E enjte, 01.05.2025, 03:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert V. Nikolla: Engjëlli, plaku, zagarët dhe rakia

E marte, 06.07.2010, 09:50 PM


Tregim

 

Albert V. NIKOLLA

 

Engjëlli, plaku, zagarët dhe rakia

 

“Kur këndojnë bilbilat, çelin trëndafilat, kur këndojnë sorrat na  tërbohen horrat”,  – kështu këndoi plakaruqja Duda Gurra, mëngjesin e sapolindur, me të dalë në oborrin me barë të kullës së vjetër, ku vesa ende nuk kish firuar. Këmbët e saj të vyshkura ndër vite, gjenin qetësi në freskinë e fijeve të barit të njomë, si dikur në nusërinë e saj, të mbushur me seks e me zënka.

Në dhomën e gjumit violina e të shoqit qe ngjirur pak si shumë, e ndoshta telat ishin pak si të holluar.

A s’ishte jeta e njeriut si një tel violine, ku fati notat e tij hidhte?

 Thonin se plakushi saj gjithë natën fliste në gjumë me gjindët, e në mëngjes zgjohej sykuq e me nerva. Vetëm tingulli i violinës ia paqonte shpirtin e turbulluar nga luftërat eterike.

 Po mëngjesin  e fundit ajo nuk ja vuri veshin notave të violinës së tij, po solli në mendje nusërinë dhe moshën e mesme,  trishtimin që kishte ndjerë duke pritur një fëmijë. Zoti i pat falur plot  53 këlyshë buçes së shtëpisë, po asaj ai pat lënë barkun thatë. E pra qe shkërdhyer njëmijë herë më shumë sesa buça. 

Qe më nervoze se kurrë, sepse kishte ndjerë diçka në ajër. Një shpirt të ri fëmije. Si një shtrigë me aftësi telepatike të llahtarshme, ajo gjithmonë i kishte ndjerë mbërritjen e shpirtrave të rinj. 

Sapo dielli ai behu  kënduan sorrat.

Duke zbritur rrugës për tek sheshi i fshatit ajo pa pesë horrat.

Do dhunojnë ndonjë vajzë, do rrahin ndonjë të marrë, apo do të  e nisën të luajnë bixhoz e kumar, -hamendësoi. 

?Gjithmonë punojnë fatkeqit e hanë barkdreqit, - mërmëriti

Do të qe kthyer për të hyrë në shtëpi, por krejt papritur i zunë sytë Dali Gjon Balë Manolmadhin  që po zbriste tatëpjetë rrugës së kalldrëmtë me të vërshëllyera..

-Ç’e mirë, të ka gjetur Manolemadh, që je gjitha shendeverë, - pyeti plaka ende pa e përshëndetur.

-Si lumi unë nëna Dudë, - ma polli gruaja një qengj të butë. Djalë, djalë...  shënjova në të shtënën e parë., - vazhdoi burri pa u ndalur duke hedhur hapat e tij të mëdhenj.

Duda qeshi nën hundë. “Gëzimi në mes të fshatit, do ti kushtojë trapit” - mërmëriti dhe hodhi sytë nga dera ku po dilte i shoqi.

-Tu këput teli i violinës lum plaku, - foli me tallje, - merr harpën e bjeri telit tim..

-Akoma jo. Kur të këputet teli moj thatoke, Dan Gurra do të shkoje te vendi i përjetshëm,  me dy metra rrip toke,- ja ktheu plaku. – Se mora vesh pse ishte e gëzuar Daliu.

-Budallenjtë shtohen, të mençurit rrallohen.  I lindi djalë.

Nga qendra e fshatit u ndje një potere e madhe . Pesë kopilët e lagjes së epërme Darsaj, me ta pikasur mbërritjen e Daliut iu vunë me domate e bostane vjeshtukë të kalbur, jo se e kishin ndonjë inat me të, po thjesht për qejf, sa për të bërë gallatë e kaluar kohën atë paradite. Pastaj kjo ishte kthyer në traditë për baballarët e rinj.

Tufa e grave, që po merrej me bërje byrekësh ditën përpara festës kombëtare, tek furrat e vjetra, ja dha gazit me të madhe e nga të dridhurat e të qeshurave me shpirt,  pluhuri i miellit shungulloi nga prehri i tyre.

-Ku do ta çoni të ziun- briti File Allgjini, duke lënë kallmin, e duke u bërë me shenja djemve, të ndalnin e të mos e bezdisnin më shumë të sapobërin baba.

- Kush bëhet baba e ka vendin në rezervuar për të bërë një dush vjeshtor, - tha Tim Bërlloku, që në kësi rastesh, organizonte gjithmonë ndjekjen e viktimës.

           I gjori Manolemadh, vetëm atëherë u kujtua se djemtë e pamartuar këtë rreng ua kishin punuar të gjithë  baballarëve në herë të parë, dhe mallkoi gjuhën që e pat shpallur gëzimin para grave të fshatit.

Po tani, edhe sikur të mundohej të ikte, nuk do të arrinte. Ndaj ndali dhe duke nxjerrë duart para, u lut: Mos djema mos, do t'ju qeras në qytet me konjak e fërnet, a po të doni dhe qengjin ua pres, te shtëpia ime që të hani e të dendeni me dëfrime.

-Dëfrimi ynë më i madh është të bësh ti  një çikë dush, se qengjat nuk na i ndal askush, - tha Din Symadhi . –Kur na teket ja behim në çdo shtëpi, e i zoti i konakut, na  e sjell të pjekur në tepsi, - shtoi duke rrasur dorën e djathtë në bostanin që e mbante me dorën e majtë, për të  ja hedhur zorrët me farëza surratit.

Kaq mjaftoi që ai të hutohej, dhe djelmëria e mbërtheu për këmbësh e duarsh, me duart lart, si një tribu afrikane derrin e egër të saposhigjetuar në pyll. 

-Pse më turpëroni para grave, - u dëgjua zëri i mekur i burrit.

Gratë një e nga një, lanë kallmet e byrekut të festës  për të parë nga afër teatrin në natyrë të djelmërisë së fshatit. Rezervuari ishte vetëm njëqind metra më  përtej, dhe në ujin e tij të jeshilëzuar nga vezët e bretkosa dhe uji e ndenjur, rosa e para gagatnin e zhyteshin për të zënë ndonjë peshk apo bretkosë .

 Pesë horrat  bënë rrugën gjer tek bregu me shelgje nën  britmat e gëzuara të fëmijëve kishin lënë futbollin për të parë pagëzimin e Manolmadhit.

-Ju shpëlaftë mortja halabakë.- u dëgjua një zë mes turmës. Nuk latë vajzë të re pa shpuar, nuk latë burrë fshati pa zhburrëruar.

Po fëmijët ama ishin të gëzuar. Ato këndonin në kor:  “Manolemadh koçeqeni, kapeni burra ku ta gjeni, çojeni lajeni tek liqeni, se për hajre nuk e keni, baba na u bë legeni”

 Gjithë rrëmuja me të qeshura e me britma, arrinte gjer tek kulla e Gajtan Gurrës.

Pleqtë vazhdonin ta ndiqnin skemën pagëzimit të Manolemadhit nga oborri i tyre, me një kënaqësi të çuditshme.

-Nuk e kuptoj, - psherëtiu  plaku Gajtan:- pse gratë i dalin në mbrojtje gjithmonë atij huti. Çfarë ka ai mbi meshkujt e tjerë xhanëm. 

            Plakaruqja zgjati dy duart dhe ia mori kokën në gjoks plakut: “Sepse gratë nuk i vlerësojnë burrat nga koka, po nga rrota, zemra ime”.  

Plaku Gajtan Gurra, bashkë me shtatë langonjtë e tij, ja behu tatëpjetës së zabelit me lisa, duke i rënë violinës e duke kënduar një këngë paksa bizare:

“Kauri qe vjen, nuk është si të tjerët, 

sa thoi i tij s'do të vlejmë ne të mjerët”.

Kush e dëgjonte, ndalonte e thoshte me habi: Paska rrjedhur nga trutë  i gjori.

Pasioni për violinën dhe gjuetinë, kishin qenë dy qejfet e tij, por askush nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë të këndonte kësi këngësh, aq më tepër të shoqërohej edhe me ison e shtatë qenve të tij të çuditshëm, që nuk e kishin mendjen as tek shkurtat dhe thëllënxat e zbritura nga mali i dëborosur, e as tek lepujt e shumtë që fshiheshin në kaçubet e dëllinjave, anës rrugës në kërkim të gjetheve të lakrave të egra qumështore, që vjeshta i harliste nëpër gjembore, por tek padroni leshrabardhë.

Nëntori ja kish behur ndryshe, as i ftohtë e as i ngrohtë, e kundra të gjitha nëntoreve të tjera pa shi. Një nëntor pa shi! 

Gjethet po vononin të binin, netëve me hënë, kur kukumjaçkat e reja këndonin me një ritëm të shfrenuar pas gjuetisë së kafshëve të vogla. Mëngjeset zbardhnin e të dielat pasonin njëra tjetrën. Ç'po ndodhte,- mërmërisnin plakat e fshatit Zall, - teksa lanin rrobat e bardha anës së lumit, duke dëgjuar këngën e plakut Dan dhe duke goditur me llomdasa rrobat e bardha në  govatat e drunjta, ku shkuma kërcente përpjetë me flluska.

Herë pas here, era shpërfillej në rrugën e vjetër romane, dhe si i puthte kreshpat e latuara të gurëve të mëdhenj, mblidhte gjethe e pluhur, dhe i cicifloste rrethçe, po pa ju afruar plakut, a thua se dhe qeniet e padukshme, jepnin shenjë se vërtet diçka e pazakonshme kishte për të ndodhur në atë nëntor.

Papritur në bërrylin e rrugës i shfaqën një turmë djemsh të rinj, që po vinin nga lagjja e poshtme për në lagjen e sipërme të fshatit. Kjo bëri që zagarët të ndalnin kujën dhe  ti afroheshin të zotit të tyre, gati për të sulmuar djelmoshat që e kishin marrë me të vërshëllyer rrugën gjer në Grekaj, pasi energjia që kishin gllabëronte me hapa jo vetëm shpatet e zabeleve me lisa, por edhe shpatet e maleve, po të qe nevoja.

-Ruajna Zot prej qenve të xhaxha Danit, - Briti Tit Rama ende pa u afruar, kopesë, duke marrë shkopin e parë që i zuri dora. – Në më ngultë dhëmbët ndonjë qen, mbesën tënde do ta dend, - e paralajmëroi të zotin e kafshëve, duke tundur shkopin, pasi e dinte qe thinjoshi me leshra të lëna, kishte shumë qejf ta shburrëronte dhëndrin e ardhshëm.

Lagjja e sipërme i kishte femrat, më të mira se të lagjes së poshtme. E lagia e poshtme, kishte meshkuj më të fuqishëm se të lagjes së sipërme. Mirë e dinte këtë plaku Dan, ndaj  ndali violinën e ua hodhi një sy tre trimoshëve, si për tua matur kostumin e djalërisë dhe duke ua bërë qenve “Sus-sus, trimat e mi” për ti qetësuar, u kollit si për të lënë të nënkuptohej se nuk do ta kalonin lehtë rrugën para tij:

-A jeni ato që keni qenë para një jave, - pyeti ai me zërin e tij të trashë, pa i përshëndetur. –se për emër të perëndisë, jua shova qentë t'ju shqyejnë.

-Jemi ata që ishim xha Dan, kokë e këmbë me koqe e dhëmbë, - ia ktheu Ard Zefi, duke u gëlltitur, për shkak të skërmitjes së dhëmbëve qe qentë bënin herë pas here.

- Domethënë nuk keni bërë ndonjë paudhësirë në shtatë ditët që s’jemi parë, - vazhdoi plaku, duke dredhur mustaqet e tij, e duke qetësuar për së dyti qentë. – E ku po veni kështu, - bëri sikur u bë kurioz, megjithëse e dinte se ku do përfundonin.

- Po shkojmë të puthim të bukurat e lagjes së sipërme, - gjegji më i vogli në trup e më i madhi në moshë. - Kur të zë dashuria, vete lë leshtë nga Italia, - vazhdoi me të qeshur.

- Shkoni bëni qejf, po kujdes mos mbushni thasët me miell elbi, se detyroheni ta hani koromane gjithë jetën tuaj pastaj,- i këshilloi plaku,  duke tërhequr qentë në të majtë të rrugës së kalldrëmte.

Djemtë qeshën me të madhe, aq sa disa zogj në lisat afër të trembur fluturuar me shpupuritje të shpejta për në thellësi të lisnajës. Ata ndjeheshin vërtet të mrekulluar nga mënyra sesi plaku i këshillonte që të ishin të kujdesshëm në seks me të fejuarat.

-Kemi marrë masa, -ja preu Tit Rama duke tundur një qeskë me prezervativ, - po sakaq plaku kishte filluar t’i binte violinës teksa humbte bashkë me qentë në bërrylin e rrugës së madhe.

Kënga e mëllenjave të zeza që kishin shtegtuar nga veriu i Evropës, në drejtim të  brigjeve të Mesdheut, përzihej me cicëritjet e gushëkuqëve, dhe kanarinave të verdha, që pasi ishin ngopur me fara jonxhe e luledielli në fushat anës lumit, loznin mes flushkave të kafëta të dushkut.

Me të dalë nga zabeli në fushë, sytë i zunë ca kavaleta me kashtë misri. Aroma e luginës ja mbushi mushkëritë.  Zhishuma e ujëvarës matanë prronit të Tafarelëve, sa vinte e bëhej më e fortë. E donte melodinë e asaj ujëvare po aq sa edhe  melodinë e violinës së tij të vjetër.

Në të vërtetë, jo më kot atë mëngjes pat marrë langonjtë e çiften e pat zbritur tatëpjetë. Instinkti i tij nuk e gënjente. Mes shelgjeve ku një bërryl burimi i ftohtë dilte nga zemra e tokës, vulma tymuese e një zjarri fyollonte  në drejtim të qiellit me ruda të bardha resh ku dielli herë shfaqej e herë humbte, a thua se po luante kukafshehthi me pamjen e bukur të kurrizit të tokës.  Eh, ai tym zjarri që mjegullonte ereninë (mirazhin) e pyllit të madh të Muçbabëve: Zbulonte vendndodhjen e kazanit të rakisë.  



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx