E premte, 02.05.2025, 09:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Një letër n'arbërisht Emanuele Giordanos

E diele, 27.06.2010, 10:22 AM


Nga Ledi Shamku-Shkreli

 

Një prift dhe dijetar me kontribut të çmuar në kulturën arbëreshe, një rilindas i kohëve moderne, Emanuele Giordano, mbush sot 90 vjeç

 

Kush është Emanuele Giordano:

 

Sot bëhen 90 vjet nga lindja e një figure të rëndësishme që është akoma gjallë ndër arbëreshë dhe në gji të kulturës amë, Emanuele Giordano nga Ejanina, autori i të vetmit "Fjalori i Arbëreshëvet". U lind më 27 qershor 1920 në Frasnitë Agostino Giordano dhe Rosina Bilotta (pasardhës të poetit dhe shkrimtarit arbëresh Bernardo Bilotta, 1843-1918).

 

Siç tregon me gojën e tij, në moshën 5-vjeçare e dërguan në shkollë në Frasnitë, por nuk e pranuan sepse "prindërit e tjerë kundërshtuan". As gjashtë vjeç nuk hyri në shkollë sepse familja kishte bagëtitë. Shkollën fillore e nisi pothuaj 9 vjeç dhe pas saj ndoqi gjimnazin e Horës. Dëshironte të vazhdonte studimet në Seminarin e Grotaferratës në Romë, dhe ashtu bëri.

 

Ai kujton se në vogëli "i shkoja gjithmonë mbrapa priftit dhe në kishë më pëlqente të dëgjoja Fjalën e mirë dhe mësoja këndimet e kishës (tradicionale)." Aty mëson greqishten, latinishten, frëngjishten, po edhe arbërishten duke lexuar dorëshkrimet e Bernard Bilotës: "I lexova të gjitha dorëshkrimet e tij: më se njëqindmijë vargje dhe i studiova thellësisht." Në Liceun e Romës ndjek studimet për "Filozofi dhe Teologji" në Kolegjin Grek. Kthehet andej nga kishte ardhur me dëshirën për të shërbyer në katundin e tij të vogël. Në verë të vitit 1946 fillon zyrtarisht aktivitetin si famullitar i Ejaninës. Qysh atëherë e kësaj ditë ndodhet në të njëjtën famulli.

 

Në rrjedhën e këtyre viteve Emanuele Giordano ka derdhur kontributin e një jete të tërë si prift po se po, por sidomos si njeri i kulturës arbëreshe. Nën drejtimin e priftit të Frasnitës papas Sepë Ferrari studioi më thellë gjuhën dhe kulturën arbëreshe. Bashkë me të botoi "Kalimeret". Më 1957 boton "Folklori shqiptar në Itali" dhe qysh atëhere fillon bashkëpunimin me revistën e Ernest Koliqit, "Shejzat", me revistën "Zgjimi" të Albino Grecos. Por vepra madhore e këtij prifi dijetar del në dritë më 1963.

 

Është i pari dhe i vetmi "Fjalor i Arbëreshvet t'Italisë". Më 1966 e ftojnë nga Universiteti i Tiranës ku mban dy konferenca për Bilotta-n. Është rasti të njihet me gjuhëtarë dhe shkrimtarë shqiptarë. Një vit më vonë botohet në Shqipëri vepra e Bilotta-s "Shpata e Skanderbekut ndë Dibrët Poshtë". Përkthen "Liturgjinë e shenjtë të Shën Jani Gojartit", botuar më 1968. Prej atij viti deri më sot në kishat arbëreshe përdoret baza e meshës që solli Giordano.

 

Për 12 vjet që prej 1972-it, drejton revistën kulturore "Zëri i Arbëreshvet" ku boton artikuj gjuhësorë, historikë e letrarë, poezi, këngë popullore po edhe komedinë "Dorëngushti" e Molierit (që njihet me titullin "Kopraci"), përkthyer prej tij në shqipe. Viziton Shqipërinë edhe dy herë të tjera me 1993-'94. Në vitet 2000 boton një sërë veprash për kulturën arbëreshe dhe përkthime në këtë gjuhë: "Fjalor" dhe katër Ungjijtë". Ka kontribuar me autorë të tjerë në realizimin e "Alfabetizzazione Arbëreshe".

 

Për këtë projekt madhor ai shprehet: "Unë kam menduar gjithmonë se, që ne arbëreshët të kemi një gjuhë të përbashkët, duhet të mblidhen të folmet e të gjithë fshatrave arbëreshë dhe, prej tyre, duhet të lindë më pas, një gjuhë e mbështetur në një nga të folmet, siç u bë me gjuhën italiane, e cila u mbështet mbi të folmen e Firences. Ashtu si u bë edhe në Shqipëri, ku mësuesit u shpërndan nëpër gjithë Shqipërinë e Veriut dhe të Jugut dhe mblodhën shprehjet e ndryshme të gjuhës dhe së bashku, në Tiranë, studiuan dhe krijuan gjuhën shqipe, të mbështetur mbi dialektin tosk. Kështu duhet të bëjmë edhe ne arbëreshët.

 

Marrim shprehjet më të mira dhe i bashkojmë në një gjuhë. Shprehjet më të mira janë ato më të afërta me shqipen e sotme. E folmja më e afërt me gjuhën shqipe është ajo e Frasnitës dhe jo sepse unë jam frasnjot, por, sepse kjo e folme ruan një leksik më të afërt me atë të shqipes standarde." Kjo vepër i shpërndahet falas fëmijëve arbëreshë të Italisë që ndjekin shkollën fillore dhe të mesme.

 

Fort i përhirshmi Atë e po aq i nderçmi Mjeshtër,

U ngë dij të shkruaj ndë këtë të prërrezur gluhën tënë të zogut, papo pranoma (o "përzehma" - qysh kat thoshte ahierna Buzuku) këtë sprovë endepse sqarishte, me qish dua nga kthellti i zëmbrës të të them se jam shënde-shënde sod ndë këte kremt jubilè të motit tënd.

U jam nga Tiran' e Arbrisë, ng'ajo Horë e shkëf i shpirtit arbër që shkeptisinj ndë Mot të Madh, po nëng u shojt se pat Gjegjët që i mprojtën zjarr e urrë, prana që atmeja inë prapa dejtit ngë kish më sij për të klarë e vuxhë për të thirrë biltë.

Ju jeshët biltë që s'ju sostë mëmës, o papu Emanuel. Ndajna ti ngë ket thuaç se sod mban veç 90 mot-mote përmbi supe. Ke gjith mot-motet qish nga Mot i Madh, pse u nani, ndë këtë herë, falë shurbiseve tua për gluhënë e zogut e shpirtin e arbrit, jam e njogh e jam puthtonj zëmbrën kombijare të krejt atmìsë që më ka bilë e q'e kam gjak e gjëri. Po po, ke aqë mot se ti i shurbeve njëherazi gluhës dhe shpirtit të kombit tënë, e kush shërben kësodore, rron aq sa vetë gluha dhe shpirti - dy krahje të një të vetmi korp.

Me lipisìnë e volìnë e Tinëzot, o Atë e Mjeshtër, urala ime nani isht: Rrofsh sa Huta e Bardhë - thomi ne ndë Horët tonë.

Rrofsh sa Shqitëza Arbërore, papu Emanuel!

Të lloronj fort e me mall

Ledi Shamku-Shkreli nga Atmeja e përbashkët.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx