E shtune, 03.05.2025, 08:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Sikur të kisha lindur çalaman

E merkure, 23.06.2010, 08:45 PM


Arti i jetës është të mësosh të vuash dhe të buzqeshësh

H. Hesse

 

SIKUR TË KISHA LINDUR ÇALAMAN

 

Një ndodhi më se e vërtetë, nga jeta ime

 

Nga Luan Çipi

 

            Në kohën kur nga Partia e Punës, që udhëhiqte veprimtarinë politike dhe ekonomike, u hodh një tezë e re për revolucionarizimin e gjithë jetës së vendit tonë, kur kërkohej popullimi i fshatit dhe largimi nga qyteti, në drejtim të tij, veçanërisht i nëpunësve, nisën dhe demonstrata në rrugët e qyteteve me thirrjen e çuditshme “Lini zyrat, burokratë! Ejani me ne në fshat!” 

            Në Fabrikën e Çimentos në Vlorë, ku, aso kohe unë punoja në administratë, si te të gjitha ndërmarrjet e tjera, erdhi një grup “veprimtarësh revolucionarë”, të dërguar nga Komiteti i Partisë së Punës të Rrethit, kryesuar nga shoqja Sanije, anëtare e Plenumit të Komitetit të Partisë, punëtore e dalluar e Kombinatit të Konservave “Ernest Telman” Vlorë. Ajo, për fat të keq, çalonte shumë nga këmba e djathtë.

            Na mblodhën në zyrën e madhe të financës. Ata të komisionit, ulur në një stol të gjatë, nëpunësit e financës, që ishin në zyrën e vet, në karriget e tyre dhe ne të tjerët, në këmbë. Rrinim të shqetësuar në pritje, se me ta nuk arsyetohej e nuk bëhej shaka. Të çonin vërtet në fshat ata, siç kishin dërguar dhe dhjetëra nëpunës të ndërmarrjeve të tjera të qytetit. Unë, si djalë qyteti, nuk e kisha të lehtë punën në fshat, se kisha filluar, ç’është e vërteta, edhe të shfryja: veshkat i kisha të sëmura dhe ndieja, aty-këtu, ndonjë dhembje herë në gju, herë në mes. Isha bërë me tre fëmijë, me gruan pa punë. Në mbrëmje, si pedagog i jashtëm, jepja leksione në Filialin e Fakultetit Ekonomik. Më erdhi radha edhe mua për t’u pyetur:

            - Ku mund të shkosh për të punuar ti, shoku Luan?

            - Unë, asgjëkund. Mirë jam këtu, se unë fshatin as që e njoh fare.

            - Jo, jo. Kjo s’është përgjigjja që kërkojmë dhe ky, s’është argument.  Të shkosh sot në fshat është për këdo nder i veçantë dhe që nuk e njeh fshatin, siç thua ti, aq më mirë. Do ta njohësh edhe fshatin, siç njeh qytetin. Fshati sot kërkon njerëz të shkolluar, që të bëhet si qyteti. Pastaj, pse kujt do t’ia lëmë ne, fshatin tonë socialist?

            - Nuk e kam fjalën aty, por unë kam këtu në qytet edhe ca detyrime të tjera, ju i dini.

            - Po, po, i dimë, jep mësim në Universitet, ti, ndërhyri kryetare Sanija. Unë jam e mendimit që shoku Luan të shkojë e të punojë këtu, drejt për së drejti në prodhim. Ai, ka edhe nevojë për t’u kalitur... Dhe, si krye kompetentja fuqiplote, vazhdoi vetë me pyetje:

            - Si mendon, ti, në ç’vend pune e prodhimi mund të japësh ndihmesë më shumë?

             E, dreq o punë, e hëngra më keq, mendova.

            - Po qe se është e domosdoshme, atëherë, më çoni te “pompat fyler”.

            - Pompat fyler?! Ç’janë këto?

            - Është një vend pune në prodhim, nga më të vështirët, pesë metra nën dhe shpjegon kryeinxhinieri.

             - Të lutem, mos bëj shaka, mos u tall me direktivën e Partisë, - më qortoi Sanija.

- Jo, jo, nuk tallem. E kam me gjithë shpirt, përgënjeshtrova unë me shpejtësi, nga frika mos më futnin në ndonjë kallëp politik. E kush mund të shkojë atje veç meje, mjeshtrit të sportit, të përgatitur kaq mirë fizikisht? 

 Në atë çast ndërhyri kryeinxhinieri, Bexhet Gani, një burrë me garanci të plota politike, që ishte miku dhe dashamirësi im:

            - Jo, e keni gabim. Luani atë vend pune mund ta bëjë shumë mirë, se e njeh, ngaqë ka kryer atje punën prodhuese njëmujore, në disa vite resht..

            - Mirë, jemi dakord. Po në vendin tënd, si Shef Plani, kush mund të vijë dhe të të zëvendësojë, pa prishur punë, më kupton?

            - Kush mund të vijë?! Fare e lehtë: mund të vijë, menjëherë, çdo punëtor që ka mbaruar, si puna ime, Shkollën e Lartë Ekonomike. Të ketë edhe pak përvojë administrative. Ju jap fjalën se do ta ndihmoj pa rezerva.

            Dukej si shaka, si shfaqje komedie, por nuk kaluan veçse dy muaj dhe mua më erdhi transferimi, me të njëjtën detyrë, si Shef Plani në Fermën Bujqësore Llakatund. E gjetën fshatin afër, vetëm 15 kilometra larg qytetit, duke më dhënë të drejtën edhe të kthehesha mbrëmjeve në qytet, për të dhënë mësim.

            Po komedia nuk e kishte pjesën kulmore te ngjarja ime, por më poshtë, kur i erdhi radha Shefit të Llogarisë, edhe ai çalaman, po  që çalonte në krahun e majtë, në të kundërtën e Sanijes, kryetares sonë të komisionit punëtor.

            Nuk e di sepse, ndoshta nga veshja dhe paraqitja e jashtme e Shefit të Financës,

kur e pa atë ulur në karrige dhe ju duk sakllam, Sanija e nisi ndryshe seancën e pyetjeve:

            - Po ti, nga je? Më dukesh si nga fshati.

            - Si urdhëron, po, me origjinë nga fshati jam, nga Mavrova e Lumit të Vlorës.

            - Atje të vesh, - i tha prerë Sanija, me frikën e ndonjë debati të papëlqyer, që mund të zgjaste dhe t’i merrte kohë, siç i ndodhi me mua. Ndërkohë, e nervozuar Sanija filloi të lëvizte çalë-çalë përgjatë zyrës së madhe, para nesh.

            - Dale, moj motër, dale, mos e merr me ngut. Prit njëherë të më shohësh edhe mua fatkeqin, filloi të pyes, gati duke qarë Shefi i Financës, që ishte dhe imcak nga trupi. Ku do më shpiesh, moj, ku? Dhe, fët, ngrihet me vrull nga karrigia e fillon të lëvizë, po duke çaluaredhe më thellë se zakonisht, përkrah Sanijes. Kërruset edhe më shumë, gati të rrëzohet në shesh, në krahun e kundërt të Sanijes, që e hutuar vazhdon levizjet shtrak-shtruk. Ndërkaq dhe Sanija ik e kthe kokën nga Elhami, se kështu e quanin hallexhiun. Ai ik e fol, me kokën anash, në drejtim të Kryetares se Komisionit të Kontrollit Punëtor :

- Mirë do  të më çosh në fshat, po ti e sheh, unë  fatkeqi,mezi rri më këmbë. Si do të shkoj nëpër sektorët e bujqësisë dhe në brigadat e kooperativistëve, që janë me qindra metra larg njëra-tjetrës dhe në zona kodrinore? Të paktën të porositësh të më vënë në dispozicion ndonjë gomar e ndonjë shoqërues ta tërheqë kafshën e gjorë nga kapistalli.

            - O, o! Lumëmadhi ti. Ti qenke ku e ku më keq se unë. Ik, ulu, se po këpute në kërbythje. Rri aty ku je. Nuk bën për në fshat ti. Për atje i duam si Luani.

            Ja kështu e “hëngra” unë dhe shkova e qëndrova 7 vjet në fshat.

            - O zot i madh! Pse nuk na linde çalamanë!

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx