E hene, 07.10.2024, 05:53 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Vargu për bjeshkët si dokument i kërkimeve historike

E enjte, 24.06.2010, 09:57 PM


R e c e n s i o n

 

Sejdi BERISHA:

 

VARGU PËR BJESHKËT SI DOKUMENT I KËRKIMEVE HISTORIKE

 

(Gjon Neçaj: “Haiku i bjeshkëve”, poezi-botoi EGNATIA, Tiranë-2009)

 

Kur cicërima e zogjve dhe Bjeshkët e Nemuna bëhen një, vetvetiu; pesha, mesazhi dhe rrugëtimi i vargut bartin përbrenda vetvetes konglomerat temash e shpërthimesh shpirtërore, që pastaj shfletohen, mësohen dhe komentohen si historia, qoftë e individit, qoftë e popullit, qoftë edhe e atdheut. Kësaj radhe, këtë këndim na preferon poeti, Gjon Neçaj, i cili edhe vargjet i ka bërë antologji për bjeshkët dhe për historinë dhe madhështinë e tyre. Kjo, fuqishëm prezantohet përmes trevargëshit(haikut) në librin, “Haiku i bjeshkëve”.

Ky krijues, i cili deri me tash ka botuar gjashtë vepra, në këtë përmbledhje poezish na “imponon” edhe një gjë: madhështinë e modestisë së vargëzimit, e cila poezinë e bën dhe e shndërron në njëfarë kalendari dhe ditari, që rrjedh si lumi, i cili përgjatë shtratit të tij na shtetit duke na rrëfyer për gjithçka. Kurse, me gurgullimën e sinqertë, këngën e bën përcjellës të jetës së lumtur, e cila i ka veçoritë e saj kur kemi parasysh përjetimin e bukurive mahnitëse të bjeshkëve, e në këtë rast të Bjeshkëve të Nemuna

 

Gërshetimi i jetës me këngën-zgjim dhe përjetim shpirtëror

 

Nëse i referohemi trevargëshit: “Në një çetinë/Zogu i bjeshkës/thurë këngë”, atëherë vetvetiu para nesh na del e tërë ajo panorama e atdheut, në këtë rast përmes bjeshkëve, e cila trupin e ka

 

plotë madhështi, plotë plagë, kurse brendinë e ka si arkivin më të çmueshëm që mund të jetë, duke ruajtur fshehtësitë e veta për njeriun, besa edhe këngën, lotin e dhembjen që janë si gjymtyrë trupi, nëse këtë e shndërrojmë në formulë kohe; nëse këtë e imagjinojmë si itinerar rrugëtimi, i cili asnjëherë as nuk është thurë dhe as nuk është zbatuar tërësisht siç është ëndërruar nga poeti, por as nga vet njeriu. Për këtë arsye, autori i kësaj vepre na bën me dije: “Bjeshkët e mia/jetëshkrimi i përjetshëm-/dashuria ime”. Shih, se sa thjeshtë por fuqishëm gërshetohen dhe kompozohen bjeshka me jetëshkrimin, dhe këto të dyja me dashurinë.

S’do koment, se këta tre faktorë, këndimin e provokojnë me peshën e mendimit të thellë por edhe filozofik, sado që vargjet i ngjajnë thjeshtësisë por edhe refrenit që gjithnjë na ngacmon për të menduar edhe ndryshe, në mënyrë që për ta mos harruar asnjë                Gjon Neçaj                               hallkë të jetës, sado që ajo të jetë përcëlluese apo edhe e dyshimtë për ta ruajtur zinxhirin e vazhdimësisë. Andaj, poeti ligjëron se “Bjeshka/Gëzohet me pranverën”, sepse, kjo stinë sjellë gjallërinë, fuqinë e dashurisë për jetën me lumturi dhe me lule, për vazhdimin e begatisë së njerëzve dhe të shpresës për çdo ditë, pa e humbur në asnjë moment lëngun as nektarin që sjellë pranvera. Prandaj, autori i “Haiku i bjeshkëve”, di të begatojë metaforën e vargut, sepse, edhe: “Mbi majën e Hekurave/agu i mëngjesit/përshëndetet me bjeshkët”, gjë kjo e cila sikur aludon në përgjegjësinë për ta braktisur të keqen, por edhe gjumin dhe ëndrrat e këqija, me të cilat është përthurur njeriu, populli dhe atdheu, mu sikurse të ishte ndonjë tokë e truar!

Në këtë vepër shprehet edhe veçoria e idilikës së thjeshtë që kapërthen karakteristika dhe veçoritë e stinëve: “...Bjeshkët/shkundën çarçafin e bardhë;/Dimri iku vonë”, ose: “...Mesditë/Nën hijen e mrizit/qengjat lodrojnë”.

Për të vargëzuar për bjeshkët, sa është mirë dhe kënaqësi, po aq është edhe përgjegjësi, sepse, në varg duhet kapërthyer atlasin e jetës; gjeografinë që hartat i bën romane e libra për të rrëfyer për ecjet, për ushtimat dhe për heshtjet, për tkurrjen dhe fundosjen, për piramidat dhe obeliskët e e pasqyrës së kohërave, të cilët, kudo që t’i vendosësh, asnjëherë nuk gabon. Nuk gabon, sepse, ata flasin dhe rrëfejnë vetë: “Erdha në bjeshkë:/Mbi lartësitë e saj/ndjell fëmijërinë time”! E, kur këndon në këtë mënyrë, atëherë, vetvetiu poeti na shpie tek mendimi, se rrëfimi nis e ndoshta mbaron mu tek fëmijëria! Kjo, sepse, kështu rrëfehet për historinë dhe për përrallat e saj, ngase: “...Bjeshkëve të Komanit,/lashtësia/u fali bukurinë”!

 

Vargëzimi poetik si shprehje e rebelimit të heshtjes dhe e kërkimit nëpër kohëra

 

Ndërsa, në historinë dhe madhështinë e bjeshkëve nuk kalon dot pothuaj asnjë ngjarje, asnjë datë dhe asnjë personalitet, që jetën dhe virtytin e vet e ka të lidhur me fatin dhe me rrjedhat kohore të secilit vendbanim, të secilit fshat dhe të secilës familje: “Në bjeshkët e Dukagjinit/...Kërkojmë Martin Camajn”. Ndërsa, shumë toponime, shumë vende që janë shenjë e nishan të së kaluarës, janë pjesë apo segment që në vetvete mbërthen nga një copë jete, nga një tregim qoftë edhe i shkurtër, që pastaj të detyron ta komentosh begatinë e një historie, e në vazhdën e kësaj, edhe të të gjitha periudhave kohore, të cilat, shpesh por sinqerisht janë mësuar dhe i kemi mësuar nga gjyshërit dhe stërgjyshërit, e herë-herë, për fat të keq janë mësuar copa-copa: “Gurra e kroit./Ujakull borë,/në bjeshkën e Nikajve”. Dhe, aspak nuk është për tu habitur kur bjeshka çdoherë ka sjellë por edhe sot e kësaj dite sjellë nga diçka të re: “Hënë e plotë/Bjeshka qetohet/me mysafirët e rinj”.

Me këtë vargëzim, sikur poeti dëshiron të na bëjë me dije apo edhe të na shpjegojë se malet, majat e thepisura, bjeshkët e larta dhe shkëmbinjtë dëshmojnë, tregojnë, rrëfejnë, këndojnë e heshtin në mënyrën e vet. Sigurisht, kjo për të na bërë jetën sa më komplete, sa më domethënëse dhe sa më kuptimplote, edhe atëherë kur nëpër labirintet e fshehtësive të bjeshkëve njeriu kërkon fëmijërinë, rininë dhe jetën e vet, gjithnjë duke u përmallur, duke u krenuar, por edhe duke u zemëruar atëherë kur dëshiron e nuk mundet tërësisht për të thënë tërë atë që e synon dhe që e ka përbrenda. Kjo, ndoshta është pikërisht kështu: “I vetmuar bjeshkëve/...kërkoj...”! Dhe, kështu autori vepron edhe në praktikë, por edhe në varg, dhe është këmbëngulës deri në atë masë, derisa: “Erdhi mëngjesi./Shtegut të bjeshkës/ecën dielli”.

 

Biografia si pikturë poetike dhe si vragë djalërie

 

Me këtë formë të këndimit, sikur poetit vetvetiu i imponohet, apo i ofrohen mesazhi dhe metafora, të cilat, me ecjen e diellit  na përkujtojnë rrugëtimin gjithnjë duke kërkuar lumturinë, dritën dhe agimet e ëndrrave, të cilat shpeshherë janë bërë vetëm duke kënduar, ose duke kërkuar përfundimin e pikturës poetike, e cila duket si gjurmë zjarri apo si vragë djalërie, fjalë e pathënë, apo amanet i pazë. Duke kështu, por vetëm me shikim kah dielli dhe kah majat e bjeshkëve, të cilave u mbetet rrugë e hapët dhe e pambaruar për t’i vënë pikë mëkateve, që njeriut i lidhen si lak rreth qafe, i cili lak nuk ta sjellë krejtësisht vdekjen, por vetëm ta zë frymën  dhe ta ngushton shpirtin për të shpërthyer pezmi, kurse, ose, megjithatë: “Mes lisave në bjeshkë,/në një folezë,/zogjtë cicërojnë...”, sepse, ata janë dëshmitarët e këngës dhe të zërit që përlajnë horizontet, që gjallërojnë jetën dhe forcojnë e ruajnë florën dhe faunën si madhështinë më qenësore dhe më kryesore të natyrës dhe të begative të saj: “Shi./Bjeshka buzëqesh/Luledelet harlisën./...Bjeshka vikat majave”!

Për të mos e komentuar më gjatë, poeti dëshiron që të thotë shkurt e trup për historinë e bjeshkëve, të cilat mbi supet e veta, në thellësinë dhe në majat e tyre plotë ajër të pastër por me ushtimë rrafshi dhe fushe, kanë hartuar atë monografinë e tyre, të cilës dot nuk mund të ndryshohet asnjë shkronjë, asnjë hieroglifë, asnjë çetinë, as fije bari, as zog e shqiponjë, asnjë shkëmb, por as rrugë dhish, as uji i sertë dhe as gurgullima e tij si shenjë pavdekësie, edhe nëse ndonjëherë, tani, në këto kohëra preferohet mbase edhe imponohet jeta në shumëkatëshe, në rrugë asfalti e lulishte të urbanizuar. Sepse, madhështinë e këndimit për historinë përmes bjeshkëve, poeti e sheh amshim dhe libër historie për jetën e secilit, që të gjitha së bashku janë edhe letërnjoftim i vendlindjes dhe i atdheut: “Përmbi rrokaqiejt,/agun sheh/bjeshka ime”!

Dhe, sille kah ta sillesh, provokimi poetik mbetet gjithnjë burim i pashteruar për ta komentuar madhështinë dhe historinë e bjeshkëve, që padyshim janë dokument i hapur i kërkimeve të rrjedhave të pagjetura historike, që janë poemë lulesh dhe dashurie, të palexuara deri në fund. Kjo, ngase ato, vetëm “palojnë” e shtresojnë të dhëna për rrugëtimin e njeriut dhe të botës së tij. Palojnë të dhëna edhe për madhështitë, për ligësitë, për urtinë dhe për tradhtinë e marrinë e tij. Ato, janë kujdestare të rritës dhe të ecjeve. Andaj, edhe vargjet sikur na udhëzojnë për çiltërsinë dhe pastërtinë, sepse: “U çel syri i diellit,/Bjeshka zgjohet.../...Në natën e thellë/hëna pluskon/Shkëlqim i bjeshkëve”.

Libri, “Haiku i bjeshkëve” i Gjon Neçajt, përveç që është karakteristik me fuqinë poetike të trevargëshit, ai në formë shumë të drejtpërdrejtë na bën ta përjetojmë dhe ta komentojmë mesazhin dhe metaforën e këtij këndimi të kthjellët poetik. Poeti, në këtë vepër, reflekton për peshën e dashurisë ndaj vendlindjes, atdheut dhe ndaj njeriut të vendit që i takon autori. “Haiku i bjeshkëve”, kujtoj se është një vlerë esteto-letrare, e cila e begaton letërsinë tonë por edhe formën e vargëzimit përmes haikut (trevargëzimit).



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora