Kulturë
Poezi nga Vullnet Mato
E enjte, 24.06.2010, 03:59 PM

AGIMI I STRALLIT
Me uror çeliku
në formë zemre,
shkrepte mbi një copë strall
shqiptari.
Pak eshkë të butë
përsipër i vinte
dhe nxirrte
shkëndija të kuqe zjarri.
Stralli në shekuj
shkrepi xixat e tij
dhe mbajti gjallë
zjarrin e netëve.
Zemra e çeliktë
dhe stralli të dy,
i ndriçuan shqiptarit
shkëndijat e jetëve.
Secili me zemrën e vet
zjarrmëtare,
gjithë jetën i kërkoi strallit
pakëz dritë...
Por stuhitë që vërsuleshin
egërsisht mbi male,
i shuanin eshkën
për t’i verbuar sytë.
Vetëm kur zemrat e çelikta
bashkuan të gjithë
dhe i shkrepën
te stralli i mprehtë i maleve,
shpërtheu agimi i madh
me vezullimin plot dritë
mbi brigjet e ashpër
të tokës stralle.
VAJTIMI I CIGANKËS
Përrenjtë
luhateshin në terr,
thëllimi fryn
çadrat si gajde.
Fryma e ftohtë
e mesnatës
ia thotë këngës,
ik e hajde.
Dhe prapë dielli
zë e dridhet.
Udhë, moj
e pasosur udhë...
Prapë nga lart
hëna si dajre,
në valle retë
djersit e qull.
Ulet bora –
pulëbardhë
buzë përroit
të mufatur.
Dridhet
zëri i cigankës
porsi psherëtimë
e zgjatur...
Vajton me lemeri,
sa ngre mornica,
birin e vetëm
që s'u bë motak,
kallkanosur
nga ngrica
te përroi
në monopat:
O gushëkuq,
ore flori !
O bir ku shkove,
kush të jep gji !?
Si s’vjen përroi
më merr me vete,
të jap cic’ nëna
atje ku fjete!...
Ta tund djepin,
nëna, o shpirt,
tek ylli yt
që të bën dritë.
Mbase atje ka,
për ne të dy
një copë mur,
nën një çati! ...