Kulturë
Vullnet Mato: Motra jonë durimmadhe
E enjte, 01.07.2010, 07:30 PM
Vullnet Mato
MOTRA JONË DURIMMADHE
Durimmadhja shpirtpastër, o motra jonë e vetme,
duarshkathëta për gjithçka ushqeheshim e vishnim,
dhembshuria që lije kokën pas gjashtë vëllezërve,
floriri i ndritshëm i të gjitha varfërive që kishim;
U rrite pa u ndjerë, moj guguçja jonë krahëshkruar,
çdo ditë në trup të vezullonin pendët e purpurta.
Të
se folenë në strehë tjetër do thurje me thupra.
Të vinin tufat e pëllumbave përqark duke gugitur
dhe ne i qëllonim me llastiqet tona ku të mundnim,
pa ditur se po të përzinim gëzimin e shumëpritur,
pa menduar se ty në jetë të duhej dhe pëllumbi.
Të gjithë në një gojë, të shamë e të ofenduam,
kur tinëz i buzëqeshe ndonjërit që i mbetej syri.
Vetëm kur ike dhe pamë se mbetëm pa sy e duar,
kuptuam se na mungonte të gjithëve lulja e shpirtit...
Oh, sa shumë qave atë ditë kur na le fare vetëm
dhe dole nga dera për të fluturuar larg nëntë male!
Na erdhi keq, që pa cicërimat e një vajze mbetëm,
por dhe u gëzuam që shpëtuam nga sytë e zuzarëve.
Vonë të kërkuam falje e t’i puthëm të dy duart,
ndonëse na mungoje dhe pa ty nuk jetonim dot.
Të thamë se do ishe prapë në zemrat tona vluar,
dhe t’i lagëm dhjetë gishtat e unazave me lot...