Kulturë
Çerkin Bytyçi: Trajtim i mrekullueshëm i traditës së dasmës kosovare
E diele, 11.07.2010, 09:58 PM
Nga interpretimi i Dasmës së Zhurit nga Ansambli Emin Duraku i Zhurit
Pak fjalë për Emisionin Rendez Vous të TV21, transmetuar më 10.7.2010, në orën 15:15
Trajtim i mrekullueshëm i traditës së dasmës kosovare
Radio Televizioni 21, si medium i pavarur, me tërësitë programore, gjithnjë e më shumë po bëhet atraktiv, interesant dhe tërheqës, ndaj si i tillë po shikohet në një pjesë të madhe të familjeve mërgimtare. Emisionet Kabare - Variete “PRISHTINA” , Një kafe me Labin, Diçka po zihet , 2 me 1, Sy me sy, Edhe unë jam Kosovë ..., etj., tërheqin kërshërinë e shikuesëve me përmbajtjen, mënyrën e çasjes dhe profesionalitetin e realizimit të tyre. Si të tilla, këto dhe emsionet tjera të TV21, shikohen me ëndje nga familjet mërgimtare.
Nga Çerkin Bytyçi
Kësaj here, fjala është për Emisionin Rendez Vous të TV21, transmetuar më 10.7.2010, në orën 15:15, emison ky që me temën që vuri në trajtim, zgjoi emocione dhe shikuesit, përmes tekstit përmbajtësor të veteranit të gazetarisë Florin Kelmendit, udhëheqjes së mrekullueshme të gazetarit Korab Lecaj, syrit të kamermanëve profesionist e të tjerëve të angazhuar me përkushtim në relizimin e tij, i solli një traditë të vjetër të organizimit të dasmës- gazmendit më të rëndësishëm familjar me kolorit të mrekullueshëm kosovar. Ishte ky një spektakël tejet i pasur që shumëkend e ktheu disa dekada pas, për ti kujtuar dasmat e mirëfillta me një kompleks ritesh.
Dasma e Zhurit-gazmend specifik që kultivohet nga Asambli “Emin Duraku”
Në emisionin Rendez Vous, kësaj here, temë trajtimi ishte Dasma shqiptare mes traditës dhe modernes, për të cilën, përpos filmit të prezantuar dokumentar të regjisores A. Kelmendi për Dasmën e Rrafshit të Dugagjinit, folën gjerësisht studjues dhe ekspert etnologjik e të folkloristikës për traditat e dasmës pothuaj në të gjitha regjionet e Kosovës, si Prof.dr. Drita Halimi-Statovci, Dr. Mehmet Rukiqi, si dhe Prof. dr. Ukë Xhemaj, me të cilët në bashkëbisedim ishin edhe Hajdar Elezkurtaj, muzikolog dhe drejtues i Ansamblit “Emin Duraku” të Zhurit e Masar Ademaj, veteran i këtij ansambli, që si njohës të mirë të traditës në Zhur dhe trevën eLumës, në mënyrë meritore folën për temën e trajtuar. Në emision, pas dasmës së Isniqit, ku merrnin pjesë dasmor të disa trevave që i dallonin veshjet karakteristike dhe lojërat e këngët me të cilat u prezantuan kohë pas kohe (si Ansambli “Rugova””), Dasma e Zhurit, të cilën e kultivon në reportoarin e vet tradicionalisht ansambli i mirënjohur dhe me traditë 60-vjeçare “Emin Duraku” i Zhurit, zuri vend të veçantë si gazmend specifik i përmasave të gjera dhe nga më të rëndësishmit në jetën familjare zhurjane e shqiptare. Përveç formës së organizimit, traditave, dokeve dhe ritualeve që u detajizuan në bisedën e zhvilluar, Dasma e Zhurit, nga anëtarët e vyer të ansamblit, u prezantua në pjesë të veçanta ku pasqyrohej fillimi i dasmës, zgjedhja e qaushit, grishtarëve, asqive e magjitoreve, nata e kulaqit, marrja e lodrave, marrja e nuses, etj. I tërë emsioni, u ilustrua me vallet e interpretuara dhe këngët e kënduara nga anëtarët e ansamblit, të shoqëruara me ritmet tradicionale të defit dhe curleve e lodrave, nga ustallarët e përkushtuar. Të gjitha këto u zhvilluan në ambientet e Muzeut Etnologjik në Prishtinë që emisionin e bënë tejet të natyrshëm dhe joshës.
Dokumentar me vlerë nga viti 1968 për Ansamblin e Zhurit
Karakteristikë e këtij emisioni ishte prezantimi i dokumentarit nga viti 1968, kushtuar Dasmës së Zhurit, i cili, në teknikën bardh e zi, ishte incizuar në këtë fshat. Vërehej ambeinti që i përket të së kaluarës zhurjane (shtëpitë e vjetra e të vogla, të ndërtuara me gurë, disa nga ato të mbuluara me kashtë etj.), si dhe anëtarët veteran të ansamblit duke vallëzuar vallet tradicioale, ato që, si u pa edhe kësaj here, në formën e njejtë, kultivohen edhe sot e kësaj dite, pastaj tradita e marrjes së lodrave, e shkuarjes krushqi, e marrjes së nuses, arritjes së saj në shtëpi të burrit, këngët e temenasë për nusen e marrë me duvak etj. Edhe pse filmi i shfaqur ishte në teknikën bardh e zi, vlerësohet si dokumentar tejet i rëndësishëm i traditës së funksionimit të ansamblit që nga ajo kohë, përkatësisht filmi ishte incizuar 42 vite më parë. Në te shihet duke vallëzuar edhe një numër i madh i vajzave të veshura me rrobat tradicionale, dimi, boshqe, openga, shami, që dëshmon se ky ansambël, që herët e kishte hequr nga rendi i ditës mungesën e femrës në rradhët e shoqërisë. Madje, mund të thuhet se Shoqëria kulturore folklorike “Emin Duraku” dha kontribut të jashtzakonshëm në aktivizimin dhe emanicipimin e femrës në këtë fshat dhe se shërbente si shembull i mirë edhe për vendbanimet tjera të kësaj treve.
Në këtë emision u folën fjalë miradie për ansamblin e Zhurit i cili është i përkushtuar në kultivimin e traditave burimore, udhëheqësve të të cilit, ekspertët e folkloristikës, iu rekomanduan të vazhdojnë me këmbëngulsi dhe pa u lodhur në këtë punë të mundimshme por tejet të rëndësishme për folkloristikën.
Ndonëse ajo ka humbur origjinalitetin dhe kultivohet nga ansambli si një traditë e me vlerë shumëdimensionale, Dasma e Zhurit mbetet një nga krenaritë zhurjane dhe kosovare me madhështinë e mënyrës së organizimit.
Ekipi realizues i emisionit Rendez Vous, ndonëse nuk e ka patur lehtë ta realizoj dhe t`iu ofron shikuesëve këtë emison, me idenë dhe temën e trajtuar që për gjeneratat e reja është fare e panjohur e për shumkend e harruar, ka arritur që për shijen e shikuesit, sidomos të shikuesit në diasporë, të sjell një emsion që është me vlerë dhe do të mbetet për shumë kohë në kujtime dhe temë e bisedave ndër bashkëatdhetarë.