E marte, 30.04.2024, 02:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert V. Nikolla: Thyerja e psikologut

E premte, 09.07.2010, 09:11 PM


Tregim

 

Albert V. Nikolla

 

Thyerja e psikologut

 

E diela agoi me një të kuqërremtë që thekte, qarkuar si një ylber mbi male. Psikologu qe zgjuar herët, si lugat, enkas për të parë lindjen e diellit të majit dhe për të fituar rrezet mistike, të cilat, vetëm njerëzit misteriozë i ndjejnë së thelli, i përthithin magjishëm, dhe, më pas, i përdorin me kursim, ca për mirë e ca për keq. Dhe tha me vete se do të mbante një ditë e bukur dhe e ngrohtë, e mrekullueshme për plazh buzë detit Jonian. Selma vazhdonte të flinte gjumë të qetë, me një pafajësi krejtësisht të kthjellët, a thua se ishte një engjëll i zbritur në krevatin e tij për t’i falur misteret e mëdha të seksit. Darlind D. e vështroi ngultas me njëfarë simpatie perverse të shoqen dhe vendosi të përgatiste bagazhin për të udhëtuar në ora tetë, për të shënuar ditën e parë të plazhit për vitin që kish hyrë me lule dhe ngrohtësi stinësh .

Pa orën i kënaqur, si një skocez cigaren e dhuruar. Mezi ecnin akrepat, por kjo nuk ishte shkak për mërzi. Shënonte vetëm gjashtë e gjysmë. Pra, koha në fillimin e të dielës ishte me tepri. Vendosi të shtrihej për të provuar kohën e pazënë me kënaqësi që e shijonte rrallë. U ul me kujdes, duke vënë duart pas koke për gjetjen e ekuilibrit të shikimit. Nisi të vështronte tavanin, si i babëzitur për zbuluar ndonjë flutur nate. Drita sa vinte e bëhej më sunduese dhe kjo ishte një shenjë se njeriu është nën pushtetin e saj. Perëndia është koha e pafundme, ne jemi çaste të papërfillshme, mendoi. Por Selma sërish po flinte, si të ishte ulur në gjumë pas një muaji pa net. Le të flerë! Gjumi i bën femrat më të bukura. Mendoi t’i punonte ndonjë rreng, aty për aty, edhe pse kishte kohë që nuk bënte gjëra të frikshme. I erdhi në mendje t’i vendoste një gjarpër plastik te këmbët, për ta trembur kur të hapte sytë. U ngrit. Shkoi te sirtari me hapa të lehtë si të qe një maçok. Hapi të dytin nga e majta, duke e tërhequr ngadalë. Nuk e gjeti gjarprin aty, dhe kjo nuk i pëlqeu. Filloi të kërkonte në sirtarë të tjerë me radhë, pa u ngutur, në skutat më intime të komosë së madhe që kishte blerë para martesës. Dhe zbuloi diçka të pështirë. Diçka që s’e priste. Një organ artificial mashkulli, ku ishte shkruar me një retush të zi: Sara. Mbeti si një mumie me të në dorë.

Vështroi i shastisur, një copë herë, për të zbuluar ngjarjet që copa plastike kishte përjetuar. E dinte që Sara ishte një mike e vjetër e Selmës, por nuk po e kuptonte pse e kishin shkruar emrin e saj në të. Të ishte një dhuratë perverse, nga ato që bëjnë gratë. Por nuk ia fali vetes që nuk e kishte pikasur faktin që e shoqja ishte lesbike që në rininë e hershme. Gjëra që ndodhin, deshi të qetësohej për momentin, duke e hedhur në kosh të plehrave atë gjë të ndyrë që zbuloi, dhe doli sërish në dritare për të parë dritën e mëngjesit që tani sundonte me fuqi të plotë. I la të lira dyshimet dhe priti që koha të kalonte pa mendimet e gëzuara që i kishin gëluar në agim që herët.

Ora shënoi shtatë si me përtesë. Por tashmë i kishte ikur gjithë dëshira për të shkuar në plazh dhe për të shijuar rrezet e diellit. Megjithatë e tundi Selmën me inat dhe pa i thënë mirëmëngjes, e urdhëroi të bëhej gati së bashku me të bijën, pasi donte të ishte herët në Komnino.

Ajo hapi sytë e saj mrekullisht të zinj, u shtriq paksa me habi femërore dhe vështroi të shoqin si të ishte një UFO  i zbritur befasisht në dhomën e gjumit.

- Ç’të gjeti Darli që je zgjuar me djaj në kokë në pikë të mëngjesit, - u ankua ajo dhe desh të mbulohej me jorgan por, ia tërhoqi pa i lënë kohë.

Psikologu një herë vendosi t’i fliste ashpër, të zbrazej me egërsinë e burrit që nuk lejon gjëra të pështira në familjen e vet, por nuk e pa të udhës dhe e kyçi më pas gojën me atë qetësinë që zotëronte edhe në çastet e vështira. Duke flakur pizhamet dhe duke veshur rrobat sportive të së dielës, ai u mundua disi të largonte shijen e hidhur të zbulimit që kish bërë, krejt pa dashur, por që mund të ishte shkak për sherre të mëdha, gjer në shkatërrimin e familjes.

Megjithatë, e kuptonte se nuk ishte një burrë i zakonshëm, por një psikolog. Ndihej xheloz, por jo një xheloz i natyrshëm kundër një burri që mund të dashuronte gruan e tij, por kundrejt një femre, dhe kjo nuk ia cenonte krenarinë kushedi. Xhelozi e pështirë, mendoi dhe u fut në kuzhinë, për të larguar sa më parë mendimet dhe për t’u shkëputur nga ai realitet i përjetuar më parë. Rastësia e hidhur është goditëse, por jo për njerëzit që kanë karakter të fuqishëm.

Selma, me të dalë nga banjo ku ishte larë dhe freskuar, vuri qumështin për t’u zier. Solli vezët bashkë me mjaltin në tavolinë me një shkathtësi që ai ishte mësuar ta kundronte çdo mëngjes. Por dukej sheshit që Darlind D, as që kishte ndërmend të vinte gjë në gojë, sepse, si asnjëherë tjetër, ishte zgjuar i xhindosur. Në këmbë, ai iu afrua të shoqes, dhe me zë të ulët për të mos trembur vajzën iu drejtua:

- Ti ke shkuar në krevat me Sarën!? Ti je lesbike dhe s’ më ke treguar!?

Gruaja e re u kthye vrikas e skuqur dhe i vuri dy duart në sup. Pastaj i peshoi mjekrën në supin e djathtë dhe i pëshpëriti te veshi, tamam si macet e bardha, që, kur zihen duke lëpirë kosin, për  të shpëtuar nga ndonjë shkop, nisin e u përkëdhelen zonjave të shtëpisë.

- Më fal, Darli, - tha me gjysmë zëri. -E kam pasur mike të vjetër që në konviktin e kolegjit. Edhe gjatë shkollës së lartë. Takoheshim shpesh dhe shkonim me njëra-tjetrën, pasi pëlqeheshim. Nuk e di ç’më shtynte ta doja aq shumë atë femër. Ta dëshiroja…Ndoshta sepse është një mënyrë për të mësuar të fshehtat e dashurisë.

- Ç’janë këto përralla! Mos vallë unë duhet të duroj gjëra të tilla, qoftë edhe pas njohjes tonë të rastësishme?

-Njohja jonë nuk ka qenë e rastësishme.- Reagoi Selma.- Unë erdha tek ti për të bërë disa seanca kurimi, që të mund ta harroja Sarën, kur ajo u martua, por t’i u magjepse me mua dhe gjithçka rrëshqiti pa u kuptuar… Mendova se me martesën tonë do ta harroja Sarën, aq më tepër që ti ishe një mashkull i mrekullueshëm, por nuk ndodhi kështu. Më vonë e kuptova se  kisha nevojë, si për ty ashtu dhe për Sarën, sido që për këtë jo si më parë, por ndonjëherë në të rrallë. Ndaj e ftova sërish. Gratë kanë nevojë për dashuri më shumë sesa u japin burrat, kështu që ato i drejtohen edhe njëra - tjetrës për të plotësuar boshllëkun që u lë jeta bashkëshortore.

Psikologu nuk lëvizi, qëndroi disa minuta në këmbë dhe kujtoi një frazë që kishte lexuar në një libër të vjetër psikanalize, “Homoseksualiteti qëndron i fshehur te çdo njeri. Prandaj, gjithsecili duhet të kujdeset që ai të mos zgjohet, sepse kjo do të ishte një fatkeqësi për personalitetin e çdonjërit”.

- Duhet të më kishe treguar - e qortoi ai të shoqen. Jam në gjendje të të shëroj nga kjo e keqe, Selma. Tek e fundit, do t’i kisha kushtuar më shumë vëmendje jetës sonë private dhe ti nuk do të kishe nevojë për eksperienca të tjera seksuale”.

Si zemërgjerë që ishte, e kuptoi dobësinë e gruas dhe e përkëdheli me kujdes. Vetëm se nuk do t’ia falte vetes kurrë që për dhjetë vjet martesë, nuk kishte qenë i zoti të zbulonte tek ajo femrën lesbike. Aty mori vesh se sado i fuqishëm që ishte si psikolog, sërish kishte shumë gjëra që e pengonin në luftën për njohjen e të fshehtave të trurit, të botës shpirtërore dhe të sensualitetit të qenieve delikate, siç ishin gratë.

…E mbante mend, si tani, takimin për herë të parë me Selmën. Sapo kishte hapur studion e tij të re. I vinin pak pacientë, kështu që më të shumtën e kohës rilexonte Frojdin, Jungun, Fromin, Bartin, apo Kalvinon. Kur, një ditë, sekretarja në paradhomë, një grua e vjetër në moshë, e lajmëroi se kishte ardhur një vajzë e re, ai, menjëherë, la librin të hapur në cepin e tavolinës dhe i tha të hyjë. Në derë sakaq u shfaq një bukuroshe me kaçurrela të verdha. Kishte një fytyrë të lëmuar me një push të hollë, të verdhëllemët, ca sy të mëdhenj e të zinj dhe një trup aq të hollë, sa ai dyshoi se mos ishte anemike. Ai kish mbetur një çast i shastisur përpara asaj mrekullie të natyrës. Madje nga hutimi nuk i kishte thënë as të ulej. Ajo e kish nuhatur se psikologu i ri  e kishte humbur pusullën. Dhe, me të qeshur, duke parë kopertinën e librit të lënë në tavolinë kishte ironizuar: Zotëri, erdha që të më shëroni ju mua, po me sa duket po ndodh e kundërta, duhet që unë të kujdesem për ju. Darlind D. kishte tundur kokën me dëshpërim. Pastaj e kishte ftuar të ulej në kanape. Ajo, përkundrazi, qe ulur në krevatin e hipnozës. “Më pëlqen këtu”. “Po ai është krevati i hipnozës”. “Megjithatë, më pëlqen”, - kishte këmbëngulur vajza e brishtë. “Atëherë më lejoni t’ua bëj”. “Çfarë”?- kishte qeshur Selma. “Atë, pra, hipnozën”…. “Bëjeni, e keni në dorë”…… “Po duhet të shtriheni”. …..“Për të shtrirë po, po mos po më kërkoni të zhvishem”…. “Do të ishte një mrekulli. Ju lutem bëjeni”…… “As mos e prisni”…… “Kam ardhur këtu të kurohem, jo të ledhatohem”….. “Edhe ledhatimi është një lloj kurimi”…. “Epo mirë, ja u shtriva”….. Ishte afruar, duke drejtuar syrin e ndriçuesit mbi fytyrë. Fytyra e saj kishte marrë një pamje edhe më hyjnore. Kish dashur  ta vinte nën pushtetin e energjisë që lëshonin gishtat. Por ishte bllokuar e me torua të humbur ish përmendur mbi të. Vajza nuk kishte kundërshtuar…. 

U kthjellua…

- Them se kjo histori duhet harruar, - tha ia duke tundur të bardhën e vezëve.

 

Gëlltiti me shpejtësi mëngjesin dhe, si veshi e ushqeu të bijën me një dashuri jo si në ditët e tjera, rrëmbeu çantat dhe u fut në makinë. S’e bëri të gjatë qëndrimin në oborr me makinë të ndezur. I foli të shoqes të hipte dhe me të kaluar portat e mëdha, të cilave u vuri çelësin, u nis drejt Jugut. Donte të mbërrinte sa më parë në plazhin Komnino, nën rrezet e atij dielli të mrekullueshëm që…. “si një breshkë e zjarrtë udhëtonte ngadalë qiellit në 16 orët e një dite maji plot mrekullira”. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora