E premte, 02.05.2025, 08:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Sh. Berisha: Muza e dhembjes (VII)

E merkure, 22.09.2010, 09:30 PM


Ali Sh. Berisha

 

Muza e dhembjes 

 

Thirrma e atdheut

(Xhevë dhe Fehmi Lladrofcit)

 

Thirrma çanë tokën pash më pash

- Pashë jetën që ua dhashë

Ndihni nënën mos t’vdes tash

Ndihmë e vetme vullneti juaj

Të flijoheni që më mos të vuaj

 

Nga na vjen kjo vigmë

Përplot drithma e përplot cigmë

Që shkund malet e trand detin

Që ngrinë lotin e çmend poetin

Që nxit djemtë të lënë kurbetin

 

Ec moj Xhevë ma vesh flamurin

Drejtvendlindjes s’e ndali turrin -

Ku do të shkosh pa mua t’raft pika

Besën kemi Fehmi t’jemi bashkë

Në ditë të mira e në ditë të liga

 

Trandet deti o malet gjëmojnë

N’prehër t’nënës shqipet fluturojnë

Pranë varreve të të parëve ndalojnë

Xheva e Fehmiu bukur shenjojnë

Dhe qizme krimi ashpër qëllojnë

 

Jehojnë fushat e jehojnë malet

Valle lirie nisin shtojzovallet

Bijnë dëshmorët lulet çelin

Vesë e lot mëngjeset vjelin

Që ne sot ta përqafojmë diellin

 

 

 

Rashë por s’vdiqa

(Dëshmorit Sali Çeku)

 

E ndjeva atdheun nëpër damar-

Kush e ndien veten shqiptar

Ja sot ja kurrë

 

E zemra ime tha -

Paj atdheu kërkon gjakun e vet

Andaj do të më ketë

 

Priva të shemb

Vendimet e Parisit e Londrës

Që kishin copëtuar djepin tim

 

Mbollëm lirinë kur robëria korrte

Dhe rashë po s’vdiqa

Se u përlinda në granit

 

 

Rashë që atdheu të ketë diellin

Qiellin të kthjellët

Dhe tokën më të blerët

 

Rashë në altarin e lirisë

Shqipja lirshëm të fluturojë

Me zogjët e saj mburojë

 

 

Qëndrova muranë

 

Dy mijë vjet më ropën tiranët

E më shtypën dushmanët

Dy mijë vjet muranë qëndrova

Dy mijë vjet dhembjes i këndova

Dhe ja – më shihni gjallë

 

Edhe pak do të nisi këngë tjetër

Për diell e jo për mbretër

Që ta ndiej rrafshi-boka-koka

Që ta ndiej edhe nëntoka

Se dimë të ecim ne – bijtë e saj

 

Muranë qëndrova e muranë do jem

Plagë shëruar – krejt bedem

Që tiranët mos t’m’i përkasin

Që dushmanët mos t’m’i vrasin

Zogjtë e mi që s’flejnë.

 

 

Po zgjohen yjet e fjetur

 

Yjet e fjetur po zgjohen

Në këtë sy pranvere

Me zingjir të këputur

Me flakadanë të ndezur

Të shkelqejnë si diell

Të trazojnë djajë e lugetër

Të shuajnë etjen e vjetër

Farë e zotit për të mos u zhdukur

Nga Kosova jonë e bukur

 

 

 

Pse

 

Pse e lakmon yllin

Kur je vetë shkëlqim

Pse e lakmon lumin

Kur je vetë burim

 

Pse e lakmon diellin

Kur je prushi vetë

Pse e lakmon detin

Kur syrin e ke det

 

Pse e lakmon ylberin

Kur në ngjyra të tij je shkrirë

Pse dëshiron pranverën

Kur je lule erëmirë

 

 

 

Ditar

 

Tek muzgu binte

 

Dy sy të përlotur ia lash Shocahut

Tek muzgu binte

Në natën e gjatë të Shtutgartit

Në natën e ankthit

 

Mes pikturave në katin e pestë

Dy sy të përlotur më përcjellin

Me shkopin e dhembjes bri lumit

Tek shoqëroj Skënderbeun

Dhe Shaban Polluzhën në ep

 

Në ditarin tim kanë zënë vend

Sytë e përlotur përzier me muzg

Që përpirë m’i ka

Terr i Horkhaimit

 

26.12.2006

 

Kafshatë mëngjesi

 

Nga makina e nxora bukën me lot

E ula në mëngjesin e piktorit

Para kishës mbllaqitem

Që të më shoh edhe zoti

Tek sorollatem nëpër Ulm

Duke ngarkuar amanete të kurbetit

Për t’ia shpënë Kosovës

Në shoqërim të dhjetorit të thatë

Të lotit që ka ngritur nivelin

E lumenjve të Gjermanisë

 

27.12.2006

 

 

Natë

 

Makina çanë gjerdan xixëllonjash

Që t’jemi pjesë e Jugut

Fushë yjesh lëmë prapa Mynihut

dhe vrapojmë kah Insbruku

U hyjmë alpeve për këput t’i çajmë

Dhe ato na përcjellin me freski

Aq të domosdoshme për piktorin

Aq të nevojshme për mua

Shtangur para syve të përlotur

Tashmë mbetur shumë larg

 

 

Ku mbeti Verona

 

Nga terri pason në mjegull

Tatpjeta për në Bolonjë

Mbytë në shi ku mbeti

Gjulieta ime e përlotur

Që syve të piktorit i nxjerr

Peisazh të blertë me dele

Sipër kodrës mbi lumin Po

Që bardhësinë e mbyt në Adriatik

 

Sërish peisazhi i ëndrrave zbret

Në qepallat e piktorit me Venecinë

Dhe gjumi kërkon ta kafshojë -

Unë e përkundi piktorin

Në mes mjegullës dhe shiut

Pa fije dielli

 

28.12.2006

 

 

Ne ikim

 

Tashmë shoh valët e Adriatikut Dhe romakët e Cesarit

Ne ikim kah juglindja

Shpejtojmë kah Kalabria

Andej nga shkelte Spartaku

Vraponim nga kishte shkelur Këmba e Pirros dhe Skenderbeut

Vraponim nga shkonin venecianët

Për ta shijuar hardhinë e Arbërit

Që të mos na shkilte mesjeta

 

29.12.2006

 

Kur do të arrijmë

 

Piktorit shpesh ia laj sytë

Ia hap dritaren e freskut

Ia drejtoj timonin

Ia tregoj një faqe histori

Për kohën në ikje

 

Sa do të na shoqërojë mjegulla

Kur do të arrijmë në Bari

Kur do të pushojnë lotët

Që vijnë nga Horkheimi

 

 

Dremitje

 

Para nesh shfaqet syprinë e kaltër

Dhe Bari tek freskohet në të

Po ëndrra jonë  do Durrësin

Kurrësesi Athinë e Tivarin

Piktori ngjyrosë kaltërsinë

Me brigjet e Shqipërisë

 

Eh piktor

Ku ke parë të lihet

Shoku i vuajtjes n’gjysmë të rrugës

Dremitim natën për ditën që vjen

Nën gjëmëvalësh që rrahin brigjet

Nën neonët e ftohtë të qytetit

Dhe yjet që peshqit shoqërojnë

Kur në qiell s’ka re

 

 

Në filxhan shi

 

Gërryejnë zorrët kalldërmin

Shtëpitë e vjetra lidhë me ura

Fytyrat që s’fshihin imagjinatën

Dhe brushën ngjyer në sytë e mi

Teksa këmbët rraptijë vrazhd

Dhe shkruaj poezinë

E pritjes për ta kaluar detin

Razalia me lotë nxitë celularin

Që të heshten valët e piktorit 

Dhe vesh të zë zemra ime

Tek mbushet filxhani me shi

Në restoranin e portit

Pa ditë të thahet asnjëherë

 

Lidhja këputet

Si me zhilet heshtja pret

Fytyrën time kaltërsi deti

 

30.12.2006

Përsëri natë

 

Anija greke gëlltitë para mesnate

Vetëm fjalorin e shqipes

Llokoqitë kaltërsinë e kriptë

Shkëlqimin e dhembjes

 

Në kuvertë pos kafesë

Pijme storien e varjes së Sadamit

Teksa sytë gaprrojnë qindra njerëz

Piktori nxjerr sytë në ekran

Unë mpreh lapsin e vargut

Dhe shpreh gulçimën e motorëve

Tek çanin barkun e Adriatikut

Derisa dritat e qytetit humbnin

Në qetësinë e Abisit

Unë bëhem stërkalë në valë

 

Nga lart shikoj syprinën e detit

Që brend fsheh shqipet e kurbetit

Plisat klandestinë të përpëliten

Klithmat heshtura në të dy brigjet

Piktorin tek fle mbi pëlhurë

Dhembja pëlcet

Loti më përplaset në det

Fytyrë e Razalisë atje e pret

 

Qëndroj çiçërr në kuvertë

Të vjedh pamje tek shqipja

Krahët hapë në bregdet

Agu tek e bjerr velin

E qielli të tregojë diellin

Shtatin e mugët të tokës arbërore

Durrësin t’i lahet natës dimërore

Tashti ndjehem tek bëj benë

Se edhe për pak çaste do të jem

Aty ku Mujo Kapedani ka folenë

 

 

 

Ngrohtë

 

Tremb pulbardhat tej në det

Trajekti që zë hark e pëllet

Si një muzat ndalet avash

Që ta lidhin me litarët e trashë

 

Tashmë zbresim në tokën arbërore

 

Ngrohtë dhe fare pa lodhje

Porse sypërloturën në gji mbaj

Bashkë me bukën e saj

Dhe tek vrapojmë për në Tiranë

Zë e çukiti si një zog i vrarë

Pastaj kah Lezha shpejtojmë

Ta kem më afër Shkodrën zonjë

 

31.12.2006

 

 

Brusha magjike

 

Piktori ngjyen brushën me magji

Thërret - Kjo është Shqipëria 

Zgjuar tashmë nga letargjia

Kthyer në dritë pas një shekull nate

Me Gonxhen shkrirë n’mermer

Tek përcjell kah Puka

Ngrohtë e me verë

Me plisin nga Fusharrëza ngjitemi

Bjeshkëve gjithnjë ngjitemi

Si të ngjiteshim drejt qiellit

Pastaj kalërojmë sipër tyre

Siç kalëronin krashnikët në balada

Me hingllimë në legjenda

 

 

Në një rogë

 

Në një rogë marrim frymë dëllinje

Me sy kafshojmë bardhësi Alpesh

Me krenari e dhembje

Lahutën e Malcisë

 

I thërrasim Pukës t’i hap dyert

Për mallin e flaktë n’përqafim

Ndaj biçikletës së Migjenit

Dhe Lulit të Vocërr

Me strajcën plot shkronja

E troha buke

 

 

Një plis i ndarë në dysh

 

Plisi ndalet në Fusharrëz

Me dorën e zgjatur kah Kukësi

Ne iu hyjmë arterjeve ëmbël

Për për në karaullën gjembaçe

Që i vuri Evropa plakë

N’meshliset e Londrës e Parisit

Për të ndarë përgjysmë një plis

Njërën për ta zezuar n’shajkaqe

 

Arrijnë gjysmat që flasin shqip

Njëra tek e zbukuron ylberin

Tjetra tek e ndërton qëndresën

Dy orë para ndërrimit të motmotit

Tek fshijnë lotët e këndojnë

Baladën për Gjergj Elez Alinë

 

 

Kur gjaku gjakun përqafon

 

Në Morinë gjaku im përqafoi

Të dy pjesët e plisit të bardhë

Pastaj u zvarritëm nëpër muzg

Hijes së Abdyl Frashërit bri lumit

Në përqafim të erës së lehtë

Të trupojmë përmes hardhive

Prishtinës t’i falim lotin e mallit

U zvarritëm zik-zaket e Dules

Nëpër kanjonin e Caralevës

Që të na presë Ahmet Shtimja

Dhe të na përcjellë me porosi

Drejt Kasovës për ringritje

Drejt gjurmave të Ulpianës

Në pikturat e heshtura të piktorit

Ku kanë zënë të kryqëzohen plagët

Nga thikat që këputën ëndrrat

 

 

Pa protokoll

 

Dritat hapin në errësirën e natës

Dhe ne si nëpër tunel vrapojmë

T’i futemi në gji Prishtinës

Në çastet e fundit të vitit që po ikë

Pa fshirë krenarinë e dhembjes

As portokollin e kushtëzimeve

Që Kosovën në ethe mbajnë

 

Fyshekzjarret qëndisin Prishtinën

Sytë e mi të qullur për Razalinë

Shtrij duart të arrij cepat e saj

Nga njëri në tjetrin skaj

Me zjarrin e dashurisë

Mbledh grusht Kodrën e Trimave

Nëpër sheshet e çmendura

 

Piktori një pikturë Arbërie më fal

Me ngjyrat që s’heshtin po klithin

Në përqafim me Flamurin

Me Shqiponjën dhe Iliridën

Me Marigonën dhe Fortesën

Me Herolindin që lotin ma fshinë

Tek rrëshqet mollzave

Të mallit e dashurisë

 

 

Zëri i tokës

 

Tokë e Arbërit Herolind’

 

Që Flamuri i lirë t’valojë

Që Shqiponja krahët t’i zgjërojë

Që Marigona pajë Nëntori të lartësojë

Që Ilirida nën hije t’Sharrit të rrojë

Që Fortesa e fortë t’qëndrojë

Tokë e Arbërit Herolind’

Në çdo pore e çdo ind

 

 

Do të jetoj në flamur

(Atdhetarit Arif Shala vrarë nga OZN-a)

 

Me aromë Lulegjaku të ushqehen

Ashta e rrashta derisa të dehen

Plisin secili lis ta bartë

Idhtë kur është ajme gëzim

Se lidhet gjaku n’trashëgim

Shota dhe Azemi

Amanet Shabanit ia lanë n’kullë

Arif Shalës ngjizë në abetare

Që miopëve t’iu hap dritare

T’u bëhet prush për liri

Dhe vuri shpatullat u ngrit Goleshi

Me një dëshirë sërish amanet

I vrarë po por i vdekur kurrë

Përherë gjallë në flamur

 

30.10.2006, Heilbronn

 

 

Diell mbi vetullë

 

Diell mbi vetullë

Hënëskalitur nën sqetull

Natën e Shëngjergjit ke lindur

Magjitë s’të mbajnë dot lidhur

 

Dashurinë ke qëndisur në sy

Për urrejtje as që di

Në qepalla të fle ora e kroit

Dhe në gushë uji bilur i përroit

 

Thanë e unë vrapova si era

Nëpër blenjtë e flokëve tu ndeva

U bëra shkëndi që flakë merr

Në datëlindjen që s’shterron

Por gjithnjë etje rishton

 

Tash bashkë festojmë një ditë maji

Me këngë pa shfrim kuje e vaji

Ndoshta pse Shëngjergjit ke lindur

Dhe magjitë heshtin për tu grindur

 

Horkheim, 3.5.2007.

 

 

Sa herë kthej te Valoni

 

Sa herë kthej te Valoni

Pi expres kafe

Shikime të përgjumura

Emblemë të shqiponjës mbretërore

Mbirë në fasadën e gurt përballë

Bashkë me statujat e hekurta

Roje para katedrales muze

 

Ndoshta kthej te Valoni

Të pi edhe pak lotë të çunit

Mbi tavolinën e kaftë

Tek më bën shoqëri

Ndoshta pse ia dua sytë

Qëndisur me rreze dielli

 

Ndoshta kthej te Valoni

Të përcjell blerësit e antikiteteve

Shkëlqimin përbuzës të graniteve

Që qëndrojnë nën takat e mprehta

Si gozhda në tamtha

Në shetitoren e etjeve të pafundme

 

15.I.2008.

 

Ku më ikët

 

Ku më ikët dallëndyshe

Porosinë ku e latë

Çfarë inati u trembi

Kush u çortoi

Kush në erë u fërfëlloi

Ende pa marrë krahët

 

Ku më ikët e tretët

Bukuroshet e lotit tim

Çfarë zemre u ndoqi

Që të mbytem në pikëllim

Hajde shfaquni sërish

Mallin t’ma hiqni

 

Ju ikët ndoshta në erë

Pa pendë e pranverë

Mbeta t’ju kërkoj mes letrave

Që belbëzojnë ajkë

Edhe në shportën e qoshes

T’ju gjej kërkoj kot

As dje e as sot



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx