E premte, 02.05.2025, 08:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Vetmia e trëndafilave

E merkure, 22.09.2010, 09:27 PM


Vangjush Ziko

 

VETMIA E TRËNDAFILAVE

 

     Vetmia,si një gjendje fizike,si një situatë psikologjike apo ndjenjë morale,është një nga dramat më tënda njerëzore. Ajo,mbi tëgjitha,është një dramë e shpirtit,e dukshme dhe e padukshme. Po ta shikosh pa u thelluar,atë nuk ke pse ta quash të tillë..Njeriu jeton i vetëm,nuk ka detyrime dhe angazhime për të tjerët,është i lirë të bëjë ç' të dojë e si të dojë. A mund të ketë liri më të madhe!

    E,megjithatë,ajo mbetet një dramë e madhe.

    Këtë mendim ma përforcoi rasti me të cilin u përballa në një varrezë kandeze.

    Varreza mbante emrin e një livadhi.Livadh,për ironi,i mbjellë jo me trifil e jonxhë,por me gurë varresh.

    Midis atyre gurëve të heshtur e të ftohtë pashë një plak e një plakë,që ishin goxha të mbajtur për moshën e tyre.Ata po përkujdeseshin për dy rrënjë trëndafilash që ishin mbjellë përbri dy gurëve të latuar. Më ardhi keq. Duhet të ishin varret e dy fëmijve të tyre të ikur nga kjo jetë.Vdekja është vërtet e pamëshirëshme dhe nuk pyet për radhë. Nuk ka mëshirë.

    Plaku dhe plaka mbaruan përkujdesjet e tyre dhe u larguan qetë-qetë,pa i përkëdhelur gurët e varreve. Ata nuk e kthyen as kokën prapa për t' i vështruar edhe një herë.

    Kur ai çift pleqsh ishin zhdukur nga vështrimi im,u afrova. Lexoj emrat e shkruar në të dy gurët,,njëri prej burri dhe tjetri prej gruaje,që i lidhte mbiemri i përbashkët. Më çuditi një gjë e pazakontë. Nën emrat e tyre të  shkruar me gërma bronxi ishin datat e lindjes,por datë vdekjeje nuk kishte asnjëri. Në një mbishkrim të tillë mund të mungojë data e lindjes,e harruar ose e panjohur,por data e vdekjes,e varrimit nuk është e mundur! I lexova edhe një herë ato data. Ishin që përtej mezit të shekullit të njëzetë. Ishin pleq. A mos këto mbishkrime,mendova,deshën të thoshin se për ata dy të ndjerë,të varrosur aty, nuk kish  vdekje! Në të dy pllakat kishte nga një kryq të bronxët .Pra,ata kishin qenë të krishterë dhe besonin në jetën e përtej varrit...

    Nuk gjeja dot përgjigje. S' kisha as kë të pyesja. Vetëm gjethet e dy trëndafilave shushurisnin të ledhatuara nga flladi i atij livadhi të trishtuar.

    Prapa meje ndjeva hapa. Ktheva kokën. Ishte një mesoburrë me mustaqe,me kapelën me strehë të gjatë në kokë,veshur me xhinse dhe mbi to një mësallë të gomuar,në duar kishte doreza pune. Vështrimi i tij pa emocion,fytyra e reshkur nga era,qetësia e tij më bënë të mendoja se...

    Po. Ai qe një punonjës nga të varrezave. Dhe ai më tha. Duket e kishte vënë re kureshtjen time të shqetësuar.

    -Ata pleq janë të vetëm. Nuk kanë fëmijë. As farefis. I kanë shumë larg. Prandaj kanë blerë varret e tyre që më të gjallë pranë njëi-tjetrit. Kanë frikë,kur të vdesin,mos i varrosin larg e larg. Kanë mbjellë dhe këta trëndafila,që i përkujdesin vazhdimisht. Kur të vdesin,e dinë se nuk kanë njeri që t'u sjellë ndonjë lule.

     Çdo gjë për mua u bë e qartë. Ishte për mua sa e padëgjuar, e çuditshme aq edhe tronditëse. Zemrën time e pushtuan dy ndjenja kontradiktore.

     Trishtimi dhe...

      Ata dy pleq,me mënyrën e tyre,i kishin bërë një sfidë vetmisë torturuese njerëzor dhe...botës së sotme moderne,që i ka shpërndarë njerëzit gjithandej. Ata e kishin pranuar të qetë vetminë,këtë sfidë të shekullit tonë të dhënë aq shumë pas interesit personal,të babëzitur për të gëzuar pak liri të vogël egoiste në këtë jetë hallemadhe e kaq të shkurtër mbi tokë. Vetmia e tyre ishte një vetmi lapidare,stoike,do ta quaja unë .Bota nuk pyeste për ta,as ata nuk deshën të pyesnin për botën!

       Ata trëndafila,që kishin mbjellë me dorën e tyre,ishin një personifikim i vetvetes. Kishin mbirë mbi faqen e dheut. Kishin çelur dhe kishin gëzuar diellin dhe ajrin. Do vyshkeshin e do të thaheshin një ditë. Dhe vetëm kaq. Kjo është jeta. Të paktën,ta jetosh dhe të vdesësh bukur e krenar si një trëndafil.



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx