Kulturë
Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (VIII)
E diele, 11.07.2010, 06:50 PM
Shazim Mehmeti
NË LUMIN E GJATË TË GRAVE REFUGJATE
Në lumin e gjatë
të grave refugjate
(që me fëmijë e pleq
zbrisnin për në Kukës)
më 30 mars 1999
në një lug mali
në hyrje të Shqipërisë
kosovarja LIRI
lindi një foshnjë - djalë!
ÇLIRIM e pagëzoi
dhe me gëzimin
e fëmijës së parë
e me dhembjet e lindjes
ndër dhëmbë
e uroi:
-U rritsh, o bir, me babë!
Por
vetëm pas pak çastesh
kosovares LIRI
ia kumtuan lajmin e zi
për TRIMIN
që i kishte rënë në një betejë
atje diku në KOSOVË!
U derdhën në lotë
gratë refugjate
qajtën sa mundën
për luftëtarin e rënë të lirisë!
Vetëm LIRIA s'qau!
Ajo i puthi ballin foshnjës
dhe sërish uroi:
U rr i t sh, o bir, me atdhe!...
30 mars 1999
L I R I A ?...
liria është mungesa e shpirtit
atdheu që më s'e ke nën këmbë
prindët që ke lënë si qyqet në Kosovë
ata pleqtë e gjorë
që mund të lihen në banjën dy me dy
si një palë tesha trupi të vjetëruara
që i hedh tutje
e që kurrë më nuk i përdor
liria është logjika e kengurit
e asaj kafshe
që vetëm fëmijën bart me vete
dhe shpirtin që se ka
liria mund të jetë edhe gruaja
ajo robë e patjetërt
që duhet patur me vete vazhdimisht
për të qenë gjithnjë në gjendje
për t'ia veshur lucit natë për natë
brenda një gote birre
mund të jetë liria
apo në ca kilogramë miell
të përmbledhur në një paqetë
në ca djathë kutërbues
në ca vaj
në ca mish
në ca paqeta cigaresh që të mungojnë
(një copë mërzie kur synon të flakësh)
liria është
gjuha e paasht
që s'ndalet
kur nis dhe e lëviz -
miku xhepazbrazur
që s'e ka mundësinë të të lazdrojë
liria është
në rrugët e këtij qyteti
ku ditë për ditë lëvrijnë
burra e burra
me nga dy metra shpinë
që kanë në xhepa atdheun
e kapardisen si bosat
qafa vashash duke lëpirë
në QUEEN'S e në LONDON
liria është shurra
që derdhet parreshtur
mbi mëngjeset e përgjakura të Kosovës -
mllefi i mikrobit
që shfryhet domosdo
mbi luftëtarët e lirisë
liria s'është gjaku
i bijve tjetërsoj
as mishi për top
i atyre të lënëve
që as ndërmend s'u bie
të ikin prej Kosove
liria është
ëndrra jote për ta mbijetuar ditën
qoftë edhe si një kafshë e vogël e pafat
liria është malli yt
për një copë bodrumi në Prishtinë
për një dritare tmerri nën fqiun serb
që të rri përmbi
e që s'të lë t'i shohësh
as LUMENJTË E DRITËS
QË FLUTUROJNË MBI KOSOVË
liria është nënshtrimi
në kuptimin e vërtetë të fjalës
liria është sedra që s'e ke
liria është muti që dhjen për çdo mëngjes
liria është muti që prek për çdo mëngjes
më fal, miku im
por, liria është prirja e qenit
që gjithë kohën ha miza
dhe s'e paramendon dot jetën pa zotërinë !!!...
1 maj '99
BILBIL VETËVRASËS
oh, bilbil vetëvrasës !
ti që u zure qiejt zeusëve,
ti që vetëdogje flatrat
teksa në arbor vitae
vizatoje liri !
oh, bilbil !
me tharm jete
qiej ujite!
se ishe bilbil
dhe ishe njeri !!!
1 maj '99
LUMENJTË E DRITËS
është drita që shkrep
në pusinë e natës !
janë shpendtë e mbijetesës
që vetëdigjen pafundsirave !
lumenj drite janë !
i shoh, imzot !
i shoh si fluturojnë
qiejve pa hënë !
dhe e di se
jemi ne kufomat që frymojmë
e s'arrijmë e s'arrijmë
as t'i shohim engjëllorët
si i shpiejnë vdekjet tona në atdhe !!!...
2 maj '99
ËSHTË KOHA TË VDESIM
është koha të vdesim
kishim fluturuar gjatë
thellësive nëndetare
më këmbë qiejve kishim ecur
si mbi detëra pikëllimash
uji paska qenë toka jonë
zot, si s'na përbinë thellësirat
si s'na u shemb
detëuji nën këmbë
kaq shumë hënë kishim zhvatur
për të hapëruar si engjëllorët
qiejve të paqenë
atdhe nën këmbë s'kishim patur kurrë
ne qenkemi qenie mitologjike të posazbuluara
që mbijetokemi kot së koti
fluturojmë kur ecim
ecim kur fluturojmë
është koha të vdesim
vdekje e njëmendtë
është vdekja për asgjënë
2 maj '99
E NGROHTË DHE E BULUAR
E ngrohtë dhe e buluar
pranverë e gjakut
Gjaku i pranverës
rrjedh për në gjenezë
Dritëvesuar agimi
Aty ku ai lind
djemve të malit
u frymon atdheu
në gjethe fytyrash
të posazbuluara
Është ahishtë jeta
dhe mali është jetë
Liria është
te fytyrë e gjethit-
te e gjelbërta që njomet
me gjak dhe me pranverë
15 maj '99
AS DRITA, MADJE...
I fryn ëndrra
gjumit të erës
lumi shikon veten
te pasqyrë e thembrës
Muzgun e syzave heq dita
mrekullohet
duke parë si njomet
natë e gjinjve
Janë peshq të larmë
zogjtë që fluturojnë
qiellit të ëndrrës?!
Zot, gjethet e mendjes
te vjeshtë e verdhëzës
bien!
Fytyrë e gjethit
te shpinë e lumit përgjaket!
Dhe uji thëngjillohet!
Dhe krejt ç'është prej zemre
virgjine s'mbetet!...
As drita, madje!...
16 maj '99
RIBËHEN PËRMES VDEKJES
i shoh
ato grimca të praruara
prej ajri të gjelbërt
që kërcejnë
e vriten
nga majë e lartë
e shpirtit
janë vdekje jeshilorësh
që rrjedhin ahishtave
duke u bërë dritë
lulëkuqeve që mbijnë
mbi lumin e gjakut
janë grimca që vdesin
dhe ribëhen
si ribëhen përmes vdekjes
engjëllorët
o, perëndi drite!
është lumi i vdekjes
që rrjedh përmes ëndrre!
është Kosova
që ribëhet
përmes gjaku!...
20 maj '99
RRUGËT SHPIEJNË NË ASKUND
Për ku shpie
ky pyll i ngushtë
i ndërgjegjes?
Drejt cilit qiell?
Drejt cilit shpëtim?
Apo
fare s'shpie
andej
kah vigjëlojnë
të paqëzuar
shpirtërat ujorë
të gjetheve që bien
me fytyra luftëtarësh?
Rrugët shpiejnë në askund!
Dhe është e vërtetë sa zoti
se nëpër mjegull zhgënjimi
unë ik si atdheu!
Qielli i mendjes
më rëndon mbi zemër
më lagë pamëshirshëm
shiu i bubullimës!
Një vdekje maji
më shpon me bërrylet!
Së fundi më pyet
shushurima e vonuar
e malit të lirisë:
Për ku?...
Për ku shpie
ky pyll i ngushtuar
i ndërgjegjes???...
21 maj '99
AGIMI TE NE
drita lakuriq
buzëndrra e vesëzuar
e posadalur
nga sygjumi i fundit
i parajsës natë
e gjelbërta e pafundtë
që zgjat qafët lartësive
i puth qiejt një pas një...
dhe...
dhe zëri atëror
i zotit që frymon:
herë si një zog
herë si një lum
herë si një njeri
e herë si një vegim...!
23 maj '99
KOSOVA
kullojnë pikla gjaku
mbi pikla drite!
kullojnë
edhe qeshen!
qeshen piklat-
frymojnë përmes plage!
piklat!
janë fëmijë prej ajri
që ajrin përmbushin!
hapet agimi-
i shpërthen e kuqja
përmes buzësh!
dhe ajri rimbarset
mbi lumin e gjakut
nga aromë e qenies!
dhe rilindin shumëfishuar lulëkuqet!
dhe pikla drite kullojnë
mbi pikla gjaku!!!...
26 korrik '99
VETËVRITEN DRITA DHE AI PËLLUMB
vetëvriten drita
dhe ai pëllumb!
drita digjet
pëllumbi fluturon
te ai diell i kuq i plagës
lë kokën
lë krahët
te zjarri i madh i zotit!
si drita, pëllumbi!
zbret te rrënjë e fatit-
aty ku lulja e kobit
i çel
vetëvriten drita
dhe ai pëllumb!!!
gusht '99
VRITEN E NUK FLASIN
vriten
e nuk flasin
fytyrëgjethët!
madje
as për lirinë!
janë
fytyrënjomët e nënave
që lanë metropolet e botës
u kthyen
për të rënë maleve
si bijnë
zogjtë e përgjakur
të pranverave biblike
nuk flasin
Jasharët
Ladrovcët
Ramadanët...!
u mjafton të vriten!
u mjaftojmë edhe ne burrat
që ikim
e lëmë pas shpine atdheun
dhe, o zot
as nuk pushojmë të vajtojmë
si gratë kukuvajka
për lirinë!?...
maj '99
JETA IME ËSHTË E KOMPLIKUAR
jeta ime është e komplikuar
për shkak të tim zoti
që hoqi dorë nga vetja
dhe e dërgoi këtej poshtë
qenin njeri
për ta ndarë jetën në kuadrante tmerri
jeta ime është e komplikuar
për shkak të tim atdheu
që lumturohet si fëmija
gjithë sa herë i ndodh
ta udhëheqin hamenjtë
jeta ime është e komplikuar
për shkak të tim ati
që kërkon prej meje
kundrejt gjithë këtyre bishave
të sillem si njeri
jeta ime është e komplikuar
për shkak të sime ëme
që me gjithë se jam i mplakur
më merr për fëmijë
jeta ime është e komplikuar
për shkak të tim biri
që është i vogël sa një këlysh
por që kërkon t'i bindem
si i bindet kafsha të zotit
jeta ime është e komlikuar
për shkak të sime bije
që s'di gjë prej gjëje
e kapet për një fjale çmendurisht
jeta ime është e komplikuar
për shkak të sime shoqeje
që më do vetëm për vete
nga ç'gjë, e gjora
e ha veten një jetë të tërë
jeta ime është e komplikuar
për shkak të vetes sime
që s'e kam në dorë
jeta ime...!
oh, asgjëja!
mos na lëntë zoti
pa komplikimet dhe asgjënë!!!...