E premte, 02.05.2025, 09:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Mikel Gojani: Vepër me vlerë për letërsinë, gjuhësinë dhe kulturën përgjithësisht

E diele, 27.06.2010, 09:33 PM


REFLEKSIONE RRETH LIBRIT “SEMANTIKA E FJALËSIT” TË AUTORIT BEGZAT BALIU

 

VEPËR ME VLERË PËR LETËRSINË, GJUHËSINË DHE KULTURËN PËRGJITHËSISHT

 

Dr. Begzad Baliu: “Semantika e fjalësit (Monografi për veprën gjuhësore të Zenun Gjocajt), botoi “Era”, Prishtinë 2009.

 

Nga Mikel GOJANI

 

Begzad Balliu, është njëri ndër personalitetet më të fuqishmet të jetës studimore në Kosovë, mirëpo emri i tij ka kaluar edhe kufijtë kombëtarë. Baliu ka publikuar shkrimet e tij qysh herët, për të vazhduar më pas  me publikimet e tij nëpër gazetat e revistat e ndryshme, shkrimet e të cilit  në vazhdimësi kanë zgjuar kureshtjen e lexuesve. Deri më tash është  prezantuar me këto vepra letrare e studimore:  “Gustav Majer dhe  albanologjia” (2000, 2001, 2009), “Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan” (2004, 2009), “Vepra bibliografike  e profesor Jup Kastratit” (2005), “Demitizimi dhe standardizimi i emërvendeve të Kosovës” (bashkautor, 2005), “Çështje të studimit të onomastikës në veprën e Eqrem Çabejt” (2000), “Onomastika e Gallapit” (2004), “Çabej 1” (2006), “Mbi autorësinë e bibliografisë së Skënderbeut” (2005), “Profesor Jup Kastrati për Kosovën” (bashkautor, 2004), “Bibliografia përmbajtjesore e SNGJLKSH” 1972-2007, 2008), “Pesha e komunikimit” (2009), “Onomastika e  Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteteve” (2009), “Gjaku i lirisë” (1981-1995), I-IV, (bashkautor 1996-2000), “Kafeneja ballkanike” (1996, 2000, 2005), “Grua e dashuruar” (1996), “Flamuri vjen nga Kosova” (1994), “Vareni kryengritësin e shenjtëruar” (2009) etj. 

Studiuesi Baliu, nëpërmjet prezantimit të tij në librin “Semantika e fjalësit” (Monografi  për veprën gjuhësore të Zenun Gjocajt), dëshmon se është njohës i mirë  i rrugës jetësore dhe veprimtarisë intelektuale të Zenun Gjocajt, duke paraqitur nëpërmjet këtij studimi   portretin  fondamental  të këtij personaliteti të jetës  intelektuale, studimore dhe atdhetare.

Studimi në fjalë  është organizuar  në mbështetje të një metodologjie të pranueshme shkencore me faktet dhe të dhëna të fuqishme, duke i përforcuar  konstatimet e tij shkencore.  Për t’i dëshmuar këto konstatime që ai i prezanton në këtë libër, na jep portretin autentik të kësaj vlere të jetës intelektuale dhe studimore, pra të prof. dr. Gjocajt.

Për ta pasqyruar sa më mirë  punën dhe kontributin e studiuesit  Baliu, i cili me një  angazhim përkushtues  iu qas kësaj  figure shumë të rëndësishme dhe shumëdimensionale, siç ishte ajo e  prof. dr. Zenun Gjocajt, ne do  të paraqesim me vija të trasha shtyllat mbi të cilat  është ndërtuar bazamenti  i kësaj vepre shkencore.

Libri “Semantika e fjalësit” i  B. Baliut është i konceptuar në disa  kapituj përmbajtjesorë, të cilët e përbëjnë një strukturë  unifikuese konceptuale: “Në kërkim të autobiografisë dhe  historisë”, “Luigj Gurakuqi dhe gjuha kombëtare”, “Qasje teorike-gjuhësore në strukturën leksiko-semantike të frazeologjisë shqipe”,  “Kërkime të strukturave  leksiko-semantike në vepra letrare”, “Studiues i vlerësuar dhe i referuar, “Përfundime dhe “bibliografia e  profesor Zenun Gjocajt”.

 

Librit të autorit Baliu, “Semantika e fjalësit”, i paraprin një parathënie, me anë të së secilës autori  shpalos  motivin që e ka nxitur për t’iu qasur botës studimore të  studiuesit Gjocaj, i cili pavarësisht prej sfidave që ka përjetuar gjatë regjimit  serbosllav, pavarësisht prej përpjekjeve të këtij regjimi “për t’ia lënduar dorën e djathtë”, nuk e ndërpreu rrugën e shkencës, këtë rrugë të dinjitetshme që ia kishte përcaktuar vetes, kështu që vepra e tij është “vetëm një kapitull  i një historie  të albanologjisë  që po shkruhet”, siç shprehet edhe studiuesi Baliu.

Me një fjalë, studiuesi Baliu ia ka dalë me sukses të zërë dhe ta ravijëzojë botën studimore të Gjocajt, për çfarë edhe cilido studiues do ta ketë të vështirë t’i thotë të gjitha për tërë atë opusin e pasur të  këtij studiuesi.

Në kapitullin e parë, “Në kërkim të autobiografisë dhe historisë”,  autori Baliu  shpalos  qasjet studimore  të profesor Gjocajt, sipas të cilit  reflektojnë  një botë të gjerë hulumtimesh për çështje gjuhësore, letrare, historike e kulturologjike. Sipas këtij studiuesi, në fushën e gjuhësisë studimet e  profesor Gjocajt kryesisht i kushtohen kulturës së gjuhës, çështjeve gramatikore, problemeve leksiko-frazeologjike e frazeo-stilistike. Sipas profesor Baliut, profesor Gjocaj në këto studime manifeston një qasje serioze për trajtimin e problemeve që kanë rëndësi të madhe për disa disiplina shkencore, veçmas për standardin e gjuhës dhe historinë e shqipes e të shqiptarëve. “Gjithashtu, në disa vështrime të tjera Gjocaj ka trajtuar në mënyrë analitike-sintetike edhe disa vepra filologjike të gjuhëtarëve tanë, duke dhënë kështu një ndihmesë të çmuar në këtë fushë. Ai ka trajtuar problemet duke zbatuar me sukses metodën  sinkronike e diakronike dhe ka reflektuar në ndriçimin e një varg çështjesh që kanë mbetur të pastudiuara sa duhet në shkencat e ndryshme të albanologjisë”- pohon studiuesi Baliu (fq. 23).    këtë pjesë të këtij libri  autori  na e jep edhe  një pasqyrë të  polemikave  të Gjocajt në mbrojtje të doktrinës së Lëvizjes  ilegale të Kosovës, aktiviteti i të cilit në këtë lëvizje përfshin një kaptinë të  rëndësishme të  jetës së tij.

Në pjesën e dytë autori Baliu jep refleksione rreth gjuhës së veprës së shkrimtarit të shquar të Rilindjes kombëtare, Luigj Gurakuqit. Këtu, autori i qaset kërkimit të identitetit  shkencor, veçorisë  gjuhësore të Luigj Gurakuqit, shtrirjes tejdialektore të fjalësit të shqipes etj.  Sipas autorit, në një kapitull më vete Gjocaj merret me konceptet stilistike të Luigj Gurakuqit. Sipas tij, në studimet e Gjocajt  identifikohen  dhe diskutohen shumë fenomene, dukuri dhe raporte të caktuara, si ato “ndërmjet  mendimit, gjuhës dhe poezisë, marrëdhënieve ndërmjet gjuhës poetike, begatisë  së saj, veçorive tingullore të saj, përbërësve, efekteve dhe  shqiptueshmërisë tingullore; çështjet leksiko- semantike e stilistike dhe sidomos struktura metrike  e vargut. Konceptet e tij për vargun dhe metrikën, strofën e rimën, si dhe stilin e stilistikën poetike, paraqesin edhe sot mendimin klasik dhe themeltar në historinë e teorisë së letërsisë shqipe”-  vlerëson  autori. Në kapitullin vijues autori Baliu  ndalet në  vlerësimin e qasjeve teorike-gjuhësore në strukturën  leksiko – semantike të frazeologjisë shqipe,  duke u fokusuar  në një projekt të  shfrytëzuar si temë të magjistraturës nga profesor Gjocaj, me temën bosht “Roli i Luigj Gurakuqit në themelimin e  gjuhës kombëtare shqiptare”, duke marrë si objekt kryesisht  gjuhën  dhe konceptet  e tij në veprën letrare të këtij shkrimtari të shquar të letërsisë shqipe,  po ashtu, edhe projektin tjetër të doktoraturës me temën “Struktura leksiko-semantike e stilistike të frazeologjisë shqiptare”, me ç’rast autori  ka  prekur çështjet të cilave nuk u është qasur  askush  nga gjuhësia  shqiptare.  Sipas autorit  Baliu, Gjocaj në veprën e tij trajton procesin e formimit  të njësive  frazeologjike, duke filluar nga struktura e mirëfilltë me vlerë shënjuese, deri te rrafshi i figurshëm e ngjyrimi emocionues si element stilistik. Në vijim autori trajton çështjet  e  konceptit të frazeologjisë  si pasuri gjuhësore etj.  

Në kapitullin e katërt  të titulluar “Kërkime të strukturuara leksiko- semantike në vepra letrare” autori ngërthen  në shqyrtim  kërkimet e thelluara  studimore frazeo-stilistike në veprën e Gjocajt, nga struktura tematike te struktura përfaqësuese, pasuria frazeologjike e shqipes në veprën e Ndre Mjedës etj. Autori Baliu, ne kapitullin vijues, ndalet të vlerësimet që shumë studiues i kanë bërë  veprës    Gjocajt, nga  bashkëkohës  dhe studiues, si Hilmi Agani, Rexhep Ismaili, Latif Mulaku, Murat Blaku, Fadil Raka, Shefkije Islamaj,  Natasha Sotiri, Adem Hajdaraj e të tjerë.  Këta studiues të dëshmuar të shkencës sonë gjuhësore me mjaft kompetencë shkencore  kanë vlerësuar  lart veprën e  Gjocajt, në këtë fushë të caktuar dhe  të pa lëruar thellësisht.

Konceptin e këtij libri e kompleton edhe  një bibliografi e profesor  Zenun Gjocajt (1978-2008), e cila është mjaft e pasur.

Përfaqësimi i denjë  letrar, filozofik e estetik, i ka mundësuar edhe  Baliut të merret edhe me trajtimin e  fushës studimore të Gjocajt.

Siç shihet, vepra  “ Semantika e  fjalësit” e autorit  B. Baliu është një  vepër me vlerë të  veçantë për letërsinë, gjuhësinë dhe kulturën përgjithësisht, në të cilën është trajtuar  vepra studimore e  prof. Dr. Zenun Gjocajt.  Gjuha e shkrimeve të veprës  së studiuesit  Baliu, “Semantika e fjalësit”, synon gjithnjë shkathtësinë dhe fuqinë e shprehjes, të realizuar përmes gjuhës  shkencore.

Prandaj, vepra “Semantika e  fjalësit e autorit Begzad Baliu, me peshën e trajtuar të çështjeve si dhe me nivelin e trajtimit të tyre në këtë libër, dëshmon, ndër të tjera, se B. Baliu, padyshim, bën pjesë  në plejadën e  studiuesve  më të spikatur  jo vetëm në vendin tonë. Me këtë libër, ai ka begatuar fondin e librave studimorë të kësaj fushe mjaft kërkimore    letërsinë shqipe.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx