E premte, 03.05.2024, 03:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (XII)

E hene, 28.06.2010, 09:16 PM


SHUMËSI DHE  SHQUARSIA

E  EMRAVE

NË SHQIPEN STANDARDE

(konstatime, diskutime, propozime)

 

Nga DR. NUHI VESELAJ

nuhiveselaj@hotmail.com

 

 

IV. KONSTATIME RRETH PRANISË në shqipe TË emrave

të përveçëm TË NJERËZVE Me prejardhje

arabo-turko-persiane

 

Rreth pranisë së emrave të përveçëm të njerëzve në shqipe me prejardhje arabo-turko-persiane në këtë krye do të bëjmë fjalë:

së pari, rreth disa konstatimeve të përgjithshme për emrat në shqyrtim,

së dyti shqipja në raport me gjuhët ndërndikuese (boshnjake, turke, persiane e arabe) dhe

së treti, do të emnojmë burimet e konsultuara rreth emrave në shqyrtim.

 

1 Konstatime të përgjithshme

 

S’do mend se emrat e përveçëm me prejardhje arabo-turko-persiane erdhën në gjuhën tonë, siç u cek pak përpara, jo vetëm në kontakt me bartësit e emrave të tillë, por ata erdhën e u shumuan, madje u fuqizuan dhe u normëzuan faktikisht, bashkë me pranimin dhe përvetësimin e fesë islame nga shtresa të caktuara të popullatës shqipfolëse që daton që nga epoka para skënderbejane, dhe vazhdoi në atë epokë e më vonë, d.m.th. sidomos para Rilindjes sonë Kombëtare dhe nuk pushoi edhe gjatë kësaj periudhe, madje nuk u shua, por u fuqizua edhe gjatë periudhës së Pavarësisë e në vazhdimësi deri në ditët tona, që del në raste e rifuqizuar me propagandë legale sot e gjithë ditën, ngase ata,  vërtet, si të tillë me kohë ishin bërë pjesë përbërëse e aktive, jo vetëm e leksikut tonë, por edhe e kulturës sonë leksiko-terminologjike. Ç’është e vërteta, në punimet e deritashme, në gjuhësinë tonë, emrat e përveçëm të njerëzve me prejardhje arabo-turko-persiane nuk janë fare të paprekur studimisht  në vija të përgjithshme, por, me sa dimë, ata deri më sot nuk janë trajtuar veçan në hollësi, imtësi e thellësi, siç e meritojnë. Pse ka ndodhur kjo, nuk duam të supozojmë, por megjithatë s’mund të rrimë pa thënë diçka.

Është e vërtetë se elita intelektuale shqiptare, pra edhe e konfesioneve të caktuara ishte ballafaquar edhe me një problem të tillë, por rrethanat historike do të kenë ndikuar që kjo temë (e konsideruar mbase si problem me ngjyrim fetar oriental osman  e më keq me averzion edhe otoman), të mbetet si çështje anësore në krahasim me problemet e tjera që ishin më të përgjithshme dhe konsideroheshin më me peshë për nga interesi politik e kombëtar i ditës.

Pothuajse plotësisht duam të pajtohemi me Urim Gjatën, kur konstaton se:

“Gjithë klerikët shqiptarë, muhamedanë (begtashi e sunitë), të krishterë, (katolikë e ortodoksë) janë lindur dhe rritur me kulturë të emancipuar dhe me ndjenja kombëtare, por edhe si besimtarë të ndershëm të bindur dhe të vendosur deri në sakrifikim... pa përbuzur cilësitë pozitive të kulturave të tjera”. Shih: ZSH, 21.10’9.)

Megjitatë, ç’është e drejta, tema e shqyrtimit të turqizmave ose të orientalizmave përgjithësisht në gjuhën tonë nuk ka munguar as kah gjysma e viteve të shekullit të kaluar e më vonë. Intelektualët e caktuar me përgatitje solide që nuk i kanë munguar asnjëherë këtij populli, si përpara ashtu edhe gjatë Rilindjes ashtu edhe para e pas LDB-së, duke rrahur probleme me rëndësi kombëtare, shoqërore e shkencore i kanë prekur edhe këta emra, por me qasje e qëndrime të ndryshme. Kjo ka ndodhur edhe në etapën që sapo e zumë në gojë. Dihet se shkenca shqiptare as kombëtarisht as ndërkombëtarisht nuk është nxitur dhe në një farë mënyre as që ka  pasur mbështetje të duhur materiale, ndoshta edhe as morale për trajtimin e temave të tilla më përpara e ndërkohë. Është e vërtetë se në etapa të caktuara të gjëllimit e të zhvillimit të vet elita politike-kulturore e popullit tonë kishte njëfarë alergjie, të shfaqur propagandisht si inercion ndaj sundimit otoman(!) disa shekullor, pra edhe nga turqishtja osmane (orientale) dhe synonte pa shibla ta përqafojë, si të themi, me nxitim kulturën evropiane perëndimore. Kjo shihet edhe nga vërshimi pa ledhe i huazimeve a i fjalëve të huaja përkatëse në gjuhës shqipe nga kjo anë. Nuk është fjala vetëm sa i përket terminologjisë tekniko-shkencore e kulturore nga gjuhët perëndimore, ngase kjo terminologji del e pranueshme domosdo në përmasa të caktuara edhe nga bota turko-arabe e persiane, por edhe në sfera të tjera të jetës e të dijes. Kjo ka ngjarë edhe në mënyrë të organizuar, ngase një zëvendësim i tillë i terminologjisë turke ka filluar, edhe në Komisinë Letrare të Shkodrës (1916-1918), por ka vazhduar e më vonë. Megjithatë, kjo kthesë gjykimi që ka ndodhur edhe në vetë Turqinë nuk mundi me e çrrënjosë përgjithësisht as mentalitetin fetar, madje as elementet gjuhësore lidhur me të, e sidomos kur kemi të bëjmë me emra myslimanësh, edhe pse nuk përjashtohen zbutje sa u përket fanatizmave. E kemi fjalën për terminologjinë nga sfera e fesë islame, ku patjetër bëjnë pjesë edhe emrat vetjakë të asaj natyre që dalin të rrënjosur thellë nga tradita në gjuhën dhe kulturën tonë.

 

Sidoqoftë, është fat që edhe studiuesit tanë të profilit të lartë përkatës shkencor e gjuhësor, të kohës sonë, gjysmës së dytë të shekullit XX, pa marrë parasysh trysnitë ideologjike e politike i trajtuan edhe elementet gjuhësore orientale në gjuhën shqipe, duke dhënë edhe ndihmesa të qëndrueshme ndër të tjera edhe objektive rreth kësaj problematike. Në këtë kontekst po veçojmë veprën e Tahir Dizdarit, Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe, i kryer aty nga fundi i viteve 60-a, të shekullit të kaluar, por i botuar në vitet e para të këtij shekulli, ku sapo kemi hyrë. Po edhe punime të veçanta kushtuar kësaj teme nuk kanë munguar. Ndër to që iu kushtuan edhe huazimeve turke, po përmendim punimet e doajenëve të shkencës sonë gjuhësore të shekullit që sapo lamë pas, punimin e prof. E. Çabejt me titull “Për një shtresim kronologjik të huazimeve turke të shqipes” (Shih: Studime mbi leksikun... III, Tiranë 1989, f. 117) dhe atë pasues  të prof. A.  Kostallarit dhe të ndonjë tjetri. Dhe pikërisht nga punimi i prof. Kostallarit me titull “Rreth depërtimit të turqizmave në gjuhën shqipe gjatë shekujve XVI-VIII”, për hir të autoritetit që gëzonte në etapën e caktuar autori dhe çështjet që prek, të cilat ende janë aktuale, po shkëpusim një pjesë të  konstatimit të tij:

 

“Nga njëra anë, të dhënat e deritashme (fjala është për dokumente në gjuhën osmane n.v.) tregojnë se ka dhe duhet të ketë akoma shumë material e dokumente që presin të zbulohen e të bëhen pronë e shkencës. Nga ana tjetër edhe materialet e problemet e njohura kanë nevojë të analizohen e të ndriçohen më tej në anët e tyre të veçanta; përfundimet e pjesshme presin të lidhen e të përgjithësohen në një mënyrë më organike e më të organizuar...”  (Shih Studime mbi leksikun...III, Tiranë 1989, f. 93.)

 

Pra, nga ky fragment i shkurtër mësojmë sadokudo, qoftë për interesimin  shkencor që ishte (ri)ngjallur në atë periudhë si dhe për detyrat për verifikim të rezultateve që dilnin në këtë drejtim. Profesor A. Kostallari, në këtë punim, përmend numrin e huazimeve të tilla që arrinin, sipas tij, në 4000 njësi, aq sa supozohej se ishin të inkorporuara në gjuhën tonë dhe ato autori i merendon sipas disa sferave të përdorimit, ku, veç tjerash, b.f., si terma administrate (emra të përgjithshëm) përmend shifrën 800, si terma nga feja islame 170 etj., por si duket ai, ashtu si dhe të tjerët para tij e pas tij, nuk kishin pasur parasysh gjatë numërimit si fjalë të huazuara emrat e përveçëm të kësaj sfere që është temë e punimit tonë. Kështu themi ngase siç do të shohim në vijim  po të ishin numëruar edhe emrat në fjalë që realisht kalojnë dhe e teprojnë 1000-shin, atëherë numri i orientalizmave do të ishte me mija fjalë. më i madh, por sidoqoftë konstatimet e tij dhe të tjerëve i quajmë shumë pozitive për atë kohë, por që  kanë vlerë edhe për kohën e sotme e për të ardhmen.

Prof. A. Kostallari ndërkohë ka dhënë kontribut, pikërisht edhe rreth temës që po e trajtojmë ne, edhe pse emrat burimit në shqyrtim i cek në lidhshmëri me çështje të tjera të rëndësishme historike e gjuhësore. Ai, veç tjerash, në punimin e tij,  shtron këto mendime si porosi:

 

“Ka rëndësi të veçantë sidomos të studiohet se ç’marrëdhënie u krijuan  në mes të emrave ilirë dhe të emrave që solli krishterimi në vendin tonë, si u vendosën dhe u përhapën emrat islamikë... Studime të tilla do të ndriçonin shumë aspekte të panjohura jo vetëm të historisë së kulturës së popullit tonë, por edhe të bashkëmarrëdhënieve të tij me popujt e tjerë... Janë dy faktorë, tradita dhe rrymat e kohës, që kanë bashkëvepruar në të kaluarën, dhe do të bashkëveprojnë edhe në të ardhmen... Zemra e kësaj tradite është fondi i emrave të shqipes,    radhë  të parë janë emrat abstraktë... Ne nuk mund të mos i quajmë pronë kulturore të kombit tonë ose pjesë përbërëse të traditës sonë kombëtare, emrat me prejardhje joshqiptare që i kanë mbajtur shekuj me radhë stërgjyshërit tanë... Mbiemrat (patronimët n.v.) shpeshherë më qartë dhe më shumë se emrat pasqyrojnë gjendjen e shoqërisë sonë në të kaluarën... Kjo duket qartë në mbiemra të tillë si Myderrizi, Kadiu, Prifti, Samarxhiu,  Kasapi, Sahatçiu etj.... Çdo masë e dobishme dhe reale ka nevojë të mbështetet në studime konkrete... Këtu nuk është puna vetëm për të ndrequr disa parregullsi që ka lënë e kaluara. Ajo që ka rëndësi të veçantë është të përcaktohen rrugët që këto parregullsi të mos shtohen më në të ardhmen. (Shih: Çështje të normës letrare, Prishtinë 1980, f. 24-27)

 

Vërtet të gjitha këto konstatime, të cilat janë thënë në kohën kur në Shqipëri zyrtarisht ishte e ndaluar dhe luftohej feja, mund të shërbejnë si tema të veçanta edhe sot, tema a çështje këto që presim të shqyrtohen veçan nga gjuhëtarët tanë aktualisht, të cilat tashti mund të shqyrtohen pa ndikesa ideologjike dirigjiste dhe pa averzion. Në të vërtetë, ne, në parim, gjatë punës sonë, i patëm parasysh këto konstatime dhe do të përpiqemi t’i implementojmë edhe gjatë punimit të temës sonë në shtjellim e sipër.

Gjithsesi ne nuk mund të mos kemi parasysh faktin se kemi të bëjmë parësorisht me emra  të sferës orientale, islame, d.m.th. me emra që i bartën dhe ende i mbajnë tradicionalisht, si  ne, ose si shumica e popullit tonë, i cili siç thuhet në Shqipëri mbi 70-80% i ka takuar ose edhe i takon konfesionit islam, përkatësisht që janë të lidhur me emra personalë të këtij konfesioni, ndërsa në Kosovë e Maqedoni (sidomos popullsia shqiptare) mbi 95%, madje johamendjesisht, por edhe zyrtarisht i takojnë fesë islame Përkundër propagandës së bardhë kombëtare që pagëzimet e reja të bëhen në frymë kombëtare, d.m.th., me emra me prejardhje shqipe ose me prejardhje ideologjikë a “moderne”, që sot nuk kundërshtohet as nga klerikët myslimanë, të cilët parimisht kërkojnë e pajtohen sipas një hadithi që interpretohet në atë mënyrë se emrat e rinj të fëmijëve të familjeve muslimane dora e parë të jenë të mirë, të kenë përmbajtje të pranueshme kuptimore, pra edhe përmbajtje të plotkuptueshme edhe në shqipe, përsëri emrat orientalë faktikisht në popullin tonë ende mbizotërojnë numerikisht e frekuentisht.

Mendoj se këtu është rasti të cekim punimin mjaft cilësor të studiuesit Qemajl Morina me titull Si t’i emërtojmë fëmijët tanë?!, botuar në Takvim- Kalendar 2000 (Prishtinë), ku përmendet hadithi me të cilin porositet që fëmijëve duhet t’u vemë “emra të bukur” dhe jo me përmbajtje të pakuptueshme motivuese, ngase “imitimi i emrave të huaj  është i dëmshëm si në aspektin  fetar  ashtu edhe në atë kombëtar...”  Është interesant se  në këtët punim, materiali i të cilit do të shfrytëzohet edhe në punimin tonë, veç tjerash  rekomnadohen emra  të motivueshëm anas shqiptar, pa cekur veçan emra me prejardhje orientale, por  nënkuptohet se ndaj emrave të tillë nga trashëgimia islame duhet të hiqet qëndrimi averziv.

 

Sidoqoftë, tani, lidhur me shumësinë e emrave të tillë me prejardhje arabo-turko-persiane po mjaftohem me një fakt më të ri, përveç atij që e thamë në kreun e mëparshëm. Në gazetën Zëri të Prishtinës më 10 janar 2009 u botua një listë e fituesve të shpërblimit nga Petrol Compani, ku ndër 620 emra zyrtarisht të verifikuar, sigurisht, sipas lejeve të njoftimit, mbi 250  të gjinisë mashkullore dalin me prejardhje myslimane (islame), mbi 100 dalin me emra me origjinë shqipe, kryesisht emra të rinj, nja 10 dalin mbi bazë kristiane a “moderne”, po disa emra të tillë përsëri dalin me mbiemra (familjarë) myslimanë. Po në atë listë në gjininë femërore, ndonëse dalin më pak emra përfituesish të kësaj gare, me sa pamë, megjithatë dalin mbi 60 emra të gjinisë femërore, prej tyre mbi 20 kanë prejardhje orientale (islame), ndërsa  40 dalin emra bashkëkohorë, shumica janë me prejardhje shqipe. Ka edhe përjashtime e ndonjë shembull si më karakteristik pre tyre do ta përmendim në vijim në kontekste përkatëse gjatë analizës.

 

 

2. Shqipja në përqasje me gjuhët  (ndër)ndikuese rreth

emrave në shqyrtim

 

Për emrat me prejardhje arabo-turko-persiane patën (ndër)ndikim, më pak a më shumë, këto katër gjuhë: boshnjakishtja, persishtja, turqishtja dhe arabishtja. Për secilën nga këto gjuhë ndikuese lidhur me emrat në shqyrtim po e themi ndonjë veçori.

 

a)  Shqipja në raport me boshnjakishten

 

Shqipja duke qenë me shekuj në kontakt me boshnjakishten sigurisht ka edhe përqasje sa u përket emrave në shqyrtim. Studime të veçanta mbi këtë temë nuk dimë se ekzistojnë, por dihet se ka ndërlidhje  ndërndikimi dhe kjo argumentohet çdo ditë, jo vetëm nga faktet që dihen dhe ndonjëra nga ato do të theksohet më poshtë, por edhe në mënyra e kontakte të tjera, tashti edhe me kontakte elektronike masmediative etj.

Siç dihet boshnjakishtja si gjuhë ka ekzistuar qysh më parë se kur ka filluar islamimi i popullit boshnjak, përkatësisht i folësve të ashtuquajturës gjuhë boshnjake, e cila për arsye sociolinguistike u quajt ndërkohë si gjuhë letrare serbokroate ose  kroato-serbe. Gjuhë kjo, e cila u shthur, nëse mund të thuhet kështu, gjatë luftrave të fundit, kur u shpartallua Jugosllavia e pas LDB-së, prej nga u identifikuan si gjuhë kombëtare: kroatishtja, boshnjakishtja, gjuha malazeze dhe serbishtja. Në të vërtetë, mund të thuhet se boshnjakishtja u riidentifikua si gjuhë më vete, ngase pothuajse të gjitha elementet strukturore e sistemore si dhe rregullsitë gjuhësore që i ka pasur me emërtimin e përbashkët si gjuhë zyrtare ato vlejnë edhe sot, ndonëse si çdo gjuhë mund të ketë edhe ndonjë specifikë të veçantë që ndërlidhet me ndonjë arsye e këtu po përmendim përvetësimin e termave dhe të disa finesave gjuhësore turko-persiane-arabe nën ndikimin e fesë islame.

Sidoqoftë, në këtë gjuhë emrat në shqyrtim quhen muslimanska imena (emra myslimanë). Sa i përket drejtshkrimit emrat e tillë, me sa dimë, dilnin, siç dalin edhe sot më të studiuar dhe më të përpunuar se në gjuhën shqipe. Arsyet besoj se dihen. Boshnjakët këta emra i konsiderojnë me identitet të plotë kombëtar e në shqipe kanë paksa tjetër tretman. Sidoqoftë, ndonëse me boshnjakët pasi shumica prej tyre janë muslimanë, ashtu si edhe shqiptarët, gjithkëtej, na ka lidhur fati i njëjtë historik në të kaluarën, por edhe në kohën e tashme, me xhami të përbashkëta, me kuadro fetarë të ndërkëmbyeshëm, ndikimi e trysnia e njëjtë nga osmanishtja, terminologjia  e  njëjtë arabo-turko-persiane etj, megjithatë na ndan gjuha, shqiptimi edhe sa u përket emrave në shqyrtim. Siç do të shohim në vazhdim, ne do të hetojmë veç pikave të përbashkëta edhe ndonjë ndryshim, por edhe ndikime të ndërsjella.

Ç’është e vërteta, përveç lidhjeve historike të lashta e të mëvonshme, siç u cek,  ka shumë shqiptarë e boshnjakë që kishin dhe kanë ende lidhje tregtare ekonomike mikste e të ndërsjella, madje edhe lidhje miqësore e martesore e së këtejmi, edhe sa u përket emrave të përveçëm, ka edhe ndërndikime, sepse kur në shqipe, sidomos te ne, mungonin shkolla e literaturë fetare islame, mjaft studentë tanë u shkolluan në medresetë e shkollat e larta të Sarajevës ose e përdorën, siç e përdorin edhe sot, literaturën përkatëse të botuar atje, sepse vërtet, siç u tha, me sa dimë, në boshnjakishte emrat në fjalë dalin më të përpunuar se në shqipe dhe ndërndikimi i kësaj gjuhe me shqipen nuk ka ardhur, sidomos në etapa të caktuara, vetëm nëpërmes turqishtes, por edhe nga konstakti i drejtpërdrejt i popujve dhe i gjuhëve tona. Edhe sot në Kosovë jeton një bashkësi e ndjeshme boshnjake për nga numri si edhe ajo turke në miqësi e harmoni të plotë me komunitetin mysliman shqiptar e përgjithësisht. Edhe sot, pra, në Kosovë, po përsërisim, bashkëjeton me shqiptarët një komunitet i konsiderueshëm i boshnjakëve.

Gjatë analizës së emrave në fjalë sipas tipave a veçorive të caktuara gjuhësore në atë gjuhë vërehet mungesa e Y-së së turqishtes si dhe të tingujve DH, TH të arabishtes që shqipja i ka. Siç dihet arabishtja  përveç zanoren y nuk e ka as zanoren o, andaj si boshnjakishtja edhe shqipja  disa emra arabë i ka huazuar nga turqishtja me zanoren –O, ku bën pjesë edhe emri Osman (arab. Uthman). Do të ishte me mjaft interes që edhe nga  aspekti fonetik shqiptimor  në raport të këtyre katër gjuhëve të jetë objekt trajtimi, prej gjuhëtarëve tanë, prej nga, mendojmë ne, do të dilnin rezaltate me interes edhe për gjuhën tonë edhe në fushën e emrave në shqyrtim.

Ne do të përmendim gjatë analizës edhe zgjidhjet që janë bërë në boshnjakishte me tregues të veçantë dhe ndikimi i tyre dhe i ndonjë veçorie tjetër, qoftë edhe në përmasa të vogla në trajtat e gjuhës sonë, sidomos te ne.

 

 

b) Raporti me persishten .

 

Disa emra të ashtuquajtur myslimanë kanë prejardhje nga gjuha persiane. Kjo gjuhë bën pjesë në gjuhët i.e. si edhe shqipja, po ndikimi i emrave të tillë ka ardhur nëpërmjet turqishtes ose arabo-turqishtes. Këtë rast po përmendim se prapashtesa  -tar, -q/ar të fjalët bajrakdar, taksildar, hisedar, hyzmet(t)qar, gjynahqar ka ngjashmëri me atë të shqipes -TAR, -AR bajraktar, kujdestar, vegshar, mundqar etj., por ka edhe ngjashmëri edhe lidhur me prapashtesa të tjera, të cilat edhe mund të jenë koincidente pasi persishtja me shqipen, përkatësisht folësit e këtyre gjuhëve nuk kishin afri masive fizike.

Sido që të ketë qenë, ne po i kthehemi temës. Është e vërtetë se disa nga emrat në shqyrtim kanë prejardhje persiane, qoftë të plotë ose të pjesshme. Ja disa shembuj të tillë konkretë që dalin në përdorim edhe në gjuhën tonë në të dyja gjinitë:

Gjinia femërore: Arzije, Desije,  Dilbere, Dudije, Dizare, Jasmin-e, Nermin-e Nerxhivan/e, Nevzate, Gjylzade, Gjylbehare, Gjylten/e Xhuzide, Shahindere, Shehzade, Sha(h)zade, Zade. Hanëmshah/e, Hyrishah/e, Neriman/e,  Pemba  e ndonjë tjetër.

Gjinia mashkullore: Behar, Bahti, Bahtiar, Bahtir, Begtash, Behram, Dervish, Dilaver, Dizdar, Gjylagë, Feriz, Hysref, Kahriman, Kazaz, Lala, Mirza, Nerkez, Nevzat, Njazi, Qerkin, Qenan, Rrustem, Selver, Shasivar, Sheremet, Shenasi, Xhemshit,  Xhihan, e ndonjë tjetër

Vihet re se te disa emra të gjinisë femërore pasi nuk dallohet shquarsia në disa raste,  ata  në shqipe  po shquhen e shqiptohen si emra  të gjinisë mashkullore. Për këtë krahaso: Nermin, Hyrishah, Hanëmshah  e ndonjë zjetër.

 

Sido që të jetë, me zhvillimin dhe normalizimin e shkencës sonë gjuhësore presim që në raportin shqipe/persishte të dalin studime të veçanta, ku do të përfshihen edhe emrat që janë temë e punimit tonë.

 

 

c. Raporti me turqishten.

 

Edhe nga turqishtja osmane (dikur) e turqishtja e re tash në komntinuitet, ashtu si boshnjakishtja, i kemi të trashëguar, jo vetëm emra arabë sipas shqiptimit turk, por edhe disa emra të tillë të përvetësuar si emra myslimanë, drejtpërdrejt  me origjinë turke,  siç janë:

Gjinia femërore: Altën/e, Alltan/e, Ajkune, Ajna, Alma, Elma, Badem/e, Begije, Hana, Ikball/e, Jalldyz, Nexhar/e, Pakiz/e, Pashije, Qelebije, Sulltane, Zet-han/e, e ndonjë tjetër.

Gjinia mashkullore: Agan, Agush, Ajvaz, Ajaz, A(r)sllan, Ajdin, Bajram, Berat, Demir, Destan, Durak, Durmish, Ikball, Jashar, Jetish, Fazli, Kajtaz, Kapllan, Kurt, Mehmet, Orhan  e ndonjë tjetër.

Meqë turqishtja si gjuhë uraloaltaje nuk ka shquarsi emri as dallim mbaresor gjinie, atëherë një numër i konsiderueshëm i  emrave  të gjinisë femërore me bashkëtingëllore fundore, në boshnjakishte rregullisht dalin me -A, e në shqipe sipas rregullit (regjistrave rekomandues që konsultuam) dalin me -E, ashtu siç i shënuam edhe ne, por në realitetin tonë, siç do të shohim, mjaft shpesh dalin dy a tri varianteshe:me konsonant fundor, me -i fundore,  por më tepër me -E fundore.

Sidoqoftë, nën ndikimin e formës pa shquarsi nga origjinali, në gjuhën tonë numri i shembujve të tillë, d.m.th. të emrave të gjinisë natyrore femërore që shquhen si emrat mashkullor del jo aq i vogël, siç do të shohim më poshtë, andaj, përcaktimi i gjinisë së emrit, sipas natyrës së gjuhës sonë, kërkon përzgjedhje më të përshtatshme, duke u mbështetur sipas trajtës së formës, përkatësisht sipas shquarsisë, numrit, rasës deri edhe sipas nënklasës a tipit të emrit përkatës.

Del karakteristik edhe shumësi i emrave përkatës në këto tri gjuhë (boshnjakisht, persisht, turqisht) në raport me shqipen.

 

Po i shfrytëzojmë sa për ilustrim shumësin e dy shembujve çoban dhe dert, me origjinë persiane që prof. Shaban Demiraj i përmend në punimin e tij (Shih: Univers 8, Tiranë 2006, f. 35), por që ne po i shtojmë edhe variantet e shumësit  boshnjakisht e shqip:

 

Persisht         Turqish           Boshnjakisht               Shqip

1.     çuban-ha        çoban-llar            çoban-i                      çoban-ë/t

2.     dard-ha          dert-ler                 dert-e                        dert -e/t

 

Të vihen re trajtat e shumësit uniform në persishte, me siharmonizimin vokalik (a:a, e:e) në turqishte, me elemente të veçanta në boshnjakishte (i e) si dhe me mbaresat, përkatësisht nyje-mbaresat përkatëse në gjuhën shqipe: -(Ë/T, E/T).

Trajtimi i posaçëm i këtyre rasteve nga specialistët do të kishte me qenë shumë i dobishëm dhe i mirëpritur në gjuhën tonë. Ne, në vijim lidhur me këtë do të cekim vetëm ndonjë rast të diskutueshëm në raportin turqishte/shqipe, pa hyrë në hollësi, siç është, b.f. raporti i barasvlerësisë a ndërndikimit të idiomave që edhe në shqipe edhe në turqishte zakonisht në përbërjen e tyre kanë paskajoren, ku paskajorja e mirëfilltë me+pjesore e shqipes në të shumtën e rasteve ka barasvlerësi të plotë me infinitivin ose isim-fiil-in (emër-folje-n) e turqishtes.

 

 

ç) Raporti  me arabishten

 

Gjuha arabe, edhe pse jo gjuhë i.e. po si gjuhë semite, madje edhe jo aq në kontakt të drejtpërdrejt fizikisht, me shqipen e sotme (edhe pse nuk përjashtohen ndërlidhje të caktuara të mëhershme), por  tash duke qenë si gjuhë e përhershme namazi (lutjeje) ose si gjuhë kuranore, bazament i fesë islame, ka pasur dhe ka ndikim jo të vogël në gjuhën tonë, sidomos në përhapjen e emrave të përveçëm të njerëzve me prejardhje arabe (islame).

Studiuesi Shkumbin Munishi, edhe pse nuk i përmend emrat personalë me të drejtë ka konstuar se:

Është me rëndësi të përmendet se në Kosovë përdoret edhe arabishtja e Kuranit, e cila përdoret në domene kryesisht të kufizuara, siç janë shërbesat fetare muslimane, por ndikimi i saj historikisht ka lënë gjurmë në gjuhën shqipe. (Shih: Zëri, 5.12.’9, f. 38.)

 

Pra kuptohet se gjurmët e tilla janë shenjëzuar gjatë shekujve, para e sidomos, kur u përqafua feja islame në trevat shqipfolëse, madje jo edhe aq spontanisht në mejtepe, shkolla e mënyra të tjera, jepeshin elementet e para të gjuhës arabe, madje në mënyrë më të theksuar se ato të turqishtes, atëherë edhe emrat vetjakë si dhe disa fjalë arabe u bënë pjesë e fjalësit të shqipes. Madje edhe sot në Kosovë dhe trojet tjera shqipfolëse shihet njëfarë ripërtëritja pasi kemi mejtepe, medrese, por edhe fakultete ku mësohet arabishtja.

Në të vërtetë, sa i përket terminologjisë përgjithësisht, po në radhë të parë të terminologjisë islame termat e arabishtes kanë vërshuar shumë herët jo vetëm në gjuhën shqipe, por pothuajse, në të gjitha gjuhët e botës, por më tepër të shtetet dhe popujt  e botës arabo – islamike, ku bëjnë pjesë edhe trojet shqiptare, sepse shumca e tyre mbi 70-80% e kanë ose respektojnë fenë islame.

Me sa kemi njohuri (Shih: Miftar Ajdini, Gjuha arabe I, Prishtinë 1997 dhe Qazim Qazimi, Gramatika e gjuhës arabe  - morfologji e sintaksë (tekst universitar), Prishtinë 1999)) edhe në raportin gjuhë arabe/gjuhë shqipe ka përkime si në sistemin emëror edhe në atë foljor (pjesët e ligjëratës) pikërisht lidhur me klasën e emrave ka ngjashmëri kategorish. Edhe arabishtja  në sistemin emëror është e pajisur me kategorinë e gjinisë (mashkullore, femërore dhe asnjanëse), të numrit njëjës e shumës, por ajo ka dhe numrin dyshor, të rasës (emërore, gjinore e kallëzore), madje ka edhe kategorinë e shquarsisë dhe të pashquarsisë të emrit. Gjithashtu edhe në sistemin foljor del e pajisur me  kategoritë: të kohës, diatezës, numrit, vetës dhe të mënyrës,. por siç dihet natyra e secilës gjuhë ka veçoritë e veta dalluese. Së këtejmi edhe kategoritë e përbashkëta të sapocekura ndryshojnë, sidomos në raportin e treguesve gjuhësorë. Përkime ka edhe në fushën e sintaksës.

Sidoqoftë, lidhur me këtë po e paraqitim konstatimin e prof. Shaban Demirajt:

 

“Mjafton të rikujtojmë këtu faktin e njohur që arabishtja e ka të zhvilluar kundërvënien mashkullore-femërore, jo vetëm tek emrat e mbiemrat, por edhe te foljet në veten e tretë...në turqishte nuk është e zhvilluar fare kategoria gramatikore e gjinisë...nuk ka kundërvënie: trajta e pashquar e shquar që arabishtja e ka, madje: arabishtja mbiemrat i rendit rregullisht pas emrit (sikurse shqipja), ndërsa turqishtja i rendit rregullisht para emrit... (Shih: Univers 8, Tiranë 2006, f.  34-35)

 

Sido që të jetë, për mendimin tonë trajtimi i veçorive të emrave të gjuhës arabe në raportin ndërgjinisor sipas formës, sipas kuptimit dhe sipas përdorimit në krahasim me emrat e konfesionit islam të gjuhës shqipe dhe në veçanti masdar-i (infinitivi i gjuhës arabe), i cili ka edhe eptim si folje edhe si emër, në krahasim me paskajoren e mirëfilltë me + pjesore të gjuhës shqipe, do të sillte rezultate a konstatime me shumë interes shkencor, dhe si rrjedhojë, në radhë të parë do të shndritej objektivisht ndonjë gjurmë ose ndikimi i strukturës ndërtuese fjalëformuese të asaj gjuhe në gjuhën tonë, sidomos kur kemi të bëjmë me emrat vetjakë të sferës fetare islame e më gjerë.

Është interesant, se b f. në gjuhën arabe,  si në shqipe rasë tipike e kryefjalës është rasa emërore, aty del e implikauar edhe paskajorja, madje  foljet ndihmëse si në shqipe  përdoren si fjalë shërbyese etj.. Po e përmend vetëm edhe një fakt si edhe në atë gjuhë vlen  rregulla se “tek emrat në shumës, të rregullt e të parregullt, patjetër duhet së pari të gjejmë formën e njëjësit e pastaj të caktojmë gjininë e  tyre”, d.m.th. edhe në atë gjuhë si trajtë orientuese a si formë përfaqësuese vlen njëjësi i emrit përkatës, si në shqipe, mirëpo kur është fjala te shquarsia e emrit, raporti, me sa dimë, del disi i ndërlikuar në krahasim me shqipen, sepse arabishtja treguesin e shquarsisë, formantin EL ia parangjet emrit (mbiemrit të emërzuar) përkatës e jo si shqipja që nyjën shquese historikisht ia ka pasngjitur emrit përkatës. Është fjala për nyjën e prapme të shqipes, e cila ndërlidhet me kategorinë e shquarsisë. Po shtojmë edhe këtë se treguesi i shquarsisë  që në shqipe sipas shqiptimit këtu u transkriptua  –EL sipas grafisë angleze ndeshet AL (lexo-EL) së këtejmi mendojmë se  trajtat Al KazhgariDrejtsjhkrimin e gjuhës shqipe  (1973) mbase duhet të korrigjohet në El Kazhgari, por për këtë fjalën e kanë specialistët.

Sidoqoftë,  është me interes praktik e shkencor trajtimi i raporteve të emrave të tillë, sepse në gjuhën tonë ata jo vetëm kanë jetuar gjatë dhe kanë pësuar, ndryshime, hipokoristika e shkurtime të shumta, por edhe sot janë mjaft aktivë e prodhimtarë dhe së këtejmi ngjasojnë ose përkojnë me origjinalin e arabishtes në raportin gjinisor dhe kështu efekti i tyre ndihet sadokudo edhe në pikëpamje të natyrës formëzuese e fjalëformuese ashtu edhe fjalë- e formëndërtuese të shqipes, duke ndihmuar kështu konsolidimin e trajtave të caktuara dyjare që paraqiten  si problemore  në standardin e sotëm të shqipes.

 

Aktualisht në gjuhën tonë emrat e tillë dalin në disa trajta e tipizime dhe për të argumentuar konstatimet tona se jo vetëm në raste, por edhe në grupe strukturore emrat e tillë të arabishtes kanë gjetur inkorporim me rregullat gramatikore fjalëformuese të shqipes së sotme, përkatësisht, duke vënë në pah përkimet e dallimet përkatëse në të dyja gjinitë sipas tipave ose karakteristikave që i shoqërojnë, emrat në shqyrtim mashkullorë e femërorë do t’i trajtojmë në mënyrë paksa më të hollësishme në vijim,në krye të veçantë, pasi t’i  prëmendim  paraprakisht disa nga burimet kryesore që konsultuam lidhur me këtë temë.

 

 

3. Burimet e konsultuara

 

Ne, për të trajtuar këtë temë patjetër u mbështetëm në materialin e botuar në burime të caktuara të kësaj natyre.

 

Së pari, konsultuam e volëm materialin e botuar si shtojcë në doracakun: Kalendari ose Takvim 1995 me titull:“Emrat që përdoren  ndër besimtarë të fesë islame dhe domethënia e tyre”(nga H. Sh. Ahmeti), Prishtinë 1995  f. 99-125, ku në të dyja gjinitë, janë shënuar afro 700 emra pa i numëruar hiperkoristikët që mund të jenë në praktikë sa dyfishi a trefishi i të shënuarve në atë burim..

Në të vërtetë, edhe pse autori në hartimin e listës është mbështetur në literaturën boshnjake, ai emrat i shënon shkrimisht e shqiptimisht sipas përhapjes që kanë kryesisht sipas traditës së përdorimit në gjuhën tonë.

Sidoqoftë, s’do mend se shumica e emrave të besimtarëve të fesë islame kanë prejardhje arabe, dhe ata janë përhapur te ne më fort përmes turqishtes, por edhe sipas shqiptimit arab drejtpërdrejt, sigurisht, nën ndikimin e hoxhallarëve e ku ta dimë që me siguri kanë pasur njohuri edhe nga gjuha arabe.

Në këtë burim, në të vërtetë, janë përfshirë 691 shembuj ose 446 shembuj te gjinisë mashkullore dhe 245 të gjinisë femërore, prej tyre sipas siglës, me burim persian dalin 41  (m. 24 + f. 17), me burim turk: 32 (ose 15  m. + 17 f.) dhe 18 raste (1 f.. + 17 m.) dalin pa përcaktim burimi, ngase janë emra pejgamberesh (profetësh) ose të tjerë, gjithsesi emra të veçantë, më shumë  prej tyre me prejardhje hebraike. Së këtejmi, del se në këtë burim  prej 390 emrash  m. + 210 f.,  gjithsej 600 shembuj femërorë e mashkullorë janë  të shënuar me prejardhje arabe.

 

Së dyti, konsultuam edhe pjesën e orientalizmave të doracakut me titull Fjalor emrash të burimeve të gjuhëve të ndryshme të komentuara e të përkthyera shqip, të autorit Xhevahir Vejsel Shaqirit (Prishtinë,  1995), ku veç tjerash, aty trajtohen mbi 1000 emra të burimit arabo-turko persian.

Në këtë burim zgjon interes ditunor fakti se para materialit të regjistruar të emrave përkatës dhe sqarimit të domethënies së tyre, autori ka botuar një punim mjaft  të gjatë, ku paraqiten gjëra me interes dhe me vlerë, por për mendimin tonë, shikuar objektivisht, sipas pozicioneve të sotme, punimi në fjalë do të dilte shumë më cilësor si t’i ishte shtruar një redaktimi gjuhësor e logjik nga ekspertët përkatës. Sidoqoftë, kjo vepër edhe kështu si është ka rëndësinë e vet shumë të çmueshme.

 

Së treti, konsultuam veprën Turcizmi u hrvatkosrpskom jetiku  të A. Shkaljiqit, Sarajevë 1995 si dhe doracakun Muslimanka imena i njihov znaçaj i jasin, Prizren 2008.

Nga konsultimi i këtyre burimeve në gjuhën boshnjake, sidomos i të parit, konstatojmë se edhe në gjuhën tonë duhet dhe ka mundësi të botohen vepra të asaj cilësie të lartë si ajo  e Shkaljiqit. Veprat e kalibrit të tillë, në shqipe, nuk do të kishin vetëm rëndësi diturie, por edhe rëndësi drejtshkrimore, fjalëndërtuese e drejt-fjalëformuese për emrat në fjalë, por do të kishin edhe rëndësi shoqërore-politike e më gjerë. Pasi kuadrot sot nuk na mungojnë besojmë se diçka e tillë do të rezultojë pa pritur gjatë. Kur themi kështu, mendojmë tek raporti njohës fjalëformues e drejtshkrimor i emrave në fjalë që shqipja ka nevojë t’i studiojë emrat e tillë, përveç në përqasje me boshnjakishten, por edhe me persishten e turqishten e re, (përveç asaj solxhuke e osmane), por sidomos edhe në përqasje me gjuhën  arabe.

Një mungesë e një punimi të kalibrit të tillë ndjehet, siç do të shohim edhe në analizën vijuese  që po u bëjmë emrave konkretë në fjalë.

 

Së katërti, konsultuam edhe veprën e dr. Iliaz Rexhës: Orientalizmat - shtrirja leksiko-semantike në gjuhën shqipe, Drenusha, Prishtinë, 2009, e cila përveç Parathënies, paraprihet nga një analizë  e autorit me të dhëna jo pa interes, por kur është fjala lidhur me temën tonë në raste del e përdëshiruar. Me sa pamë në këtë burim ndër 3600 fjalë sa përmban teksti janë pëfshirë afro 190 emra të përveçëm, prej tyre:mashkullorë e femërorë paralelë 34, vetëm në gjininë mashkullore mbi 120, kurse vetëm në gjininë femërore numri i shembujve sillet rreth numrit 30.

Edhe për këtë vepër mund të themi me keqardhje se ka nevojë përveç një redaktimi rigoroz gjuhësor profesional. t’i shtrohet në ndonjë pikë edhe rishikimit përmbajtësor. Është fjala për ndonjë lëshim formal terminologjik ose për interpretime të diskutueshme rreth fjalëformimit, sidomos formimit të foljeve dhe prejfoljorëve si zhvillim i brendshëm i shqipes që ka të bëjë edhe me ndikimin e orientalizameve përkatës.

Sidoqoftë, për ne ishte një burim i mirëseardhur që ia vlente të konsultohej. Siç do të shihet ne disa shembujt nga ky burim gjatë analizës së punimit tonë i kemi shfrytëzuar si raste të veçanta që zgjojnë interes.

 

Së pesti,  konsultuam edhe materialin përkatës  të emrave të traditës islame në www, shqiperia.com (shtëpiza e posaçme) si dhe po aty Forumi islam dhe sidomos Forumi shqiptar (Emra shqip), ku hetuam se në rubrikat përkatëse sipas alfabetit si emra shqiptarë (të traditës) bashkë emra me prejardhje ilire, të ndonjë fjale të qartë shqipe, vendëse janë shënuar, edhe emra nga tradita islame, ajo kristiane si dhe ndonjë emër aktual “modern”. Ndërmarrjen e tillë e përshëndesim, por lusim redaksinë e nderuar që të shfrytëzojë (lexojë e përpunojë), qoftë edhe në mënyrë kritike, vërejtjet e sugjerimet tona që i bëmë burimit “Emra shqiptarësh” dhe përgjithësisht në këtë punim, ngase edhe në punën e tyre nga sa pamë, vërehen lajthitje, qoftë nga pakujdesia, qoftë nga joprofesionalizmi. Edhe materiali nga ky burim do të ceket në situata të caktuara gjatë përpunimit të temës në shqyrtim.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora