Kulturë
Poezi nga Engjëll Koliqi
E shtune, 26.06.2010, 04:43 PM
Engjëll Koliqi
I BESOJ DASHURISË
Edhe në ditë të vështira
Nuk i lëshoj
Binarët e optimizmit
Dhe besoj
Në një dashuri t’amshuar
Që edhe nën hije
Edhe e shkelur nga të gjitha anët
Mbijeton
Dhe historinë pasuron
!!!
Garlate (Lecco), 17 maj 2010
ME KËNGË
E kam nisur
Dhe dua ta mbaroj
Ditën e madhe të historisë
Zotin ta falënderoj
Historinë ta pasuroj
Shpirtin ta ëmbëlsoj
...
Garlate (Lecco), 17 maj 2010
NDËRMJET KLANEVE
Një projekt shqyrtojnë
-
Dikush thotë
Është i dashurisë
Të tjerët ndjejnë
Erë interesesh
Assesi t’ia dalin
T’ia caktojnë drejtimin
As ta vulosin realizimin
-
Dhe unë
Marr guximin
Të them se jemi
Në stinë fërkimesh
Garlate (Lecco), 17 maj 2010
NË ZEMËR TË SUKSESIT
Më t’ëmbël se mjaltin
E shijoj puthjen e urimit
Të së lumes mbretëreshë
E marr në dorë historinë
Dhe nisem drejt amshimit
Garlate (Lecco), 17 maj 2010
VIT PAS VITI...
Shumëçka kemi provuar
Deri në prag të vdekjes
Kemi vuajtur
Por gjithmonë
Kemi qenë të lidhur
Dhe jemi farkuar
Me dashuri
Do të vazhdojmë
Deri në amshim
Garlate (Lecco), 17 maj 2010
NDËRMJET FLOKËVE
Në t’ëmbëlat momente
Të përjetimit të dashurisë
Dridhjet u shndërruan
Në këngë
Behari hapi epokë të re
Mua dhe mbretëreshën
Na kurorëzoi
Në fronin e dashurisë
Tani po vlon festa
Amshimi po na buzëqeshë
Dhe po hapë krahët
Të na përqafojë
Garlate (Lecco), 17 maj 2010
NDËRGJEGJEVRARË
Në vallen e parë
Mbasi kishte përmbushur krimet
Deri në tragjedi
Shihej i lodhur
I dridhej trupi
Bile edhe shpirti
Ishte zhytur
Në njëfarë errësire shpirtërore
Me zemrën duke qarë
Ndërgjegjevrarë
Vdekjen e vet duke e parë
...
Garlate (Lecco), 18 maj 2010
KËNGËT E MIA
Në strofën e parë
Të këngës së parë
Nga goja më dilte
Vetëm dashuri
Në të dytën
Në të tretën
Në refren
...
E tërë kënga ime
E para
E dyta
...
Të githa këngët
E tërë festa
Të gjitha ëndërrat e mia
Dhe aspiratat
Me dashuri mbushur
Dashuri riprodhojnë
Botën gëzojnë
...
Garlate (Lecco), 18 maj 2010
NË MBROJTJE...
Mbi kokën time
Të harruar nga zotërat
Çadra dashurie
Do të vëj
Sepse
Përfundimisht
Duhet shpëtuar
Nga stuhia e rrezikshme
E gënjeshtrave
Për intereset
Pa interese
Garlate (Lecco), 18 maj 2010
SIPAS KONTRATËS
Megjithë joshjet
Dhe intereset
...
Megjithë fitimet
Dhe pësimet
-
Duhet mbajtur
Binarët e dashurisë
Deri në amshim
Në të dy anët
-
Përpara!
Garlate (Lecco), 18 maj 2010
MBAS URDHËRIT
Pa mundësi të tjera
Të hapsirave të hamendjeve
Ishim të detyruar
Të fillojmë me realizimin
Pa marrë parasysh
Se prekë apo jo
Intereset e qenies sonë
Dhe të dashurisë
...
Garlate (Lecco), 18 maj 2010
NË HAPJE TË...
Në hapje të kremtes
Bujshëm kanë ardhur
Edhe ata që vetëm kanë shkatërruar
Në hapje të këngës
Kanë lëshuar zëra të çuditshëm
Edhe ata që kurrë s’kanë kënduar
Në hapje të valles
Kanë ngritur këmbët dhe krahët
Edhe ata që kurrë s’kanë vallëzuar
Në hapje të epokës së dashurisë
Kanë kërkuar fronin
Edhe ata që kurrë s’kanë mbretëruar
...
Garlate (Lecco), 18 maj 2010
KUR UNË THEM PO!
Gjithçka është e qartë
Shumë hapsira janë inspektuar
Shumë rrethana janë studjuar
Dhe kam arritur në përfundim
Se e tërë e vërteta
Dhe realiteti
Varen degëve të lisit të dashurisë
-
Pra
Në të gjitha formulat
Gjithçka është e barabartë me dashuri!
Garlate (Lecco), 18 maj 2010
GËZIM’ I DASHURISË
Në çdo kënd
Të shpirtit tim
Në këtë ditë të madhe
Ka dritë
Gëzim
Lumturi
Duke falënderuar dashurinë
Garlate (Lecco), 18 maj 2010