Kulturë
Cikël poetik nga Ilir Paja
E hene, 20.09.2010, 08:08 PM
Ilir Paja
Pikojnë yje
Pikojnë yjet.
Nën këtë fshehje yjet linden yje.
Errësira qan të zitë e vet
Parajsa s’ka ëndërr tjetër
Mbjellë...
Piklojnë yjet yje.
Nëse largësia mes tyre do ish e dëbortë
Çdo yll do gjurmëzohej mbi bardhësi.
Pikojnë yjet yje,
vetëm malli është i arrirë
dhe nata e di se duhet shuar…
Imazhe
Njeriu mungon,
S’është as hija e tij.
Njeriu mund të ishte,
qielli i dashurive.
Vetmitar qielli
Nuk e sheh hijen e vet
Çdo horizont.
Imazhe.
njeriu ka para vetes tjetrin,
njeriun vetmi,
pamje e frymët.
Vetëm imazhe – këto akra toke,
Herë qiellore
e herë të dherëta.
Qielli tund hajmalinë e falur
Ylberin.
Edhe qielli ka nevojë për pak fat.
Bora
Dimri vendosi të jetojë shëlbimin
Mbrëmja nusëron tej ëndrrës.
Shpërhapur në vello t’u hijeshojë krahët pemëve,
nuse të paprika.
Bora, pendesë e panjollosur
Druan të zbresë në tokë…
Metafora
Pëllëmba dhe pesë gishtërinj.
Pesë horizonte,
pesë erëra,
pesë qiej,
pesë fjalë.
Dielli metaforë, fsheh lindjen e një Diell simboli
në anën tjetër të pëllëmbës…
Drita
Amvisë që nden pas çdo larjeje
veç padukjen – verbimin ar të saj.
Ndehet në duar nëne,
foshnjërisht përvidhet – dielli vetë
yjësohet në puthje…
Mali
Malet, pelerina të burrta lartësish.
Në ag dielli pas tyre ngjan si foshnjë e ndrojtur.
Malet dhëmbë toke që shqyejnë horizonte
në fusha qiejsh ndeshen për hijen e vet
dielli-balonë trofe qëndron pezull
çdo mal do donte të ishte frymëmarrja e tij.
Letër Hënës
Pas hënës u shkrova yjeve…
Ngjeva fytyrën me mollëza ëndrrash.
Yjeve u shkrova për bijtë e bijat xixëllonja,
Këto mous-e pranvere, kompjuteri s’klikon dot pikla vese.
Hëna-amvisë fle me agun muzg.
Hëna, puthje s’e lë natën të lindet ditë
Me hënë tjetër… tradhtisht.
Grushte ere
U mbars qielli galopshëm.
Cila re ka radhën në duel?
Jeta pret përcjell me ngjyra Qielli…
Ç’i duhen muskujt erës!
Kur zogjtë në shtegtime s’janë statistika ere.
Jeta qiejve është përherë rini e së padukshmes.
Hije e qielltë
Era – padukje e truptë,
Puth, rend e kthehet,
zogthshëm dremit në krahë parfumesh.
Lëshohet në gjinj femërorë më butë se ëndrra e çdo burri.
Dehet me shiun edhe pse qiellit s’ia shohim këmbët si luftëtar duelesh.
Ndalet mes sqepkorbash
E lutje ushtari për psalm nëne në luftë…
Korbin frik me kujën e saj – heroi s’ka drojë për plagën.
Era – çapitje zbathur, pa thonj,
Këmbët, gishtërinjtë – krahë që ndjekin
shtegtimin stinor të zogjve.
Vjeshtën e lë të flasë me vete...
Era kërkon të fundmen erë vjeshte…
Grindet me valët e detit,
cila është parzmore heroi në ndeshjen me bregun?
Era - Don Kishot a mullinj ere?
Ta marr veç një herë mbledhur brenda dorës,
ta mbjell nën sytë e muzës sime.
Era – hija jonë e qielltë…
Net degësh
Mbrëmja kurnace s’do ta lëshojë përshkënditjen e fundit.
Pemët kullosin qiejve,
Bariu, ky fëmijë i Diellit,
shtriq pëllëmbën mbi faqen e vestë.
Mendëndërrt pulit sytë me qepallë Hëne, thotë:
dhentë s’flenë.
Kacaviren muskujve të netëve të ngrihen
agblegërimash.
Pemët, degë netësh bardhojnë
Me lule frytesh, këta nipër, mbesa
Ç’dritë mblojnë netët në vetmi të ve.
Pemët riatdhesohen nginjur
Me vezullime yjesh.
e perhershme siç vertet gjithnje deshiron nje njeri i letrave.