Kulturë
Kristaq Turtulli: Në trenin e linjës 16
E enjte, 08.07.2010, 08:34 PM
KRISTAQ TURTULLI
NË TRENIN E LINJËS 16
KAPITULLI I PARË
Oh! Sa të çmendur janë trenat, sa të çmendur!
Treni i linjës 16 ndaloi si zakonisht me shpejtësi marramendëse, vrundull ere, ngutje, nervozizëm, duke fishkëllyer, hungëritur, shkundur, rënkuar. Rrotat e mëdha metalike u fërkuan me zhurmë çjerrëse mbas shinave prej çeliku, të lëmuara nga fërkimi i gjatë.
Shinat e trasha të fiksuara me kunja metalike, qëndrojnë të mbështetura fuqishëm mbi trarët e staxhionuar. Të përlyera tashmë nga vajrat, llumrat dhe ndotjet. Gërryerjet e zakonshme prej minjve të mëdhenj të cilët janë bashkudhëtarë të nëndheshëm, të përhershëm, të shumëfishuar, në zhvillimet e qyteteve të mëdhenj.
Zamira Kola qëndronte e ndehur, gjysmë metër larg vijës ndarëse, të verdhë. Ajo u mbush me frymë, u drodh, tendosi trupin, mori vrull si një atlete e sprovuar dhe vrapoi me sa fuqi që kishte drejt derës së vagonit të trenit që gjendej më afër. Ajo kreu një kërcim të hatashëm pikërisht në momentin e mbylljes së zhurmshme të dy kanatave të derës, të cilat fshikën rrëshqanthi me keqdashje çantën e saj të madhe të udhëtimit dhe lanë pas zhurmën e shurdhër të fërkimit e të ankimit.
Gruaja luajti kokën me nervozizëm. E përskuqur në fytyrë tërhoqi me vrull çantën, si të ishte ajo shkaktarja e gjithë shqetësimeve dhe pengesave të paparashikuara. Trupi iu lëkund nga forca e tërheqjes dhe gruaja gati sa u përplas me dikë që ishte ngjitur me të. Zamira mori frymë me nxitim, me mërzi. Për të eliminuar rrëzimin skandaloz zgjati dorën e lirë drejt mbajtëses të ftohtë metalike që ishte pak larg saj.
Ajo foli me zë të ulët, lutës :
-Excuse me sir! Excuse me! - Gruaja lëvizi shpatullat e shëndosha dhe shtyu butë, me ndrojtje, me sup masën e madhe mishtore, mbuluar me pallto gri, të trashë leshi që e pengonte drejt mbajtëses së domosdoshme metalike. Por palltoja gri me njeriun brenda, qëndronte indiferente.
Ajo u mbush sërish me frymë dhe me bezdisje hodhi flokët mënjanë. Zemra në gjoks kërcente, rrihte me furi.
Uh! Ishte krejtësisht e marrë, ku e çoi mushka që kreu kërcimin e krisur. Po sikur të ishte përplasur, dërmuar mbas derës metalike të trenit, në çastin e mbylljes.
Eh! Hodhi një vështrim rrëshqanthi, palltoja gri me masën mishtore në të, qëndronte përpara saj si barrierë kokëfortë e pa lëvizur. Ajo kishte nevojë të mbështetej diku, ndryshe do ti binte të fikët. Tendosi trupin, me mundim gjeti një shteg fare të ngushtë, krahu depërtoi, rrëshqiti aty. Masa mishtore u shkund, u drodh, turfulloi, por mollëzat e gishtërinjve të saj prekën më në fund çelikun e ftohët.
Palltoja e trashë gri me masën mishtore brenda më në fund u dorëzua, lëvizi ngathtësish, e bezdisur, disa centimetra më tej. Ajo e roku, e përfshiu me ankth, nxitimthi, gjithë ngutje kolonën e hollë metalike. U drithërua. Zemra kumbonte në gjoksin saj. Ajo preku pulsin e dorës. Të rrahurat ishin jashtëzakonisht të shpeshta, ndoshta 150 të rrahura në minutë. Tundi kokën e rënduar nga mendimet.
Oh! Gjithsesi nuk ishte aspak e këndshme të rrëzohej në një turmë të tillë, të huaj, indiferentë, në trenin e linjës të mbushur, gati të bërë petë me udhëtarë nga të gjitha llojet dhe racat. Me siguri do të ishte skandali më i madh, për një grua namusqare si ajo.
Zamira u mbështet e lehtësuar mbas kolonës së lëmuar metalike dhe lëshoi një psherëtimë të lehtë. Kishte nevojë të mblidhte veten, të qetësonte zemrën që i kumbonte si këmbanë. Gjoksi i bëshëm ngrihej dhe ulej me shpejtësi. Frymëmarrja i mbahej diku në lukth, sikur i fërshëllente, nxirrte ajër me vështirësi. Vrulli, shpejtimi dhe aq më shumë kërcimi nuk i përkisnin më moshës së saj, edhe pse ajo ndjehej sikur do të mbetej prapa të tjerëve.
-Excuse me sir!
Uf! Nxitimi marramendës i jetës është gjithnjë i pranishëm në botën e madhe. Ajo shpesh herë habitej me ngarendjen e pandalshme të kohës. Zilet e vogla metalike, të varura në cep të strehës së shtëpisë, tringëllinin gjithnjë me të njëjtën ritmike, pranë veshit. Ngandonjëherë ndjeje të rrëqethura. Festohej krishtlindja, e befasisht të dukej sikur nxitimthi, prapa derës qëndronte krishtlindja e vitit që vinte, e cila priste me padurim si fëmijë grindur të festohej, sikur do ti ikte vakti. Zilet e vogla metalike tek cepi i strehës së shtëpisë tringëllinin me nxitim dhe flashkat e mëdha të dëborës mbulonin hapësirën e pamat...
Ndërkohë, vitet mbështillen, rrotullohen në lëmshin e jetës, i madh në dukje, por në realitet i vogël sa një kokrrizë rëre në hapësirën e pafund të shtjellave. Vjen një moment delikat, i dhimbshmi dhe filli i lëmshit këputet, humbet, tretet, zhbëhet...
Uh! I dukej sikur frymëmarrja vazhdonte ti pengohej diku në gjoks. Ajo mori frymë thellë, fort. Ngasje të tilla sigurisht duhej të hidheshin tutje, të flakeshin, të eliminoheshin sa më shpejt në se ishte e mundur.
Zamira nuk dëgjoi zërin e shqetësuar të djalit kur i thirri nga prapa, iu duk sikur i foli era:
“Nënë, dale, mos u ngut kështu, prit trenin tjetër.”
“ Do më ngrihen nervat derisa të vijë treni tjetër,” murmuriti ajo me vete. I biri nuk dëgjoi. Ai mbeti pas në peron.
Eh! Sa kokëforta, të pabindura janë huqet e jetës. Nuk u ndryshuakan lehtë, përkundrazi bëhen edhe më zevzeke.
Zamirës nxitimi i ishte bërë shprehi, pothuajse e gjithë jeta i kishte shkuar në ngutje, vrapim e sipër, sikur gjithçka nuk kishte qenë e mjaftueshme dhe e gjendur në kohë.
Pengesa e frymëmarrjes dhe harbimi i pulsit e cytën gruan në mendime. Duhej të bënte diçka për të ndryshuar mënyrën e jetesës dhe të veprimeve të saj.
Hëm! Ajo e dinte. Sikur të përpiqej të tregohej disi më e ngadalshme, mbas disa minutash instinktivisht do të përfshihej nga nxitimi dhe ngarendja e të tjerëve. Së paku të kontrollonte emocionet e mëdha, shqetësimet, nervozizmin, padurimin, ankthin, merakun që janë aq të shpeshta për gratë e moshës së saj. Ndryshe ndonjë ditë zemra do ti bënte fiasko. Do mbetej si një qyqare e mjerë, pa përkrahje, në mesin e rrugës të botës së madhe.
Ajo priti me durim derisa iu rregullua frymëmarrja, edhe pse në qendër të gjoksit ndjente ende një ngacmim të lehtë.
-Excuse me lady!
Zamira ndjehej e lodhur, nuk mund të vazhdonte të qëndronte gjithë kohën në këmbë. Fatkeqësisht vendet për tu ulur qenë të zëna, udhëtarët ishin sheshuar nëpër ndenjëse, si zakonisht, indiferentë, moskokëçarës, disa duke dremitur e një pjesë duke lexuar, menduar, medituar, biseduar me celularë, grindur, sharë, dashuruar. Bota ishte e madhe, ata gjendeshin brenda botës së tyre të vogël.
Treni vraponte përpara duke zhurmuar dhe fërshëllyer.
Ajo rrotulloi krahun e majtë në shufrën e lëmuar, të ftohtë metalike. Oh, vërtet nuk mund të qëndronte gjithë udhëtimin në këmbë. Ndjeu një këputje të lehtë. Ta hante e mira, përse vrapoi ngutshëm. Përse tërhoqi rrëmbyeshëm çantën e rëndë? Ajo mund të kishte pritur trenin tjetër. I urrente pritjet, radhët e gjata. Ndjente alergji, dhembje koke, qysh nga koha e monizmit. Jeta i shkoi si gjithë të tjerët nëpër radhë, radhë, radhë, për një rrënjë presh apo dy kokrra patate.
Zamira u zgjat, vështroi rreth e rrotull. Atë çast treni ndaloi zhurmshëm dhe ajo gati sa nuk u përplas me dikë aty pranë.
Pesë metra larg saj u lirua një vend. Zamirës i rrahu zemra me shpejtësi, duhet të ulej aty, në atë vend të veshur me mbulesë të kuqe, të zbardhur nga përdorimi i tepërt. Ajo llogariti me mend se sa sekonda i duhej për tu gjendur pranë atij stoli.
-Excuse me sir!
Pengesat njerëzore ishin të pranishme, të pandryshuara, të ngjeshura pothuajse njëra mbas tjetrës, si të futura në kallëpe akulli. Gruan gjithashtu e trembte mendimi se ndoshta dikush shpejtonte dhe ulej në atë stol. Ajo ngelej me gisht në gojë, trishtimi dhe lodhja do të zgjaste deri në mesnatë. Shiatiku do fillonte ta gërryente në nerva si një krimb i vogël, i keq, i padurueshëm.
Për dreq çanta e madhe e rëndë, ishte pengesa kryesore e lëvizjeve të mundimshme të saj, për të çarë shtegun dhe mbërritur në stolin e dëshiruar. Ajo lëvizte rrëshqanthi, me trup pak të përkulur. Në hapësirën më të lirë të këmbëve të udhëtarëve, tërhiqte çantën e saj, duke mërmëritur mbytur:
-Excuse me sir, excuse me lady...!- zëri i saj ndjehej gati i thërrmuar.
Udhëtarët e vështronin të habitur, të bezdisur, nervozë, hakërrues. Ajo qëndroi një hop, u mbush me frymë. Treni vraponte, të tjerët e kishin harruar në çast atë. Sa të shpeshta janë harrimet në botën e madhe. Të gjithë udhëtarët ishin të mbështjellë me cipën e indiferentizmit, moskokëçarjes.
Në krah të djathtë qëndronte një fytyrë e lëmuar, e porsarruar, si bythë fëmije, hundë kërrute, me vështrim të përhumbur, gati të perënduar. Ajo fytyrë, si e lyer me krem, mërmëriste me vete dhe tundte kokën me një ritmikë të mërzitshme. Iu duk njëri i metë. Ai në njërën dorë mbante një libër të vogël ngjyrë bari. Mbase kryente ritet e përditshme fetare. Nga e gjejnë kohën këta njerëz që falen dhjetë herë në ditë, pikërisht në trenin e përmbytur me udhëtarë?
Ajo luajti kryet dhe lëvizi shpatullat pakëz pjerrtas, më pas trupin për tu afruar diçka më afër stolit të vyer. Pa dashur shtyu lehtë me bërryl njeriun që falej. Ai ktheu kokën rrëmbimthi. Fytyra e tjetrit ishte shumë pranë fytyrës së saj, shikimi i tij qe i egër, gjithë urrejtje. Sikur do ta hante me gjithë lecka.
Sytë e tij ishin tmerrësisht të errët, të zinj.
-What do you want?[1] - klithi ai
- I... Excus...sir, sorr...sir..
Gruaja ngriu një copë herë. Nën lëkurë ndjeu shqetësim të ngulët. I dukej sikur ishte përlyer kokë e këmbë nga shikimi tejet i errët i syve të tij. Me vështirësi mblodhi veten, me ngadalë tërhoqi kokën prapa. Nuk mundi të përfundonte fjalën më fal, në gjuhën angleze, e ndjeu gjuhën të tharë. Mbështeti ballin në shtyllën e hollë mbajtëse, të ftohtë dhe u mbush me frymë.
Por ajo nuk u ndal, ndjehej krejtësisht e ngrehur. Stoli nga minuta në minutë mund të zihej prej dikujt tjetër. Gruaja lëvizi edhe një hap para, me vendosmëri, pa kthyer kokën pas. I dukej sikur shikimi i egër i tjetrit i gërryente kurrizin, e spërkaste me bojë të zezë.
Po çfarë faji kishte ajo? Kërkonte vetëm të ulej në atë stol të flamosur, të çlodhte trupin, të mblidhte kockat...
Ajo i respektonte ritet fetare. Por një rit i përkohshëm, i nxituar fetar në trenin e linjës së largët, të përmbytur nga udhëtarët e preokupuar nga të gjitha llojet dhe racat e botës nuk është i barabartë me një çlodhje të domosdoshme trupore të një mesogruaje të lodhur nga jeta...
-Exc...!
Oh! Sa të pavolitshëm bëhen trenat në kallaballëk..
KRISTAQ TURTULLI
[1] Ç’farë doni?