E shtune, 03.05.2025, 08:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Dhurata e dashurisë

E hene, 20.09.2010, 09:59 PM


DHURATA E DASHURISË

 

Nga Baki Ymeri

 

Para disa ditësh e pa botimin në Bukuresht libri i poetit Grigore Grigore, Mrekullitë e natës, për të cilin një dashamire e letrave shqipe (Fatime Ahmeti), do të theksojë se „janë vargje të mirëfillta nëpërmjet të të cilave paraqitet bota reale e emocioneve”. Këto ditë (më 17 shtator 2010), u mbajt një përurim letrar i miqësisë rumuno-shqiptare në Sallën e Pasqyrave të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Në kuadrin e vlerave të reja rumune në gjuhën shqipe, u bë fjalë për librin e poeteshës Viorela Codreanu-Tiron, Dhurata e dashurisë, vëllim bilingv, i përkthyer në gjuhën shqipe nga autori i këtij shkrimi. Të ftuar nderi në këtë manifestim dinjitoz ishin Dr. Luan Topçiu, ministër këshilltar i Ambasadës së Shqipërisë në Bukuresht, si dhe Dr. Xhelku Maksuti, president nderi i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, Gheorghe Micu, ishambasador i Rumanisë në Shqipëri, Gherorghe Bucura, ishpërfaqësues i Rumanisë në Kosovë etj. Për hirë të modestisë, i anashkalojmë vlerësimet e tyre pozitive në adresë të përkthyesit, duke ia dhënë fjalën autorit të parathënies, Albert Kovács, i cili në kuadrin subjektit Poezia dhe përjetësia femërore do të theksojë:

 

       Duke lekturuar poemat e këtij vëllimi mbetemi të kapluar nga bukuria e pastër që shndrit në çdo faqe. Na përfshin forca e stuhisë së ëmbël të afektivitetit, sinqeriteti i papërkufizuar, guximi për afirmimin e hijeshisë së trupit dhe të dashurisë polivalente në konditat humane-femërore moderne, aspak të thjeshta, madje të kërcënuara. Kjo ekzistencë është e prekur nga pasioni i thellë, fshehtësia duke e përulur luciditetin e intelektit me të vërteta supreme dhe fuqinë e mirësisë, të njerëzores përmes zhdërvjelltësisë së instiktit, instrument i vetëmbrojtjes dhe vetafirmimit që vjen përmes shtigjeve të senzualitetit, egzaltimit  erotik dhe dhuratës së dashurisë. Po, dhurata e dashurisë së gjithëfuqishme dhe diskrete, e cila duket të jetë, krahas bukurisë edhe një fshehtësi/enigmë, fundament i paluhatshëm i përjetësisë femërore.

 

Fundament i paluhatshëm i përjetësisë femërore

 

        Gruaja, porsi burri, është para së gjithash njeri. Para se të jetë rumun, shqiptar, hungarez apo francez, apo, para se të jetë poete. Dhe, mirëkuptohet, është e barabartë me burrin në të gjitha pikëshikimet. Viorela Codreanu Tiron zotëron në këtë konstelacion një vend të veçantë. Universi i saj bazohet mbi fundamentin real të ekzistencës sonë, në një epokë të prekur nga kërcënimi. Është po ai univers poetic që fanitet në tërë letërsinë universal modern, nën shenjën e tëhuajësimit dhe vetmisë, ndërsa në kontekstin e postmodernizmit, nën shenjën e refuzimit fatal të vlerave autentike: në komunikim dhe dashuri, në bukuri, vërtetësi dhe mirësi. Poetja në aktualitet krijon shëmbëlltyrën e konditës humane aktuale, me shpartallimin në plan të pare. Protesti, dhembja, shpresa mbeten në nëntekst. Viorela Kodreanu vepron tejtërsoj. Vetëm në motonë e vëllimit të shpie në botën ekzistenciale, e kërcënuar rëndë permes fjalëve në librin e Jovit: “harfa ime është shndërruar në instrument vajtimi dhe kavalli im nxjerr fjalë vajtimtare“. Që në poezinë e parë ballafaqohemi me një Muzë të travestuar, një lloj lutje, e shprehur me forc? të kapshme artistike, me një ndjenjë të thellë të dhurimit, dëshirë për ta ndalur kohën kaotike, ndërsa në vazhdim vjen ajo e vrasjes së errësirë që revelohet në Ëndrrën e qelqtë, ku fanitet hipostaza e parë e dritës mbrojtëse që na përshëndet.

 

            Fill pas kësaj implikohen edhe motive tjera: dogana e gjumit, dogana e ëndrrave me kuptimin e par? që sugjeron Atdheu i Premtimit, pas të cilit pason bota e ëndrrës erotike, e sugjeruar, si dhe ajo e ëndrrës së shembur në bardhësinë e gjumit të pagjumë. E krijuar nga qendra e motiveve kontrastuese, krejt libri është një vepër e vetme, një vepër e vërtetë që e ncit lexuesin t’i kuptojë mikropoemat si pjesë në vete, të mishëruara njëra me tjetrën në mbretërinë e fjalëve. Por në çdonjërën nga to jehon dhe tingëllon po ajo simfoni polifonike e motiveve poetike. Në të njëjtën kohë, mikropoemat kanë një strukturë aforistike me rima filozofike polare, me stilin e pasur me oksimoroma dhe reflekse të dendura ndaj paradokseve të dukshme apo të fshehura.

 

            Motivet janë të llojeve të ndryshme, edhe si mbështetës objektual, arhetipal, psikologjik, edhe si domethënie. Matriça  e tyre e vërtetë është polivalenca dhe origjinaliteti. Në sipërfaqe sistemi i motiveve  as që vërehet. Secila domethënie /sugjestion, ka një statut aktiviteti, emocioni, përjetimi eutentik të autorizuar nga një sinqeritet në substance e saj absolute. Në kontekstin e këtyre motiveve poetike origjinale, identifikojmë një game motivesh fundamentale dominante. Poeti/poetja e merr përsiprë deri në pikën e fundit të gjakut, deri në frymën e fundit të shpirtit, ekzistencën e dyfishtë të burrit dhe të gruas. Janë të kapluara deri në shkallën më të lartë të besnikërisë, trupi, shpirti, ekzistenca dhe kërcënimi, dashuria e dhembshme, reciproke dhe e refuzuar, besimi dhe mosbesimi.

 

        Në qendrën e universit artistic real/imagjinar, gjendet kshtusoj vetëdijësimi i ekzistencës, motive ontologjike. Për atë ajo nis nga motivet arhetipale, nga elmentet si dheu, qielli, uji dhe zjarri, nga zemra, duart, qielli dhe yjet. Domethënieve të akumuluara gjatë rrjedhës së historisë së qytetërimit, u shtohen kuptime të reja, përjetime personale. Fluksi i tekstit poetik shquhet përmes koncertit armonik/disharmonic të motiveve, përmes lëvizjes dialektike të polariteteve nga shpirti i qenjes humane, përmes përjetimit pa rezervë të shpirtit, ngazëllimit dhe hijeshisë. Në poezinë rumune femërore, Viorela Codreanu, porsi Monica Pillat, shquhet përmes shprehjes së theksuar të përjetësisë femërore, përmes shpalosjes së motiveve afernte, omniprezente dhe plenare.

 

AFISHI I MANIFESTIMIT DHE PAMJE NGA SALLA E PASQYRAVE

 

Poetesha Viorela Kodreanu në këmbë
Poetesha Viorela Kodreanu në këmbë

Gj. Bukura, L. Topçiu, Gj. Miku, Xh. Maksuti
Gj. Bukura, L. Topçiu, Gj. Miku, Xh. Maksuti

Dr. Luan Topçiu duke e vlerësuar Dhuratën e dashurisë
Dr. Luan Topçiu duke e vlerësuar Dhuratën e dashurisë

Pamje nga salla e përurimit të Dhuratës së dashurisë
Pamje nga salla e përurimit të Dhuratës së dashurisë

Pamje nga salla e manifestimit.JPG
Pamje nga salla e manifestimit

 

Fragment nga libri “Dhurata e dashurisë”

 

 

ZËRI I SIRENAVE 

 

Jam vërshimi dhe përkëdhelja e valëve

Që vdesin në rërën e nxehtë

Jam zëri i sirenave

Që vjen nga tejlargësitë tua

Përse ke frikë të prekish këtë det

Të përmbushur me mistere të valëzuara

Që thërmohen në brigje

Për të vajtur më tej

Zëre së paku këtë valë

Që vjen drejt teje

Dhe shtrëngoje

Duke e shtrënguar në duart tua

 

 

ATE QË S’E DIJE 

 

Të thoja një herë se jam gur;

Ajo që s’e dije... ishte

Se çdo gur ka përjetuar gjumin e gurit

Dhe ka parë siç shoh dhe unë

Përmes gjumit të dheut,

Përmes gjumit të ajrit,

Përmes gjumit të ujit,

Përmes gjumit të trupit.

Vetëm vallen e pakryer të dritës

Nuk arrita ta shoh...

Ngase – drita –

Drita nuk dremit asnjëherë!

Dhe atëherë u ktheva

Në gjumin e gurit e në mua,

Në harresë dhe në përkujtim,

Duke u fshehur në mes të pyllit

Ku sytë që shikojnë

Nuk mund të depërtojnë!

 

 

ASKUSH NUK SHEH

 

Dashuria ka rënë padukshmërisht

Në thellësinë e një humnere reshë –

Mu atje – ku sytë e pulëbardhave

Notojnë të lodhura në fundalin e furtunës

Ndërsa klithja e tyre përzjehet

Me fërshëllimën e erës.

Dhe askush nuk sheh,

Askush nuk ndjen

Se i mungon diçka!

Por kush mund të shohë?!...

Kur sytë tanë verbërohen

Nga fësrshëllima e erës

Kur sytë e të verbërve

Janë zogj të vdekur

Të hedhura në shkretëtirën e pyllit?

Dhe sytë e qelqit ndjekin fluturimin e vapës

Që shuhet padyshim

Ndërmjet qepallave të lëshuara

të harresës së të afërmëve?!

 

 

FJALË  

 

Fjalë të hedhura, të humbura, të heshtura,

Të mbetura të pathëna,

Të gjitha i kam vjelur

Dhe i kam shpërlarë me vesën e diellit.

I kam shtruar mbi rrapëllimat e shiut

Dhe i kam ngulur në det,

Prej nga vala do ti sjellë te këmbët e tua.

Mos u përkul!

Unë kam mbyllur dikurë valën në duar

Dhe kam mbëltuar fije kullose

Mbi kreshtat e universit

Dhe kam parë:

Përsipër...

Përposhtë...

Ku asgjëja e bën shtrojën.

 

 

KTHIM

 

I kam shtruar tërë vitet

Mbi petale të buta

Ngadalë të mi shpërlajnë mëkatet

Mbi të cilat, pa mbarim,

Do të kalojnë çastet

E shpërthyera

Nga shkëlqimi i luciferëve

Të kthyer

Në mëngjezin e fjalës

 

 

URA DERI NË QIELL

 

Shikoj me qëndresë

Këto forma-informe

Si lutje lulesh pa emër

Që fshihen

Mes misterit dhe konkretes

Mes jetës dhe vdekjes...

Dhe e zë ylberin

Atëherë kur pin ujë

Nga shpirti im

Urën duke ma bërë deri në qiell

 

 

GRAFIKA E QIELLIT TËND

 

Mbi grafikën e qiellit tënd dikush

E ka fshirë emrin tim, pa dashur

Dhe atje

Ka mbetur vetëm hija e iluzionit

Që digjet në titërime të ndërdukshme

Nëpër labirintin kaotik

Atje ku memorja e shiut

Shpalon mëkatet e njerëzimit

 

 

HIÇI I GJITHANSHËM

 

Asgjë nuk më përkujton për ty

Dhe asgjë nuk e mban emrin tënd

Vetëm Hëna herë herë më qan në supe

Duke më pyetur ku je

Dhe unë nuk di ç’t’i përgjigjem:

Ngase...yjet...

Janë fshehur në luciferë

Luciferët janë mbështjellë me re

Retë kanë harruar të luajnë

Loja ka harruar të ekzistojë

Dhe vetëm kundërmimi

I një trishtimi të mermertë

E pret një yll që bie

Për t’ia vënë dëshirën e fundit

Në këtë atmosferë inerte

Me vetëdije aq kompakte

 

 

HESHTJE E PËRJETSHME

 

Ku janë ndjeshmëria dhe e vërteta

Përrreth meje është vetëm heshtje:

Heshtje e përjetshme

E fytyrave

Dhe e natyrës në vetvete

E mbërthyer në kthetrat e frikës

Me tentakulat e metamorfozës

Së kyçur në zemrën e dheut

Me shakmisjen e përjetshme të humbjes

 

 

NDOSHTA KA QENË!

 

Na ishte një lindje

Na ishte një vdekje

Dha ishte...

Ndoshta diçka ndërmjet tyre

Një këngë përdëllimtare

Apo një vaj

Më thuani:

Çka ishte!

 

 

DRITA E MAGJIVE

 

I gërshetova yjet në vetëtima

Të bardha, përvëluese, të prehta

Dhe shigejtën e kaltërt e dërgova

Në zemër të dheut

Mbi shkumën e lumit

Ta zbusë gurgullimën e tij

Dhe ta sjellë, edhe një herë,

Dritën e Magjive

            Që qe harruar

 

 

E KURORËZUAR ME KOHËN

 

E kurorëzuar me kohën

Fati

Ma qëndisi fustanin e nusërisë

Nga mëndafshi i pëluhurosur i kujtimeve

Që më tërheqin kah e shkuara ime

Përjetësisht prezente

Në fushat e lulëzuara

Nën një qiell të thinjur me yje

 

 

NË TEPSINË E ALTARIT

 

I shtrova të gjitha ëndrrat

Në tepsinë e altarit

E kundrova djegjen e tyre

Dhe tymin e ngjyrave

Duke u lartësuar në

Hapsirën e hatashme

Të nyncave kryneçe

I pashë pastaj të gjitha duke u shembur

Në orteqe ikonash

Veshje mbi pllakën time

Që shkon duke u shembur

 

 

NËN PESHËN E DASHURISË

 

Je dashuruar në mua, Dhembje

Aq tinëzisht

Aq plotësisht

Aq përjetësisht

Dhe aq tmerrësisht

Je mbëltuar në eshtrat e mia

Saqë çdo gjë ka filluar të shembet

Nën peshën e dashurisë.

 

(Shqipëroi: Baki Ymeri)



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx