiri i shndërruar i tëri në sy e vesh e dëgjonte.
-Jeta jonë në ato oda apo kulla me frengji vërtet ishte më e varfër,por nderi dhe respekti për mikun,për jaranin,për shokun,për të afërmin e për të largtin ishte më i lartë se kurdoherë.Kur të vinte miku,jarani apo shoku dhe të thërriste para dyerve të oborrit,ti dilje dhe e prisje me gëzim dhe e fusje brenda në kullë.Dhe i lajmëroje gratë e shtëpisë se të kishte ardhur mysafiri.Ato pastaj e dinin se atë mbrëmje duhej ta bënin darkën më të mirë!Pastaj fqinët që kishin dëgjuar zërin tënd do të vinin për nderim të mysafirit dhe kulla do të mbushej plot!Pas darke do të kriste muhabeti për shtatë palë qejfe dhe shpeshëherë do të zgjaste deri në ferk të sabahut!Dhe e tëra kjo pa frikë se nga ajo bisedë do të hidhërohej ndonjëri nga të pranishmit.Mandej edhe ti vetë e di se sa të lidhur si gishtat e grushtit ishim.Edhe sikur të flitej ndonjë fjalë kundër pushtetit,ajo fjalë nuk do të dilte kurrë jashta mureve të asaj kulle!Sepse sikur edhe vetë kullat ishin betuar që mos ta nxirrnin asnjë fjalë jashta mureve të tyre!Atëherë edhe besa ishte besë dhe mbahej e tillë për jetë të jetëve!Kur kullat e jipnin besën për diçka,ato para do të shembeshin se sa të thyenin besën e dhënë!
Ndërkaq tash,more miku im i mirë,në këto sallonet plot dritë,sikur ka kur nderi e respekti për mysafirin,për mikun, për jaranin e shokun.Ndërsa për besën e kullave as mos të flasim.Ajo sikur është zhdukur dhe as që ekziston më!
Po bëhem më shumë se tri orë nga ardhja jote dhe askush nga të afërmit e mij nuk po duket tek pragu!Pak më parë të thash se zilja elektrike e ka fajin!Por,jo miku im i dashur zilja nuk e ka fajin!Fajin e kemi vetë ne! Jemi tëhuajsuar dhe nuk duam ta shohim njëri-tjetrin me sy!
-Kohë të reja zakone të reja!-e ndërpreu për një moment mysafiri.Por i zoti i shtëpisë sikur mos të kishte dëgjuar fare se çfarë kishte thënë mysafiri kishte vazhduar:
-Të kujtohen dasmat tona të dikurshme?Kur bëhej një dasmë në fshat,një fshat i tërë ngritej në këmbë.Të gjithë i madh dhe i vogël do të mirreshin me organizimin e dasmës.Dhe do të vinin në dasmë të ftuar e të paftuar.Sepse dasma ishte gëzimi i jetës! Ajo ishte përtëritja e jetës!Martoheshin dy të rinj që pastaj t`i jepnin fëmijë atdheut,vatanit.Gëzimi dhe hareja e dasmës do të vazhdonte më ditë të tëra.Ndërsa tash,më thuaj ti si bëhen këto dasmat e sotme`?!Dasmat e sotme,ta them unë nuk janë dasma!E si mund të quhet dasëm një manifestim që zgjatë një orë?!E marton djalin biri i botës dhe dasmën e mbanë në një rastorant!Në atë dasëm do të marrin pjesë vetëm nga dy anëtarë të një familjeje! Pse dasmë ma quan ti këte?!Ku janë të moshuarit?! Ku janë fëmijët?!Ku janë bijat e fisit?!A të kujtohet se si në dasmat tona i ftonim edhe të gjitha bijat e fisit?!Dhe sa të lumtura ishin ato!Pastaj fëmijët!Gëzimi i tyre sikur e gëzonte dhe vetë diellin!Ndërsa tash në dasmat tona nuk marrin pjesë fëmijët?!E fëmijët janë gëzimi i jetës! Gëzimi i gjithçkaje!
Ndërkaq ti pak më parë më thoje se kanë ardhë kohë të reja dhe kanë sjellë zakone të reja!
E pse u dashka që në kohë të reja të mos i ruajmë ca zakone të vjetra?!Ato zakone të vjetra që në jetën tonë kanë shkëlqyer si margaritarë?!
Ti mbase do të thuash e do të pyesësh se cilat zakone tona të vjetra kanë shkëlqyer si margaritarë?! Mbase unë i përmenda më lartë,por po t`i them përsëri:Zakoni i mikpritjes shqiptare,zakoni i nderimit dhe respektimit të mikut që të ka ardhur në shtëpi,zakoni i fjalës së dhënë apo zakoni i Besës!
