E premte, 25.07.2025, 03:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Me Arben Dukën, poetin që sfidoi vdekjen

E hene, 05.07.2010, 09:11 PM


Me Arben Dukën, poetin që sfidoi vdekjen

 

Nga Mihal  GJERGJI

 

Kafja me emrin “Sofja” në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë, është e privilegjuar, sepse brenda ambjenteve komode, mban pothuajse çdo ditë edhe një poet të mirënjohur, Arben Dukën. Ka zvëndësuar kështu edhe sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve ( së cilës fatkeqësisht i ka mbetur vetëm emri), edhe zyrat e shtetit ku mund të trokiste poeti për të kërkuar një ndihmë që mund ta  përfitonte falë kontributit intelektual apo nga fakti i shtetësisë dhe kombësisë shqiptare (!). Jam ulur të pi një kafe me Arbenin, një kafe të hidhur. Ai më heton me sytë e tij të thellë e të trazuar dhe vazhdojmë bisedën. Jeta i ka afruar potiren e helmit në kulmin e moshës. Poeti e ka pirë, mbase gjer në fund. Është i ri, shumë i ri, vetëm 52 vjeçar. Për këtë përballje, për hidhërimet që jeta ia ka dhënë me tepricë, Zoti si gjithmonë vendos ekujlibra: i ka shtuar dozën e sheqerit në gjak. Edhe vdekja paska shpirt. E ka mahnitur magjia e fjalës së poetit, ndryshe s’do bënte lëshime. Krijuesi jeton edhe me shqetësimet e të tjerëve, e si të mos ndjejë furtunat brenda vetes. Ja  konstatimi  tronditës  i lirikut tonë, i bërë para pesë vitesh : “ Në deje gjaku më ka ngrirë/ Qiriri në të fikur/ Tani si hëna në të gdhirë/ Jam gati në të ikur” . Ai beson se kjo mund të jetë kënga e tij e fundit, megjithse shpresa për ligjërimin “post mortum” s’e ka lënë: “Sa këngë në buzë, këtë vjeshtë/ Si zogj të ngrirë më mbetën/ Ndaj varri im me gurë të blertë/ Do të këndojë gjithë jetën”. Nuk është shënjë dobësie, as thirrje që ju të luteni për të, as justifikim për premtime të pambajtura. Jo. Është një e vërtetë e padëshiruar, fati ogurzi me të cilin vazhdon të luftojë çdo çast. Sëmundja e rëndë kërkon ta gjunjëzojë por, poeti ka shumë për të thënë, ka shumë për të shkruar, visaret që mban brënda shpirtit s’mund t’i marrë me vete. Këto ia bëjnë jetën të qëllimtë, e detyrojnë të luftojë, të mos i hedhë armët, megjithse i ka fituar të gjitha betejat. Ai është autori i më shumë se 2000 teksteve që këndohen çdo ditë, që pëlqehen aq shumë nga dëgjuesit e që janë po aq të freskëta si në kohën e publikimit të parë të tyre, 30 vëllime poetike, shumica e të cilave të ribotuara disa herë, qindra shkrimeve shpotitës, të ndërtuara me një humor të hollë dhe të botuara në gazeta me pseudonime ( Kaso Kosa apo Pelo Pelivani), të cilat ende s’janë përmbledhur në libra të veçantë, shumë poezi dhe poema fshikulluese, për qëndrime dhe sjellje të ndonjë personaliteti publik, fenomene shoqërore dhe ngjarje, që dëmtojnë nëmos drejtpërdrejtë edhe tërthorazi qytetarët e pambrojtur, pse jo, edhe krijuesit, të cilët janë pjestarë të kësaj shoqërie. Tradita e pasur e fshatit jugor të vendlindjes, i ka mësuar poetit hapat e para të fëminisë dhe të rinisë së hershme, si të ishte edukatorja e parë. Ai njeh djepin dhe varrin, këngën dhe lotin, krenarinë dhe rrebelimin. Arben Duka ka një botëkuptim të shëndoshë, njeh të djeshmen dhe të sotshmen në fushën e artit, njeh mirë shoqërinë njerëzore e cila, i ka falur gëzimet dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme, njeh filozofinë e jetës e cila, përgjithësisht s’është e drejtë dhe megjithëse është i bindur se s’mund ta ndryshojë, ndalet të bëjë analiza të mënçura dhe reagon me guximin e poetit luftëtar:  “ Do të doja të lindja shurdh/ të mos dëgjoja/ mashtrimin shekullor të shtetit/ dhe klithmën e të mjerëve/ në vargjet e poetit…” Është e lirë fjala e krijuesit, për të thënë të vërtetat ashtu si janë: “Do të doja të lindja memec/ që të mos vuaja/ nga fjalët e mia të hidhura/ prej prangave të zgjidhura”. Po cila është tematika e krijimeve të Arben Dukës. Nderimi për varret e prindërve dhe ato stërgjyshore, nderimi për pragjet e shtëpive, për bukën dhe kripën, nderimi për njerzit e halleve, nderimi për çdo pikë gjaku e djerse në tokën e rrudhur nga dhimbja, më shumë se për çdo gjë-nderimi për dashurinë njerëzore…Ai ka lënë shumë vite të jetës në zonën e bukur të Odries, rrëzë malit të Çajupit. Mirëpo sikush, edhe poeti, vendlindjen e merr vete kudo që shkon, edhe kujtimet. Ato janë parajsa nga e cila askush s’mund të na largojë. Por poeti, s’jeton vetëm me të djeshmen, sepse s’mund të mbetet pa të ardhme, mbart në shpinë hallet njerëzore dhe ndjen i pari alarmet e kohës. Shoqërinë e shtrëngojnë jo vetëm kontraditat, por edhe kriza të shumta: morale, shoqërore, fetare, jo rrallë edhe patriotike. Tendenca e tyre drejt rritjes prodhon edhe anarkinë (!). Të paditurit janë në masë të madhe, të pamoralshmit dhe të pashpirtët po ashtu. Autori i godet ata pamëshirë, pa u trembur prej arrogancës që shoqëron paditurinë dhe vesin, sepse janë të përkohshëm si gjithë të tjerët, veçse në ndryshim prej këtyre të fundit, do fshihen më shpejt nga kujtesa e brezave, nëmos që ditën e varrimit.  Ujvara poetike e Arben Dukës reflekton të gjitha ngjyrat e ylberit. Nga librat e shumtë që ka botuar, zgjodha për referim vetëm dy prej tyre: “Kristale të thyera” dhe “Hero i dashurisë”. Ja tri portrete të realizuara me mjeshtëri artistike dhe mendim filozofik, të shkëputura nga libri i parë i sipërpërmëndur: “O ti m’i pasuri në botë/ në dukje i magjishëm/ do kesh dhe ti si çdo idiot/ një fund të palavdishëm…” S’po ndalem të emërtoj këtë shtresë pasanikësh që fatkeqësisht është duke u rritur në rrugë të pandershme, e, sa më shumë majmet, aq më pak frymë marrin ata poshtë tyre. Thirrja e dytë është për ata që ushqejnë veten me iluzionin e gënjeshtërt se kolltuku u jep përjetësinë: ”O ti m’i fuqishmi në botë/ tiran a prijës i plebenjve/ diku do biesh se s’ke gjunjë/ gjunjë çelik si  të hamenjve”, ndërsa në nderim të mënçurisë, të inteligjencës që, jorrallë s’vlerësohet por edhe nëpërkëmbet, ashtu padrejtësisht, nga burokratët ozurpatorë të posteve të pamerituara, poeti shkruan: “Ndaj, ti m’i mënçuri mbi dhe/ o mënçuri e zjarrtë/ pavdekësinë e ke atje/ atje te Fron i Lartë”. Përgjithësisht, poeti shkruan me vargun tetë dhe gjashtë rroksh, me metrikë të rregullt, në një harmoni të plotë mes muzikalitetit, fuqisë së mendimit ( ideve që përcjell) dhe mjeshtërisë artistike. Gurra popullore është burimi i pashterur për poetët, kryesisht për natyrat lirike. Krijuesi anonim popullor ka gdhëndur një model të pakonkurueshëm mendimi dhe një bukuri përrallore ndjenje, përpara të cilave s’mund të qëndrojë indiferent asnjë krijues. Ato janë modelet më të mira. Arben Duka s’është vjershëtor, as krijues i zakonshëm. Ai është një poet i fuqishëm lirik. (Sigurisht që flasim për krijimet më të mira të tij, të cilat përbëjnë edhe shumicën e krijimtarisë poetike të autorit.) Ai e përpunon fjalën e zgjedhur të popullit, e stilizon, e ngre në lartësinë e artit modern. Lexohet dhe rilexohet me endje poezia e tij, nga një masë e madhe lexuesish brenda dhe jashtë vendit, të ngjall shpresat me guximin e tij dhe çuditërisht mësohet përmëndësh.  Poezia e tij është tokësore, konkrete, e prekshme, si e Dritero Agollit, Koçi Petritit, Agim Shehut, Jorgo Bllacit, është plot jetë, me mendim të fuqishëm dhe ndjenjë. Liriku i ëmbël i jugut, i ka pirë krojet e kristalta të Odries dhe i ktheu në dritë vjershërimi, i ka pirë gurrat e kulluara të Gjirokastrës dhe i ktheu në ylbere- mbi qilimat e vendlindjes të endur me fije  malli, diellin e Labovës unë e shikoj të ndriçojë mes vargjeve aq jetësorë. Poeti, herë-herë pyet veten për rrugën që ka bërë, pastaj u drejtohet lexuesve, të cilët  edhe pse i dhimbsen, i shkaktojnë një ndjenjë revolte me heshtjen e tyre të pakuptimtë: “ Kot gjëmoj me zë të dredhur/ shkuan kot këngët e mia/ për fatin që keni zgjedhur/ s’ka ç’ju bën as Perëndia!...”. Librin e tij të fundit “Heroi i dashurisë”, mbasi ma jep me shënimin në faqen e parë, më lutet që “t’i shpie një kopje edhe Driteroit, sepse ai mendon e shqetësohet edhe për ty edhe për mua, edhe…ndërsa unë s’kam mundësi që të lëviz se, siç e shikon jam me patericë…” Pastaj më pyet për shëndetin e Xhavahir Spahiut ( të cilin e çmon jo vetëm si poet, por edhe si shqiptar), për Pano Taçin e për shumë kolegë të tjerë të artit. Një shqetësim i bukur njerëzor që ka brenda edhe fisnikërinë, edhe dashurinë për jetën.  Jo më kot i këndon këtij heroi, atij të dashurisë, për të cilin mendon se ende s’ka lindur, gjersa urrejtja është e pranishme kudo dhe me pushtetin e saj arrin t’u deformojë edhe fytyrat njerzve që e bartin, para se t’i shkatërrojë plotësisht. “Në zemër s’gjeta kurrë paqe/ në asnjë varg të poezisë/ për ty nuk shkrova dot një faqe/ hero i madh i dashurisë!...” Poeti shpreson shumë te e nesërmja, madje edhe beson se koha do ta largojë ligësinë. Vargjet e tij, kanë brenda merakun e Naimit : “Do ketë Bota në fytyrë/ si tatuazh fisnikërinë/ në zërin tim ndihet çdo ngjyrë:/ lavdi atyre që do vijnë !” Në një poezi timen kushtuar Arben Dukës, të botuar në vëllimin “Shpresa të thinjura” kam pëlqyer ta krahasoj me Esenin, poetin e famshëm të stepave ruse. Ka një ngjashmëri të madhe mes tyre; brengat, dashuritë e humbura, trishtimet, njerzit të cilëve u këndojnë, edhe vargjet kanë të njëjtën muzikë brenda tyre. Veçse në poezinë e Arbenit, në vënd të stepave pa kufi të mbushur me izba, karroca me sanë dhe kuaj të hazdisur, janë malet dhe koriet plot me bilbila, ndërsa muzhikët e Eseninit zvëndësohen nga shqiptarët e virtytshëm. Plepat e poetit rus që qëndrojnë me një këmbë buzë rrugës, në poezitë e Arben Dukës zvëndësohen nga lisat që vishen nga poeti me metafora malli. Çuditërisht një qasje të tillë ka bërë edhe vetë Arbeni te libri i tij i fundit “Hero i dashurisë”. E pse të mos ta ngrerë zërin krijuesi, për atë që e çmon si vlerë brënda vetes, ndërkohë që s’është në kufijtë e ëndrrës, por një realitet i prekshëm, i vlerësuar  edhe nga masa e madhe e lexuesve? ( Ndoshta kritika mund të shtojë edhe mendime të tjera, apo të sygjerojë perkthimin dhe botimin e veprës së poetit në gjuhë të huaja !). Smira dhe xhelozia le të mbeten për të paaftët. Ja që Zoti s’është treguar njëlloj dorëlishuar e bujarë me të gjithë : “Ti, rus, gjeniu i lavdishëm/ e unë shqiptar e jo më pak/ të dy bëmë vargje të magjishëm/ por jeta na qëlloi farmak…” Mirëpo poeti ynë s’e dëshiron fundin tragjik të Eseninit, dhe ka të drejtë: “Sikur këtu të rri dhe pak/ bota asgjë nuk ka se ç’humb/ gotën e jetës, me farmak/ dua ta pi deri në fund”. Poeti ka një ëndërr për të cilën lufton papushim, është liria ; e ecjes, e mendimit, e fjalës, ajo e sendërton, e ngjiz dhe e përshkon tejpërtej krijimtarinë e tij; ka një shpresë e cila ia bën jetën të qëllimtë - zgjimi i ndërgjegjes qytetare; ka ngjitur lartësitë hap pas hapi dhe shikon vetëm përpara. Megjithëse Arben Duka s’i ka takuar klasës politike dhe s’ka qënë as deputet as politikan aktiv ( në ndryshim nga Agolli , Kadareja apo krijues të tjerë), në shumë raste s’i ka shpëtuar ndikimit të saj, ka reagur si qytetar dhe si krijues me vizionin dhe bindjet e tij, mbase shumë afër së vërtetës, me një krijimtari të gjatë e konkrete, ndërkohë që në gjykimin tim ai i përket popullit të tij dhe përjetësisë, qysh tani. Satira e Arben Dukës na kujton pamfletet politike të Nolit të madh, që godiste pa mëshirë bejlerët dhe klasën-shtet të monarkut, shtet që sipas Nolit, i trajtonte shtetasit e vet si armiq, shtet i cili i la shumë shqiptarë pa atdhe, jo vetëm për faktin se copa të majme të trojeve tona ua dha si shpërblim Kralëve e Mbretërve që i mundësuan rikthimin në pushtet, por edhe për faktin se kush shpëtonte nga prangat dhe plumbat pas shpine, merrte rrugët larg vendit të tij, shtet që shqiptarëve u dëmtoi masivisht familjet, mbasi varfëria ekonomike ta thyen krenarinë dhe mungesa e punës të detyron të bredhësh nëpër botë. Edhe Arbeni mbase ka shpresuar, megjithëse ai e di shumë mirë se: plagët që shkakton politika në trupin e popullit, s’mund t’i shërojnë fjalët e poetit, ato s’mund të veprojnë përtej edukimit të ndjenjës kombëtare, ndihmës dhe pasurimit të gjuhës së kultivuar. Fatet e popullit s’i kanë në dorë krijuesit që e duan aq shumë dhe  këndojnë për këtë vend të bekuar dhe njerzit e tij, as mërgimtarët që digjen nga malli, mbase ato ndryshojnë nga kontributet e të gjithëve sëbashku. Mes dy poetëve është një hapësirë kohore e madhe, një shekull i tërë, janë kohë krejtësisht të ndryeshme, me gjëndje dhe zhvillime po të ndryeshme, por, këtu bëhet fjalë për artin e krijimit dhe simbolikën e të shkruarit. Sidoqoftë, s’është e drejta ime të gjykoj për atë që sikush është i lirë ta bëjë në përputhje me shijet dhe bindjet e veta, veçse dëshiroj që poeti të shkojë në altarin e lavdisë ku ka vendin e tij të padiskutueshëm, i pastër, siç ka edhe shpirtin. Mbase “në kohë krize-thotë mendimtari i shquar Rexhep Qosja-njerzit bëhen moralisht më të fortë dhe shpirtërisht më të pjekur”. Mbase ka besuar, megjithëse ai e di shumë mirë se: rrallë ndodh edhe në vendet me demokraci të konsoliduar që politika ta pranojë inteligjencën ashtu, të lirë, pa korrniza, me mendimet dhe vizionet që ka… Meqënse iu referova akademikut Rexhep Qosja, të cilin do ta quaja pa hezitim njërin ndër rilindasit e fundit, po i referohem edhe njërit prej rilindasve të parë, Volterit shqiptar, Sami Frashërit, i cili na mëson se: “ Ç’duhetë për të shpëtuar ky i gjorë komp e ky i varfërë vënt nga kjo zi e madhe …Fort pakë gjë. Vetëm dëshirë…Duhet që çdo shqipëtar të ketë gjithënjë , nat’ e ditë, ndër mënt e në zemërë shpëtimin’ e Shqipërisë e mbrothësin’ e kombit shqipëtar”.  Çdo zhvillim kërkon stinën e vet, dhe ajo sjell me vete melhemin që shëron të gjitha plagët, shpresoj edhe të lirikut tonë, Arben Dukës, sepse kur largohet një poet, shuhet edhe një yll.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx