Kulturë
Baki Ymeri: Shpirti i shenjtë i atdhedashurisë
E premte, 02.07.2010, 10:00 PM
SHPIRTI I SHENJTË I ATDHEDASHURISË
(Eduard M. Dilo, Shpirt i trazuar, Bukuresht, 2010)
Nga Baki Ymeri
Ja edhe një libër i ri me vargje të bukura, të frymëzuara dhe interesante! Lirikë atdhetare dhe meditative që buron nga zjarri i zemrës së një shpirti të trazuar. Vargjet e Edit ta përkujtojnë atmosferën e zymtë që mbretëronte në Shqipëri, në një kohë të krisur kur në vend të Zotit dhe Shën Marisë mbretëronte kulti ndaj Enverit dhe Partisë. Kulti i mërgimtarit është respekti ndaj kombit, përjetimet, përkushtimet dhe krijimet e mbrujtura me ndjenjat fisnike të atdhedashurisë. Ëndrra e tij është Shqipëria historike, me Çamërinë në jug, me trungun e atdheut në zemër, dhe me Kosovën në veri. Pse? Ngase, siç shkruan Fehmi Kelmendi nga Zvicra: Krejt jemi vëllezër e të prirur/ Për bashkim e besë kemi lindur. Eduard Dilo është shpirti i trazuar i një atdhedashurie të shenjtë, shqiptari i mërgimit që digjet për nënën dhe atdheun e tij. Perlat poetike të tij trasojnë shtigje për udhëtim nëpër Parajsën e shpirtit njerëzor. Janë tekste mbi takimin e engjëllit në hijen e një buzëeshjeje.
Shpirti i trazuar është i strukturuar në katër kapituj: Zemra e lënduar, Shqiponja, Dritat magjike të mrekullisë, Zana kosovare, Poezi në gjuhën rumune. Në kuadrin e tyre defilojnë vargje të thjeshta që i përcjellin ndjenjës njerëzore rrezet e ngrohta të Diellit edhe në zonat më të akullta të psikologjisë sonë. Kështu do të shprehet Fatmira Leka duke bërë fjalë për Gjakush Tanën, krijimtaria e të cilit shëmbëllen me universin poetik të autorit të këtij libri: “Janë vargje të përshkruara me ndjenja tepër të mëdha, të dala nga një shpirti i çiltër dhe përmalluar, i cili din të ligjërojë kaq bukur dhe me mjeshtëri të lartë poetike dhe artistike.” Edi në Amerikë, Pal Sokoli në Gjermani, Sokol Demaku në Suedi, Adelina Dokja në Itali, Ylli Dilo në Greqi, si dhe dhjetra shqiponja tjera, të njohura e të panjohura, Zoti i ka pasjisur me energji shqiptare për ta mbajtur gjallë shpirtin shqiptar në diasporë, edhe pse sistemi nuk ua ka bërë të mundur të frekuentojnë bangat e Universitetit për të ndjekur ligjërata mbi universin poetik dhe vlerat e tij. Shqipëria etnike, prindërit dhe mërgimi janë tri nga motivet esenciale të botës lirike të Eduard Dilos, pas të cilit vjen dashuria me flladin pranveror dhe me lëngun e buzëve të saj: ”Gjithëçka ish’ e jona/ Nuk kishim të ngopur/ Ato buzë mjalti/ Kur ne i shijuam/ U dehëm, u mpimë”, madje edhe Zotin e harruam.
Ne, të gjallët duhet të sakrifikojmë shumë për atdheun tonë, sepse vetëm dëshmoret e kombit e kanë përmbushur amanetin e tyre ndaj Shqipërisë. Prandaj, sa më shumë punë për të mirën e Shqipërisë, aq më mirë për të ardhmen e saj, thot Mona, një filoshqiptare e ndezuar me prejardhje rumune. Duke deshifruar mesazhin e saj, të përkujtohet Edi që ndjen shqip, shkruan shqip dhe digjet për Shqipërinë tejmatanë brigjeve të mëndafshta të Atlantikut, në Amerikë. Nuk ka gjë më të bukur se sa prirja e sivëllezërve tanë nga Shqipëria për të shkruar për Kosovën, dhe vrrulli sentimental i shqiptarëve të Kosovës për të shkruar për Shqipërinë. Në vargjet e Edit defilon Kosova me lulet e kuqe të gjakut, me zërin e viktimave që dhanë gjak dëshmorësh për ta bërë të pavdekshme vatrën legjendare të trimërisë dhe besnikërisë.
Poezia e Eduard Dilos shpreh dhimbjen dhe mallin e pashuar që e ka pllakosur shpirtin e poetit për vendlindjen, për prindërit, për farefisin e persekutuar, për atdheun e katandisur në varfëri si pasojë e butakëve të komunizmit që i gjen gjithandej në pushtet. Poeti din të manovrojë me fjalët, është inteligjent dhe me fat, ka zemër të madhe dhe se duron dot padrejtësinë. Interesante janë edhe komplimentet e komentatorëve që ndajnë kohë për ta përshëndetur këtë poet të talentuar që s’e harron kurrë Shqipërinë, flamurin shqiptar dhe gjuhën e perëndive. Një dashamir i tij thekson se Eduardi është një studjues dhe poet që ngjitet shkallëve të suksesit me dinjitet. Ndjenjat e pastra njerëzore, çiltria shpirtërore dhe fshikullimi i padrejtësive janë pasqyruar me cilësi të veçantë në vargjet e tij. Në poezinë “Prometheu Shqiptar”, kushtuar studjuesit të linguistikës moderrne Petro Zheji, krahas prezantimit të gjeniut hidhet dritë edhe mbi kodet që përdor ky erudit modern. Vetëm studjues që kanë talent poeti, si Eduardi, mund të na dhurojnë krijime të tilla.
Sipas Kozeta Zylos, Eduard Dilo është pinjoll i familjes së madhe Dilo, nip i Ilia Dilo Sheperit, një shkrimtar që shkon duke zënë një vend të merituar në letërsi. Ndonëse u persekutua gjatë regjimit të egër diktatorial, pena e tij brenda shpirtit nuk heshti kurrë. Kjo penë e aromatizuar me lulet e virgjera të Çajupit, të jep një ndjesi të veçantë. Për tabllot artistike të Shqipërisë aktuale, si dhe për ndjeshmërinë lirike të Edit shkruan edhe Reshat Kripa, duke theksuar se kemi të bëjmë me një njeri që ka ndjerë mbi shpatullat e tij shtypjen komuniste. Ata që e kanë provuar një gjë të tillë, mund t’i kuptojnë këto që po i them. Në poezinë e parë, "Në kishë...lutje", del në pah shpirti i madh i poetit, ndërsa në të dytën "Ata në kishë", lexuesi do të ketë parasysh shkatërrimtarët e kulteve fetare, kameleonët që kanë ndërruar faqe dhe kanë paturpësinë të futen në ato faltore që vetë ata ua vunë kazmën. Sipas Aneta Weihsit, Eduard Dilo është një poet shumë i talentuar. Poezitë e tij janë shumë të arrira nga ana artistike dhe shumë të pasura në ide dhe mendime. Ato gjithashtu nxjerrin në pah shpirtin fisnik të tij, ngase bëjnë fjalë për mall, dhimbje, nostalgji, dashuri, kujtim, admirim, shpresë dhe liri për atdheun e tij.
Ana Hoxha, Zana Pira, Fatime Kulli, Adelina Dokja, Monda Mojsiu, Alma Papamihali etj. vlerësojnë me admirim vargjet e krijuesve tanë në diasporë. Sipas tyre, vargjet e mërgimtarëve tanë reflektojnë ndjenjën e shpirtit për dashurinë ndaj atdheut, jo vetëm në poezi por edhe në publicistikë, madje edhe në jetën e përditshme. Sipas tyre, poezia e mërgimtarëve tanë ka dimensionet e një mesazhi të gjallë shpirtëror. I këtillë është edhe Eduard M. Dilo, pronar vargjesh të bukura që burojnë nga shpirti fisnik i një poeti fin. Janë vargje që sjellin një freski të pafund me atë dashurinë e pastër dhe të thjeshtë që të joshin që në lekturim të parë. Edi ka zemër te madhe dhe s’e duron dot padrejtësinë. Është i sinqertë dhe me karakter të fortë, ngase psikologjikisht s’e mposht asgjë. Vargje që godasin fuqishëm në zemër, poezi të shkruara me një shqetsim të madh e cila përmbyllet me përmallim ndaj lirisë. Eduard M. Dilo është njeriu që mban në vete një botë të tërë. Në faqet e librit të tij defilon jeta si një plaçkë, një jetë që gërshetohet me momente dhe evenimente që janë pika të ndritshme në kujtime të evokuara me shqetsime të shkuara dhe shpresa për një perspektivë më të mirë.
BIBLIOGRAFI
Eduard M. Dilo është poet dhe publicist. U lind më 1958 në Sheper të Zagorisë. Rrjedh nga një familje intelektuale e cila gjatë diktaturës komuniste u persekutua në mënyrë barbare. Babai i tij, Margarit Ilia Dilo, ka kryer studimet në Universitetin e Athinës (1936). Me ardhjen në pushtet të komunistëve u burgos dhe të njëjtin fat e përjetuan edhe familjarët e tjerë. Edi është nip i patriotit dhe gjuhëtarit erudit Ilia Dilo Sheperi, si dhe i Pano Xhamballos dhe Jani Dilos, të cilët luftuan për Shqiptarë të lirë në një Shqipëri të lirë. Ka kryer me skarifica të mëdha gjimnazin në Gjirokastër, Tiranë dhe Fier, pasi e përjashtonin për arësye të biografisë. Më vonë e përfundoi shkollën e mesme ekonomike në Fier, pa shkëputje nga puna, ndërsa më vonë mbaroi Institutin dyvjeçar Globe Institut Tecnology në New York. Është bashkautor në antologjinë Zemra Prindërore (Botimet Almera, Tiranë 2008), bashkautor i librit Diloiada (Gjirokastër, 2009), i përfshirë me vlera lirike edhe në antologjinë e përbashkët Ekzili i ëndrrave (Bukuresht, 2008). Ka botuar shkrime të ndryshme në gazetat Dielli, Illyria, Rrënjët, Pena dhe Tema Shqiptare, duke bashkëpunuar edhe me revistat elektronike Zemra Shqiptare, Tribuna shqiptare, Gazeta Kritika, Forumi Shqiptar etj. Ky është vëllimi i i tij i parë poetik që e sheh dritën e botimit në Bukuresht, pas të cilit pason të vijë para opinionit edhe me një përmbledhje artikujsh publicistikë. Esuard M. Dilo jeton me familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është anëtar i Lidhjes së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.