Kulturë
Luan Çipi: Gungaçi
E marte, 21.09.2010, 07:47 PM
G U N G AÇ I
Tregim nga Luan Çipi
Dua të them me sinqeritet, pa u futur në gjynah, që edhi ky tregim e ka zanafillën, në skicimin e baxhanakut tim të ndjerë, Axhem Haxhiraj, në një natë dimri kur kishte ardhur mik në shtëpinë time në Tiranë, në janarin e vitit 2005. Ngjarja ka lidhje me kohën kur ai ishte student për ekonomi, në Bolonja të Italisë:
Një kurrizo, megjithëse 40-vjeçar, nuk kishte arritur të martohej se vajzat nuk e parapëlqenin nga gunga e tij. Për këtë, më tepër, vajzat e mençura, ndikoheshin nga opinioni, sepse përjashtuar këtij defekti fizik të dukshëm, ai ishte një njeri i shkëlqyer, me një fytyrë të bukur, trupë madh e i fuqishëm, krenar dhe shumë i dhënë pas punës dhe familjes. Atë e kishin pagëzuar Karlo, por të gjithë i thërrisnin gabo (gungaç) dhe shumë pak njerëz ia dinin emrin e tij të saktë.
Ç’është e vërteta, një gjitonia e tij moshatare me Karlon, prej kohësh e adhuronte nga larg pa guxuar t’i afrohej. Aty, nga dritarja e saj përkundrejt shtëpisë së Karlos, ajo kishte vite që e kundronte dhe e ndiqte nga afër në çdo lëvizje të tij: kur ngrihej në mëngjes dhe bënte gjimnastikë, me ushtrime të kërkuara nga almanakët dhe të zgjedhura posaçërisht, me shpresën që kushedi ia drejtonin sadopak gungën; kur lexonte dhe dëgjonte radion dhe ngazëllehej, duke kërcyer apo duke kënduar, me atë zërin e tij të ëmbël e melodioz, prej tenori. Këndonte gjithnjë këngë të trishtueshme melankolike, që e zhytnin në trishtim e pesimizëm. Kjo e bënte edhe interesant e më më tërheqës atë. Djaloshi, më së shumti, punonte në ofiçinën e tij si marangoz, ku demonstronte gjithashtu virtuozitet, duke e humbur veten e duke u kënaqur me prodhimet e bukura artizanale të duarve të tij të arta. Bukuroshja e dhembshur e shikonte Karlon nga lart, dhe ngazëllehej akoma më shumë kur ai demonstronte veti të karakterit të tij, kur nga ndonjë hallexhi s’pranonte shpërblim për punën e bërë dhe për më tepër, kur shpërndante pa u kursyer dhurata në raste të kremtesh për nevojtarët dhe të varfrit.
Luiza, se kështu quhej komshia e tij e bukur, nisi t’i afrohet Karlos, të bisedojë me të dhe më pas ta ndihmojë në punët për femra, deri në pastrimin e lokalit dhe sistemimin e orendive e gatim. Me kalimin e kohës filloi të miqësohet, ta simpatizojë e ta dashurojë dhe më së fundi, vendosën ti premtojnë miqësi të përjetshme njeri tjetrit, derisa edhe vendosën të fejoheshin. Kur ata filluan të takoheshin fshehurazi, Karlua i porositi shokët përreth, që këtej e tutje të ishin më të kujdesshëm me të dhe mos t’i flisnin më me atë nofkën e papëlqyer për këdo..
Aq më tepër kur filluan të dilnin bashkë me Luizën në sokakët e lagjes, ai e kishte fare të papranueshme nofkën përbuzëse, që e kishte shoqëruar e poshtëruar gjithë jetën. Tani, kur gjeti lumturinë e ëndërruar, i dukej se po të dëgjohej ajo shprehje e mallkuar, do të bëhej shkak prishjeje, çka do të ishte më keq se vdekje për të.
Njëri nga gjitonët, një xhuxh, shëmtarak, dembel e smirëzi, që e lakmonte për vete Luizën e bukur dhe që mendonte se atij, sakllamit i takonte, jo vetëm që nuk u bind për të heshtur, por enkas e dendësoi sharjen. Karlua nuk gjente vend ku të futej..., se i gjëmonin veshët dhe i ngushtohej shpirti. Ikte të fshihej në lokalin e tij, duke ulur kokën, ndërkohë që gunga i rëndohej e i shfaqej edhe më shumë dhe gjëmimi përbuzës gati e shurdhonte dhe e bënte ti humbiste shpresat e deri të mendonte të vriste veten. Filloi të bënte fjalë veças, me gjitonin zemërlig, madje dhe ta paralajmërojë disa herë rresht. Iu desh dhe ta kërcënonte vetë dhe nëpërmjet shokëve dashamirës, por më kot. Antonioja, se kështu quhej gjitoni shpirt kazmë, sikur kënaqej më shumë nga reagimi i dëshpëruar i Karlos dhe nga kjo nxitej për ta cytur e dhunuar më shumë dhe vazhdonte, tani e gjithë ditën, me zë të lartë: “gabo… gabo… gabo… gabo… gabo…”.
Dëshpërimi arriti kulmin e s’mbahej më, ndaj dhe Karloja, i nervozuar deri në çmenduri, ashtu gjigand e tejet i fuqishëm siç ishte, u kacafyt dhe e rrahu keqas Antonion imcak, derisa ai i ngeli pa pritur në dorë…
Ishte një vrasje e padëshiruar, po që nuk mund të përligjej. Karlon e arrestuan dhe pritej dënim kapital. Po vrave do të të vrasin!
Një avokat i famshëm për kohën, që sa gjyqe kishte marrë përsipër të gjitha i kishte fituar, kur mori vesh incidentin me autor kurrizon e mjerë, që e njihte fare mirë, si njeri të urtë, të mençur e deri filantrop dhe për këto kishte simpati të veçantë, aq sa kur kishte marrë vesh fejesën, kishte shkuar dhe e kishte uruar në punishten e tij, pra po ky avokat, që ishte dhe vetë sakat pasi kishte humbur një sy në luftën e Abisinisë, i ra gjoksit dhe e takoi Karlon, që desh të vriste veten dhe i tha të rrinte i qetë, e të mendonte dhe për Luizën e shkretë, se problemi do të zgjidhej më së miri.
Avokati, pasi e studioi me rrënjë dosjen, u përgatit dhe thuri një plan të hollësishëm veprimi. Ai mendoj të merrte në gjyq për ta ndihmuar djalin e tij dhjetëvjeçar, që e kishte një basketbollist të talentuar dhe pasi e stërviti në kushte të ngjashme, e porositi atë si duhet të vepronte: të rrinte fare afër tavolinës së kryegjyqtarit dhe, herë pas here, kur ai nuk e kishte mendjen, preokupuar nga ligjërata, ta godiste atë me karamele të vogla, herë në ballë, herë në vesh, herë në sy e herë në hundë. Këtë skenë djali, pas një stërvitje të gjatë me objekte analoge, arriti ta përvetësonte saktë dhe mirë.
Gjyqtari në goditjen e parë nuk iu përgjigj, për të evituar skandalin, por kur ato u shpeshtuan, filloi të shqetësohet, pa e përcaktuar dot provokatorin poshtërues, pastaj i tërhoqi vërejtje në përgjithësi publikut, por kur e qëlluan përsëri e përsëri, këtë radhë në sy, e humbi fare durimin dhe me ulërimë bërtiti, pa dashur, si i shkalluar: “Mjaft më, se po më bëni të vras veten”.
Ky qe çasti i dëshiruar kur ndërhyri avokati, që me zë të lart i tha:
- Si kështu, zotëri? Ju për një ngacmim me një karamele të vogël kërkoni të bëheni vrasës? Madje të bëni vetëvrasje, veprim që e dënon rreptë dhe vet Jezu Krishti? Po Karloja, sipas jush, ç’duhet të bënte?
Dhe Karlon e dënuan vetëm tre vjet.
Thonë se Luiza, mikesha e tij e zemrës, nga ky rast u afrua më shumë me Karlon e priti sa doli nga burgu, u martua me të dhe lindën tre fëmijë të shëndetshëm.
Ja, këtu e mbylli tregimin baxhanaku im i mençur, 90 vjeçari Axhem Haxhiraj, duke shtuar: Duket si përrallë, po është një ngjarje e jetuar, që na jep një mësim të madh: ” Mos i bjerr më qafë kot dhe mos lakmo gjënë e tjetrit, se gjynahu mund të kthehet mbi kokën tënde”.