E enjte, 01.05.2025, 07:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Petraq Kote: Balada e një lirike fëminore në shpirtin e poetit Mustafa Spahiu

E hene, 05.07.2010, 09:57 PM


Balada e një lirike fëminore në shpirtin e poetit Mustafa Spahiu

 

Shënime rreth ” DALLGËT E BARDHA NË UDHËTIM “ dhe “ U NISA NË MËNGJES ME LUNDËR YLBERI 

 

Nga Petraq Kote

Anëtar i Akademisë Europiane të Artit

 

“ Ka shumë gjra që është mirë të mos i humbasim: për shëmbull, fytyrën! “

Oskar Waild

 

A duhet shkruar poezi për fëmijë, kur fëmijët vetë poetojnë duke vrapuar pas fluturave, pas zogjve, pas vorbullave  të pluhurit të ngritura nga erërat, pas zhapikëve, karkalecave nëpër gjeografinë reale fizike të kësaj bote që po bëhet dita më ditë edhe më e vogël e që ne i themi natyrë… duke eceur me koherencën në kontekstin global, duke nënkuptuar edhe tematikat?!

 

Poezia fëminore botërore duhet vazhduar të shkruhet edhe më e fuqishme. Botës fëminore sapo vjen e nuk po i nxë kostumi i botës reale, botës së rritur. Globalizmit është tashmë një realitet i prekshëm. Çdo familje ku në përbërje janë edhe fëmijët mund ta udhëtojnë  atë brenda ditës. Shumë afër s’do të ketë më kufij.

E, universi për të shëtitur atje fëmijët, është ende larg. Janë vetëm ca biznesmenë të fuqishëm që në moshë të plakur me varrin fëmijëri dhe rini brenda vetes, presin biletë dhe shkojnë në kozmos. Por këtë pamundësi të mundur, këtë biletë të klasit të parë, këtë realitet virtuale për në univers, për në galaktikat tjera e siguron libri poetik, libri në prozë. E sigurojnë shkrimtarët fëminorë që fatmirësisht ndodhen pranë fëmijëve me poetikën, prozën e tyre.

  Dihet se poezia, proza më shpirtërore, më e gjallë për fëmijët por edhe të rriturit është vet natyra me shumëllojshmërinë e saj të përbërjes humane e jo humane në afrim, në prekje. Kur fëmija i gjendet një livadhi, një pylli, një liqeni, një deti, një lumi, një aeroplani, një parku zoologjik, arkeologjik etj. Aty s’ka më libra. Libri vetë është vendparj vendgjendja. Leximi i gjallë. Urbanizimi përherë e më shumë i botës po bënë paralelisht shoqërizimin e thellë, fëmij – libër.

Në se një fëmijë nis të lexojë, ai, atëhere ka nisur edhe të mendojë, të përfytyrojë, të ideojë. Pra tek fëmija është mbjellë fara e së ardhmes dhe nga ai burrë, grua i (e) së nesërmes nuk duhet patur frikë. “ Mos ki frikë nga njeriu i ditur! “ thoshte një filozof i romantizmit europian.

E, në kushtet e këtij vazhdimi ligjërimi, letërsia shqiptare për fëmijë e të rritur duhet të hyjë në letërsinë Europiane e fuqishme, me përpos, një numër të madhë emrash të afirmuar dhe botimesh të arrira nga ana etike dhe estetike, të cilët ( cilat ) pas viteve 1990 nuk i mungojnë kësaj letërsie dinjitoze dhe pse e lindur në një popull të vogël, nga një gjuhë afro 10 - 15 milionëshe e folur dhe e shkruar në trojet etnike dhe mbi 16 milionë në diasporë ( më kujtohet një bisedë me mikun tim doktorin e shkencave filozofike Laurant Bica. Ai më tregonte se kur gjendej në Selanik të Greqisë dhe kishte pyetur profesor N. S se a ka shqiptarë këtu? Profrsori kishte ndalur, kishte kthyer vështrimin e habitur nga doktori, dhe kishte ligjëruar: “ Pyetët gabim miku im! Ju duhet të kishit pyetur: A ka grekë, këtu? ),    dhe pse e penguar pandërprerë nga figurat dhe veprat letrare soc – realiste. Në se ne do të hyjmë atje  vetëm me këta “ dead time “  dhe me artin e tyre letrar, jemi të parealtë, të papërfillshëm, të asimiluar. Unë nuk mund të përcaktojë  mosqënien e tyre në këtë udhëtim  të gjatë e të vështirë të mbijetesës në atë vendmbërritje, vendbanim të ri! Se edhe ata kanë bërë art letrar fëminor. Por mua më bënë përshtypje  lufta e tyre piedestalike e pa princip!

Por më e keqja është se këtë hyrje masive letrare estetike  e vret goditja permanente e studimeve ireale të padrejta, hipokrite, kulisore, të varura, të  korruptuara, dashakeqe    “ profesorëve “, “ doktorëve “ dhe “ mjeshtrave “ të tjerë të shkencave gjuhësore – letrare shqiptare.

Arrihet deri atje sa arti letrar shqiptar parcelizohet: në art letrar që bëhet në metropol dhe ai sipas tyre është “ i madh “ dhe arti letrar provincial i cili po sipas tyre është detyrimisht “ i vogël “, duke mosditur të mjerët se kryeqyteti i letërsisë ndodhet atje ku ndodhet,  etika, estetika letrare, ajo çka është më e bukura. Një shembull i shkëlqyer është arti i shkrimtarit të letësisë fëminore shqiptare, Mustafa Spahiu. Ai është jo vetëm përfaqësues i denj i Shkupit, Prishtinës, por i gjithë trojeve shqiptare. Strukturën narrative, strukturën ligjërimore të Spahiut të cilat përbëjnë dy shtyllat kryesore të veprave të tija poetike nuk mund ta konturosh dot brenda kufijve maqedon dhe ta quash letërsi fëminore provinciale. Është tjetër gjë qenësia dhe tjetër gjë letërsia. Është tjetër gjë talenti dhe tjetër gjë gjeografia.

 Unë jam i sigurt në mbanësinë e këtij akti të lumnuar të letërsisë shqipe.

 

Mustafa SPAHIU i erdhi Shqipërisë në jetë më 5 prill 1948 në fshatin Muçivërcë të Anamoravës së Gjilanit, Republika e Kosovës. Ishte ditë, kishte diell. E lindi një familje zejtare-bujqësore  e kamur,  fisnike. Katër  klasë të shkollës fillore i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në fshatin e afërt Rogoçicë, të mesmen në Prishtinë. Akademinë pedagogjike për gjuhë dhe letërsi Shqipe e kreu në Shkup. I ndoqi studimet në Fakultetin filologjik, katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe. Tërë profesionin e gazetarit, publicistit e kaloi në Radio Shkupi - programet në gjuhën shqipe. Për 25 vjetë me rradhë e drejtoi me sukses të shkëlqyer emision më të dëgjuar për fëmijë "Lule më lule". Aktualisht e drejton emisionin letrar të loguar  " Tingulli i artë i fjalës ".

Ka marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe shoqërime të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë. Më vitin 2008, programi i Radio Shkupit në gjuhën shqipe ia akordoi mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore. Në takimet letrare të organizuara nga Shoqata e artistëve " Pushkin " në Tetovë u nderua me çmim të parë.

Ka të përkthyera mbi 30 vepra nga gjuhët sllave: kroatishte, boshnjakishte, maqedonishte, serbishte, malazeze dhe nga shqipja në këto gjuhë.

Është anëtar i dy shoqatave letrare: Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë. Është anëtar i Klubit të shkrimtarëve " Konstandin Kristoforidhi " të Elbasanit, R. e Shqipërisë. Është qytetar nderi i qytetit të Durrësit dhe Mik i madh i fëmijëve, akorduar nga prefektura e qytetit të Durrësit. 

Krijon, punon, boton dhe jeton në qytetin e Shkupit. Vendlindjen e ka burim të pashtershëm frymëzimi.

 

Biografi lirike e librave të autorit:

 

Buzëqeshjet e okarinave - (1981)

Ylbere lirie... - (1982)

Mollëkuqet e blerimit - (1984)

Fëmijët kalojnë nën ylbere - (1988)

Nobelistët për fëmijë - (1989)

Livadhi im - "Moja livada" - (1989)

Buzëburimi - "Pokraj izvorot" - (1992)

Sytë që shkrepin fëmijëri - (1994)

Fëmijët lozin në brerore - (1994)

...Më ka marrë malli... - (1995)

Rregullat e mirësjelljes (Bonton) - (1995)

Ora që kurdiset nga ëndrrat e fëmijëve - (1996)

Vallja e okarinave - (1999)

Kolovajza e ëndrrës sime - (2000)

Këngët e trishtilit - (2000)

Sikur t'isha djalë i diellit - (2004)

Fëmija është bilbil i shtëpisë - (2005)

Me buzëqeshje ju dal përballë - (2005)

Fëmijët fshihen në gjelbërim - (2007)

Era s'ka shtëpi (haiku) - (2007)

Fermanet e pranverës - (2009)

 

Mbi letërsinë fëminore të Spahiut

 

Mustafa Spahiu eshte figurë centrike e letersise sone per femije ne Shkupin tonë etnik. Për rrjedhojë edhe letërsia e tij është centrike. Ai është një gazetar i shkëlqyer, një  publicist i mrekullueshëm.  Me tipologji të adhuruar. Në retorikë operon me shkallën e lartë të stilit. Ai eshte po aq edhe perkthyes qendror, saç antologjist. Mustafa Spahiu u duk në qytetin letrar të Shqipes  46 vjet më parë, kur në  kalendar  ishte viti 1964. Atëhere ishte veç njomëzak dhe askush nuk e vuri re nga ata që dinin dhe ligjëronin  mirë libërisht. “" Flaka për fëmijët tanë ".  thirri Mustafai atij moti dhe buzëqeshjen e bëri baladë në këngët e rritjes së njeriut.

Në vetvete lirika feminore e Mustafa Spahiut është një baladë e brishtë metaforike. Ajo është skalitur aq me kujdes sa edhe ndërhyrja më e vogël për të hequr edhe një papastërti të rënë mbi të, e thyen.

Janë dy cikle ” DALLGËT E BARDHA NË UDHËTIM “ dhe “ U NISA NË MËNGJES ME LUNDËR YLBERI që ma sjellin këtë  ndjesi baladike, të cilat i dëgjova së pari nga gjyshja ime Kostandinë dhe Katerinë ende pa ngritur nga djepi dhe pse në një formë tjetër “ ninulla”.

 

Provoni të mos ia këndoni një fëmije shqiptar që lind!...

Dhe Spahiu i këndon në një formë tjetër, lirikisht, poetikisht, baladisht.

Dhe Spahiu më kujton Mjedjen, poetin tonë kapërcyell të gegërishtes së latuar dhe poezisë moderne.

 

 

ÇUTERRI FALË POEZI

 

Lazdrohej hirshëm shej’e burimit,

lundronte me barkë dielli i agimit,

me pjalm t’yjve nusja thuri kurorë;

tërfilat vinin me zilket në dorë...

 

Erdhën me dyjare qafës sorkadhet,

jehona shpateve shtrihej më shumë...

Ketrushat vrik i grishnin kunadhet,

përposh bjeshkës buçiste një lumë.

 

Bjeshkët si gjithmonë kanë vlerë...

Sytë e zemrat – gjerdane me gëzim!

- Shtigjeve pinjoll horizont’i gjerë;

njëpasnjëshëm vjen nga një përfaqim...

 

Njomen lot sytë e poetit gjithandej,

gurrat e bardha i rrinë mbi vetullë...

Stërlashti[1] – tha – o, mik këtej, këtej

Merr fëmijërinë strajcë në sjetullë!

 

Sytë poetit i shkrepnin dritë,

Zemrës i flatronte një fshehtësi...

- S’mbahet mend pikniku si atë ditë,

valëzat e çuterrit derdhin flori.

 

Poetet e letersise feminore, jane poetet e pranveres së jetes së çdo kombi  të kësaj  bote gjenerike konceptuale me akses përhershmërinë vazhdimore. Ata më ngjajnë gjithmonë të veçantë sepse ndoshta të tillë ndjesi më përcjellin së brendëshmi. Veçanësia e Mustafait erdhi në Fier fizikisht në një takim poetik të titulluar “ Apollon – 2009 “, dhe prej asaj dite ai është tek “ Biblioteka e vjetër “ në qender të qytetit myzeqar. Ndoshta la ca pjesë shpirti, atje, kur recitoi poezinë e vetë!
Janë ndryshe poetët e letërsisë për të rritur,  zakonisht në gjegrafinë e tyre të krijimit e cila zbret  në letra nga majat e penave,  gjallon vjeshta, se vera shumë pak e përmasohet asaj  bote gjasangjarë  dimri...
Në lirikat fëmijërore gdhenden anë poetike të gjëra, pa brigje e pa dallgë dhe pse me stuhi ngjyrash.  

Një nga veçanësitë e këtij poeti  lirik të letërsisë fëminore shqiptare është konotacioni i saj me historinë kombëtare. Tashmë më shumë se kurrë është i nevojshëm ky interier i ndërlidhur. Së pari   letërsia fiton pasaportën kombëtare domethënë veçanësinë dhe së dyti ajo bëhet më interesante, më e kërkuar nga lexuesit pikërisht për këtë veçanësi të  pa njohur më parë nga fëmijët e kombeve të tjera. Ja, njëra prej tyre:

 

 

DJELMOSHAT NGA BERATI

 

Tre djelmosha nga Berati,

të treve ju buzëqeshte fati...

Mbi rrotë prej trëndafili, t’urtë

imagjinojnë Kodikët e purpurtë!...

 

Natën për ata ninullon Osumi,[2]

lozin rrugëve pasi ju ik gjumi...

Trishtila, n’thembra s’prekin fare

e duan qytetin me mijëra dritare!...

 

 

Kozmogonia është tjetër hapsirë e pushtuar nga lirika poetike e Spahiut.

 

 

KUAJT DIELLOR

 

Kuajt diellor – jelebardhë,

kuajt e flakës – janë pa potkonj,

kaluan pa gjurmë arë mbi arë

lumenjve pa ura dhe mbi përronj.

 

Kaluan bjeshkët që s’kalohen dot

me trokthin e lehtë, detet pa not,

kuajt e bardhë për çdo mesditë –

në livadhet tona i kullosin sytë...

 

Flatrojnë të ngopur, të harbuar,

sa mrekulli të jesh mbi ta kaluar!

 

 

Distiku është operacioni më sfidant në vargun e Spahiut.

 

 

VARGJE PA ADRESË

 

Vargjet e mia – degë ulliri – përherë

merrni ngjatjetime zemre tulipan me erë,

 

çdo ditë grafullojnë me rima të reja

- sikur valët hepohen nga hareja...

 

Shfaqen yje me ngjyra trëndafili,

folenë shtalbore – thur – trishtili,

 

Vargjet e mia brigje të arta lumi,

nxitojnë pëllumbesha me ëndrra gjumi

 

...

 

Dikur, në shënimet e mia kam shkruar se më shumë se çdo letërsi, letërsia fëminore duhet të jetë letërsi misionare. Pikantiteti i misionit të sajë konsiston në faktin “ rritje “. Pra se si ajo duhet të ndikojë në rritjen e fëmijëve. Portretistë, peizashistë, socialë, dashurorë, metafizikë etj., etj..

Dhe spektri i lirikës së Spahiut i rrok të gjitha. Ja një lirikë e portretit:

 

 

ME VARGJE I PORTRETOJ

 

Kujt i shihet mosha në trung

palmës gjethepahitëse,

Kush nën acar shpërthen lule

mimoza aromëmahnitëse...

 

Ç’po shkrep e përflakur bukuri

n’oleandrin e dalldisur,

Ku fshihet ëndrra e padukshme

nën shelgun – lotrrokullisur!

 

Kujt i duhet gjerdani i hënës

për ta mbajtur në kraharor,

- Kend e bekon dielli: rritu-rritu

si blirin e artë në qershor!

 

Kush i derdh stoli akacjes

shih, mjaltë e bardhë me kumak...

- Lauresha end pëlhurë mëndafshi,

pëllumbeshat e mbuluan me duvak.

 

Pse mështekna pëshpërit ngadalë

përkund belin – gejzer i gjallë! –

- Plepi në breg të lumit prore

i numëron pikturat pranverore...

 

Ka kohë që letërsisë Shqipe i ka mbërritur një unë tipologjik dhe po aq kohë që bëj pyetjen se përse kur studiova letërsinë fëmonore si lëndë të veçantë në universitet ( gjuhë – letërsi Shqipe )

nuk kishte asnjë lekturë për ‘të?! Si ka mundësi që në antologjitë e letërsisë fëminore Shqiptare nuk është kjo poezi dinamike e Spahiut, me figuracion prej mjeshtri dhe ne ish studentëve të letërsisë na lekturoheshin poezi shpesh herë pa nivel artistik nga soc – realizmi?! Në një kohë që vetë Spahiu është një antolog  i shkëlqyer. Nuk kam gjetur më të bukur se antologjia e përpiluar nga professor Odhise Grillo të titulluar “ Porsi kënga e zogut të verës “ botim i LOGOS – A 2002, Shkup, ku   ndodhen poezitë e Mustafa Spahiut “ Udhëtoj me Ylber “ faqe 104 dhe  “ Lundra ime “ në faqen 105. E në se ato poezi ndodhen në antologjinë e Shkupit, të paktën në antologjinë e Tiranës të ishte kjo poezi e Mustafait:

 

SI LINDIN ËNDRRAT

 

Ndoshta lart nga fron’ i qiellit

Ëndrrat si perlë vijnë fluturim.

N’velanije si rrezet e diellit,

Dy zgalema t’sertë në pakthim...

 

Natën tjetër do të fluturojnë

- Aty ku dy rrepet bëjnë roje...

Trëndafilat e lulëzuar – amësojmë,

Futen shtëpive si mjalti në hoje.

 

Ëndrrat e buta, pak të tmerrshme,

- Melerotin e gudulisin në gjumë!

Me trenin e kaltër zbresin t’hareshme,

Zënkat e djeshme  i hedhin në lumë.

 

Tëra magjetoret e fshatit tim

Kur gatuajnë gjellëra – mrekulli!

- Vallë, ëndrrat hëngrën – ëmbëlsim,

Sa jam kureshtar, ou, dua ta di?!

 

Si lindin ëndrrat – puhiz’e motit

Kërkonte me shami të bardhë në dorë.

E hallakati dhe fshatin e Melerotit,

Faqet mitare qeshnin yll me kurorë.

 

 

Dhe për ti mbyllur këto shënime miqësore por tejet të vërteta, më ler i nderuar i poeti Mustafa Spahiu, të nënvizojë:

Une nuk shkruaj per TY i nderuar Spahiu pse ti po perkthen Petraq Koten ne Kroatisht!!!
Une shkruaj pse duhet shkruar per nje lirik, publicist, perkthyes dhe antologjist te shkelqyer te trojeve tona etnike nen " Maqedoni ". Unë mbaj shënime për ty sepse ti e meriton piedestalin e nje shqiptari me vlere, nga ku përsëritet dhe ligjeron e shenjta gjuha Shqipe.

 

Dhe për ta lidhur fundin e këtyre shënimeve me fillimin,

Mendoj se brezat sa vijne dhe perparojne dhe jane edhe me te zhvilluar fizikisht, edhe me te zhvilluar mendërisht. Zhvillimi global shoqeror kerkon standarte te tjera, me te larta, më koncize, më prioritare seç na kerkoheshin neve. 
Sot femijet mesojne gjuhe te huaj qe ne kopesht, lozin ne kalkulator, improvizojnë, provojnë dhe më e rëndësishmja, njohim më me baza gjuhen e tyre etnike. Këto lëvizje koherente ardhmërore të pazakonta do të shkojnë pa tjetër drejt një stadi të ri gjuhësor dhe letrar. Per mendimin tim,    poezite me flutura dhe me fjale pa kuptim thjesht per rime, do të dalin jasht funksioni. Është poezia metaforike dhe filozofike, sigurisht Brenda konceptit fëminor, ajo që do të triumfojë si kërkesë imperative dhe misionare. Kjo poezi do të sjellë akses per intelektin dhe formimin e femijes. Poezite, tregimet, perrallat duhet te jene pak me komplekse, te nevojisin edhe fjale te reja me shpjegimet perkatese dhe me kuptime  morale ( morali i fabules ).  Femijet kuptojne shume me shume se sa me ndojmë e duam ne te pranojme, ne. Na duket sikur jane te vegjel dhe

" naive " por PSE - të e tyre shpeshhere na zene aq ngushte sa na kryqëzojnë si Krishtin çifutët.
Mendoj gjithashtu se e gjithë letërsia fëminore duhet te jetë interaktive, jo thjesht ligjërim i përmasuar  teknikisht. Kjo letërsi krijon tek fëmijët idete e para, etikën, estetikën, normat e moralit, gjykimit, bazën e logjikës, duke i përcaktuar së ardhmes së tyre, deshirat per nje forme apo nje tjeter art. 
 Të shkruash letersi per femije nuk eshte e thjeshte. Imagjinata efëmijëve eshte aq e madhe dhe e fantazuar, sa të çone drejt një jurie tejet special ( që janë vetë ata ) shume te veshtire per te te pranuar si shkrimtarin e tyre.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx