Kulturë
Suzana Kuqi: Trilli...
E diele, 04.07.2010, 09:58 PM
Suzana Kuqi
Trilli...
Kur më në fund shqoi çiftin në hyrjen e plazhit privat u rehatua mbi shpinë. E vetëm atëherë vuri re se sa i bukur ishte qielli i asaj paraditeje. Dukej sikur një dorë e pastërvitur fëmije kish lozur duke trazuar retë e bardha, diku duke i bashkuar e diku duke i copëtuar, e midis dy syresh kaltërsia kish marrë një tonalitet midis blusë e së kaltrës, aq të kthjellët dhe të pastër sa ishte e vështirë t'ja shkëpusje sytë. Pa ja ndarë sytë asaj copëze qielli, u mbush me frymë duke numëruar ngadalë. Një... dy... tre... katër... pesë... gjashtë... shtatë... tetë... E me të njëjtin ritëm nxorri ajrin nga mushkëritë. Shtriu krahët përgjatë trupit dhe mbështeti pëllëmbët në faqen e lëmuar të shkëmbit. Ndjeu fortësinë e nxehtësinë e tij tek i depërtonte përmes lëkurës e i shpërndahej ëmbëlsisht në të gjithë trupin. Një... dy... tre... katër... pesë... gjashtë... shtatë... tetë... mbushi sërish mushkëritë me ajër e ndenji disa sekonda ashtu. Pastaj nisi të nxirrte frymën ngadalë. Një...e imagjinoi dhe e ndjeu vehten ajër tek shkrihej me flladin freskues, ... dy... ishte shndërruar në pulëbardhë në ndjekje të asaj pulëbardhës që qëndisej valëzuese mbi atë të kaltrën që i pëlqente aq shumë, … tre... e la pas pulëbardhën, tash nderej pezull zhytur në atë copëz mes reve të bardha, ... katër... e lirë, e papeshë, e pafajëshme si dikur, si atëherë kur sëmundja nuk e kish gërryer ende me dhëmbjet e saja, ... pesë... ish mendimi, material por i papeshë që rrekej të kthehej në veprim, ... gjashtë ... pasioni i fëmijërisë, një palë krahë të artë, ... shtatë... qëllimi dhe instikti që e kish sjellë aty në një furtunë ndjesish të ndërsjellta, ... tete.... Mbylli sytë një çast tek nxorri fijen e fundit të ajrit. Kur i hapi ndjeu se tashmë trupi dhe shpirti ishin bashkuar në një me mendimin që shpejt do ta kthente në veprim. Gjykuar. Të gjitha ato dyshime që e kishin bërë të përpëlitej kaq e kaq ditë e net, ishin zhdukur. Nënqeshja i ravijëzoi tiparet e fytyrës tek i pa ata të dy që lëshuan syzet e kapelet mbi shezlongje e ju drejtuan bregut. Një herë që e kish vendosur, gjërat çuditërisht po i vinin lehtë. Nuk ja kish marrë mendja se do t'i vinin kaq shpejt në shteg. Gruaja e bukur në krah të tij provoi ujin me gishtat e një këmbë të cilën e tërhoqi ndërkaq, veprim që Gean e bëri të vinte buzën në gaz sepse ju kujtua se kështu bënte edhe ajo më parë. Ai e kapi për dore dhe e tërhoqi përgjatë bregut duke ju drejtuar brezit dallgëthyes të shkëmbinjve që futej në det. Nuk bëri asnjë përpjekje për t'u fshehur, nuk e kuptoi as edhe vetë dëshirën që ai ta shihte atë moment e ta njihte. I shikoi ngultas kur i kaluan pranë por ai as që e vuri re. Vërtet, si e kish gënjyer mendja... I ndoqi me sy tek mbërritën shkëmbinjtë e fundit dhe e pa tek u hodh i pari në ujë. U ngrit dhe ajo, mori rrugën e kundërt për të dalë në breg. U fut në ujë ngadalë por pa asnjë hezitim e buzëqeshi sërish kur kujtoi atë xhestin e këmbës së vajzës që i kish qenë aq familjar edhe asaj deri …
….......