-Këtu edhe unë jam me ty!-e ndërpreu për një çast mysafiri dhe vazhdoi:-Zakonin e mire të mikpritjes shqiptare duhet ta vazhdojmë edhe në këto kohë të reja!Ashtu siç duhet të ruajmë edhe shumë zakone të tjera të vjetra,por me vlera nëpër shekuj!...
-Ne të gjithë dimë të flasim mirë për gjithçka!-vazhdoi i zoti i shtëpisë.Por fjalët janë krejt tjera nga realiteti.Prandaj ky realitet mua po më mbyt me siklet!
-Jo he burri i dheut!-ia ktheu mysafiri.Mos i merr kaq ngusht gjërat se të dëmtojnë në zemër!Dhe po u dëmtua zemra edhe ti vetë e di se pastaj nuk ke shpëtim!
Ti që nga fillimi i bisedës tone çdo gjë që flas unë po e merr me hajgare,apo me humor,siç po thonë këta të rinjtë!Por ani,të kam mysafir në kullën time,apo gabova në sallonin tim dhe jam i detyruar që të duroj çfardo që të thuash!-ia ktheu i zoti i shtëpisë.
-Mos ma merr për keq!-ia ktheu mysafiti.Të gjitha ato që i biseduam bashkë,të jesh i bindur se me mundojnë edhe mua,por desha që me fjalë pak më të lehta ta zbus atë mllef tëndin që të paska kapluar sot! A më tregon se kush të ka hidhëruar sot kaq shumë?!
-Jo vetëm sot,por çdo ditë! Ti a nuk po shef fare se çfarë po ndodhë rreth nesh?! Vritet njeriu në pikë të ditës dhe kurrgjë kurkujt! Dorasin nuk e kërkon as shteti as mileti!Në kohën e sotit shkon njeriu si “Qeni në rrush!”.Prandaj a nuk është kjo një brengë për të gjithë ne!
Mysafiri deshi të fliste diçka,por i zoti i shtëpisë sikur ia grabiti:-Të hyjnë hajnat dhe të vjedhin në shtëpi dhe ti as nuk je i zoti të mbrosh pasurinë tënde! Të thash se as nuk të mbron shteti e as mileti!
E në kohërat e përparshme,kur nuk të mbronte shteti të mbronte mileti!Pra të mbronte populli!
Ndërsa,sot populli sikur i ka ka mbyllur sytë dhe veshët i ka futë në lesh dhe as nuk sheh,as nuk dëgjon! Ky tëhuajsim i kombit tim po më tmerron!...
Edhe ti vetë e përmende zakonin e dikurshëm të mikpritjes shqiptare.A të kujtohet ajo fjala e moqme:_”Hajde e mirë se të ka pru zoti,bukë e kripë e zemër!”Dikur shqiptari nuk kishte asgjë tjetër pos bukës dhe kripës,por zemrën e kishte të gjerë.Ndërsa sot kur i ka të gjitha sikur nuk ka më zemër!
Më herët e përmendëm edhe besën.E dimë të gjithë ne se kur shqiptari e ka dhënë besën për diçka,ka mundur të bie edhe dielli nga qielli por fjala është mbajtur!Ndërkaq nderin e ka ruajtur si sytë e ballit!
Zëri i ziles elektrike ua ndërpreu për pak caste bisedën dhe mendimet.I biri i të zotit të shtëpisë dual të shihte se kush i binte ziles.Pas pak çastesh u kthye dhe tha:-Më thirri një shok dhe unë duhet të shkoj!
Dhe pa pritur përgjigje nga i zoti i shtëpisë në duhej të shkonte,fluturoi përjashta.
Të dy pleqtë,i zoti i shtëpisë dhe mysafiri,mbetën vetëm.Për pak çste në mes tyre mbretëroi një heshtje e rëndë.Një heshtje që i mundonte ata të dy.Dikur heshtjen e rëndë e theu i zoti i shtëpisë:
-Dhe ti më thua se kohët e reja sjellin zakone të reja!E ç`më duhen mua zakonet e reja?!Zakon i ri është ky ku i biri i botës ik dhe e lë babanë plak dhe mysafirin vetëm?! Jo,jo unë nuk di se çfarë t`i them kësaj!
Msafiri në anën tjetër me një qeshje që nuk i dallohej në ishte e qeshur e çiltër apo ironike ia ktheu:-Të pëlqeu ose jo,duhet ta pranosh! Përndryshe siç i thonë asaj fjalës:”Bëjë në paq çfarë bënë!”
I zoti i shtëpisë nuk i tha asgjë vetëm shikimin e drejtoi nga dritarja.Një rreze e fortë e diellit në perendim e reflektuar nga xhami i dritares i ra në sy.Reflektimi ishte aq i fortë saqë për një moment ai në sallon nuk po shihte asgjë.Vetëm errësirë…