Kulturë
Admirina Peçi: Ditët e fundit të At Gjergj Fishtës
E merkure, 22.09.2010, 09:58 PM
Ditët e fundit të At Gjergj Fishtës
Nga Admirina Peçi
Një vëllim me kujtime e studime, përmes të cilave zbërthehet figura poliedrike e At Fishtës, u botua fill pas vdekjes së poetit, në prag të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta, si një shenjë kujtimi e nderimi për të. Ai libër mjaft i rrallë e që mezi gjendej deri më dje, ishte një prej pikave kyçe për çdo studim rreth Fishtës, pasi shumë fakte dhe dëshmi të shkruara në faqet e tij, pothuajse mungonin në botimet e mëhershme apo ato pak të mëvonshme, pasi në vitet e diktaturës emri i poetit ishte i fshirë përfundimisht. Në prag të 70-vjetorit të vdekjes, i cili shënohet më 30 dhjetor 2010, botimet françeskanë me një kontribut të vyer në botimin e veprave të autorëve françeskanë, kanë sjellë edhe këtë vëllim të vyer. Është një botim anastatik, çka siguron ruajtjen e të gjithë elementëve të botimit të parë 100%. At Viktor Demaj, i cili është kujdesur për këtë botim të dytë, shpjegon me një parafjalë të shkurtër për lexuesit rëndësinë e këtij vëllimi me studime. "Është një vepër që përmbledh studime, ligjërata e kujtime për poetin At Gjergj Fishta, fill pas vdekjes së tij. Kjo përmbledhje studimesh na ndihmon që ta njohim më mirë Fishtën në të gjitha aspektet e krijimtarisë së tij; atë si meshtar, françeskan, krijues, studiues, polemist, satirik, dramaturg etj", - thotë At Viktor Demaj. Gjatë shfletimit të kësaj vepre të bie në sy personaliteti i madh i këtij françeskani, si dhe vendi i çmuar që ai kishte fituar te bashkëkohësit e tij. Autorët e shkrimeve të këtij vëllimi, shkrimtarët dhe studiuesit si At Anton Harapi, At Marin Sirdani, At Pal Doda, At Leon Kabashi, At Benedikt Dema, Gjon Kamsi, Kristo Floqi, At Justin Rrota, Ernest Koliqi, Kolë Kamsi, Filip Fishta, Jolanda Kodra, Norbert Jokl etj, i kanë lartësuar një përmendore të përjetshme At Gjergj Fishtës. Vepra është e ndarë në katër pjesë. Në pjesën e parë shqyrtohet portreti i At Gjergj Fishtës që nga origjina e tij, ditë e fëmijërisë, shkollimi, aktiviteti fetar, patriotik etj. Në pjesën e dytë analizohet veprimtaria e tij letrare e dramaturgjike. Pjesa e tretë e këtij vëllimi janë shkrimet dhe kujtimet për periudhën e ndarjes së tij nga jeta dhe lamtumirën e poetit. Ndërsa pjesa e fundit e këtij vëllimi pret gjykimin e shkrimtarëve shqiptarë e të huaj për At Gjergj Fishtën. Botimi është i pajisur edhe me ilustrime të rralla, poezi të poetit, dorëshkrime dhe imazhe nga kortezhi mortor, ditën e ceremonisë së lamtumirës...Botimi i kësaj vepre me dëshmi të rralla e fakte historike mjaft ngacmuese për çdo studiues e historian, do të gjejë tashmë 70 vite më vonë vendin që i takon, duke plotësuar gjithë atë hapësirë boshe krijuar për vite me radhë në studimet për këtë figurë madhore të letrave shqipe. Në këtë prezantim të veprës e në prag të 70-vjetorit të ndarjes nga jeta të At Gjergj Fishtës, kemi zgjedhur disa fragmente nga kujtimet e At Viktor Volajt, mbi ditët e fundit të Fishtës në këtë jetë.
.......................................
Ishin ditët e mbrame të vitit 1940. Data 30 dhjetor. At Gjergj Fishta ishte ndarë nga jeta. Pas 20 ditësh i sëmurë, fill pas mesnate, zemra e tij kishte pushuar së rrahuri. Për ditët e tij të fundit në këtë jetë, sëmundjen dhe vuajtjet fizike, ka dëshmuar në një shkrim të gjatë e të detajuar At Viktor Volaj, të titulluar "Smundja e Deka e A. Gjergj Fishtës". Ai rrëfen se Fishta kishte shprehur dëshirën të shkonte ca ditë në Troshan e mandej edhe për një vizitë tek të afërmit. "Due me shkue e me kalue disa dit në Troshan e mandej me shkue nji herë edhe në shpi e me pa të mijt, pse s'kam ken kah mot". Volaj tregon se pak ditë përpara Fishta kishte përfunduar "Mbretneshën e lulevet", punim që siç thotë Volaj "ai e pat fort për zemër, e rreth të cilit punoi me vjet e vjet". Pikërisht atje në Troshan më 10 dhjetor sëmuret. Rëndimi i sëmundjes sa vjen e i shtohet. Volaj shkruan se "…të premten me 13 dhjetor 1940, sëmuret për vdekje. Lyp sakramendet e i merr të gjitha me përkushti me mende akull, si nji qi e din se asht tue u da këso jete. Lypë Provinçjalin P.Çiprian Nikën, P.Pal Dodaj e të nënshkruemin (At Viktor Volaj)". Pasi i përshëndet miqtë e tij, iu thotë: "Jam tue dek i qetë, pse kam punue me të drejtë për fe, atdhe e Provinçë e këtë porosi po jua la sidomos moshës së re, qi t'punojnë edhe ata mbas këtij programi".
Fill të nesërmen kishte mbërritur në Shkodër lajmi i sëmundjes së tij. Dhe e kishin sjellë në spitalin e Bashkisë. At Volaj tregon më tej se të nesërmen kur e kishin vizituar në spital, At Fishta e kishte kaluar rrezikun e sëmundjes. "Ishte mjaft mirë. Mbi fytyrën e tij të lodhun kundrohej rreziku i shpëtue. Kujtova nji mend se po des, - na thotë, - menden e kishem akull, pse nuk kishem ethe, por zemra s'më punojte. Kam dijtë gjithshka. Sidomos kur pashë mjekun qi po kjate, e pash se jam n'mbarim…", - kujton Volaj fjalët e Fishtës atë ditë të ftohtë dhjetori në spitalin e Shkodrës. Pas këtij rasti, Volaj tregon se gjendja shëndetësore e Fishtës po përmirësohej dita-ditës. Por s'vonoi, dhe sëmundja ngriti krye sërish. Volaj kujton se më 22 dhjetor të atij viti kishte rënë dëborë në qytet. Fishta ishte ngritur nga shtrati e kishte dalë të sodiste dëborën në dritare. Por duket kjo kapriço do i kushtonte shtrenjtë. Volaj kujton se e kishin gjetur atë ditë pranë stufës duke u ngrohur e vetëm pas gjysmë ore ishte ankuar për një dhimbje që ndjente në të majtë. "Ne, me të vërtet s'na merrte mendja kurrkund se ajo dhimbë ishte nji simptom i rrezikshëm".
Të nesërmen mjekët kishin konstatuar një polmoni të lehtë, e cila me kalimin e orëve erdhi e iu rëndua. Më datë 25 dhjetor kishte mbërritur nga Tirana një mjek për ta vizituar. Ai kishte deklaruar gjendjen e tij të rrezikshme e pa shërim. Volaj dëshmon se të premten më "27 paradite smundja iu randue. N'atë ditë u pa se gjendja ishte me t'vërtetë e pashpresë. I kje ba nji telegram shejtnisë së tij Papës prej provincjalit tue lyp per te bekim apostolik. U rrëfye edhe një herë për dek…" Në kujtimet e tij A.Volaj tregon se atë ditë, ndërsa i kishte shkuar për vizitë bashkë me një shok të tijin në spital, Fishta i gëzuar për praninë e tyre i kishte thënë se kishte disa porosi për të. "Ia nisi të na këshillojë dashuni vllaznore e bashkëpunim pa u kursye, mbas tradicjonit të provinçës për Fe e Atdhe. U ndal nji grimë. Mandej nisi të çekë rregullimin e mbajtjen e bibliotekës e të muzeut, por s'mujt me vijue ma gjatë e kputi fjalën tue thanë: "Por jo; sot nuk po mundem, ndoshta as nesër nuk kam me mujt…!".
Volaj dëshmon se ato ditë Fishta kishte nisur të druhej së tepërmi për gjendjen e tij shëndetësore. Më së tepërmi druhej për zemrën. Por siç thotë Volaj, "më se një herë e pakërka pas cekë në jetë të vet se do të vdiste prej polmonitit, kurdo qi t'i vinte dita".
Të dielën më 29 dhjetor, qysh paradite ishte konstatuar se gjendja ishte kritike dhe pa kthim. Kishte kaluar një javë që nga dita kur kishte marrë polmoninë. Mjekët i bënin injeksione pareshtur për të mbrojtur zemrën. Deri në mbrëmje, njerëzit që i shkonin për vizitë, herë i njihte e herë jo. E diku afër mbrëmjes nuk kishte mundur të fliste më. Mandej ca çaste kllapie, si një endje mes dy jetëve.
Volaj shkruan këto fjalë për çastet e fundit: "Mbas nji ore kthyem në kuvend tue lanë në rojë A.Antonin Fishtën e A.Sebastjan Dedaj. Ai kishte ra si në gjumë; sytë tashma i kishin vu si perde e mezi i çilte, kambët kishin nis me iu ftof, randimi i të marrunit të frymës tue iu shtue. Megjithëkëtë nuk na e merrte mendja se ajo natë do të ishte ma e mbramja për të...". Volaj tregon se në atë gjendje, më shumë i fjetur se zgjuar, kishte vijuar deri në orën 00:35, kur papritur e pa kujtuar, i tronditur prej një sulmi kardiak i kishte dhënë fund përpjekjeve të atyre momenteve të vështira. Në orën 00:45, Fishta ishte shuar.