… Atë ditë fillimpranvere kur dhimbjet e kishin shtyrë të vinte aty për t'i dhënë fund. Nuk kishin qenë dhimbjet në kuptimin fizik të tyre, por ajo zbrazëti në të cilën e kishin katapultuar duke i shtydhur deri në pikën më të fundit çdo lloj kënaqësie e gëzimi sado i madh apo i vogël që mund të ishte. E kishin katandisur në një karkasë indiferente, dhimbëse deri në torturë ndaj çdo gjëje të mirë e të bukur, duke i pikturuar një imazh edhe më të shëmtuar të së ardhmes. Ai shikim, ose më mirë ai mosshikim i atij mjeku, që jo vetëm nuk e vizitonte por as nuk e fshihte bezdinë kur e shihte në derë. Ajo ngërdheshje kur shihte analizat e saja që dilnin mrekullisht mirë, ani se ajo bënte zor të ecte me gjunjë që i fryheshin e deformoheshin, me kyçe e nyje duarsh që përçudnoheshin pak e nga pak e që kur ajo ja kish treguar duke i thënë:
- Eshtë e dhimbëshme doktor, shikoji!
Ai i kish shpalosur para syve dorën e tij, duke e admiruar deri në imtësi, edhe thonjtë që dukeshin sikur sapo kishin dalë nga manikyristi, dhe i kish përplasur pa turp në fytyrë fjalët që asaj i ishin dukur si fërshëllimë gjarpëri:
- Nuk di ç'të të them. Siç e sheh, unë nuk kam asnjë fije nga ajo që ke ti. Për të tjerat nuk mund të të dërgoj askund, me këto rezultate analizash do të të nxirrnin jashtë me shkelma...
Kish ardhur aty atë fillim pranvere, e i ish falur e dorëzuar detit të cilin e kish dashur shumë. Në duhej të vdiste, le të vdiste aty e trupin e saj le ta përkundnin e ta përqafonin për herë të fundit valët në një vallëzim që nuk do të ishte më i saji. Nga frika se mos pendohej kish notuar larg, shumë larg në atë njelmësi që gjithsesi ishte më e ëmbël se lotët e saj, derisa t'i shteroheshin forcat. Kontakti i parë me atë gjë djegëse që i kish prekur këmbën e djathtë e kish bërë të ishte më e kujdesëshme, nuk mund të ishte tjetër veç një meduzë e hasur rastësisht të cilën me pak kujdes mund ta shmangte e të vazhdonte. Goditja e dytë që ja kish përshkuar si rrymë këmbën tjetër dhe një e tretë në ijë i kishin zgjuan instiktin e presë për t'ju larguar sa më shpejt atij rreziku të panjohur e të paimagjinuar. Kish mbledhur forcat e ish kthyer mbrapsht. I ish besuar detit siç u besohet gjërave të dashura e kjo i ish dukur pabesi e shëmtuar. Shumë e shëmtuar për të qenë e fundit, shumë për të pasur fytyrën e vdekjes së saj. Notoi me shpejtësi pa u ndalur drejt bregut edhe se goditjet përvëluese i vinin nga të gjitha anët pa i dhënë kohë të mbushej me frymë e kur njëra i kapi njëkohësisht brendësinë e krahut të majtë... pikërisht kur e kish pranë trupit aq sa ju duk sikur ju shtrydh mes krahut e brinjëve afër zemrës... mbeti pa frymë por tashmë këmbët i ceknin fundin e detit.
Kish dalë në bregun ku nuk dukej këmbë njeriu e ishte përplasur aty, më shumë e vdekur se e gjallë duke humbur sensin e kohës...
…........
Ishte përmëndur në të ngrysur, ishte veshur e ish zvarrisur për në shtëpi. Notat e një melodie të ëmbël, kashtisur ëmbëlsisht me fjalë po aq të ëmbla që vinin nga apartamenti i saj i bënë të ditur se i fejuari që e kish lënë një muaj më parë ishte kthyer. E pastaj... mbase disa orë më parë kjo do t'i kish dhënë ndonjë farë kuptimi ditës, ndërsa tani... Mallëkoi vehten që nuk ja kish marrë çelësat atëhere me shpresë se do të kthehej, mallëkoi dobësinë e saj që e kish bërë t'i lutej të mos e linte. Tanimë ishte vonë, ajo kish marrë një vendim e do ta çonte deri në fund, sa të gjente mënyrën e prania e tij ja vështirësonte punën. Për herë të parë e mendoi si halë në sy e cila duhej të hiqej qafe. Ju përgjigj ftohtë përshëndetjes së tij, përqafimet nuk ja shkrinë akullin e zemrës e megjithatë nuk kundërshtoi dhe e la ta tërhiqte në shtrat. I ishin indiferentë ata sy, dhe ai shikim i përmalluar, por ngrohtësia njerëzore që lëshonte lëkura e tij i pëlqeu dhe ajo e la vehten të braktisej në të bërit dashuri me të, shijoi e ndjeu një dëshirë të babëzitur që erdhi duke u rritur si kurrë më parë. Tek sytë po i mbylleshin nga lodhja e gjumi ndjeu buzët e tij mbi faqe e zërin që i pëshpëriti ëmbël:
- Më fal! Jam treguar shumë budalla. Nuk do të të lë më vetëm.
Kish buzeqeshur me mendjen e saj pa pasur forcë të hapte sy e gojë për t'ju përgjigjur. Kish buzëqeshur sepse... sepse aq i bënte nëse ai mbetej aty apo ikte...
Ish zgjuar në mes të natës, i dukej sikur në vend të gjakut i rridhte llavë ndër deje ndërsa njollat e kuqe që i kishin shkaktuar goditjet e asaj gjëje të tmerrshme në det, dukeshin si kraterë të vegjël mbi lëkurë që e përvëlonin dhe i kruheshin. Kish mbushur vaskën me ujë të ftohtë e ish kredhur në të. Në fillim djegja ishte lehtësuar por sapo uji mori temperaturën e trupit të saj ish bërë sërish e padurueshme. Ndërroi disa herë ujin derisa gjeti një ekuilibër mesh sasisë së shkarkimit e ujit që rridhte nga rubineti. Në të gdhirë djegja ishte qetesuar e ato njolla kishin filluar të errësoheshin në një mavi gati të zezë. Ish kthyer sërish natën tjetër, me një dendësi më të paket e mavija gati gati ish kthyer në një blu të thellë. Natën e tretë dukeshin si violeta të pikturuara mbi lëkurë e kur kish dalë nga vaska i ish dukur se lëshonin dritë. Kish fikur dritën e kish qëndruar lakuriq para pasqyrës duke përmbajtur një klithmë tmerri i cili pak nga pak ishte zhdukur ndërsa ajo nuk ngopej së kundruari e mrekulluar ato ngjyra që kapërtheheshin harmonishëm me njëra tjetrën dhe trupin e saj duke e përshkuar e ndriçuar në atë mënyrë sa vende vende dukej transparent. Një uri e befasishme e kish shkëputur prej pasqyrës dhe e kish bërë të sulmonte brendësinë e frigoriferit. Atë natë nuk i kish dhënë rëndësi faktit se kish ndryshuar shijet e të ngrënit, por ish ngopur paq, ish shtrirë e kish rënë në një gjumë të thellë e të patrazuar. Pas shumë e shumë kohësh, në të cilat zgjimi i mëngjesit e gjente shumë më të lodhur se sa binte për të fjetur, ish zgjuar e freskët dhe e mbushur me forcë. E pas shumë e shumë mëngjeseve i kish buzëqeshur rrezes së diellit e i ish përgjigjur përshëndetjes mërmëritëse të gjetheve të dafinës mbi xhamin e dritares së kuzhinës. Kish përgatitur kafenë duke kënduar ndënë buzë, e kish shkuar të zgjonte të fejuarin në dhomën e gjumit. Frymëmarrja e lehtë dhe ai tis pafajshmërie prej fëmije i rizgjuan atë kohë kur rrinte me të sepse e dashuronte marrëzisht e jo për forcë zakoni siç e kish pranuar këto ditë e donte ta hiqte qafe. Sytë ju rrëmbushën në një brerje ndërgjegjeje. Jo, nuk kish qenë kurrë forcë zakoni, ajo... do ta dëshëronte me gjithë shpirt një shpresë për një të ardhme me të... E largoi shpejt këtë mendim, edhe se nata e kaluar e kish bere te mendohej e të ndryshonte vendimin e saj, një e ardhme do të thoshte sinqeritet e besim. E përsa i përkiste këtyre ishte ende larg, nuk e dinte as vete se ç'po i ndodhte e në këtë pikë nuk kish ç'të ndante me asnjeri. Tani për tani, ishte e vetme në atë sekret dhe do ta mbante vetëm për veten e saj. Tani për tani... le ta lëmë... për forcë zakoni...
Kundroi e mrekulluar në fillim lodërzat e reflekseve të rrezeve të diellit në ujë që ravijëzoheshin mbi lëkurën e saj të bronzuar nga dielli. Reflekset e kaltëra në violetë nuk vonuan të shfaqeshin pasi kish uri. Kish dashur të kish uri atë moment për këtë nuk kish vënë gjë në gojë prej dy ditësh, që kur kish zbuluar në kërkimet e përndjekjet këmba këmbës që i kish bërë, se do ta gjente aty, atë ditë e atë orë. Ishte e domosdoshme të ndjehej kështu që të çonte në fund atë që kish planifikuar prej kohësh. Shpejt ishte bindur se shkaku i sëmundjes së saj, nuk kish qenë tjetër veçse banal në dukje, mungesë e theksuar vitaminash e mikroelementësh, një sindromë që një mjek i mirë dhe i kujdesshëm duhej ta kish kapur e ta kish kuruar dhe jo ta linte pas dore. I shqoi disa metra më tej, me trupa të bashkuar në ujë tek buzët e tij kërkonin atë gropëz mes supit e qafës së saj të hajthme, ndërsa duart i rrëshkisnin poshtë trupit duke i marrë me vete pjesën e poshtme të kostumit të banjës. I përfytyroi ato duar, që kishin qenë po aq të paturpshme në një mënyrë tjetër, në atë demostrim se nuk kishin as edhe një fije dhimbjeje e sëmundje… Edhe turpi ka shumë fytyra... Mendoi vajzën e re të asaj emigrantes që e kishin shtruar urgjent në spitalin e një qyteti të madh në pritje të ndërhyrjes për t'i zhbllokuar mushkërinë... një vit të tërë kish trokitur duke u dridhur nga ethet në derën e tij dhe kurrë nuk e kish kuruar si duhej. Zemërimi e përfshiu si valë e nxehtë e i bëri të ulërinte edhe stomakun, ndërsa trupi i ish bërë pothuaj i gjithi transparent, një siluetë e mahnitëshme ngjyrash që kapërthehej me reflekset e dritës së diellit që thyhej në ujë, një ylber që kish marrë formën e trupit njerëzor. Ndjeu gishtat e duarve e të këmbëve të drejtoheshin e pa tentakulat tek nisnin të zgjateshin prej tyre. Ja ku ishin aty, i ndanin veç disa metra, ai një mjek të cilit paaftësia i kish dhënë liçencën për të vrarë, e asaj ja jepte natyra e saj e tjetërsuar një ditë e një det fillimpranvere në një takim ndoshta me një koloni meduzash të ndryshme praninë e të cilave nuk dinte ta spjegonte, që e kishin shndërruar në një trill të hatashëm midis njerëzores dhe bishës. U largua disa metra, nuk mund të rrezikonte ta shikonte vajza, e... Priti. Me heshtjen e qetësinë e një gjuetari të sprovuar që do ta shijojë momentin papagueshëm të kapjes së presë, aq të papaguar sa bënte të heshtnin edhe ulërimat e stomakut. Do të priste që asaj preje që nuk meritonte të mbante titullin mjek, as bashkëshort tek tradhëtonte të shoqen e shëmtuar e pasanike me një grua mendjelehtë të shitur për dy favore... do të priste që këtë moment që ai e kish menduar të bukur t'ja shndërronte në më të shëmtuarin që do t'ja mbyllte këtë jetë e do ta zvarriste me vehte në përjetësi. Do të priste sa... Tentakulat i përcollën ofshamën e parë të orgazmës. Veproi shpejt, me sigurinë e saktësinë e një kafshe grabitqare që i hidhet presë, me urtësinë e lashtë e të pagabueshëm të instinktit kur llogarit pikën vdekjeprurëse. Britma e çjerrë preu si me thikë ajrin e ngarkuar këndshëm me zhurma gazmore plazhistësh. Gruaja e tmerruar u shkëput prej tij e notoi me shpejtesi drejt bregut, duke e lënë vetëm dhe pa e kthyer kokën pas...
Ju desh vetëm një çast për të shuar urinë, por vazhdoi t'ë thithte derisa ndjeu rrahjet e zemrës së tij të katandiseshin në një regëtimë të dobët. Ndaloi një çast para se të shijonte goditjen e fundit. Ju afrua për ta shikuar në sy, por ajo që kish mbetur prej tij nuk kish asgjë të ngjashme me objektin e urrjetjes së saj. Befas një instikt tjetër ngriti krye, më i fortë se urrejtja, më i fortë se zemërimi, ai i neverisë së paspjegueshme për dobësinë e mjerimin që mishëronte ajo qënie aty, sa t'i dukej si një krimb që meritonte të shtypej...
Rojet e bregut të plazhit privat po afroheshin duke notuar me shpejtësi. Priti sa u afruan aq sa duhej e shkëputi tentakulat me të cilat mbante trupin e tij në sipërfaqe dhe i tërhoqi me shpejtësi. I pa të zhyteshin, ta kapnin për flokësh, ta nxirrnin në sipërfaqe e ta tërhiqnin drejt bregut. Kur dolën në breg, shkëputi tentakulat nga gishtat. U shkrinë brenda disa çasteve në ujin e detit. Notoi ngadalë drejt bregut dora dorës që lëkura e trupit të saj rimerrte ngjyrën e bronxtë. Me hap të lehte, me përthyerje të lehtë të këmbës e të gjurit, me atë tonalitet harmonik që noti dhe uji u dhurojnë muskujve e lëvizjeve të trupit, ju afrua autoambulancës që kish qëndruar në hyrje të plazhit. E pa të ngarkohej brenda mbi një barele, me një maskë oksigjeni në fytyrë dhe tubin e serumit ngjitur pas krahut në të cilin lëkura i varej si një pezhishkë e shëmtuar.
- Kush është?- dëgjoi një zë kureshtar nga pas.
- Ky...,- tek pa dorën e saj me gishta të drejtë e të bukur të drejtuar padashje nga ai, ndërroi mendje.- Nuk e di, nuk e njoh.
U largua duke peshuar se sa të vërtetë mund të kish në fjalët e saj. Kish njohur atë që kish qenë para... pothuaj një çerek ore. Një njeri të paskrupullt, me një diplomë mjeku të cilën paaftësia e tij e kish shndërruar në një licencë për të vrarë njerëz të sëmurë. Më keq akoma, nuk kish patur guximin as të vriste, por t'i linte në thonjtë e sëmundjes që t'i vriste ngadalë e me nge. Ajo nuk e kish vrarë. Kish vendosur t'i jipte edhe një mundësi tjetër edhe se fizikisht nuk kish për t'u kthyer kurrë si më parë. Por dhëmbjet fizike mund t'i kuronte nëse do të bëhej i aftë si mjek, moralisht nëse do të pajtohej me pamjen e tij të re. Nëse jo, ato dhimbje do ta tërhiqnin në vorbullën e zbrazëtirës nga çdo gjë e bukur e gëzim sado të madh apo të vogël që mund t'i ofronte jeta, derisa t'i bëhej aq e rëndë sa do të donte ta zhvishte e ta hidhte tej si një gjë të mundimshme e të padurueshme. Vdekja ka fytyra të ndryshme por dhe liçencat për të çuar njerëzit drejt saj nuk kanë arësye ta kenë zili larminë e saj.
Shpejtoi në shtëpi të përgatiste ndonjë gjë për të ngrënë për të fejuarin e saj që do të kthehej në drekë nga puna. Jo për forcë zakoni, por për kënaqësinë e tij dhe për kënaqësinë që i dhuronte çdo gjë që bënte për të dhe me të. Kish të ardhme për ta, kish më shumë se sa e kish menduar, ky fill i ndrojtur shprese i kish përshkuar pavetëdijshëm trurin në momentin që kish vendosur t'i jipte edhe një shans atij që autoambulanca po e transportonte në spital. Kur kish shtypur atë instikt të egër shtazor... që nuk kish asgjë të përbashkët me shtazën brenda saj që do të vriste vetëm për t'u mbrojtur e për t'u ushqyer... As për njërën dhe as për tjetrën nuk kish patur nevojë, dhe as dëshirë e instikt për të marrë një jetë sado neveri t'i ngjallte dobësia e mjerimi i saj vetëm për faktin se ishte më e fortë... I ishte bindur verbërisht vullnetit e instikteve të errëta të gjysmës tjetër të saj... asaj që nuk i përkiste shtazores...