Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Fuqia dhe mesazhi i mallit dhe i dhembjes si vlera të larta poetike
E enjte, 01.07.2010, 09:57 PM
R e c e n s i o n
Sejdi BERISHA:
FUQIA DHE MESAZHI I MALLIT DHE I DHEMBJES SI VLERA TË LARTA POETIKE
(Asllan Osmanaj: “Makthi”, poezi-Tiranë 2009)
Ka shumë krijues, të cilët ndijimin dhe përjetimin poetik duan, e kërkojnë dhe sikur detyrimisht e dëshirojnë ta kanë gjithnjë të shoqëruar me dhembjen dhe me mallin, sepse, këto i konsiderojnë si ushqim të domosdoshëm por edhe si provokim, në mënyrë që jetën gjithnjë ta bëjnë rrugëtim ku shoqërohet loti e gëzimi, ku debatojnë amshueshëm pajtimi e mospajtimi, guximi i frika, etja e ngopja si dy miq të çuditshëm. Pikërisht, ky konglomerat i krijon vlerat e këngës që bëhen të fuqishme, të qëndrueshme por shndërrohen edhe në qortim të veçantë i cili gjithnjë “sorollatet” në mendje për ta kërkuar çerdhen e ndërgjegjes, nëse ekziston diku ajo.
Ankthi dhe shpresa e pritjes në vargëzim
Këto shtresime zjarri, sikur e kanë gjetur njeriun ku duhet të veprojnë e të manovrojnë për ta braktisur dremitjen edhe gjumin, për ta krijuar lindjen e “orëçuemëve”, duke e stolisur madhështinë e rebelizmit shpirtëror me tërë atë që e bën, që e lumturon, me atë që e krenon dhe e mallkon por edhe e shëmton jetën e njeriut, i cili nganjëherë thuaj se u dorëzohet të gjitha këtyre pashmangësive, herë ndaras e herë të gjithave përnjëherë. Në këtë gërshetë të çuditshme të jetës, padyshim se guximshëm ligjëron për jetën, pa marrë parasysh koston e stihisë, sepse, aty edhe qëndron zjarri i fshehur që nuk lë rehat askund dhe për asnjë moment. Andaj, kjo çështje e “koklavitur” e këndimit poetik krijon shpresën e pritjes, e cila përpos që shoqërohet me ankthin, ajo, poetin e ngarkon me diçka që nuk mund të shpjegohet tërësisht fenomeni i tij. E, ky është makthi, i cili, edhe në shtrat, edhe në ëndërr, edhe në gjumë ta zë frymën, por jo deri në fund!
Poeti, Asllan Osmanaj, i cili deri me tash lexuesit i është prezantuar me katër vepra, ka zgjeruar formën më të “kapërthurshme” të vargut në labirintin me poezi të quajtur “Makthi”. Ky krijues i cili ka një biografi shumë karakteristike në kuptimin e begatimit dhe të kompletimit intelektual, në këtë vepër shpërthyeshëm por edhe me dozën provokimit për studim dhe për komentim të vargut dhe të poezisë, gjatë vjershërimit, sikur kënaqet dy herë me vargun e vet poetik; njëherë pse e shpreh tërë atë dufin që ka përbrenda për t’i kënduar jetës, dhe dy; sepse, ka dëshirë që në varg ta lë “zvarrë” pritjen e komentimit dhe të shprushjes së materies nga lexuesi, gjë kjo e cila qëndron si provokim edhe për nivelin e intelektit të opinionit që duhet t’i përvetësojë, t’i përjetojë dhe t’i komentojë gjërat, të cilat thua se krijuesi i ka strikt vetëm për qejfin e vetvetes. E, këtë, ai e madhështon kur mesazhi poetik shndrit si xhevahir në guacën vetëm pak të hapur. Kjo, ngase autori e ngacmon ardhjen e hapjes së tërësishme të saj, e cila mund të mos ndodhë kurrë, ngase, atëherë gjërat nuk duken edhe aq interesant.
Autori i kësaj vepre, në fillim sikur na tërheq vërejtjen për kujdes, ngase lëndimi është kështjellë me histori të vet, me kërshërinë dhe fshehtësitë të cilat gjithnjë mbesin si kërkim kohe. Për këtë arsye, ai e preferon frerin e stihisë edhe në ferr: “Thirra-thirra shkëndijën hyjnore,/...Ku krojet t’i lektisë vetmia./Lisat e thinjur t’i qeshin gjethes./Buzët t’i shikojnë ëndrrat e jetës/Sytë t’i këndojnë ngjyrës, shpresës.”! Kjo “sëkëlldi” e poetit, e cila në disa raste sikur i ngjanë thjeshtë provokimit, apo ndoshta edhe më shumë injorimit, do të na tregojë se jeta është e tillë, dhe se injorancën e saj duhet kënduar në atë mënyrë që ajo të na duket më e ëmbël sesa ëndrrat.
Poezia si mit jete, historie dhe dashurie...
Nëna, atdheu, vendlindja, është krejt e natyrshme, se janë gjërat më të dashura dhe ideali më kokëfortë i njeriut. Por, të gjitha këto, tek njeriu trajtohen, përjetësohen dhe madhështohen edhe më fuqishëm përkrah shumë rrethanave të cilat i ka imponuar historia, koha dhe etapat e ndryshme me tragjeditë që i kanë sjellë dhe i kanë bërë pjesë jete. Pra, autori i “Makthi”, në shumë poezi sikur krijon mit dashurie, historie dhe mit jete nga emri nënë, i cili, gjatë leximit mund të përjetohet dhe të komentohet në shumë rrafshe, që patjetër se kjo dhemb dhe vret, sepse: “...Hej ç’qenka ky emër, thuaj se më hyjnori,/...Emër i diellzuar-tambël njerëzimi,/I njohur edhe përtej kohëve.../Emër ku brezat hurpin ajër shijemirë”!
Shprehjet dhe fjalët që autori i radhitë me një gjuhë të kulluar për të dëshmuar përjetimin dhe zjarrminë e tij shpirtëror aq me përgjegjësi jo vetëm prej poeti por edhe prej njeriu, të detyrojnë ta kooptosh mendjen tek pesha e ndërgjegjes dhe e vetëdijesimit. Kjo shpon dhe qëllon duke na detyruar historinë e jetës, duke na imponuar obligimin për respektin dhe dashurinë ndaj rrjedhave të jetës si formulë e thjeshtë por edhe shumë e komplikuar e filozofike në të njëjtën kohë, të njeriut i cili, jo rrallë, shkelë mbi parimet e saj, mbi domosdonë e respektimit edhe të rregullave humane. Prandaj, kuptimi për emrin e nënës dhe të atdheut, ka mesazhe të shumëfishta, për çfarë, me të drejtë autori kërkon: “...Me kushtrim lypni këtë emër,/Shihni si farfurinë në shkëmb gjallesë./...I njohur edhe përtej kohe.../Hej, çfarë të jetë ky emër kaq i rëndë?!/Përmasat i përmbush veç emri nënë”!
Duke lexuar këtë vepër, gjithnjë e më shumë titulli i saj vjen duke u bërë arsye, duke u bërë i dashur, edhe pse makthi trishton dhe të lodhë gjithqysh. Mirëpo, tek kjo vepër të lodhë lezetshëm por edhe të bën sy e vesh për këngën e poetit, për mesazhin e tij. Gjithashtu, veprat e tilla ta shtojnë kërshërinë dhe detyrimin për begatimin e imagjinatës dhe fisnikërimin e vetëdijesimit. Andaj, poezitë në “Makthi”, si në fillim, si në mes ashtu edhe në mbarim, përveç që të angazhojnë në mendime, ato tensionojnë për ta kuptuar dhe njohur historinë e rrugëtimit jetësor, por jo për tu ligështuar kur përplasjet lëndojnë dhe as kur loti i ngushton rrugët aq sa malli atëherë na zë frymën kurse shikimi zbehet deri në fund. Këto fenomene të pashmangshme, është e vërtetë, se autorin e kanë bezdisur e ndonjëherë edhe e kanë lodhur e molisur. Por, në të njëjtën kohë, fenomenet e tilla atë e kanë kalitur dhe e kanë bërë krenar për tu përballur me realitetin edhe atëherë kur jetës i vjen duhma e tragjedisë dhe e sakrificës, edhe atëherë, kur ky realitet bëhet dinak, tradhtar, i pamëshirshëm dhe mashtrues.
Për tërë këtë “rrëmujë”, të cilës dot s’mund t’i shmanget askush, poeti këndon me dhembje e lot, por nga e gjithë kjo rrjedhë, ai krijon obelisk krenarie e dashurie për çdo gjë që lidhet me amën e për amën! Për këtë karvan historie, që për njeriun, pothuaj, gjithnjë ishte i zorshëm, me rënie-ngritje dhe me sakrifica nga më të ndryshmet, poeti këngën e shndërron në qortim dhe dokument, vetëm e vetëm që në një ecje të tillë “larat” të mos përsëritën dhe as mos të na bezdisin kurrë më, por ato të shëmbëllejnë vetëm si një strall-dokument, si një simbol qëndrese. Po ashtu, të qëndrojnë edhe si një dëshmi, të cilën, ndoshta bota për ta studiuar si fenomen e simbol pathyeshmërie e kurrsesi si dokument prapambeturie e naiviteti.
Në këtë vepër, ndoshta edhe vetë poeti është pasqyra më e mirë e rrjedhave të jetës së njeriut nëpër kohëra e periudha. Ndoshta, edhe kështu duhet kuptuar poezinë dhe krijimtarinë e tij, ndonjëherë të indinjuar tej mase!
Mendimi i drejtë-filozofi e vargëzimit të sinqertë dhe vlerë e çiltërsisë krijuese
Por, Asllan Osmanaj, përpos vargut, në shpirt na mbëlton thelbin dhe nektarin e këshillës, na begaton me filozofinë e optimizmit edhe atëherë kur loti e ka peshën e tunxhit: “Kurrë s’e gjeta: ç’shpreh loti?/...brishtësi, dobësi, dhimbje, trimëri, çiltërsi...apo...”! Vargjet e tilla, padyshim se na ofrojnë komplet filozofinë e mendimit të drejtë dhe të thellë, kuptimin e lotit dhe të historikut që i ka jeta, që janë realitet e që kuptohen dhe shpjegohen në mënyra dhe forma të ndryshme. Por, përveç kësaj, autori duke e njohur të kaluarën e vendit të vet, ja se çfarë rrëfimi-ankth e makth na ofron për ta komentuar e para se gjithash për ta kuptuar në thelb, dhe kështu për të nxjerrë përgjegjësinë të cilën duhet ta ketë secili ndaj atdheut e vendlindjes: “...Bjeshkë e vrri/jam loti i saj/Eja pishë/mpikma lotin”.
E, në raste të tilla, njeriu gjithnjë mund të “ngatërrohet” në kthetra të errësirës. Për këtë arsye, poeti ligjëron me plot kujdes: “Gutu,/dita ime,/mos ia laj borxhin natës”!
Siç kam theksuar në fillim, por edhe vet titulli i veprës shpjegon për shumë gjëra, të cilat mund të komentohen pa e lexuar edhe as më të voglin varg, sepse, poeti e ka zjarrminë gjithnjë, edhe sot në rrugëtim. Dhe se, me kalimin e kohës, atij i bëhet se i është harxhuar koha për t’i folur e rregulluar gjërat ashtu siç poeti do, ashtu siç njeriu i tij e kishte dhe e ka ëndërr dhe dëshirë të flaktë. Prandaj, edhe mendimi sikur i vlon si qumështi mbi zjarr: “Plasaritja ime/me energji të burgosura”. Duke qenë kështu, ai thuaj se opinionit i thotë, nxito: “Mbushni boshësitë,/të mos përvëlohen/sytë e jetës”. Është ky një mesazh, i cili reflekton përshkallëzimin e problemeve dhe të mangësive me të cilat është përballur njeriu dhe atdheu, por jo vetëm i poetit. Sepse, problemet e tilla i kanë prekur edhe popujt dhe vendet tjera të botës. Kjo nënkupton se vargjet dhe krijimtaria e këtij krijuesi kanë peshë dhe vlera edhe tej kufijve të vendit.
Pothuaj se në të shtatë njësitë cikle të këtij libri, pesha e vargut i ngjanë rrjedhës së lumit, i cili kalon e depërton nëpër vende të ndryshme gjithnjë duke e përcjellë amanetin e burimit-amës prej nga sheh dritën dhe e përjeton agun, perëndimin dhe terrin. Ose, ai i ngjanë rrugëtimit-pelegrinazhit, gjatë të cilit rrugëtim, stuhitë dhe erërat shkaktojnë batica e zbatica, me ç’rast, ato mund të përpijnë e ta copëtojnë nga një grimë jete, nga një copë historie, nga një pjesë vështirësie!
Të gjitha këto, është e vërtetë, imponojnë frikën dhe “fenomenin” e makthit si bërthamë fare të djallit. Andaj, poeti, veç tjerash, kundruall dukurive të tilla, ngre zërin: “... Njerëzia s’don gjë tjetër:/-veç të çlirohet/nga kopilja e trungut vjetër”. Këto vargje, edhe pse kanë të bëjnë me hapësirën dhe me vendin prej nga vjen poeti, mesazhi i tyre ka konotacion shumëdimensional, por që, lë hapësirë për debat, qoftë të natyrës filozofike qoftë edhe të natyrës historike, gjë kjo e cila, sikur atij ia rëndon qenien dhe shpirtin për shkakun se pse gjërat kanë ndodhur kështu, e ndoshta edhe sot e kësaj dite janë ashtu-me zënie fryme, me ngulfatje! Andaj, është e thënë drejtë dhe çiltër, dhe ashtu edhe është: “Vdekja,/pelin i hidhur,/Për njeriun zemërdëlirë/qajnë lisat,/qielli bobotinë”. Dhe, kështu, si shirit filmi, para lexuesit sikur parakalojnë rrjedhat e kohës, të cilat, shpesh kalojnë të mbarësuara me dhembje e herë-herë edhe fare boshe. Në këtë “anagram” të çuditshëm, kriza e moralit, e ndërgjegjes por edhe ajo e vlerave, rëndojnë shpirtin e poetit, e tok me te edhe të njeriut përgjithësisht, i cili, herë merr guxim për tu përballur me to, herë mallëngjehet, herë e kaplon mërzia, herë hidhërohet e pezmatohet, herë demoralizohet dhe ngre zërin për të na kujtuar: “Pse njësoj/Pse ka zgrip?/Pse ka sherr a mëkat?/...pse s’ndreqen/njerëzit hirësirë?”! Por, A. Osmanaj gjithnjë ndez edhe atë dritën përfundimtare të rilindjes së madhështisë e të gëzimit që bashkërisht ushqejnë jetën. Gjithashtu, poeti di të masë dhe të këndojë dhe vargun ta shndërrojë në ngjarje të tërë, në histori e në rrëfim qortues: “Nëna me dy vogëlushët/iu futën pusit me këmbë/dhe u rehatuan në thellësi”! Tragjeditë e tilla, nuk janë vetëm sa për tu shpjeguar dhe vargun për ta bërë përmendore ngjarjesh të dhembshme. Por, poeti, përmes tyre shpreh mllefin e shpirtit, sa që edhe fajësia gjendet në rrethin vicioz të trishtimit si gjë e rrallë mbase edhe e çuditshme dhe ireale.
Dhe, si rekapitullim “makthi” mund të konsiderohet poezia “Hiqmini ethet”, në të cilën zhvendoset makthi për tu vendosur tek lexuesi ironia e kohës dhe e padrejtësisë por edhe e realitetit, i cili di të jetë edhe tragjik edhe johuman! Andaj, vargjet e kësaj poezie himnizuese trokasin e shkaktojnë plagë e dhembje nga më të ndryshmet, sepse, kur jeta është e harlisur dhe e ç’rregulluar: “Loton guri qorr vetëm/nga mungesa e gurit./Zogu këput këngën/nga vetmia për zogun./...Njerëzit shitohen pa dashurinë e njeriut/Atdheu druhem se vdes/nga mërdhitja e brezave/...Hiqmini ethet...!”.
Veç kësaj, gjatë tërë leximit, tek poezitë e A. Osmanajt, e hetojmë përshkimin e frymës së Migjenit, për të mos thënë më ndryshe dhe me kuptimin e shumëfishtë filozofik, i cili kuptim, të qeshurit e shndërron në lot e lotin në dhembje, kurse të gjitha këto në zë kohe, në zë toke e njeriu për ta flakur ankthin e makthin, për çfarë poeti thërret: “...Ma lehtësoni dhembjen/që më shpon në asht!”.
E tërë kjo, është një kuvendim me krijimtarinë letrare dhe me vargjet e krijuesit, Asllan Osmanaj, i cilit, nga etja për ta ngritur në lapidar dhe për ta bekuar të mirën dhe lumturinë, gjithnjë sikur druan se çfarë do të mbetet nga njeriu: “Prej njeriut çfarë mbetet?/Diku, kockat nën tokë,/diku, hi në shishe apo.../diku, emër në harresën e pllakës”! Kështu, ai, sikur dëshiron të vë në spikamë frikën nga tretja, e cila mund të ndodhë që “nga lindja në shuarje”. Mirëpo, poeti jo vetëm në vetveten e vet por edhe në qëndresën e njeriut, qoftë ajo edhe e çuditshme, trashëgiminë dhe virtytet më të dëlira i stolisë me madhështinë shpirtërore dhe njerëzore. Andaj, ai përkundër dhembjes dhe lotit që i ka bashkudhëtarë e nganjëherë edhe sot shokë të besueshëm në jetë, i sigurt në vetvete dhe me krenari, thotë: “Kurrë mos druani/fëmijët e mi,/njerëzit e mi./Ballin mos e ulni,/pezëm s’u lash peng./Shihni çdo njeri/me thjeshtësi në sy”.
Me këto vargje edhe mund ta përmbyllim këndimin me peshë, me mesazh të qartë, me metaforë e cila nganjëherë i ngjanë madhështive dhe amanetit të njeriut e të fisit të tij, që rrezatojnë ngrohtësinë e dritës, e cila ka munguar dhe shpeshherë mungon edhe tash. Kjo është tërë ajo fuqia e vargëzimit të poetit të “Makthit”, vepër kjo e cila le të forcojë edhe tash makthin si realitet, le ta shndërrojë edhe poetin në këtë emërtim, sepse, ai, si sytë e ballit e do tokën, dritën dhe njeriun. Ai, i do në mënyrën e vet dhe shumë të veçantë! Ama, shumë sinqerisht e them: i do në mënyrën e vet, ku dhembja, gëzimi e zjarri i krijojnë katër stinët e vitit, të cilët janë shokë që e përqafojnë ndijimin dhe përjetimin e poetit, edhe atëherë kur është i puqur në shtrat ëndrre, edhe atëherë kur është i trembur nga dehja qiellore!