| E hene, 20.09.2010, 09:59 PM |
DHURATA E DASHURISË
Nga Baki Ymeri
Para disa ditësh e pa botimin në Bukuresht libri i poetit Grigore Grigore, Mrekullitë e natës, për të cilin një dashamire e letrave shqipe (Fatime Ahmeti), do të theksojë se „janë vargje të mirëfillta nëpërmjet të të cilave paraqitet bota reale e emocioneve”. Këto ditë (më 17 shtator 2010), u mbajt një përurim letrar i miqësisë rumuno-shqiptare në Sallën e Pasqyrave të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Në kuadrin e vlerave të reja rumune në gjuhën shqipe, u bë fjalë për librin e poeteshës Viorela Codreanu-Tiron, Dhurata e dashurisë, vëllim bilingv, i përkthyer në gjuhën shqipe nga autori i këtij shkrimi. Të ftuar nderi në këtë manifestim dinjitoz ishin Dr. Luan Topçiu, ministër këshilltar i Ambasadës së Shqipërisë në Bukuresht, si dhe Dr. Xhelku Maksuti, president nderi i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, Gheorghe Micu, ishambasador i Rumanisë në Shqipëri, Gherorghe Bucura, ishpërfaqësues i Rumanisë në Kosovë etj. Për hirë të modestisë, i anashkalojmë vlerësimet e tyre pozitive në adresë të përkthyesit, duke ia dhënë fjalën autorit të parathënies, Albert Kovács, i cili në kuadrin subjektit Poezia dhe përjetësia femërore do të theksojë:
Duke lekturuar poemat e këtij vëllimi mbetemi të kapluar nga bukuria e pastër që shndrit në çdo faqe. Na përfshin forca e stuhisë së ëmbël të afektivitetit, sinqeriteti i papërkufizuar, guximi për afirmimin e hijeshisë së trupit dhe të dashurisë polivalente në konditat humane-femërore moderne, aspak të thjeshta, madje të kërcënuara. Kjo ekzistencë është e prekur nga pasioni i thellë, fshehtësia duke e përulur luciditetin e intelektit me të vërteta supreme dhe fuqinë e mirësisë, të njerëzores përmes zhdërvjelltësisë së instiktit, instrument i vetëmbrojtjes dhe vetafirmimit që vjen përmes shtigjeve të senzualitetit, egzaltimit erotik dhe dhuratës së dashurisë. Po, dhurata e dashurisë së gjithëfuqishme dhe diskrete, e cila duket të jetë, krahas bukurisë edhe një fshehtësi/enigmë, fundament i paluhatshëm i përjetësisë femërore.
Fundament i paluhatshëm i përjetësisë femërore
Gruaja, porsi burri, është para së gjithash njeri. Para se të jetë rumun, shqiptar, hungarez apo francez, apo, para se të jetë poete. Dhe, mirëkuptohet, është e barabartë me burrin në të gjitha pikëshikimet. Viorela Codreanu Tiron zotëron në këtë konstelacion një vend të veçantë. Universi i saj bazohet mbi fundamentin real të ekzistencës sonë, në një epokë të prekur nga kërcënimi. Është po ai univers poetic që fanitet në tërë letërsinë universal modern, nën shenjën e tëhuajësimit dhe vetmisë, ndërsa në kontekstin e postmodernizmit, nën shenjën e refuzimit fatal të vlerave autentike: në komunikim dhe dashuri, në bukuri, vërtetësi dhe mirësi. Poetja në aktualitet krijon shëmbëlltyrën e konditës humane aktuale, me shpartallimin në plan të pare. Protesti, dhembja, shpresa mbeten në nëntekst. Viorela Kodreanu vepron tejtërsoj. Vetëm në motonë e vëllimit të shpie në botën ekzistenciale, e kërcënuar rëndë permes fjalëve në librin e Jovit: “harfa ime është shndërruar në instrument vajtimi dhe kavalli im nxjerr fjalë vajtimtare“. Që në poezinë e parë ballafaqohemi me një Muzë të travestuar, një lloj lutje, e shprehur me forc? të kapshme artistike, me një ndjenjë të thellë të dhurimit, dëshirë për ta ndalur kohën kaotike, ndërsa në vazhdim vjen ajo e vrasjes së errësirë që revelohet në Ëndrrën e qelqtë, ku fanitet hipostaza e parë e dritës mbrojtëse që na përshëndet.
Fill pas kësaj implikohen edhe motive tjera: dogana e gjumit, dogana e ëndrrave me kuptimin e par? që sugjeron Atdheu i Premtimit, pas të cilit pason bota e ëndrrës erotike, e sugjeruar, si dhe ajo e ëndrrës së shembur në bardhësinë e gjumit të pagjumë. E krijuar nga qendra e motiveve kontrastuese, krejt libri është një vepër e vetme, një vepër e vërtetë që e ncit lexuesin t’i kuptojë mikropoemat si pjesë në vete, të mishëruara njëra me tjetrën në mbretërinë e fjalëve. Por në çdonjërën nga to jehon dhe tingëllon po ajo simfoni polifonike e motiveve poetike. Në të njëjtën kohë, mikropoemat kanë një strukturë aforistike me rima filozofike polare, me stilin e pasur me oksimoroma dhe reflekse të dendura ndaj paradokseve të dukshme apo të fshehura.
Motivet janë të llojeve të ndryshme, edhe si mbështetës objektual, arhetipal, psikologjik, edhe si domethënie. Matriça e tyre e vërtetë është polivalenca dhe origjinaliteti. Në sipërfaqe sistemi i motiveve as që vërehet. Secila domethënie /sugjestion, ka një statut aktiviteti, emocioni, përjetimi eutentik të autorizuar nga një sinqeritet në substance e saj absolute. Në kontekstin e këtyre motiveve poetike origjinale, identifikojmë një game motivesh fundamentale dominante. Poeti/poetja e merr përsiprë deri në pikën e fundit të gjakut, deri në frymën e fundit të shpirtit, ekzistencën e dyfishtë të burrit dhe të gruas. Janë të kapluara deri në shkallën më të lartë të besnikërisë, trupi, shpirti, ekzistenca dhe kërcënimi, dashuria e dhembshme, reciproke dhe e refuzuar, besimi dhe mosbesimi.
Në qendrën e universit artistic real/imagjinar, gjendet kshtusoj vetëdijësimi i ekzistencës, motive ontologjike. Për atë ajo nis nga motivet arhetipale, nga elmentet si dheu, qielli, uji dhe zjarri, nga zemra, duart, qielli dhe yjet. Domethënieve të akumuluara gjatë rrjedhës së historisë së qytetërimit, u shtohen kuptime të reja, përjetime personale. Fluksi i tekstit poetik shquhet përmes koncertit armonik/disharmonic të motiveve, përmes lëvizjes dialektike të polariteteve nga shpirti i qenjes humane, përmes përjetimit pa rezervë të shpirtit, ngazëllimit dhe hijeshisë. Në poezinë rumune femërore, Viorela Codreanu, porsi Monica Pillat, shquhet përmes shprehjes së theksuar të përjetësisë femërore, përmes shpalosjes së motiveve afernte, omniprezente dhe plenare.
AFISHI I MANIFESTIMIT DHE PAMJE NGA SALLA E PASQYRAVE
![]() |
Poetesha Viorela Kodreanu në këmbë |
![]() |
Gj. Bukura, L. Topçiu, Gj. Miku, Xh. Maksuti |
![]() |
Dr. Luan Topçiu duke e vlerësuar Dhuratën e dashurisë |
![]() |
Pamje nga salla e përurimit të Dhuratës së dashurisë |
![]() |
Pamje nga salla e manifestimit |
Fragment nga libri “Dhurata e dashurisë”
ZËRI I SIRENAVE
Jam vërshimi dhe përkëdhelja e valëve
Që vdesin në rërën e nxehtë
Jam zëri i sirenave
Që vjen nga tejlargësitë tua
Përse ke frikë të prekish këtë det
Të përmbushur me mistere të valëzuara
Që thërmohen në brigje
Për të vajtur më tej
Zëre së paku këtë valë
Që vjen drejt teje
Dhe shtrëngoje
Duke e shtrënguar në duart tua
ATE QË S’E DIJE
Të thoja një herë se jam gur;
Ajo që s’e dije... ishte
Se çdo gur ka përjetuar gjumin e gurit
Dhe ka parë siç shoh dhe unë
Përmes gjumit të dheut,
Përmes gjumit të ajrit,
Përmes gjumit të ujit,
Përmes gjumit të trupit.
Vetëm vallen e pakryer të dritës
Nuk arrita ta shoh...
Ngase – drita –
Drita nuk dremit asnjëherë!
Dhe atëherë u ktheva
Në gjumin e gurit e në mua,
Në harresë dhe në përkujtim,
Duke u fshehur në mes të pyllit
Ku sytë që shikojnë
Nuk mund të depërtojnë!
ASKUSH NUK SHEH
Dashuria ka rënë padukshmërisht
Në thellësinë e një humnere reshë –
Mu atje – ku sytë e pulëbardhave
Notojnë të lodhura në fundalin e furtunës
Ndërsa klithja e tyre përzjehet
Me fërshëllimën e erës.
Dhe askush nuk sheh,
Askush nuk ndjen
Se i mungon diçka!
Por kush mund të shohë?!...
Kur sytë tanë verbërohen
Nga fësrshëllima e erës
Kur sytë e të verbërve
Janë zogj të vdekur
Të hedhura në shkretëtirën e pyllit?
Dhe sytë e qelqit ndjekin fluturimin e vapës
Që shuhet padyshim
Ndërmjet qepallave të lëshuara
të harresës së të afërmëve?!
FJALË
Fjalë të hedhura, të humbura, të heshtura,
Të mbetura të pathëna,
Të gjitha i kam vjelur
Dhe i kam shpërlarë me vesën e diellit.
I kam shtruar mbi rrapëllimat e shiut
Dhe i kam ngulur në det,
Prej nga vala do ti sjellë te këmbët e tua.
Mos u përkul!
Unë kam mbyllur dikurë valën në duar
Dhe kam mbëltuar fije kullose
Mbi kreshtat e universit
Dhe kam parë:
Përsipër...
Përposhtë...
Ku asgjëja e bën shtrojën.
KTHIM
I kam shtruar tërë vitet
Mbi petale të buta
Ngadalë të mi shpërlajnë mëkatet
Mbi të cilat, pa mbarim,
Do të kalojnë çastet
E shpërthyera
Nga shkëlqimi i luciferëve
Të kthyer
Në mëngjezin e fjalës
URA DERI NË QIELL
Shikoj me qëndresë
Këto forma-informe
Si lutje lulesh pa emër
Që fshihen
Mes misterit dhe konkretes
Mes jetës dhe vdekjes...
Dhe e zë ylberin
Atëherë kur pin ujë
Nga shpirti im
Urën duke ma bërë deri në qiell
GRAFIKA E QIELLIT TËND
Mbi grafikën e qiellit tënd dikush
E ka fshirë emrin tim, pa dashur
Dhe atje
Ka mbetur vetëm hija e iluzionit
Që digjet në titërime të ndërdukshme
Nëpër labirintin kaotik
Atje ku memorja e shiut
Shpalon mëkatet e njerëzimit
HIÇI I GJITHANSHËM
Asgjë nuk më përkujton për ty
Dhe asgjë nuk e mban emrin tënd
Vetëm Hëna herë herë më qan në supe
Duke më pyetur ku je
Dhe unë nuk di ç’t’i përgjigjem:
Ngase...yjet...
Janë fshehur në luciferë
Luciferët janë mbështjellë me re
Retë kanë harruar të luajnë
Loja ka harruar të ekzistojë
Dhe vetëm kundërmimi
I një trishtimi të mermertë
E pret një yll që bie
Për t’ia vënë dëshirën e fundit
Në këtë atmosferë inerte
Me vetëdije aq kompakte
HESHTJE E PËRJETSHME
Ku janë ndjeshmëria dhe e vërteta
Përrreth meje është vetëm heshtje:
Heshtje e përjetshme
E fytyrave
Dhe e natyrës në vetvete
E mbërthyer në kthetrat e frikës
Me tentakulat e metamorfozës
Së kyçur në zemrën e dheut
Me shakmisjen e përjetshme të humbjes
NDOSHTA KA QENË!
Na ishte një lindje
Na ishte një vdekje
Dha ishte...
Ndoshta diçka ndërmjet tyre
Një këngë përdëllimtare
Apo një vaj
Më thuani:
Çka ishte!
DRITA E MAGJIVE
I gërshetova yjet në vetëtima
Të bardha, përvëluese, të prehta
Dhe shigejtën e kaltërt e dërgova
Në zemër të dheut
Mbi shkumën e lumit
Ta zbusë gurgullimën e tij
Dhe ta sjellë, edhe një herë,
Dritën e Magjive
Që qe harruar
E KURORËZUAR ME KOHËN
E kurorëzuar me kohën
Fati
Ma qëndisi fustanin e nusërisë
Nga mëndafshi i pëluhurosur i kujtimeve
Që më tërheqin kah e shkuara ime
Përjetësisht prezente
Në fushat e lulëzuara
Nën një qiell të thinjur me yje
NË TEPSINË E ALTARIT
I shtrova të gjitha ëndrrat
Në tepsinë e altarit
E kundrova djegjen e tyre
Dhe tymin e ngjyrave
Duke u lartësuar në
Hapsirën e hatashme
Të nyncave kryneçe
I pashë pastaj të gjitha duke u shembur
Në orteqe ikonash
Veshje mbi pllakën time
Që shkon duke u shembur
NËN PESHËN E DASHURISË
Je dashuruar në mua, Dhembje
Aq tinëzisht
Aq plotësisht
Aq përjetësisht
Dhe aq tmerrësisht
Je mbëltuar në eshtrat e mia
Saqë çdo gjë ka filluar të shembet
Nën peshën e dashurisë.
(Shqipëroi: Baki Ymeri)