E premte, 02.05.2025, 11:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Miku im, Milto Shuka dhe vepra e tij

E shtune, 26.06.2010, 08:22 PM


 

MIKU IM, MILTO SHUKA DHE VEPRA E TIJ

 

Nga Luan Çipi

 

Me shokë fëmijërie nga Vlora, megjithëse banues prej vitesh në Tiranë,  e kemi bërë zakon të takohemi shpesh. Ai, që ndonjëherë mungon, është Milto Shuka, ish  mësues në Gjimnazin “ Ali Demi” të Vlorës dhe tani pensionist.

Ashtu, krejt i veçantë, Miltua, asgjë nuk bën “me plan”, e aq më tepër, sipas imponimit të të tjerëve. Por, duke qenë origjinal, dhe siç e njohin të gjithë, i mençur dhe i ditur, ne, e ndjejmë shumë mungesën e tij dhe e duam ta kemi përherë aty, midis nesh. Të kesh aty pranë, në të njëjtën tavolinë Milton e dashur, gazmor e gjithnjë të ri në mendime, është kënaqësi për këdo, se, jo vetëm koha kalon pa e kuptuar, por harron edhe hallet e  deri dhembjet, bashkëshoqëruese për secilin prej nesh. Unë, që e kam vërsnik dhe mik, qysh në shkollën foshnjore, e kam dashur gjithnjë ta kem pranë, sa më gjatë, ndaj kam  ngulur këmbë të “korrigjohet” dhe një ditë i thashë në telefon, duke e ditur dhe ndjerë  konceptin e tij  të pandryshuar për jetën:

 

Mos më prisni, po u “zhduka”

Mendon e thotë Milto Shuka.

Jam i fortë e kurrë  s’u plaka.

Botës nuk i ka rënë flaka!?

 

Unë kam qenë në Greqi,

në Francë, në Gjermani,

përgatitem për Turqi,

ëndërroj për Itali.

 

Po të ma bëj Zoti mbarë,

Dua Globin ta shëtis.

Ah, që s’kam dhe ca dollarë,

Jetën rishtas që ta nis.

 

Gjatë viteve të shkuar

mësues, po, në kushte ferri,

disa gjuhë i kam mësuar

t’ udhëtoja, si Guliveri.

 

Dhe ta dini ju,  o shokë

pleq, “matufë”,  që mblidhi tok

Milto Shukën, po ta doni,

në Afrikë shkoni, kërkoni!

 

Dhe, po s’e gjetët aty,

hidhuni nga Deti i Zi,

shkoni gjer në Majlezi,

Amerikë- Australi.

 

Dhe, po s’e patë në dete,

Nuk e keni më për vete.

është në qiell përmbi re,

se pranon grushtin me dhe.

 

 

Dhe, kështu, mikun tonë shumë të dëshiruar, gjithnjë dhe pas kësaj vazhduam ta kërkonim, po, rrallë e gjenim. Ai i “hipte” këmbëve të tij të hekurta, veshur me shapka të lehta dhe ik e ik, në kërkim të ndjesive të reja. Ai ndërkohë nuk harronte vlonjatët dhe dukej, megjithëse rrallë, herë në një grup bashkënxënësish, kolegësh e ish nxënësish. Të gjithë e nderonin, të gjithë e ftonin, e pritnin me pa durim, e kërkonin ta kishin, sërish, në mes të tyre.

 

***

 

Pas bisedës telefonike, kaluan, gati, tre vjet. Milto Shuka, me gruan, Vefin e tij, të pandarë, gjithnjë të re, optimiste  e qejf paprishur, e kishte realizuar  ëndrrën e tij të kahershme, guitën turistike në Itali. Jo vetëm kaq. Pas kësaj vizite, përshtypjet e kësaj aventure të vërtetë gjurmëlënëse i ravijëzoi me kujdes, kulturë dhe mençuri në një vepër origjinale, dinjitoze. Libri voluminoz ishte frutë i punës së tij komplekse për çka pa, po dhe studioi e shfrytëzoi literaturë, e më pas kompletoi e shkroi direkt në kompjuter, korrigjoi e redaktoi, faqosi e printoi, shumëfishoi e lidhi, si një mjeshtër shumëplanësh.

               E lexova dhe e rilexova librin e Milto Shukës “EDHE NE KEMI QENË ATJE” dhe jo se u befasova. E kisha besimin te përsosmëria dhe saktësia, por u mrekullova me intensitetin e ngjarjeve dhe atë tis të gjithhershëm humori,  dhe mu duk vetja se isha duke udhëtuar bashkë me dy shokët e mi të mirë dhe të dashur, për të marrë, njëkohësisht, njohuri e kënaqësi të pasosura.

                Të lumtë, o shoku im i fëmijërisë! Ti ngelesh modeli i vullnetit dhe optimizmit Ti na jep të gjithëve besim dhe shpresë, si dhe na nxit për një jetë të gjallë e të dobishme, në këto vite të “moshës së tretë”, që, sipas shembullit tënd, po na  lehtësohen e zbukurohen.

                Vazhdo të udhëtosh e të shkruash!

 

Shoku i pandarë                                                                                                            

Luan Çipi

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx