Kulturë
Sami Islami: Si e kaloi Zamiri një natë dimri pa ngrohje?
E merkure, 07.07.2010, 09:57 PM
Sami ISLAMI
SI E KALOI ZAMIRI NJË NATË DIMRI PA NGROHJE?
(Tregim)
Për çdo ditë Zamiri udhëtonte me tren nga fshati deri në qytet. Sivjet ai i vijonte mësimet në vitin e fundit të shkollës së mësuesisë, që atëherë quhej “Shkollë Normale”. Shkolla Normale kishte shumë nxanës, prandaj punonte në dy ndërrime. Zakonisht tri vitet e para mësonin paradite, kurse dy vitet e fundit, pasdite. Verës kjo ndamje nuk paraqiste ndonjë problem, dimrit po, sepse pothuj shumica e nxanësve ishin nga katundet përreth, disave u duhej të udhëtonin edhe me kilometra, për të ardhë në shkollë dhe për t’u kthy në shtëpi. Përveç kësaj udhëtimi natën, shpesh kishte edhe rreziqet e veta! S’thuhet kot se „nata nuk ka dëshmitarë“ apo jo? Megjithatë dimri i këtij viti ishte pak ma ndryshe nga dimrat e viteve të tjera. Siç tregonte Zamiri, ky qe një nga dimrat shumë të ashpër. Ndoshta e bante të tillë ngase edhe standardi i jetës atëherë ishte shumë i ulët dhe si për inat ky dimër (por jo vetëm ky) sikur donte t’i sfidonte ma shumë njerëzit, se kush po ngadhnjente deri në fund të stinës! Bora e parë që ra në nëntor nuk pati rast të shkrihej asnjëherë krejt, me një fjalë e zinte bora-borën. Bile herë pas here binte aq shumë borë, sa ajo mund ta arrinte trashësinë deri në një metër! Ky ishte dimri i vitit 1970/71.
Si të rij që ishim, me plot aspirata dhe energji, tregonte Zamiri, në këtë vit, me nismën e një entuziasti, artisti dhe regjisori, që e qunin z. Rama, ia nisëm një pune për me vu në skenë një dramë. Drama titullohej “Karvani i bardhë” dhe aktorë do të ishim ne , pra nxënësit e vitit të pestë , vazhon tregimin Zamiri. Provat i bënim pas mësimit, i cili mbaronte diku pas orës shtatë në mbramje. Pasi që unë isha i vetmi nga aktorët që duhej të udhëtoja për në fshat, ngase treni i fundit ishte në orën 9 , zakonisht provat e dramës i kryja ma heret, në mënyrë që ta zija trenin me kohë. Kjo përgatitje vazhdoi disa muj. Filloi në tetor dhe shfaqja premierë planifikohej të jepej në fund të gjysëvjetorit të parë.
Më duket se diku, para 15 janarit të vitit 1971, pra para se të përfundonte gjysëvjetori i parë, u caktu të jepej premiera e dramës. Shfaqja filloi në orën 7 e 30, tregon Zamiri. Të gjithë ne “aktorët” kishim emocione: unë, Sherifi, Shefqeti, Smajli për atë se si do të shkonte shfaqja? Derisa na të gjithë, kishim këto shqetësime, unë e kisha edhe një ma tepër: ku do të buja sonte mbas shfaqjes? “Po pse nuk shkoj sonte te djali i axhës, që jeton këtu në qytet”, thashë vetëmevete.,“ edhe ashtu nuk shkoja aq shpesh sa ta mërzisja!...
Shafqja filloi dhe përfundoi sipas parashikimeve. Shikuesit u ndanë shumë të kënaqur (kështu ishte përshtypja jonë, nga duartokitjet që i morëm). Nuk na mungunë as përgëzimet pas shfaqjes. Mbas gjithë asaj atmosfere, lamë shtëpinë e kulturës dhe dolëm jashtë në rrugët plot njerëz që sapo kishin dalë nga shfaqja. Jashtë po mbretronte dimër i vërtetë! Sa mund të ishte temperatura nuk e dij, po e dij se, nga që ishte aq ftohtë, bora nën këpucë kërciste! Njerëzit vraponin secili në drejtimin e vet. Edhe unë e shpejtova hapin, që të mos bahej aq vonë kur do të arrija te djali i axhës. M’u duk se rrugës filloi të frynte veriu edhe ma fort. Unë i mbeshtjellë me një mantel të hollë ma shumë vrapoja sesa që ecja rrugëve të qytetit, dhe, derisa po hyja në rrugën e djalit të axhës po mendoja “po nëse nuk janë aty, ose kanë fjetë të gjithë, si do t’ia baj? Jo, jo nuk besoj se janë në gjumë“! E ngushëlloja prapë veten. „Nuk besoj se në orën 9 e 30 mintua do flejë bile kushëriri!“
Dhe me këto mendime në kokë nuk e kisha vërejtë se kisha ardhë mu para derës së djalit të axhës. Ai derën e oborrit e kishte mjaft larg shtëpisë. Bile pak a shumë mënyra se si e pati ndërtu atë shtëpi në qytet, ishte krejt sikur ta kishte ndërtu në fshat. Me derën e oborrit larg shtëpisë, me oborrin e rrethuar me një mur të naltë, me një bunar në mes të oborrit, e arsyetonte plotësisht këtë përshtypje! Era vazhdonte të frynte, bile ia nisi të binte ngapak edhe borë. Nuk dij sa kohë qëndrova para derës së djalit të axhës para se merrja vendim të trokisja. Nga vrimat e derës nuk shikoja asnjë dritë të ndezur, çka nënkuptonte se ata, të gjithë, mund të kishin ra në gjumë, ashtu siç e parandjeja para se të vija. “Dreq o punë, edhe kjo m’u desh!”, mendova. Një herë trokita pak si lehtas, tue mendu se dikush mund të jetë zgjuar. Por nuk vërejta asnjë lëvizje. Trokita edhe një herë (kësaj here pak ma shumë), por as kësaj here nuk kishte asnjë përgjegje. Kalunë disa minuta dhe vendosa me e thirrë djalin e axhës, Asimin.
- Hape derën Asim! Jam unë Zamiri! - thirra.
Prapë heshtje. Si dukej zanin tim po e trette era duke e bartë në drejtim të kundërt dhe nuk po e lejonte të shkonte në drejtim të shtëpisë! Thirra edhe një herë dhe trokita në të njejtën kohë:
- Hape derën Asim!
Në këto çaste vërejta, nga vrima e derës së oborrit, se mbrenda në shtëpi u ndez një dritë, aty ku po flente Asimi, djali i axhës tim, vazhdoi tregimin Zamiri. “Këtu qenka“! - thashë me vete. Dhe m’u duk se u çlirova nga një ankth i madh! E ndëgjova se si e hapi derën e shtëpisë me çelës dhe ashtu në pizhama, nga pragu i derës foli me za mjaft të naltë:
- Kush asht?
- Jam Zamiri! – ia ktheva.
- Po a e di sa asht ora?_- tha. - Pse vjen kaq vonë?
- E di ,ndoshta, asht pak vonë, po s’kisha se si të lajmëroj, pastaj, mendova se ora 9 e 45 nuk asht edhe aq shumë vonë - i thashë. - Nuk e dija se keni ra kaq heret!
- Heret ty po të doket, a?- tha.
Ai nuk foli ma gjatë. Ishte ba hundë e buzë, si thotë një fjalë popullore. E pashë se e kishte hedhë mbi krahë një batanie dhe pa folë hiç e hapi derën e oborrit, të cilën e kishte mbyllë me një shul, bile derisa e lëvizi shulin dera kërciste si të ishte derë burgu e jo derë oborri! Nejse. U nisëm kah hymja e shtëpisë...Uh, harrova të them, vazhdoi tregimin Zamiri, se Asimi, djali i madh i axhës dimrit, kur ishte ftohtë i madh me familjen e tij nuk flente në shtëpinë e madhe, po flente në një shtëpi shtesë. Atë e kishte ndërtu ma vonë. Në këtë shtëpi shtesë kishte një dhomë gjumi dhe një kuzhinë dhe, meqë i kishte fëmijët e vegjël, në kushte të këtilla, kjo i mjaftonte atij, pa pasë nevojë me e shfrytëzu shtëpinë e madhe. Në shtëpinë e madhe nuk flente askush. Po, mu më drejtoi mu kah shtëpia e madhe. Ma vonë e mora vesh se në shtëpi të madhe nuk kishte nxemje fare!. E hapi derën me çelës dhe hymë mbrenda në korridor. Menjëherë në të majtë ishte dhoma ku kisha me fjetë unë. E hapi edhe derën e dhomës. E ndezi dritën dhe pa folë asnjë fjalë ma bani me krye me hy mbrenda. Hyna. Çka me pa? Një dhomë bukur e madhe me katër mure të bardha, si të ishin mure spitali, e jo mure shtëpie. Kishte dhe dy krevate, që mund të rregulloheshin për me fjetë ose për të ndejtë në ta. Kishte një tepih të vogël dhe një orman në qoshe të dhomës. Derisa unë e shikoja dhomën ku do ta kaloja natën, pashë që Asimi hyni në dhomën përballë, e mori një jorgan dhe prej derës ma gjujti në krevatin ku isha ulë. E shikova jorganin. Çka me pa? Nuk kishte çarçaf. Pas pak e kam pa se si më „fluturoj„ mbi kry edhe një jastëk, të cilin ma gjujti, poashtu prej derës! E mbylli derën si me idhnim dhe doli. Vërejta se as jastaku nuk kishte mbështjellës! Po s’kishte as çarçaf për me shtru! Hajde flej tash në mundsh! Unë mbeta në atë dhomë të ftoftë, kurse djali i axhës, nxitoi të shkonte aty ku ishte. Iku në dhomën e tij të ngrohtë sepse, si duket, gati se „mërdhiu“ deri sa më „rehatoi“ mue. Shikoj orën: Ora ishte 10! Çka me ba? Si me fjetë në ato kushte katastrofike! Pa nxemje, jorgan pa çarçaf! Pa çarçaf shtroje!...
Nga ajo mënyrë se si më vendosi kushëriri u idhnova shumë. Nuk dija si të veproja. Një mendje më thoshte:„Nisu, qoftë edhe në atë kohë dhe shko në shtëpi në fshatin tënd, e sheh se çfarë trajtimi po të ban djali i axhës?!“ Tjetra më thoshte: „Mos rreziko! Asht shumë ftohtë, asht natë, fshati asht 15 km larg nga qyteti dhe ke kujdes se mos ndonjë llavë qensh a ujqish mund të dalin dhe mund të të shqyjnë në këtë natë të ftohtë!“ Të gjitha këto mendime më qarkullonin nëpër mend, prandaj hoqa dorë nga një akt i tillë dhe vendosa ta kaloj këtë natë kështu si të mundem!. Fika dritën dhe u shtriva ashtu i veshur si isha, u mbulova me atë jorganin pa çarçaf, me të cilin asht njësoj si u mbulove si jo, nuk do të kishte kurrëfarë efekti, sepse jorgani pa çarçaf asht, si thotë një fjalë popullore, sikur me u mbulu me letër, qoftë ajo e hollë apo e trashë, s’ka randësi! E, a nxehet njeriu , kur asht ftohtë nëse mbulohet me një letër?! Nga të ftohtit nuk mundja ta mbledhja veten. Dridhesha nën atë jorgan të mallkuar si thupra në ujë! Rrotullohesha sa në një krah, sa në tjetrin. Shpesh i baja pytje vetes „pse nuk i thashë Asimit të më sillte një nxemëse, ndonjë shishe me ujë të ngrohtë, ndonjë mangall, ndonjë... Po prapë ndërroja mendje, se e dija se ai, po të ishte njeri i tillë nuk do të më linte mu në këtë gjendje, siç më la! Unë herë i shtrija kambët, herë mblidhesha kruspull që disi të ngrohesha por kot. Sonte s’kishte asnjë mundësi me u ngrohë! Gjithë natën nuk futa gjumë në sy! “Po e gjatë m’u duk ajo natë!”, vazhdoi tregimin Zamiri. Ajo natë m’u ba një shekull! Dikur m’u duk se “ia dha ferku i mëngjesit”, si thoshte baba, ndjesë pastë, kur e kishte fjalën për agun e mëngjesit! Por isha gabim. Mëngjesi ende nuk po vinte! E shikoj orën! Ora ishte 5 e 30 minuta. U ngrita nga krevati, por jo nga gjumi, tregonte Zamiri, se për të fjetë, u pa kjo punë! M’u kujtu se në orën 6 e 15 do të vinte treni që do të shkonte për në fshatin tim. Kisha krejt 45 minuta për me arritë te treni! Mora çantën, mezi i mbatha këpucët e ngrira, nga acari i natës së kaluar, të cilat nga hutia, kur erdha, i kisha harru krejt jashtë në balkon. Nga bora që kishte ra natën ishte mbulu edhe rruga që çonte te dera e oborrit. E çava borën dhe dola jashtë me çantën nën sqetull, pa e lajmëru kushëririn, as askend tjetër, se unë ika. E dija se ai do të idhnohej se dera do t’i mbeste e pa kyçur, por...
Kur dola jashtë ende ishte natë, vazhdoi tregimin Zamiri. Tani, përveç që dridhesha edhe ma shumë nga të ftoftit edhe ma të madh të mengjesit, kisha edhe shumë uri. Nuk kisha ngranë gja qysh prej drekës së ditës së djeshme, kur u nisa nga shtëpia për në shkollë. Derisa dola në rrugën kryesore, nuk pashë njeri të gjallë që lëvizte. Për çudi as në rrugën kryesore nuk kishte njeri. E kush do të dilte në rrugë në atë kohë, në pikë të dimrit?! Me siguri unë isha i pari që po e hapja rrugën nga bora e mbramshme! Aty, në qoshe, posa kthehesh për me e marrë rrugën drejt qytetit, ishte furra e bukës. U habita, por dhe më erdhi mirë kur pashë që furra kishte fillu me punu! Edhe pse nuk kisha shumë kohë, mbasi më ra rruga, u afrova të shihja nëse kishte ndonjë bukë? Shitësi m’u duk se u çudit pak kur pa që dikush të vinte me ble bukë aq heret! U afru afër dritares dhe më tha:
- Bukë s’ka para orës 6!
- Po pres nja 10 minuta! Por po më vjen keq me të thanë po as paret nuk i paskam me veti. Nuk di se ku më paska ra kuleta! - e gënjeva. – A ban me t’i pru paret nesër?
- S’ka problem ! - tha
Dhe posa dolën bukët e para, ashtu të nxehta valë, ma dha një. Unë e falënderova, i premtova se paret do t’ia sillja nesër dhe ika me nxitim ta zija trenin. E mbaja bukën nën sqetull dhe herë pas here i ngrohja herë njenën e herë tjetrën dorë dhe sa çel e mbyll sytë arrita në stacion .
Sado që treni dimrit shpesh vonohej, për çudi atë mëngjes erdhi me kohë, sikur ta „dinte“ se unë kisha nevojë të ngrohesha dikund! U futa në tren dhe hyra në një kupe pa njeri mbrenda! Një dah i ngrohtë ma ledhatoi fillimisht fytyrën dhe mandej krejt trupin! U afrova afër dritares dhe i vuna të dy kambët mbi radiator të trenit dhe po i ngrohja. Treni u nis. Unë po e vështroja tani borën nga mbrenda ku ishte nxehtë. Tani kishte nisë me agu mëngjesi i vërtetë! „Edhe dimni ka bukurinë e vet, kur e shikon nga mbrenda, kur e ke trupin të nxehtë!“-mendova. Buka ishte ende e ngrohtë dhe fillova të ha bukë furre thatë. Ishte aq e shijshme sa nuk di nëse kisha ngranë ndonjëherë diçka ma të shijshme! Deri në stacionin ku duhej të zbrisja, e kisha ngranë krejt bukën!
Shkova në shtëpi pushova dhe fjeta deri mbasdite. Atë ditë nuk shkova fare në shkollë, përfundoi tregimin Zamiri.