E premte, 07.06.2024, 07:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Kosovës

E enjte, 23.09.2010, 09:11 PM


Poezi nga Mihal GJERGJI

 

Kosovës

 

Ta trembën gëzimin e fëmijëve,

po ëndrrat dot s’t’i vranë

Stefanët

Dushanët...

Çetnikët me Kryqet bajoneta.

 

Bota ta vodhi qetësinë,

si floririn e dheut tënd,

gëzimin ta shteri.

Tokës i dhembin brinjët nga çizmja e huaj,

t’u përbalt nderi aq i çmuar.

Buka jote,

mbrujtur me kripën e lotëve njëqindvjeçarë,

bujari për nofulla barbarësh.

Mua më dhemb zemra,

gjoksi më ther nga marazi.

 

“... Kosova me botën brenda,

Kosova pa botën,

Kosova më vete...!”

 

Të dhanë lirinë

ata që dje të kryqëzuan,

e sot të bien në gjunjë për ç’gabuan.

Ku është bota vallë?!

Në detin e gjerë të Nënë Terezës

pasqyrohen kokëposhtë mbretër e perandorë.

Ajo vazhdon të falë dashuri njerëzore.

Bota!

Mos kërkon të ngjizë Statujën e re të Lirisë

në barkun pjellor të Mitrovicës?

Pastaj t’ua falë perëndive

në këmbim të zjarrit?

 

I thoni një poeti të më ndihmojë

të flasim me hënën,

të derdhë mbi Kosovë dritën e argjendtë

t’i zbukurohen plagët.

Ujkani,

e di, do më dëgjojë.

 

Mbi bustin e Jasharit,

një shqiponjë tund krahët,

po nis fluturimin.

(Besoj pa firmën Ah-ti-sa-ri !)

 

Prishtinë, shkurt 2008

 

 

Ëndërr

 

Në radhë të gjatë përse jam ndodhur?

Pres për një vizë në tokën greke,

malli për nënën më ka lodhur,

si gur të rëndë e mbaj me vete.

 

Qemer i portës ku do futem

si pllakë e varrit rri mbi shpinë,

në ç’gjuhë policit do t’i lutem

se nuk ma duan Shqipërinë?

 

Një fletë-kërkesë si fletë-arresti,

për njëqind breza do xhevap,

në pasaportën që jep shteti

vula e zezë si një mandatë.

 

Siç vajta-kthehem, flas me vete,

dremitja ma ka lidhur hapin.

Mbyll sytë e nisem nëpër shtete,

te gjiri i mëmës e mbaj vrapin.

 

Në humbëtirë të gjumit tim

shikoj një grek me urë të zjarrit,

në dorën tjetër një qefin,

në kokë kapelën e andartit.

 

Dua ta shemb, mirëpo nuk mund,

një lak Evrope rri te këmba.

Mbi kokën time thikën tund

një serb me trupin gjemba-gjemba.

 

Gjëmon një zë që s’paska frikë,

qenka im gjysh nga gropë e varrit:

“Kujdes me serbin, s’bëhet mik,

as greku poshtë me urë të zjarrit”.

 

Mbytem në djersë, më zgjon im bir,

ajo që pashë ishte një ëndërr,

shqiponja rreh të çajë e lirë

dhe korbi vjen te ne si dhëndër.

 

Athinë, 2007

 

 

Pamje

 

Rritet Tirana,

Dajtin ka jastëk, mbështet kokën pa formë

me flokët përzier baltë e pluhur,

mesit shtrëngon një rrip betoni,

si prostitutë,

në trup mbijnë pallatet, si çibanët,

s’kuptohet, është paqe apo luftë…

Njerëzit,

poshtë tyre, si milingonat nxitojnë,

pikëllohen të mbeturit pa strehë e atdhe

dhe nga dimri në dimër gjysmohen

e treten anonimë…

 

Vetëm pushtetarët ngjallen e shtohen,

dashnorët e hershëm të Tiranës.

Ajo,

nga sherret e lodhur,

mes shalëve,

shtrydh lumin e qelbur të Lanës.

 

 

Dhjetor i acartë

 

Çapitet dhjetor i acartë,

i akullt, i frikshëm, i zi...

Dhe mua një sulm i kristaltë

së larti më futet në gji.

 

E lë hijen time në vatër,

furtuna më shtyn si e marrë.

Si mbeta vetar e pa çadër

e shiu më mbyt me litar?!

 

Me hapin çapraz sipër baltës

një qen më nuhat e më ndjek,

bashkohet me hijet e natës

dhe nata ka mbyllur çdo shteg.

 

Me shpresën se nesër stuhia

më nxjerr në limanin e ri,

pak diell për ditët e mia

kërkoj e kërkoj përsëri..

 

 

Duke pritur

 

Sa gjatë e priti... S’erdhi djali,

në prag të vdekjes prapë e pret,

më flasin lotët prej kristali

se ajo s’mundet të flasë vetë.

 

I njomen faqet manushaqe,

më flet me sy e psherëtin,

e buza buzën pjek në paqe,

e brenga shpirtin po ia grin.

 

Ai nuk erdhi... Dhe te varri

t’i ndezë qiriun prapë e pret,

se nënës zemrën ia djeg malli

e dheu trupin nuk ia tret.

 

Dhe Zoti lart si dëshmitar

vështron nga jeta plot mërzi.

E ç’plagë tjetër mund të marrë

një nënë që djalit i dha gji?

 

Marrë nga vëllimi poetik “Shpresa të thinjura” i autorit Mihal GJERGJI



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora