Kulturë
Rrustem Geci: Edhe poezisë i dalin lot
E enjte, 24.06.2010, 06:10 PM
Portret mërgimtari me shkas
Ramiz Muharremi
EDHE POEZISË I DALIN LOT
Nga Rrustem Geci
( Leximi i poezesë nuk është i lehtë, as i kollajtë, ndonëse, lexuesi i poezisë për mua është krejt i veçantë. Mbrëmjeve kur ulem të lexoj poezinë, unë atë e ndjej, e preki, shpërthej bashkë me të, dehem, kënaqem, shkrihem në thëllimat e saj. Poezisë jo rrallë edhe i dalin lot, këtë e kam parë disa herë në poezinë tonë ,më thotë një i dashuruar i poezisë... )
Foto: Ramiz Muharremi
Nuk është lehtë të jesh lexues, lexues i vargut të bukur siç është poezia. Unë s´ jam specialist i leximit të poezisë, por leximin e poezisë e kam pasion. Ky artdashës i poezisë quhet, Ramiz Muharremi, nga fshati Terstenik i Komunës së Vitisë. Me profesion ekonomist i diplomuar. Ramizi ka 15 vite që është i mërguar në Bad Neuenahr, të Gjermanisë. Jeta e mërgimtarit tregon Ramizi është jetë e përmallimit të vazhdueshëm. Por, kjo ishte udha e jetës sime. Arsyet pse unë e dua poezinë, dhe pas poezisë së bukur çmendem, janë të shumta. Unë kujtoj thotë Ramizi se në asnjë poezi shiu nuk është i njëjtë, e njëjtë nuk është as era që e sjell atë shi. Mbase pikat e shiut të vendlindjes, me pikat e shiut të mërgimit, tek unë shumë dallojnë. Prandaj, ky është leximi im që unë i bëj poezisë dhe jetës përreth.. Në Kosovë shprehet Ramizi, pak janë poetët e mirëfilltë, ose më mirë me thënë nuk janë të shumtë. Unë kujtoj thotë Ramiz Muharremi se leximi i poezesë nuk është i lehtë, as i kollajtë, ndonëse, lexuesi i poezisë për mua është krejt i veçantë. Mbrëmjeve kur ulem të lexoj poezinë, unë atë e ndjej, e preki, shpërthej bashkë me të, dehem dhe kënaqem, shkrihem në thëllimat e saj. Nga librat e panumërt që kam lexuar, ka vërejtur se edhe poezisë i dalin lot, thotë Ramizi. Poezi të tilla unë kam hasur te disa autorë tanë. Artin e mirëfilltë, poezinë unë e ndjejë edhe kur fryn era, edhe kur kafeja para meje avullon. Instinket e mia shprehet Ramizi, edhe në gjërat më të rëndomta e gjejnë poezinë. Unë nuk jam poet por poezinë e dua me gjithë shpirt. Vargjet e të madhit Naim , dritë e diturisë përpara do na shpjerë, janë shumë kuptimplote për mua. Në Gjermani ku unë jetoj, jam i rrethuar me një letërsi aktive të së bukurës, të së magjishmes. Poezia e mirëfilltë, poezia e bukur, kur është e shkruar me shpirt, tek unë dhe familja ime ndikon shumë për të mirë. Në poezinë e Hamit Aliajt, Populli beson si fëmijë, qesh si fëmijë, mban mend si fëmijë,.. Nëntë rrathët e ferrit i ka në vrimat e rripit, shtrëngon rripin, rrethi i parë, i pestë, i nëntë, shtrëngo e shtrëngo,..Rruste, emocionet që m´i jep poezia janë krejt të veçanta me artet e tjera. Ose vargjet nga Ndoc Gjetja, tridhjetë vjet e shtrydha talentin/ në njërën nga zyrat e shtetit monist/ me këpucë të vjetra e përshkoja qytetin/ dhe gjithë njerëzit i doja si Krisht, janë vargje që më prekin në shpirt, vargje që më bëjnë të mburrem, me shumë krjues të poezisë sonë. Çfarë mendon për poezinë në Kosovë, i drejtohem Ramizit për të thënë që eseja vazhdon. Unë kujtoj se Letersia në Kosovë është e konsoliduar në të gjitha llojet e artit. Numri i shkrimtarëve dhe poetëve në Kosovë nuk është i vogël. Por, poetë dhe shkrimtarë të mirëfilltë nuk ka shumë. Këtë duhet ta thotë kritika letrare e cila aktualisht mungon edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Mungesa e vlerësimit, ndal poetët e rinj që t´ia prezentojmë botës. Në poezinë “Dashuria” të Tahir Deskut shohim se poezia në Kosovë ka edhe majat e saja. Vetëm ajo nuk plaket/ vetëm ajo nuk matet/ shihet as preket/ po u largove / të ngrinë acari / po u afrove, djeg /.. ajo është vetë zjarri / kujdes nga njerëzit që u mungon dashuria… Kjo dhe dhjetëra poezi të tjera të autorve të ndryshëm letërsinë tonë e bëjnë të respektuar. Rrotat që lëvizin epokat na thotë Ramizi, nuk janë zhvillimi marramendës, por, arti i madh, ai që përshpejton kohët dhe vetëdijen nga një epokë në tjetrën. Unë kështu e kuptoj poezinë, shprehjen më sublime të qënies. Poeti dhe shkrimtari duhet nderuar thotë Ramizi, sepse këtë ua kemi borxh. Unë kujtoj shprehet Ramizi se të gjitha luftat dhe të gjitha betejat herët a vonë përfundojnë në libra. Andaj, misioni i poetit dhe shkrimtarit kujtoj se është i shenjtë, ndoshta edhe hyjnor. Me këtë dua ti përshëndes të gjithë artistët e mirëfilltë të fjalës së shkruar, me ata unë mbahem për gjithë jetën. Shëndet!..