E shtune, 27.04.2024, 10:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Agim Shehu, poeti i fjalës homerike

E marte, 13.07.2010, 09:44 PM


Agim Shehu, poeti i fjalës homerike

 

Në brazdat e thella të mendimit intelektual

 

Nga Mihal Gjergji

 

Jam menduar disa herë të shkruaj rreth poezive të zgjedhura të Agim Shehut. Heshtjen e ka pasuar një lloj ngurimi. Dhe kjo nuk vinte si rezultat i mungesës së  njohjeve për gjuhën e artit të përdorur nga krijuesi, për fuqinë jetëdhënëse të folklorit të cilin ai e ka shfrytëzuar mjeshtërisht, për çështjet kombëtare në art dhe qëndrimin konkret nga ana e tij, për ndjenjat dhe arsyen në vargjet lirike, për... Tjetër gjë më bënte të stepesha. A do arrija t’i qepja një kostum kombëtar këtij monumenti të gjallë të poezisë shqipe ?! Nëse po, si do ta merrja masën, po “copën”, po ngjyrat, po fillin, po...Megjithëse qëndrojnë denjësisht krah njëri-tjetrit; Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Agim Shehu, Koçi Petriti, Ismail Kadare e të tjerë poetë të çmuar që s’mund ti përmëndim në një analizë të shkurtër, seicili ka portretin e vet të skalitur përmes fjalës poetike që ka krijuar. Sa herë që përmendet emri i Agim Shehut, në mëndjen e çdo lexuesi të shkolluar, menjëherë ringjallet e merr trajtën njërëzore  Selam Musai, të cilit, poeti i dha përjetësinë e legjendës. Askush s’ka guxuar të shkruaj më për heroin tepelenas pas kaq shumë vitesh. Dhe kjo e ka një spjegim: do të ndjehej shumë i vogël përballë përmendores që ka ngritur Agim Shehu. Kjo baladë, me siguri që do ishte prologu ose epilogu i çdo libri të shkruar për heroin tepelenas.

“Flaka nëpër duar

 me rrëmbim të futej

 gjalmi rreth dyfekut

 dridhej mos këputej”

Dhe në vënd të vizitorëve të munguar ( poeti sikur e ka parandjerë!) heroit i bën shoqëri natyra: ”...Ashtu, retë nga mali/ që gjëmime sjellin/ posi iso labe / vinë të mbështjellin”. Nëse dikush kërkon të njohë shqiptarin e viteve të luftës; gjëndjen ekonomike e shpirtërore, veshjen , atdhetarinë ( që sot pothuajse është venitur!), le të lexojë “Shollët e xha Salikos”, të këtij personazhi tipik të pakrahasueshëm, që falë mjeshtërisë artistike të autorit dhe mesazhit që përcjell, u vlerësua aq shumë sapo u botua dhe u fut menjëherë në tekstet shkollore  edhe pse  Salikos i mungonte titulli i “heroit”. Cili krijues s’do dëshironte që këtë personazh ta kishte të vetin?! Cili nga heronjtë e Homerit s’do ta kishte zili këtë luftëtar shqiptar?! ”Shollëve si të tuat/ s’u gjindej nishani/ meshini nga Duçja/ telat nga “jermani”. Ky mjerim s’e pengonte luftëtarin e atyre viteve që përpara Atdheut ta harronte vetveten dhe ti sulej hasmit, sepse Atdheu s’mund të shitej, as mund të blihej, ai vetëm trashëgohet:

“Po ti iu vërvite

 se s’të priste puna

 plumbat nëpër këmbë

 këmbët përmbi plumba...”

Ç’farë mrekullie! Po kaq e fuqishme është edhe “Ikja e Ismail Qemalit drejt Atdheut”. Mëmëdheu ishte thinjur nga robëria, burri i Vlorës nga pritja e gjatë,  toka nga hallet. “Hap i parë mbi dallgë/ si një mal mbi det/ ktheheshe drejt Djepit/ me sy nga rrufetë”. E në këtë rendje për të ngritur flamurin, tok me të gjallët, plakun e mënçur e shoqërojnë e i hapin rrugën edhe zërat e  luftëtarëve të vrarë : “Mos, thotë Tafil Buzi/ udhën mos ia pre/ se vij me gjithë varr/ të bëj kallame”. Poeti sjell edhe zërin e trimave të Kurveleshit me aq emër në histori:”Mos, klith Asllan Kuca/ lermani tim bir/ se dhe kokëprerë/ vij e ju bëj fir”. Sigurisht që s’do ndalem në gjithë poezitë e përmbledhjes, megjithse janë interesante dhe njëra më e çmuar se tjetra . Jo vetëm kaq, por brënda saj janë poezitë e dhjetë  librave , duke filluar nga “Horizont i kaltër”, duke vijuar me “Vite pa thinja”, “Vallja e kalldrëmeve “,  “Gurra e fjalës”, “Mbrëmje” e duke përfunduar me botimin e fundit “Loti alpin”.

Poezia lirike e Agim Shehut e ndërtuar me ndjenjë dhe mendim të fuqishëm, me ritëm, rimë dhe muzikalitet të veçantë, njihet gjerësisht nga lexuesi  edhe jashtë kufijve. Brenda saj është magjikja-gurra popullore, historia dhe malet shqiptare . Përballë kësaj poezie, lexuesi ndien një rritje brenda vetes, një krenari për fatin e të qënit shqiptar, fisnikërohet, qëndron si mes heronjve. Ndjenja kombëtare e përshkon krijimtarinë e poetit nga fillimi në fund, si nervi që përcjell dhimbjen në gjithë trupin. Do ndalem pak vetëm te dy poema; e para është “Poema e mërgimit”. Kjo poezi ka shumë brengë, trishtim dhe  vargje  tronditëse. Të kujton ligjërimin lab. Fisniket shamizeza s’vajtojnë vetëm atë që ”ikën”, por edhe fatin e atyre që mbeten prapa:

 ”Fluturoj në veri-perëndim

me sy nga hapsirat e Ilirisë

në veshë më trokasin gozhdët e arkivolit

që Athina i bën Shqipërisë”

Poeti largohet nga mëmëdheu duke marrë me vete bashkë me fatin e hidhur edhe legjendat pellazge që nëna ia mëkonte te djepi. Duke lexuar këtë poemë,  nuk e di pse mu kujtuan vargjet e Fan Nolit nga poezia: ”Jepni për nënën”, në të cilën shkruan: ”Cilët jan’ ata tiranë/ që të pren’ e që të vranë/ që të therë bij e bija/ dhe t’u nxi, t’u mbyll shtëpia?”.

Dramat përsëriten. Njerzit e mëdhenj qënka e thënë që të kalojnë përmes rrathëve të ferrit. Ndërsa “Bisedë me rubairat” është një kryevepër e poetit tepelenas dhe e fjalës poetike në tërësi. Brenda saj flet bota e pasur e mjeshtrit krijues, fjala e fuqishme e intelektualit, dhimbja e shqiptarit të mërguar nga dhuna, një shekull pas Fan Nolit. “Më jepni një dhembje, t’ju jap një kryevepër”-i tha Shopeni, një mikut të tij kur ky i fundit e pyeti se pse e keni lënë mënjanë krijimtarinë, -ndërkohë që kompozitori i madh lumturohej rrugëve të Parisit me Zhorzh Sandin. Ndërsa bashkatdhetarët e tij, poetit të tyre i shkaktuan jo një goditje të vetme, por një dhimbje të gjatë e të madhe, e cila shpresoj që ta ketë një fund. Dhe Ai na dhuroi këtë kryevepër: “Hoqa aq vite mynxyra të tëra/ për faje që i bëra e s’i bëra/ e s’e mendoja, kënga e rinisë/ të kthehej gazavaj në shtatë zëra!” Jeta e poetit kryeneç ka kaluar nëpër kalvarin e gjatë të dënimeve . E përsëri poeti shprehet me fjalët fisnike të Kutelit:” Atdheu është Atdhe,  edhe kur të vret “. Sigurisht, s’mund ta identifikojnë veten me Atdheun dhe as ta përfaqësojnë denjësisht atë, disa njerëz, qofshin këta të veshur me petkun e “shërbëtorit” të Perëndisë a politikanit të lartë, kur truri i tyre është shëndërruar në dhomë torturash ndaj kundërshtarëve, madje edhe kundër shenjtorëve, krijues me titullin e lartë të poetit. Ata nuk e dinë që boja e poetit dhe gjaku i martirit ndihmojnë njëlloj në betejën e përparimit. Atdheu është i brezave , prandaj poeti shkruan:

” Brezat që ikin e brezat që vinë

kur kënga ime t’u trokasë shtëpinë

te zëri im do të shikojnë vallen

zgjatur nga Mitrovica në Janinë”

Vargje brilante të një poeti të shquar, por edhe të një shqiptari të madh. Bisedoja një ditë tetori të vitit të kaluar me poetin Dritëro Agolli në shtëpinë e tij. Flisnim për poezinë. “Agim Shehu është vërtet një poet i madh “- më tha fisniku nga Devolli. Më erdhi mirë që krijues të permasave të tilla si Dritëroi të kenë edhe vërtetësinë ( si vlerë) brenda medimeve të tyre . Të gjëjtën gjë shprehin në biseda konfidenciale krijuesish edhe Xh. Spahiu, K. Petriti, P.Taçi etj , mirëpo këto fjalë tavolinash treten sapo janë thënë, ashtu si angazhimet e parealizuara të kritikës. E nxënësit tanë në shkollat e të gjitha niveleve, s’u dinë as emrat poetëve e prozatorëve tanë të mëdhenj, jo më veprat e tyre. Nuk njihet as krijimtaria e mrekullueshme e shumë fabulistëve të talentuar. E trishtueshme, por e vërtetë. Ministria e Arsimit nuk ka politika konkrete për edukimin e ndjenjës kombëtare. Hartimi i teksteve shkollore është shëndërruar në bisnes.Të gjitha këto më mundonin para se të filloja të shkruaja këto rreshta.

Në këtë dualizëm mendimi më erdhi në ndihmë shkrimtari dhe psikoanalisti amerikan H.G.Watson. Në një nga librat e tij kisha lexuar për fatin e kompozitorit të madh Xhorxh Bize. Meqënse muzika dhe poezia ushqehen nga i njëjti burim shpirtëror, e shikoj me vend t’i’u rrëfej një të vërtetë të hidhur. Për operan Karmen kritika ju vërsul muzikantit duke e përcaktuar muzikën e tij “ të pakuptueshme...”( ashtu si mendimet e Agim Shehut për problemet kombëtare). Një mik i tij, e përgëzoi dhe deshi ta qetësonte nga revolta e brëndëshme që e mbërtheu, por ishte e kotë.  Frederik Niçe ishte ndoshta i vetmi i asaj kohe që e kuptoi. Kur njohu partiturën e Karmenit thirri i entuziazmuar: “... Ja një që ka kuptuar nevojën për ta bërë madhështore muzikën. Përballë kryeveprës së këtij kompozitori, bëhët kryevepër edhe vetja jonë. Kurrë nuk janë dëgjuar mbi skenë theksime më tragjike e më të dhimbëshme. Si janë krijuar? Sa zili e kam Bizetin që ka pasur kurajon për këtë ndjeshmëri që deri tani nuk kishte gjetur shprehje në muzikën Europiane të qytetruar...” Fjalë të shkëlqyera, por me vonesë, sepse kur janë shqiptuar, i mjeri Bizet, i vrarë nga hidhërimi, prehej në një nga varrezat e Parisit...

Gjëndja shpirtërore e poetit pasqyrohet në poemën e mrekullueshme “ Bisedë me Rubairat”. Kjo Poemë është kulmi i lartësisë poetike të krijuesit për të cilin po flasim. Është një Simfoni zërash disi sugjestionues që vinë nga tërë poezitë e tij më të mira. Shtrirja e poemës që lexohet me një frymë, ka dhe jetë, dhe lirikë, dhe meditim, dhe filozofi, dhe mall, dhe revoltë, dhe dashuri, dhe dramë...Të tëra të derdhura harmonishëm si me një frymë ajri të vëndlindjes. Brënda saj, te jeta e një poeti është jeta e Atdheut gjykuar prej tij. Për të zbërthyer shpirtin e tij me flori arti brënda, si çelës ka zgjedhur «Rubairat» e Omer Khajamit. Një gjetje e mrekullueshme ku brezi i sotëm bisedon me të kaluarën për të vlerësuar më saktë të ardhmen. Çdo  fjalë në vëndin e vet, e të gjitha bashkë krijojnë atë mbretëri bukurie që quhet poezi. E veçantë dhe e mrekullueshme, pa dyshim do nderonte çdo Antologji të poezisë shqipe. Më tej gjykimi i lihet lexuesit.

 

( Fragmente nga poema “ Bisedë me Rubairat”)

.................................................

 “Shpërblim për këngët s’mora, as nuk prita

            (kolegët në pushtet i kisha prita).

            Një vjershë e dashur m’u bë kupëz vere

            ku piva një gëzim që s’e arrita.

 

         Hoqa aq vite mynxyra të tëra

            për faje që i bëra e s’i bëra

            e s’e mendoja, kënga e rinisë

            të kthehej gazavaj në shtatë zëra!

 

Isha një çast te “Zeus” i Gjëmimit,

            po e vështroja me sytë e hutimit:

            i ngula sytë mes gishtave - ku fshihej

            aq lemeri rrufesh të zemërimit!

            ………………………………………

            Befas, një ditë me zagushi qershori

            goditj’ e tij në ballë seç më mori

            (s’qënkish Ai, buzëmbëli-engjëllori,

            qe i hatashmi-tmerri, Diktatori)!

 

            Të bijt e vrasësve - gjarpinj zezonë

            i lanë, e bënë me kate varrin tonë

            e na përmjerin gratë e pushtetarëve

            tek na kalojnë sipër me avjonë.

 

            Ç’qe kjo kolerë që këtë komb e zuri,

            “burra” që s’u ka mbetur fije burri,

            që për një pulë të pjekur në Korfuz

            shesin dhjetë herë shqiponjën te Flamuri!?

 

            Një stan me dhjetë flamurë te “këmbora”

            që mbjellin ditë zie në të korra,

            që as vëllait nuk i japin dorën

            po nuk i panë grusht paràsh te dora!

 

            Dhe kombi, prapë te fat i tij i lig -

            një lopë kurbani shtrirë në Ilirik:

            Goja që ha e zgjatur në Strasburg

            e sisa që e mjel, në Selanik.

 

            Thamë, iku Diktatura me fanfarat,

            po u ringjall më keq me të palarat.

            “Shqiptar, më ndote!..” flasin nga Europa

            (o ulërimë, ku i ke ujvarat)!

 

            Del udhës e nuk di se nga të shkosh

            kur xhepet bosh i mbush me duart bosh.

            Nga lart të shoqëron një hënë ari

            që si monedhë kurrë s’ra përposh…”

………………………………………………

 

Poeti ynë, prej disa vitesh vazhdon të bëjë jetën e azilantit politik, edhe pse në  moshën 75 vjeçare  pesha e mallit të thyen, të bën thirrje për  t’u kthyer pranë varreve stërgjyshore, sikurse rrugët që i ka matur me pëllëmbë i kërkojnë hapin e menduar, ndërsa Bohotina e Progonatit kërkon shokun ku të mbështetet. Prej disa vitesh zëri i tij dëgjohet përtej reve, nga Gjeneva mikpritëse. Larg vëndit të gjakut të cilit i kushtoi jetën, i endur mes shpresës e zhgënjimit, poeti përsëri nuk e lejon veten të bjerë në humnerën e frikshme të dëshpërimit tronditës. Fjala e lirë s’ka për të mbetur ëndërr.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora