Kulturë
Nëna Tereze: Mesazh shqiptarëve në trazirat e 1997
E merkure, 07.07.2010, 09:24 PM
Pesë muaj para se të ndahej nga jeta, më 3 mars të vitit 1997, Nënë Tereza e ndodhur në Kalkuta të Indisë mëson për trazirat që po ndodhnin në Shqipëri. Një letër e peshkopit Paolo Maria Hnilica, mik i vjetër i bamirëses, me kërkesë të ambasadorit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Romë ato kohë, Pjetër Pepa, e vë në dijeni Nënë Terezën për dhunën që sundonte popullin e saj. Ambasadori dhe peshkopi, në një situatë të tillë e konsideroi të nevojshëm një mesazh prej saj, nga Nëna shtatshkurtër që shpërndante paqe në çdo vend të botës. E angazhuar me çështjet e misionit, me pak vonesë Nënë Tereza dërgon një letër-mesazh për popullin dhe vendin e saj, të cilin më në fund kishte mundur ta vizitonte. “Lajmet mbi trazirat që kanë ndodhur në Atdheun tonë të mrekullueshëm më kanë shkaktuar pikëllim të madh”, nis letra e Nënë Terezës. Duku u kujtuar shqiptarëve se ajo ndihet pjesë e këtij populli, bamirësja bën thirrje për ndaljen e dhunës duke u kujtuar shqiptarëve se po i shkaktonin vuajtje njëri-tjetrit. Në letrën drejtuar Paolo Maria Hnilica S.J, peshkopit sllovak me të cilin bashkëpunonte prej vitesh, mik i ngushtë i Giovanni Paolo II, ku i sqaronte arsyet e vonesës së përgjigjes, thekson se ajo bashkë me motrat e saj do të lutej për kthimin e paqes në këtë vend. Ky letërkëmbim, ashtu si edhe ai që ka pasur me Marie Krajën, është pjesë e arkivave të Muzeut Kombëtar. Janë aty prej kohës kur ky institucion, pas lumturimit të Nënë Terezës më 2003, bëri thirrje të hapur për materiale, dokumente apo objekte që do t’i shërbenin idesë së ngritjes së një pavijoni kushtuar bamirëses brenda Muzeut Kombëtar. Ky letërkëmbim është sot një dëshmi e vyer e marrëdhënies që Nënë Tereza mbajti me popullin shqiptar edhe në distancë. Aq më tepër kur flasim për një moment të vështirë si ai i trazirave të vitit 1997. ”Nëse secili sheh Zotin te fqinji i tij a mendoni se do të na nevojiten armët dhe bombat?”, shkruan bamirësja. Letra-mesazh do të jetë pjesë e ekspozitës që specialistët e Muzeut Historik Kombëtar po përgatisin të hapin më 26 gusht, ditë që shënon 100-vjetorin e lindjes. I shpallur nga Qeveria si Viti i Nënë Terezës, institucione të ndryshme kanë marrë përsipër të realizojnë aktivitete. Ndërkohë që dokumente të panjohura, dëshmi të takimeve me bamirësen apo dhe kujtime bëhen gjithnjë e më shumë të pranishme në këtë përvjetor. Muzeu Historik Kombëtar po përgatit me këtë rast një ekspozitë kryesisht dokumentare, e cila do të përmbajë letërkëmbime, materiale arkivore, pak objekte personale të Nënë Terezës që i janë dhuruar këtij institucioni nga persona me të cilët ajo kishte pasur kontakte gjatë vizitës në Shqipëri, një botim i veçantë me fotografi të rralla dhe një dokumentar. Kjo është natyra e ekspozitës e thënë në vija të trasha, ndërkohë që po punohet për detajet.